– Përshëndetje z. Avokat! Unë që po ju shkruaj jam një zonjë 33 vjeçe, e martuar e me dy fëmijë, që jetoj në qytetin e Durrësit. Punoj mësuese ne një gjimnaz. Jam martuar para 10 vjetëve me bashkëshortin tim, me shkuesi. Nga kjo martesë kam lindur Rein 9 vjeç dhe Klarën 7 vjeçe. Në vitin e parë të martesës kemi pasur kontradikta dhe mosmarrëveshje të vazhdueshme të cilat më vonë janë bërë më të shpeshta dhe të ashpra, ku ne disa raste bashkëshorti ushtron dhunë verbale dhe fizike ndaj meje. Sikur të mos mjaftonin këto, në dy vitet e fundit, bashkëshorti luan lojëra fati dhe të gjitha paratë që merrte nga rroga i lë me bixhoz. Unë jam munduar për hir të fëmijëve të mbaj këtë lidhje gjallë, por durimi ka marrë fund. Nuk mund të jetoj me një bashkëshort i cili nuk kujdeset për familjen e tij, i cili bën jetë jofamiljare dhe sillet si adoleshent. E kam të pamundur t’i përballuar e vetme të gjitha shpenzimet familjare. Bashkëshorti ka filluar të shesë edhe orenditë e shtëpisë pasi është futur në borxh. Para një jave shiti edhe makinën e tij. Ju lutem, me jepni këshillë juridike si të veproj për të bërë zgjidhjen e martesës dhe të jetoj vetëm me fëmijët?
Av. Alban Duraj, “Duraj Lavv Firm”, email: info@durajlavv.com, cel. 0692737706 & 044532512: – E nderuar zonjë, fillimisht, ju këshilloj të gjeni rrugën e mirëkuptimit dhe të mos shkoni në gjykatë për të bërë zgjidhjen e martesës, pasi kjo është rruga më e shkurtër që ju mund të ndiqni, por jo e duhura si fillim! Duhet të rishikoni edhe njëherë vendimin që keni marrë për zgjidhjen e martesës dhe të merrni iniciativën për të diskutuar me bashkëshortin tuaj, duke e bindur atë me argumente të hollësishme që ky nuk është një veprim i drejtë nga ana e tij. Prindërit duhet të kenë si konsideratë parësore interesin më të lartë të fëmijës dhe për hir të tij, duhet të bëni edhe kompromis. Kodi i familjes parashikon se: Martesa, si një bashkëjetesë ligjore mbështetet ne barazinë morale dhe juridike të bashkëshortëve, në ndjenjën e dashurisë, respektit dhe mirëkuptimit reciprok, si baza e unitetit në familje. Me martesë, burri dhe gruaja përfitojnë të njëjtat të drejta dhe marrin përsipër të njëjtat detyrime. Nga martesa lind detyrimi reciprok për besnikëri, për ndihmë morale dhe materiale, për bashkëpunim në interes të familjes dhe të bashkëjetesës. Secili nga bashkëshortët mund të kryejë vetë, pa pëlqimin e bashkëshortit tjetër, veprimet juridike që kanë të bëjnë me mbajtjen e familjes ose me edukimin e fëmijëve. Për detyrimet e marra përsipër nga njëri bashkëshort, detyrohet solidarisht edhe bashkëshorti tjetër. Përgjegjësia solidare nuk ka vend për shpenzimet haptazi të tepërta, duke pasur parasysh mënyrën e jetesës në familje, dobishmërinë e veprimit të kryer, si dhe mirëbesimin ose keqbesimin e personave të tretë kontraktues. Me martesë, burri dhe gruaja përfitojnë të njëjtat të drejta dhe marrin përsipër të njëjtat detyrime. Nga martesa lind detyrimi reciprok për besnikëri, për ndihmë morale dhe materiale, për bashkëpunim në interes të familjes dhe të bashkëjetesës.
– Kodi i Familjes përcakton rastet e zgjidhjes së martesës me: Pëlqimin reciprok të bashkëshortëve. Kur bashkëshortët bien dakord për zgjidhjen e martesës, i paraqesin gjykatës për miratim, së bashku me kërkesën, edhe një projektmarrëveshje që rregullon pasojat e zgjidhjes së martesës. Kërkesa mund të paraqitet nga bashkëshortët ose nga përfaqësuesit e tyre respektivë. Gjykata shqyrton kërkesën dhe vendos zgjidhjen e martesës në rast se krijon bindjen se vullneti i secilës palë është real dhe secili prej tyre ka dhënë lirisht pëlqimin e tij për zgjidhjen e martesës. Marrëveshja përmban lënien për rritje dhe edukim të fëmijëve të tyre të mitur, të ardhurat e nevojshme për rritjen dhe edukimin e tyre, kontributin e secilit bashkëshort në favor të bashkëshortit nevojtar, nëse është rasti dhe nëse është e mundur edhe rregullimin e marrëdhënieve të tyre pasurore. Në rast se gjykata konstaton se marrëveshja nuk siguron në mënyrë të mjaftueshme interesat e fëmijëve ose të njërit prej bashkëshortëve, pezullon gjykimin për 3 muaj dhe u kërkon bashkëshortëve të bëjnë rregullimet e duhura në marrëveshje.
– Secili nga bashkëshortët mund të kërkojë zgjidhjen e martesës kur, për shkak të grindjeve të vazhdueshme, të keqtrajtimeve, fyerjeve të rënda, shkeljes së besnikërisë bashkëshortore, sëmundjes mendore të pashërueshme, dënimit penal të rëndë të bashkëshortit ose për çdo shkak tjetër që përbën shkelje të përsëritur të detyrimeve që rrjedhin nga martesa, jetesa e përbashkët bëhet e pamundur dhe martesa ka humbur qëllimin e saj për bashkëshortin paditës ose për të dy bashkëshortët. Gjykata vendos për fajësinë, në zgjidhjen e martesës, vetëm kur kjo kërkohet prej njërit ose të dy bashkëshortëve.
– Prandaj, për të kërkuar zgjidhjen e martesës, ju duhet të paraqisni në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës Kërkesë Padi me objekt zgjidhje martese. Pas disa ditësh, caktohet orari dhe gjyqtari që do ta gjykojë çështjen. Në shqyrtimin e padisë për zgjidhjen e martesës, gjykata cakton fillimisht një seancë pajtimi, në të cilën duhet të paraqiten personalisht bashkëshortët. Gjyqtari mund t’i dëgjojë ata veçmas secilin dhe më pas, bashkërisht, pa praninë e përfaqësuesve të tyre. Kur arrihet pajtimi, mbahet procesverbal dhe gjykimi pushohet për këtë shkak. Në kërkesë padinë për zgjidhjen e martesës, mund të kërkohet edhe detyrimi i bashkëshortit tjetër për të përballuar shpenzimet për detyrimin për ushqim, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve, shpenzimet për jetesë të bashkëshortit nevojtar, në rastet e parashikuara në këtë Kod, si dhe likuidimin e regjimit pasuror martesor përkatës. Gjykata veçon likuidimin e regjimit pasuror martesor në rast se vështirësohet shqyrtimi i çështjes. Gjykata, me kërkesën e palës së interesuar, mund të marrë masa të përkohshme për detyrimin për ushqim, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të mitur, për detyrimin për ushqim të bashkëshortit, kur shihet e arsyeshme, për sigurimin e banimit, si dhe administrimin dhe përdorimin e pasurisë së vënë gjatë martesës, nëse është rasti. Vendimi për marrjen e një mase të përkohshme ka fuqi derisa të jepet vendimi përfundimtar, por ai mund të ndryshohet ose të shfuqizohet nga gjykata, kur çmon se kanë ndryshuar rrethanat ose kur vendimi është marrë mbi të dhëna jo të sakta. Siç e shikoni, e nderuar zonjë, këto janë rrugët që duhet të ndiqni. Nëse ju mendoni seriozisht që të divorcoheni, atëhere ndiqeni në rrugë ligjore, duke u bazuar tek ato që ju kam shkruar më sipër.
Advertisement