Për herë të parë në Shqipëri, një event i ri vjen për të krijuar një hapësirë gjithëpërfshirëse për artistët e rinj dhe të apasionuarit pas performancës. “Performer Cup Albania”, nën drejtimin e presidentes për Shqipërinë, Rexhina Çuko, synon të bashkojë artin, sportin dhe kulturën, duke ofruar një platformë unike për këngëtarë, kërcimtarë, aktorë, instrumentistë dhe artistë të tjerë.
Me një format inovativ dhe një juri profesionistësh nga Shqipëria dhe Italia, ky kampionat synon të zbulojë dhe promovojë talentet më të mira, duke u dhënë mundësi të reja për zhvillim dhe karrierë.
Advertisement
-Rexhina e nisim me risinë, çfarë është “Performer Cup Albania” dhe çfarë synon të arrijë?
“Performer Cup Albania” është një kompeticion gjithëpërfshirës që synon të krijojë një hapësirë të re për talentet e reja dhe artistët e apasionuar. Ky event kombinon artin, sportin dhe kulturën, duke ofruar mundësi për këngëtarë, kërcimtarë, aktorë, instrumentistë, cirk dhe performancë të kompletuar.
-Cili është mesazhi kryesor i këtij kampionati?
-Slogani ynë është “Ne jemi bashkuar për të njëjtën dashuri”, që pasqyron përkushtimin tonë për të mbështetur dhe promovuar artin dhe talentin në të gjitha format e tij, pa kufizime apo përjashtime.
-Çfarë e bën këtë kampionat të veçantë?
-Një nga aspektet më të rëndësishme është përfshirja e individëve me aftësi speciale, të cilët do të kenë një kategori të dedikuar. Ky është një event i hapur për të gjithë, duke krijuar mundësi të barabarta për çdo talent të shprehet dhe të vlerësohet.
-Cilat grupmosha mund të bëhen pjesë e këtij formati?
-Janë të mirëpritur të gjitha grupmoshat, që nga fëmijët 6 vjeç deri në 90 vjeç
-Si do të zhvillohet gara dhe cilat janë fazat e saj?
Gara do të organizohet në disa faza:
Audicionet rajonale do të zhvillohen në tre qytete kryesore: Shkodër (për veriun), Vlorë (për jugun) dhe Tiranë (qendra e përzgjedhjes finale).
Një juri profesionistësh nga Shqipëria dhe Italia do të vlerësojë konkurrentët dhe do t’i ndajë ata në katër nivele: Fillestarë, Mesatarë, Të Avancuar dhe Klasa S (për individët me aftësi ndryshe).
Pjesëmarrësit e përzgjedhur do të kalojnë në një raund të dytë, ku do të testohen në një garë të drejtpërdrejtë dhe do të marrin certifikata për nivelin e tyre artistik.
Finalja e madhe do të shpallë fituesit e secilit nivel, të cilët do të vlerësohen me çmime prestigjioze, përfshirë edhe çmime në vlerë monetare.
Në fund të kompeticionit, do të zhvillohet gara për “Kupën e Shqipërisë”, ku talenti më i spikatur i edicionit do të kurorëzohet si fitues absolut.
-Çfarë vlerësimesh mund të kenë pjesëmarrësit?
-Përveç çmimeve dhe njohjeve, talentet më të spikatura do të kenë mundësi për bursa shkollimi dhe oferta punësimi, duke i ndihmuar në zhvillimin e tyre profesional dhe artistik.
-Si mund të ndikojë ky kampionat në skenën artistike shqiptare?
-“Performer Cup Albania” nuk është thjesht një garë, por një platformë që synon të frymëzojë dhe mbështesë artistët e rinj në rrugëtimin e tyre. Ky kompeticion do të ndihmojë në krijimin e një skene artistike më të fortë dhe më të bashkuar në Shqipëri.
-Cila është pritshmëria juaj për këtë edicion të parë?
-Presim që të kemi një pjesëmarrje të lartë dhe një nivel të shkëlqyer performance. Shpresojmë që “Performer Cup Albania” të bëhet një event i përvitshëm dhe një pikënisje për shumë talente të reja që duan të lënë gjurmë në artin shqiptar.