Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Më rrënoi, për një kameriere!

Unë që po ju shkruaj jam një grua që jeton në skamje, në një varfëri të tejskajshme. E ta mendosh se isha unë ajo që kisha një pasuri që e lakmonin të gjithë! Shkaktari i kësaj humbjeje është ish-bashkëshorti im. Ja, cila është historia ime…

Në moshën 20 vjeçare u martova dhe mbeta pa bërë shkollën e lartë. Bëra menjëherë dy fëmijë, një vajzë e një djalë. Duheshim shumë me bashkëshortin dhe kjo gjë bënte që ne së bashku të bënim çdo gjë. Meqenëse familja e tij ishte shumë e varfër, ne nuk kishim një shtëpi tonën dhe jetonim me vjehrrin e vjehrrën. Nuk shkoja keq me ta, madje i doja e i respektoja si prindërit e mi. Problemi kryesor për mua ishte pasuria. Gjithmonë kam ëndërruar të jem e pasur e të mos vuaj për asgjë, por si duket, është e vërtetë se sa më shumë t’i ëndërrosh gjërat, aq më pak të realizohen. Kështu, ne vendosëm të hapnim një biznes. Unë nuk kisha ndonjë profesion, kështu që e vetmja zgjidhje ishte të hapnim një lokal. Ashtu bëmë. Lokalin e ndërtuam afër shtëpisë sepse kishim një bahçe të madhe. Morëm një kredi dhe filluam punimet. Burri dhe unë punuam krah për krah me punëtorët. Vjehrrit më ndihmonin me fëmijët e çdo gjë shkoi për bukuri. Që në fillimet e biznesit, fitimet ishin të mëdha. Na pengonte pak kredia të mblidhnim lekë, por kur kishim punë, nuk ndjehej fare. Menjëherë e paguam kredinë dhe filluam të ndërtonim një shtëpi në pjesën e mbetur të oborrit. Pasi bëmë katin e parë, na lindi dëshira të bënim edhe një kat tjetër e më pas një tjetër. Kështu, bëmë një vilë që të linte pa mend. Edhe nga brenda e mobiluam sipas kohës. E pra, isha mjaft e gëzuar që më në fund, edhe pse u deshën disa vite punë, ia arrita të plotësoja të gjitha dëshirat, të kisha fëmijë të mrekullueshëm, të kisha një shtëpi timen dhe një biznes shumë fitimprurës. Pra, vërtetova se edhe ëndrrat bëhen realitet. Kishin kaluar 5 vjet nga martesa dhe tashmë isha e kompletuar. Megjithatë, unë po punoja shumë e nuk më dilte shumë kohë për veten që të mbahesha e të bëja qejf si disa gra që ua sigurojnë burrat të gjitha e ato duhet vetëm të mbahen. Si duket, ky ishte gabimi im. Në fakt, ky nuk mund të quhet gabim sepse unë punova për familjen time, por burrat janë të çuditshëm. Nëse kanë një grua që punon e mban shtëpinë, nuk “u ngrifet”, siç thonë disa dhe e tradhtojnë… Nejse, unë nuk pendohem për këtë. Gjithçka e keqe filloi kur ne morëm në punë një vajzë. Ajo nuk ishte e shkolluar, kështu që punonte kameriere. Ishte një vajzë e urtë dhe shumë punëtore. Ajo ishte shumë e varfër sepse babai i saj ishte një pijanec që nuk ishte kujdesur kurrë për familjen e tij.

– Është vajzë shumë e mirë! – i thashë burrit tim – Ishim me fat që e gjetëm.

Advertisement

– Eh, – tha ai, – si të tjerat është.

U habita si ai nuk e lavdëroi dhe për këtë nuk dyshova aspak.

Ajo rrinte në punë pa orar dhe kështu, fitoi besimin tim. Vinte edhe në shtëpi e ne nuk kishim dyshim tek ajo, sepse e kishim provuar disa herë me lekë e nuk i kishte marrë.

– Kjo është hallexhie – i thashë vjehrrës – do punë e jo të vjedhë.

– Po, ashtu më duket edhe mua, – tha vjehrra. – Në fillim nuk më pëlqeu, sepse m’u uk pak si e fshehtë, por shoh që qenkam gabuar.

Në fakt, unë nuk e dija se të vjetrat, siç ishte vjehrra ime, kishin eksperiencën e vitve dhe nuk mund t’u gabonte syri.

Me këtë taktikë, kjo vajzë po përparonte në jetën e burrit tim. Ai paskësh qenë dashuruar me të. Ata të dy kishin shumë kohë të rrinin bashkë, sepse unë tani i besoja dhe nuk përpiqesha ta ruaja. Kisha parë se puna nuk na kishte rënë, ama lekët nuk na dilnin. Unë kisha llogari bankare dhe kështu, detyohesha ndonjëherë edhe të prekja në to, mirëpo kjo gjë filloi të më shqetësonte shumë.

– Nuk e di se ç’po ndodh… – i thashë burrit.

– Çfarë? – tha ai.

– Puna nuk ka rënë, por ne nuk po na dalin lekët. Ne kemi kohë që nuk i prekim lekët në bankë e tani, çdo muaj na duhet të marrim nga ato.

– Po janë shtuar shpenzimet tona. Prit edhe pak sa të rriten fëmijët e do shohim ne se sa do të kursejmë…

– Prapëseprapë nuk po e kuptoj këtë gjë. – i thashë.

Ai si gjithmonë e mbylli bisedën pa zgjidhur asgjë. Koha po kalonte dhe gjendja e parave po binte. Asgjë nuk po kuptoja, derisa erdhi koha ku ne nuk kishim më lekë në bankë. U mundova të bindja veten me lloj-lloj justifikimesh, por nuk ia arrrita. Në fakt, e paskam patur në shtëpi përgjigjen.

Burri im, i dashuruar marrëzisht pas kamerieres, i jepte lekë e ajo mbante me to familjen e saj. Pra, na ishin shtuar shpenzimet vetëm për këtë. Po nga ta dija unë këtë? Në një moment, më shkoi mendja se mos ndoshta kamerierja kishte filluar të na vidhte, ndaj vendosa të shkoja te shtëpia e saj. Më ndihmoi edhe pak fati se ajo atë ditë nuk kishte ardhur në punë sepse më kishte marrë në telefon e më tha se ishte me grip. Pa e njoftuar, unë u nisa e shkova te shtëpia e saj. Trokita dhe më doli e ëma.

– Hajde! Oh, sa mirë bëre që erdhe, se ne të duam shumë. – më tha ajo vetëm për të më thënë se sa shumë më vlerësonte, por unë e mora si pikënisje për të zbuluar atë që doja.

– Faleminderit, po unë një njeri i thjeshtë jam, s’ka nevojë për gjithë këto gjëra.

– Jo, e ke gabim, ti për ne nuk je njeri i thjeshtë, ti po na mban frymën gjallë. Kishim kohë që nuk jetonim kaq mirë sa tani që vajza ime punon te ti. Ajo është shumë e rregullt. Ja, edhe sot që ishte pak pa qejf tha se do vinte nja 3-4 orë në punë se nuk donte t’ju pengonte punën.

T’i thosha se ajo nuk kishte ardhur fare në punë, nuk doja ta mërzisja, sepse mendova se vajzë e re dhe do të kishte një të dashur. Pastaj, u ula dhe pashë se sa të bukur e kishte shtëpinë.

– Ja, si na e ka bërë shtëpinë vajza me të gjitha të reja. Është një vajzë e mrekullueshme, asnjë lek nuk harxhon, të gjitha për ne i ka.

Në atë çast kuptova se ku shkonin lekët e mi, mirëpo unë mendova se më vidhte mua. Në këto mendime, troket dera dhe futet brenda vajza. Ajo ngriu në vend kur më pa, mirëpo unë, si zemërmirë që jam, nuk doja t’ia thoja para nënës së saj. Pas nja 10 minutash i thashë se doja të dilja e të më përcillte. Ajo pranoi, edhe pse akoma nuk e kishte marrë veten. E ftova të uleshim te një kafe aty pranë.

– Pse i ke gënjyer prindërit?

– Më shumë më vjen keq që i mësove gjërat në këtë mënyrë. Ne kishim kohë që do ta thonim, tani që dhe unë jam shtatzënë…

– Ej, prit pak, si the? Ne? Shtatzënë?

– Po pra, unë dhe Mimoja…

– Mimoja? E ke fjalën për tim shoq? Po ç’lidhje ka ai me shtatzaninë tënde?

– Ti e di që ai është babai… Prandaj ke ardhur këtu, që të marrësh hak ndaj meje…

– Ej, unë nuk dija asgjë, por mendoja se më vidhje lekët se kishe kompletuar shtëpinë, por… – nuk mundesha të flisja më. Edhe ajo e kuptoi se gaboi, por nuk kishte këtë hall. Ajo kishte kohë që donte që unë ta merrja vesh. Unë, nuk po e merrja dot veten… Më ra si të fikët dhe kur u zgjova, pashë se isha te shtëpia e saj. Meqenëse kishim qenë afër shtëpisë së saj, ajo më kishte futur aty, kur më kishte rënë të fikët. Për çudi, aty erdhi edhe im shoq. Ata e kishin lajmëruar, por dihej se ai do të kish qenë aty afër, aq shpejt sa erdhi…

– Zhdukuni! – ishte e vetmja fjalë që më doli nga goja.

Burri më mori, më futi në makinë e më çoi në shtëpi. Ia tregova të gjitha vjehrrit dhe vjehrrës. Ata u shokuan. Im shoq, pa pikën e turpit, u tha:

– Këto gjëra ndodhin kudo në botë. Mos u mërzisnin aq shumë. Unë do të rregulloj çdo gjë.

– Zhduku nga shtëpia jonë! – i tha vjehrri. – Nuk ma mbush dot mendjen me këto budallallëqe, po zhduku!

Ai iku dhe kështu filloi rrënimi im. Lokali u mbyll sepse nuk kishim si ta organizonim më. Ai iku, bashkëjeton me të e kanë një djalë të vogël. Unë tani jetoj me një rrogë shitëseje dhe me pensionet e vjehrrit e vjehrrës, sepse nuk kam ku shkoj. Kam provuar ta shes vilën dhe të blej dy hyrje që të paktën të mos mbaj prindërit e tij, por më dhimbsen se, tek e fundit, ata nuk kanë faj. Më duan e më ndihmojnë me sa kanë mundësi e sidomos me fëmijët. Ai i takon ndonjëherë kur unë nuk jam në shtëpi. Nuk kam nevojë t’ia ndaloj se e di se edhe ata i merr malli për të se e kanë fëmijë, por shoh se nganjëherë ata duan ta kenë në shtëpi e të rrinë gjatë gjithë kohës me të.

Tani për tani, nuk kam si të dal nga ky fukarallëk, por besoj se do të vijë dita që edhe unë të bëhem më mirë se ç’isha, por po ju them asnjëherë mos i besoni verbërisht, askujt! Askujt!

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Enca, këndon anglisht: “A po t’pëlqen”

Next Post

Shkarkohet Adrian Fullani

Advertisement