Redaksi e dashur,
dua t’ju tregoj një histori që,
edhe pse më dhemb shumë, nuk mund të rri pa e ndarë me ju.
Më saktë, po e bëj këtë për ta shpërndarë sa më shumë mesazhin që kam për njerëzit në përgjithësi: Kurrë mos bëni diçka që nuk do të donit t’jua bënin juve.
Unë nuk quhem Ana, por kështu po ju prezantohem. Tani jam 27 vjeçe dhe sapo jam divorcuar. U martova që 20 vjeçe se rashë kokë e këmbë në dashuri me një djalë dhe nuk mund të jetoja asnjë minutë larg tij. Familja ime nuk ishte shumë dakord që ne të martoheshin, pasi kishin pretendime për mua, donin që të mbaroja shkollën e lartë njëherë e të gjeja një vend pune të mirë, por ja që gjërat nuk shkuan siç deshën ata. Unë e Arjani duheshim aq shumë sa nuk mund të prisnim kaq gjatë. Marrëdhëniet i kishim nisur prej kohësh dhe unë shkoja e vija në shtëpinë e tij, ku ai jetonte vetëm, pasi prindërit i kishte në Itali. Megjithatë, familja ime nuk dinte gjë. Një ditë, Arjanit i erdhi e ëma nga Italia për t’i bërë një surprizë, pa e ditur se supriza e vërtetë në fakt do të isha unë! Kur u fut brenda (ajo kishte çelësin e saj), ajo më gjeti të lidhur me peshqir, duke gatuar mëngjesin për Arjanin, që po flinte ende. Unë ngela pa fjalë kur e pashë. E kisha parë në foto dhe e kuptova menjëherë se ishte mamaja e Arjanit, po ajo e shkreta ngriu fare, sepse as nuk më njihte. Sigurisht, para se të bënte surpriza të tilla, ajo duhet t’i kishte thirrur pak mendjes e të mendonte se djalin e kishte burrë e nuk jetonte vetëm, po nejse… punë nënash.
Mamaja e Arjanit e mblodhi veten menjëherë, më dha dorën dhe u prezantua. Unë, që një fytyrë më vinte e një më ikte, i kërkova leje të shkoja në dhomë të vishesha. Atje, zgjova Arjanin dhe i tregova çfarë kishte ndodhur. Ai budallai, në vend që të vihej në siklet, si unë, nisi të qeshte me të madhe. Nejse, bëra ç’bëra u vesha dhe me turp i dola prapë përpara nënës së tij, e cila ndërkohë, na kishte bërë nga një kafe. Që të mos zgjatem në këtë pikë se, nuk është kjo ajo që dua të tregoj, po ju them shkurt se kjo situatë u bë sebep që unë e Arjani të fejoheshim. Mamaja i kishte thënë atij se nuk mund të lejonte që i biri “të merrte më qafë gocën e botës dhe ta mbante si dashnore”. Edhe pse në fund të fundit do ta kisha vjehrrë, këtu më pëlqeu. Siç ju thashë në fillim, familja ime s’e pati me shumë qejf, por pranoi.
Ne u fejuam dhe nisëm menjëherë bashkëjetesën. Për shumë kohë isha e lumtur sepse jetoja vetëm me Arjanin dhe kjo ishte ajo që kisha dashur gjithmonë, por pak nga pak nisa të mërzitesha. Jeta filloi të më bëhej monotone. Unë vazhdoja masterin, kurse Arjani vazhdonte punën dhe ai i siguronte të gjitha të ardhurat për të jetuar normalisht, por unë nisa të ndieja se nuk ishte kjo jeta që dëshiroja. Duke u përpjekur të më siguronte gjithçka, ai nisi të punonte gjithmonë e më shumë, por unë, në vend që të gëzohesha, u bëra edhe më keq… më dukej sikur ai nuk më donte fare. Tani e di se shenjë e dashurisë së tij ishin sakrificat që bënte për mua, por atëhere nuk e shikoja kështu. Nuk thonë kot se të vret e mira. Më vinte keq që shokët e mi të fakultetit mund të shkonin ku të donin, kurse unë duhet të kthehesha në shtëpi për të gatuar për burrin tim kur të vinte nga puna. Një ditë Arjani më gjeti duke qarë dhe unë iu zbraza deri në fund. Ai mbeti i shokuar duke parë se sa shumë inat kisha mbledhur ndaj tij dhe nuk ia kisha treguar kurrë.
– Unë nuk të kam penguar kurrë të dalësh me shoqërinë dhe as nuk të kam detyruar ndonjëherë të mbyllesh në shtëpi për të më gatuar mua… po bëj gjithçka për të të bërë të lumtur, por me sa duket qenka e kotë.
I zemëruar ai iku nga shtëpia duke më thënë se kishte nevojë të bënte një shëtitje dhe unë u ndieva edhe më keq. Atëherë e besova plotësisht se ai nuk më donte më. Si mund të më linte vetëm në atë gjendje të mjeruar në të cilën ndodhesha?! Ai erdhi në shtëpi vonë dhe, duke qenë se kishte pirë pak, nuk pranoi as të hante darkë, por u shtri menjëherë. Kur u zgjova në mëngjes, ai ishte nisur për në punë. Unë shkova në shkollë shumë e mërzitur, gjë që i ra në sy menjëherë njërit që më sillej rrotull. Ai bëri ç’bëri e më bindi të bënim një shëtitje buzë detit, pastaj më ftoi të hanim një drekë dhe unë, pak nga alkooli që kisha pirë, pak nga trishtimi që më brente brenda, i tregova gjithçka… Genci më qëndroi afër, më tha se më kuptonte dhe unë u ndieva shumë afër tij. Kur e pa sa e brishtë isha në atë moment, ai më ftoi të shkonim në një nga hotelet që ishin aty pranë.
– Nuk mund të shkosh në shtëpi në këtë gjendje, – më tha. – Shkojmë në hotel sa të qetësohesh. Mos ma merr për keq, nuk kam asnjë qëllim tjetër ndaj teje…
Unë pranova dhe, siç mund ta merrni me mend, ne atë ditë bëmë dashuri. Atë natë e lajmërova Arjanin se do të flija nga mami, pasi nuk e shihja dot në sy pas asaj që kisha bërë, por më e keqja qe se nuk e lashë me kaq, por ditë pas dite u lidha më shumë me shokun tim të klasës, deri ditën kur Arjani e mësoi dhe më kërkoi divorcin. Me thënë të drejtën, nuk isha e bindur se e doja Gencin, por ndarja me Arjanin besova se do të më lehtësonte. Në fakt, nuk ndodhi kështu. Pas divorcit nisa të ndihesha gjithmonë e më keq, nisa të ndieja gjithmonë e më shumë mall për Arjanin, ndonëse lidhjen me Gencin e vazhdova…
Tani, ju do të pyesni se pse po e tregoj këtë histori. Po e tregoj sepse sapo mësova se Genci po më tradhton me dikë tjetër dhe nuk di me kë të zemërohem më shumë, me atë apo me veten? Besoj se ky është haraçi që duhet të paguaj për atë që kam bërë vetë, ndaj… thjesht po vuaj dhe asgjë më tepër. Ju lutem, mos bëni edhe ju si unë, pasi do të vijë një ditë që do ta pësoni edhe vetë njësoj e ndoshta më keq…