–Shoh me shqetësim se njerëzit sa vijnë e po bëhen si të “huaj” në familje dhe po i kërkojnë kënaqësitë jashtë saj.
Shoh realitetin dhe ndjehem e shqetësuar sa s’mund ta duroj dot këtë realitet dhe kam frikë nga martesa.
Unë s’do ta duroja dot tradhtinë sepse ajo nuk është vetëm “ikje fizike” te një femër tjetër, por edhe një “arratisje” shpirtërore…
Dua mendimin tuaj se pse nuk është më familja ajo e para dhe po ndodh kështu? Gena.
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuara Gena, nuk më pëlqen ajo “frika” jote e tepruar për gjërat e “këqia” sepse kjo frikë mund të jetë edhe penguese. Asgjë nuk ndodh rastësisht. Asnjë alpinist nuk do të nisej për në rrugët e bukura e plot emocione të lartësive, sikur të mendonte vetëm rreziqet. Kam biseduar përzemërsisht me alpinistin Gjergj Bojaxhiu dhe kolegët e tij pasi u kthyen nga Himalajat dhe ato çaste nuk do t’i harroj kurrë! Kënaqësia dhe krenaria e tyre ishin të papërshkruara; ata ndjeheshin gati të “iluminuar”, sikur atje, në Himalajet tepër të larta, të kishin takuar vetë Zotin! E pra, alpinisti që ngjitet në Himalaja e di që mund të shkojë edhe drejt vdekjes dhe askush nuk mund ta ndihmojë, aq sa rrugës shikon njerëz të ngrirë, si të ballsamosur, si të ishin “parmakët” e rrugës drejt vdekjes. Desha të them se, po menduam vetëm për rreziqet, nuk do të jemi në gjendje të arrijmë gjërat e duhura, të bukura dhe si pa kuptuar mund të futemi tek ajo që ne psikologët e quajmë “zona e rehatisë” e cila në fakt është zona e izolimit, ku me të drejtë, ky lloj “rehati” është si një “kurth” që të ka zënë brenda, por që ti nuk e kupton. Jetës duhet të dish si t’ia “zhvatësh” ato që të takojnë, lumturinë, por vetëkuptohet, edhe të dish se si ta ruash “pjesën tënde”. Gjërat ndodhin sepse duhet të ndodhin, themi ne psikologët, se po të mos ekzistonte e keqja, nuk do të dallohej as e mira. Më fal se në vend që të të jepja shpjegime për pyetjen, duket sikur po të bëj teorizime moralizuese, por këtë e bëj se nuk jam dakord me disa mendime disi nihiliste të disa njerëzve ndoshta inertë e pasivë, të cilët deklarojnë: “U prish bota!”. Jo, bota sa vjen e bëhet më e bukur, më e zhvilluar… Ende ndodh që më vijnë për seanca vajza afër të dyzetave, të virgjëra, të cilat e kanë quajtur zhvirgjërimin “fundin e botës”! Një vajze të tillë, profesori im i paharruar H.B. në prezencën time, me shaka, i tha: “Eh, si s’u gjet ndonjëri që të të përdhunonte!”. Kjo thënie, ky reagim i tij pas të cilit ne të tre qeshëm me lot, ka diçka të vërtetë brenda, edhe pse po ne psikologët themi se nuk ka mallkim më të madh sesa përdhunimi i një femre. Kurrë të mos themi: “Nuk ka… nuk gjendet (i “duhuri”)”, por të themi që “unë nuk po di ta gjej të “duhurin”, po neglizhoj, nuk po guxoj”…
– Në lidhje me familjen: Të gjithë ne synojmë që familjet tona të jenë më të mirat! Edhe në Amerikën e zhvilluar, i kanë provuar me kohë të gjitha format dhe kanë dalë në konkluzionin se “nuk ka si familja”, pasi streha apo foleja që të fal kënaqësitë e jetës, vetëm aty gjendet. Tolstoi ka thënë se familjet e lumtura janë të lumtura secila sipas mënyrës së vet dhe familjet e palumtura janë të palumtura gati njëlloj. Kam punën të atillë që futem nëpër shumë familje, por edhe pse diku gjej luks të paparë, mezi pres të iki se janë njerëz të ftohtë, siç më ka ndodhur e kundërta, ndoshta në ndonjë shtëpi fshati, në provincë, secili ndjen kënaqësi që takohet me të tjerët ose se erdhi miku, ku burri bisedon me gruan si ta kishte marrë malli nga dita që e kaluan në punë, ku fëmijët ndjehen të vlerësuar e gati si të barabartë dhe ulen e qajnë hallet me të rriturit, ku pleqtë ndjehen të siguruar për të ardhmen e pasardhësit e tyre. A e di ti Gena se cili është “çelësi” i gjithë kësaj lumturie? Gjuha e përdorur në familje: gjuha e logjikës, e ndjenjave dhe e ngrohtësisë… Kjo është gjuha që do të rritë fëmijët dhe nëse nëna apo babai nuk do ta bëjnë këtë, atëhere kush do ta bëjë? Unë “vdes” për Tolstoin, ndaj po të përmend edhe një thënie tjetër të tij: “Njeriu duhet të jetojë me mendimet e tij dhe me ndjenjat e të tjerëve”. Sa e bukur kjo thënie, brilante! Shoh ndër klientët e mi që mjaft njerëz i kanë ndrydhur ndjenjat dhe kjo i ka sjellë ata tek unë për psikoterapi, pasi vetë autori i këtyre radhëve te libri “Edukata Seksuale” ka shkruar se njeriu nuk është makinë dhe natyrshmëria e ndjenjave dhe e dëshirave duhet respektuar. Njerëzit që i ndrydhin gjithmonë ndjenjat e dëshirat, më ngjajnë si një pus i thellë dhe i mbyllur hermetikisht, një “pus” i padobishëm me ujët të ndenjur. Një “don zhuan” më tha një ditë me humor për gratë e “stërvitura” se pusi i vjetër ka ujë të ftohtë, ndërsa një bukuroshe e re, e sertë e jo dhënëse nuk të kënaq. Të mos harrojmë pra se Krijuesi e ka bërë femrën për mashkullin e mashkullin për femrën dhe, për të qenë bashkë, u krijua edhe familja, martesa, si institucioni ku shkarkohen e derdhen ndjenjat. Vetë Krijuesi bëri një mrekulli kur e pajisi njeriun me botën e ndjenjave dhe të emocioneve, për të na e zbukuruar e lehtësuar jetën dhe gjithë këtë botë emocionale e sentimentale e mishëroi te familja, ku njeriu ndjehet i qetë, i paqtë dhe në prehje të sigurtë. Por, që të ndodhë kjo, burri dhe gruaja duhet të jenë dhënës të papërtuar… Në të kundërt, “i urituri” kërkon edhe jashtë shtëpisë. Gëte i madh ka shkruar se “i gjithë” gjenialiteti i femrës qëndron në atë që ajo jepet e jo në atë që nuk jepet… Një apel për të “virgjërat” e vonuara? Mbase…