Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Në kërkim të së vërtetës kulturore, Egla Xhemali dhe misioni i saj në “Odeon”

Frymëzimi, sfidat dhe aspiratat; Rrëfimi i Egla Xhemalit për gazetarinë dhe kulturën shqiptare

Advertisement

Egla Xhemali, gazetarja e njohur dhe autore e emisionit kulturore “Odeon”, ka krijuar një hapësirë të veçantë për artistët dhe diskutimet mbi kulturën në Shqipëri. Në këtë intervistë, ajo ndan rrugëtimin e saj të fillimeve të vështira në gazetari, pasionin për artin dhe kulturën, si dhe sfidat që ka përballuar gjatë karrierës. Nga influenca e gjyshit të saj, te ndikimi i politikave dhe sfidat në mbulimin e çështjeve kulturore, Xhemali flet për angazhimin e saj në ndihmën e formësimit të identitetit kulturor të Shqipërisë. Emisioni i saj “Odeon” është një dritare ku artistët dhe intelektualët mund të diskutojnë pa censurë, duke sjellë një pasqyrë të ndritshme dhe të thellë të jetës kulturore të vendit. Ajo gjithashtu ndan aspiratat për të ardhmen dhe këshillat për gazetarët e rinj që dëshirojnë të ndikojnë në fushën e medias dhe kulturës.

Sfondi dhe frymëzimi: Egla, le ta nisim këtë intervistë duke hedhur pak dritë mbi të kaluarën dhe vështirësitë e nisjes në gazetari. A mund të na tregosh pak për rrugëtimin tënd në këtë fushë? Çfarë të udhëzoi drejt fokusit në tema kulturore dhe çfarë të shtyu në krijimin e emisionit “Odeon”?

-Së pari, ju falënderoj që më jepni mundësinë të rikthehem te lexuesit tuaj, përmes kësaj interviste. Isha studente e vitit të dytë në degën “Gjuhë dhe Letërsi Shqipe”. Në përfundim të semestrit të dytë të ciklit studimor, ndërkohë që prisja pushimet e verës, m’u propozua të bëhesha pjesë e stafit të “Gazeta shqiptare”. 

Dëshiroja që atë verë të punoja, ndaj e pranova ftesën e tyre. Në korridoret e ambientit të punës shihja gazetarë të njohur, kurse në katin e fundit të godinës, aty ku ishin vendosur kolegët, me të cilët do të ndaja punën ishte një hapësirë e ngrohtë dhe shumë mikpritëse. Anilda Kaçaçi, Trëndafile Visha, Enida Himaj, Erli Murati dhe Rezarta Delisula kanë qenë mbështetësit e mi më të mëdhenj dhe njerëzit që ma lehtësuan rrugëtimin e parë të punës. Ata besuan tek mua që prej fillimit, duke më sprovuar me suplementet, të cilat për hir të së vërtetës ishin përgjegjësi për një zonjushë, pa eksperiencë më herët, e për të vijuar me aktivitete apo intervista të rëndësishme. Kështu filloj një ëndërr, që e kam të vështirë ta ndajë nga pasioni e dashuria edhe sot.  Gazetaria është dinamike. Çdo ditë është e ndryshme nga dita e kaluar, por edhe nga ajo që pritet të vijë. Nuk e pata të vështirë të hyja në ritëm, ngase i ndiqja zhvillimet e kulturës me shumë interes qëkur isha e vogël, kohë në të cilën lexoja shumë. Kur isha vogëlushe sa herë, kur të tjerët më pyesnin çfarë kisha dëshirë të bëja kur të rritesha, thoja shpesh se do të ndiqja rrugën e gjyshit. Ai kishte pasur një veprimtari të gjatë si mësimdhënës në “Gjuhë dhe Letërsi shqipe”, nxënësit e donin njëjtë si atëherë, kur i ndriçonte me dije, ndaj e lumtur për çfarë shihja e për dashurinë e tij për librat, unë zgjodha të njëjtin drejtimin. Fillimet janë të vështira, ngase realiteti në çdo vend pune ka vështirësitë e tij, megjithatë kam ndjerë shumë dashuri nga personazhet dhe nga kolegët e punës. 

Më tej, u bëra pjesë e një projekti të veçantë ku flitej për librat, autorët dhe për letërsi të mirë e të kultivuar. “Scriptum n sonus” më tronditi me emocione të bukura e përjetime të jashtëzakonshme, si me formatin në radio, si me takimet letrare me autorë, përkthyes e studiues, të cilat i drejtoja unë. 

Në të njëjtën kohë, atëherë kur nuk e prisja nga televizioni “Syri” më shprehën dëshirën për të mbuluar kulturën. Një dritare mediatike e re me qëllim kërkimin dhe luftën për të vërtetën, këtë pata përshtypjen e bisedës së parë me drejtuesit e “Syrit”. Duke qenë dhe natyrë kritike, “Syri” do të ishte hapësira e duhur për t’u shprehur e për të evidentuar problematikat që shqetësojnë artistët dhe artin sot. Me tu bërë pjesë e “Syri Tv” misioni ishte i qartë, të sillja një frymë të re të të bërit kulturë, të trajtoja ngjarjet e aktualitetit, të shkoja tek e bukura estetike dhe shpirtërore, si dhe të ngrija çështje të patrajtuara që shqetësonin njerëzit e artit. Pas një pune të gjatë disavjeçare në formën e specialeve (materiale të gjata dedikuar artit dhe kulturës), vendosëm së bashku me Andi Bejten, drejtorin e programacionit të “Syri Tv” t’u jepnim një formë të plotë e t’i kushtonim një emision artistëve të çdo fushe brenda kulturës. “Odeon” erdhi si një vatër e ngrohtë, për të pritur miq të kulturës në intervista pa klishe. Artistët dëgjohen pa censurë në të gjitha dimensionet e lirisë së fjalës. “Odeon” është porta ku torkitet për të rrëfyer të vërtetat e patjetërsueshme.    

Sfidat në gazetari: Si një gazetare që ka dhënë prova për aftësitë dhe vlerat profesionale, që punon në një mjedis dinamik, cilat janë disa nga sfidat më të mëdha me të cilat jeni përballur në karrierën tënde, veçanërisht gjatë mbulimit të çështjeve kulturore?

-Sfidat kanë qenë të shumta. Një prej tyre është përballja me kufizimet që vijnë nga ndikimi i politikës dhe institucioneve në art dhe kulturë. Po ashtu, jam përpjekur të sfidojë tabutë e shoqërisë duke sjellë diskutime të guximshme mbi gjendjen e kulturës dhe artit në Shqipëri, ndonjëherë duke u përballur me rezistencë ose indiferencë nga publiku dhe autoritetet. 

Sfida më e madhe e këtyre viteve ka qenë paraqitja e lajmit me vërtetësi dhe ndjekja e një çështjeje deri në fund, edhe kur tentojnë në çdo formë të të ndërpresin hovin e të të largojnë nga e vërteta. Shpesh ndodh që të të kërkojnë të mos publikosh një lajm apo të mos kritikosh aktivitete, megjithatë deri më sot nuk ka ndodhur të kem pasur lëkundje për të paraqitur përmes materialeve një ngjarje, e cila është lajm. Harrojnë se gazetari e ka për detyrë ta mbajë publikun të informuar, harrojnë po ashtu se pyetjet, të cilat i cilësojnë si kritike janë thjeshtë dhe vetëm për informim e për të nxjerrë një lajm sigurisht. 

Përfaqësimi kulturor: Si e vendos se cilat tema apo figura kulturore do të shfaqen në “Odeon”? Çfarë kriteresh përdor për të siguruar përfaqësim të larmishëm dhe me vlera?

-Një ditë nuk i ngjan tjetrës. E kam të qartë se si do të funksionojë. Nëse ka zhvillime aktualiteti, një temë që zjenë prej kohësh e që ka nevojë për t’u qartësuar i dedikohem asaj. Kur kam dorë të lirë, përpiqem të përzgjedh mes figurave të rëndësishme  të artit për të trajtuar çështje që prekin jetën kulturore e veprimtarinë e tyre. “Odeon” krijon një atmosferë intime për diskutime mbi krijimtarinë, artistët dhe sfidat e tyre, duke shërbyer si “strehë” për promovimin e kulturës dhe dialogut cilësor. 

Ndikimi i medias: Sipas teje, çfarë roli luan media në formësimin e identitetit kulturor dhe ndërgjegjësimit në Shqipëri sot? Si e sheh veten në kontriubuimin e kësaj çështjeje?

-Media në Shqipëri luan një rol thelbësor në formësimin e identitetit kulturor dhe ndërgjegjësimit publik. Ajo ndikon në ruajtjen dhe promovimin e traditave kombëtare, nxjerrjen në pah të talenteve artistike dhe krijimin e një platforme për debat mbi çështje sociale dhe kulturore. Përmes programeve edukative, reportazheve kulturore dhe diskutimeve publike, media jo vetëm informon, por edhe ndihmon individët të lidhen me trashëgiminë e tyre. Megjithatë, sfidat si politizimi dhe dezinformimi mund të ndikojnë negativisht në këtë funksion të saj. Mendoj që përmes emisionit “Odeon” në Syri TV, kontribuojë në ndërgjegjësimin kulturor duke krijuar një platformë që nxit diskutimin e çështjeve kulturore dhe artistike. Promovojë krijimtarinë shqiptare dhe reflektoj mbi rolin e kulturës në shoqëri, duke sjellë zëra të veçantë që ndihmojnë në formësimin e identitetit kombëtar dhe vëmendjen ndaj sfidave kulturore të kohës. Për mua, media është një mjet për të forcuar lidhjen mes brezave dhe për të ruajtur trashëgiminë kulturore në një mjedis gjithnjë e më globalizuar.

Kujdesi dhe angazhimi i audiencës: A mund të ndash ndonjë koment ose ndërveprim të paharrueshëm që ke pasur me audiencën tënde në lidhje me “Odeon”? Si i përgjigjen shikuesit diskutimeve kulturore që ti paraqet në ekran?

-Një ndërveprim i paharrueshëm me publikun ka qenë gjatë intervistës me Ismail Kadarenë. Kjo intervistë ka zgjuar një interes të madh për shkrimtarin e njohur dhe veprat e tij, të cilat janë shumë të rëndësishme për kulturën shqiptare dhe më gjerë. Kadare ka shpjeguar, përmes bisedës, mënyrën se si është përballur me censurën dhe pasojat e veprave të tij, si dhe si ka përdorur letërsinë për të shpërfaqur totalitarizmin dhe për të ruajtur vlerat kulturore në një periudhë të vështirë për Shqipërinë. Kjo bisedë është bërë një mundësi që shikuesit të kuptojnë më thellë figurën dhe filozofinë e Kadaresë, duke i dhënë mundësi audiencës të shohë jo vetëm aspektet letrare të veprave të tij, por edhe ndikimin e këtyre veprave në kontekstin historik dhe kulturor shqiptar. 

Përveç Kadaresë, një moment i rëndësishëm për mua dhe “Odeon” ka qenë intervista me shkrimtarin Fatos Kongoli. Shkrimtari diskutoi për ndikimin e kohës dhe shoqërisë në letërsinë e tij. Gjatë bisedës, ai theksoi rëndësinë e letërsisë si një pasqyrë e shoqërisë dhe ndërgjegjësimin e individëve për historinë e tyre kombëtare dhe personale.

Një ndërveprim tjetër me rëndësi në emisionin “Odeon” ishte kur diskutova me shkrimtaren Flogerta Krypi për gjendjen e bibliotekave në Shqipëri. Kritika e drejtpërdrejtë ndaj politikave kulturore dhe pasioni i Krypit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore ngjallën reagime të fuqishme nga audienca, e cila shpesh i përgjigjet këtyre diskutimeve me mbështetje dhe debat aktiv. Publiku e vlerëson ”Odeon” si një hapësirë për dialog të thellë mbi tema që ndikojnë drejtpërdrejt në identitetin dhe ndërgjegjen kombëtare.

Një emision i veçantë në “Odeon” ishte kur intervistova poeten Luljeta Lleshanaku, ku ajo ndau eksperiencat personale mbi censurën gjatë regjimit komunist dhe ndikimin e tij në krijimtarinë e saj. Ky diskutim emocional nxiti audiencën të reflektojë mbi rëndësinë e kujtesës kolektive dhe fuqinë e artit për të tejkaluar kufizimet shoqërore. Shikuesit shpesh reagojnë me vlerësime për sinqeritetin dhe thellësinë e temave që trajtoj në “Odeon”, duke i parë si një ftesë për ndërgjegjësim dhe diskutim më të gjerë mbi kulturën dhe historinë.

Janë shumë raste, kur edhe në takime të paprogramuara apo në aktivitete të ndryshme marrë urime për temat dhe personazhet që bëhen pjesë e “Odeon”. Nuk ka kënaqësi më të madhe se kaq. 

Aspiratat e së ardhmes: Duke parë shumë vite më tej, cilat janë aspiratat e tua për “Odeon”? A ka ndonjë temë, projekt ose ndryshim të veçantë që shpreson të eksplorosh në episodet e ardhshme?

-Aspiratat e mia për “Odeon” mund të përfshijnë zgjerimin e gamës së temave kulturore, duke përfshirë më shumë projekte ndërkombëtare dhe bashkëpunime me artistë shqiptarë në diasporë. Synojë thellimin e diskutimeve mbi ndikimin e teknologjisë në kulturë, ruajtjen e trashëgimisë kombëtare dhe edukimin kulturor për brezat e rinj. Gjithashtu, është e mundur të eksplorojë forma të reja mediatike, si dokumentarë ose projekte multimediale, për të sjellë përmbajtje më të pasur dhe interaktive për publikun. Kam dëshirë të eksplorojë tema të reja dhe të guximshme në episodet e ardhshme të “Odeon”, duke i dhënë më shumë hapësirë diskutimeve mbi inovacionet kulturore dhe ndikimin e politikave publike në art. Një mundësi mund të jetë theksimi i ndikimit të globalizimit në kulturën shqiptare dhe rëndësia e ndërveprimit ndërkulturor, si dhe përdorimi i teknologjisë për të promovuar artin dhe letërsinë shqiptare në nivel ndërkombëtar.

Këshilla për gazetarët aspirantë: Çfarë këshille do t’u jepje gazetarëve të rinj dhe aspirantë, veçanërisht grave, që duan të ndjekin hapat e tua dhe të bëjnë ndryshim në këtë fushë?

-Për gazetarët e rinj, veçanërisht vajzat që dëshirojnë të ndjekin hapat e mi, këshilla  do të ishte të qëndroni të vendosura dhe të pasionuara për çështjet kulturore që duheni të trajtoni. Krijoni një zë unik dhe qëndroni të guximshme për të eksploruar tema të reja, për të sjellë perspektiva të freskëta dhe për të pasur një ndikim të vërtetë në shoqëri.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Gesti Lluca, “piktori” i pjatave... Pasioni dhe kreativiteti që tansformon gatimin në art

Next Post

Ylli i "It Ends With Us", Justin Baldoni, rrëfen për ankthin gjatë xhirimeve; Ai film nuk ishte vetëm lule dhe trëndafila për mua

Advertisement