Jua themi vazhdimisht dhe po e përsërisim prapë:

Bëni më shumë kujdes se çfarë hani!

Në treg shtohen gjithnjë e më shumë ushqimet me shumë sheqer,

kripë, konservantë dhe ngjyrosës dhe, mos harroni se këto ushqime jo vetëm na shëndoshin, por i bëjnë dëm edhe shëndetit. Sigurisht, të mos jemi drastikë! Nuk të bën keq të hash një herë në kaq kohë në një fastfood, kur zakonisht ha në mënyrë të shëndetshme. Ne e kemi fjalën që këto të mos kthehen në ushqimet tuaja të përditshme.

Ushqimet e parapërgatitura, picat e ngrira ose edhe disa drithëra joshëse, ushqimi pra i gatuar në mënyrë industriale, nuk i bën mirë askujt. Ato nuk përmbajnë aq sa duhet vitamina, kripëra minerale, ose fibra, por të ngopin për momentin, për shkak të pranisë së sheqerit dhe yndyrnave. Megjithatë, trupi ynë i asimilon këto shumë shpejt, duke i kthyer sheqernat e yndyrnat në dhjamëra dhe duke kërkuar të hajë përsëri.

Problemi kryesor i ushqimeve të këqija janë përbërësit e tyre. Shembulli më i vonshëm është ai i “nuggets”, që shiten nëpër fastofoode. Ne kujtonim se ishin me mish pule (siç reklamohet!) dhe ua jepnim fëmijëve, por në fakt, ato kanë brenda edhe kocka të grira, mish dhe tendina (pa folur për mbështjelljen me thërrime buke që thith aq vaj gjatë skuqjes!). Për shëndetin dhe kureshtinë tuaj, ne kemi përzgjedhur 10 ushqimet më të këqija që ekzistojnë. Tani, ju takon juve t’i eliminoni gradualisht nga dieta juaj!

1. Gjellët e parapërgatitura industrialisht

Gjellët e gatuara në mënyrë industriale nuk i sjellin elementët e nevojshëm trupit tonë, si për shembull vitaminat dhe kripërat minerale. Bile, me to ndodhin shpesh skandale shëndetësore që na shtyjnë të dyshojmë në vërtetësinë e përbërjes së tyre. I fundit ishte ai me mishin e kalit që u gjet në lazanjat e parapërgatitura. Këtyre ushqimeve pak cilësore u shtohen edhe konservantë dhe aditivë, ndër të cilat tre, të gjykuara si të rrezikshme për shëndetin: Sheqernat e shtuara, acidet yndyrore trans hidrogjenike dhe glutamati i natriumit (të shkruara me emrin GMS ose MSG), që përdoret për të theksuar shijen. Duke filluar që nga ngjyrosësit artificialë, që duhen evituar aditivët (përbërësit e shtuar) fillojnë me një E. Nganjëherë, ato shkruhen me emrin e tyre për të mos trembur konsumatorin. Pasojat: Diabeti, obeziteti, plakja e parakohshme, problemet kardiake… Të vazhdojmë?

2. Nuggets

Janë të shijshme dhe u pëlqejnë fëmijëve… Duket sikur ha mish pule, që është një mish jo me shumë yndyrë, domethënë, mendon se eviton ushqimet e tjera më të këqija që propozohen në fastfood. Megjithatë, nuggets kanë në përbërje të tyre kryesisht mbeturina pule (vetëm gjysma e tyre) që grihen për të formuar një lloj brumi. Kësaj i shtohet edhe skuqja në një vaj të përdorur dhe ripërdorur shumë herë, me cilësi të keqe (dihet që vajrat përmbajnë pesticide, sidomos ato industriale). Mbi të gjitha, ato vishen edhe me thërrime, që nuk kanë të bëjnë fare me thërrimet e bukës. Po sikur t’i bënit vetë në shtëpi, me mish pule biologjik?

3. Picat industriale

Picat shtëpiake nuk figurojnë në listën tonë, ndërsa ato industriale, të ngrira, po. Ato përmbajnë sheqerna të shtuara (në brumë dhe në të ashtuquajturën salcë domateje), vaj palme dhe kripë, pra, nuk janë shumë natyrale. Proshuta e cilësisë së keqe (shpesh, proshutë shpatulle e ngopur me glutamat), perime që nuk kanë njohur asnjë thërrime dheu… Edhe djathi, shpesh, zëvendësohet me një “djathë” pa qumësht, të prodhuar me ndihmën e lygomme ACH Optimum.

4. Drithërat për fëmijët

Ua japim fëmijëve tanë çdo mëngjes, ndërkohë që drithërat për fëmijë përbëhen kryesisht nga sheqerna (të këqija), drithëra OMGJ dhe ngjyrosës. Megjithëse në kutitë e tyre premtohet shumë, duhet ditur se është shpesh qumështi me të cilin shoqërohen këto drithëra, ai që sjell ushqimin kryesor. Evitoni sidomos drithërat me ngjyra dhe shije (frutash). Po sikur t’i mësonim fëmijët të vlerësonin bukën e zezë me qumësht dhe pak mjaltë, ose bukë të thekur me gjalpë e reçel?

5. Salcat e ushqimit të shpejtë

Janë të rrallë ata që i hanë patatet e skuqura pa salcë në fast-food. Kështu, në vend që t’i hanë të thata, zgjedhim majonezën “e mirë” kimike, ose mustardën industriale. Pa harruar përzierjen e salcave me emra amerikane të çdo lloji, ose salcat që përdoren për sallatërat… Asgjë nga këto nuk i shpëton radarit tonë të ushqimeve të këqija. Këto salca janë të mbushura me sheqerna, të emulsionuara, me vaj palme dhe na bëjnë më shumë keq sesa mirë. Vetëm keçapi i shpëton klasifikimit tonë. Për çudi, ai është i shëndetshëm, pasi përmban vetëm domate e sheqer. Një fillim i mirë…

6. Mishi i sufllaqeve

Qebapi, ky sanduiç i Lindjes së Mesme, tradicionalisht përbëhet nga mishi i dashit, apo qengjit, domateve, sallatës, një salce të bardhë me erëza, të futura në një pite. Nëse do të na garantohej një mish cilësor dhe jo me shumë yndyrë, një salcë e thjeshtë e bërë në shtëpi me domate dhe sallatë e freskët me shumicë, ai nuk do të figuronte në këtë listë. Megjithatë, mishi i doner-qebapit dhe sufllaqeve që shihni të rrotullohet në shkopin karakteristik, nuk ka asgjë nga këto. Ai është i përbërë nga mish i cilësisë së keqe mbushur me dhjamëra, tendina, etj. Sanduiçi mund të përmbajë deri në 1000 kalori, një bombë e vërtetë kalorike për organizmin.

7. Donuts

Mos bëni si të çuditur tani! Donutset, një lloj petullash amerikane, janë shumë kalorike. Me prodhimin e tyre 100% industrial, ato e meritojnë plotësisht vendin në listën tonë të 10 ushqimeve më të këqija. Ato janë të mbushura me yndyrna transhidrogjenike (të tipit të margarinës) e sheqerit shumë të rafinuar dhe u pëlqejnë shumë llupësve, por më pak, trupit të tyre. Me një donut jo vetëm që gëlltit 450 kalori njëherësh, por ato kanë edhe një indeks glicemik (të sheqerit) e një nivel yndyrnash të këqija shumë të lartë dhe shumë pak përbërës me vlerë.

8. Bonbonet me xhelatinë

Qofshin ato në formë kafshësh, shtrumfësh apo bishtajash, kalamajtë i pëlqejnë shumë dhe ne, gjithashtu. Por, mos u gënjeni! Këto bombone xheli janë të mbushura me ngjyrosës, xhelatinë (shpesh, të derrit), aditivë të dëmshëm dhe, nëse abuzojmë me to, mund ta dëmtojmë seriozisht metabolizmin tonë. Pra, mund t’i konsumoni, por me masë, megjithëse mundësisht, duhet t’i evitoni. Po sikur t’i mësonim fëmijët tanë të mos i konsumojnë?

9. Krekersat e aperitivit

Mini-pica, krekersa të vegjël shumë të kripur dhe/ose me sheqer të shtuar, ose me aroma arfiticale djathi, proshute, etj. Ato përmbajnë një sasi shumë të lartë të kripës dhe përbërësve të tjerë shtesë që shkaktojnë, me kalimin e kohës, hipertension. Për aperitiv, më mirë preferoni ato që bëni në shtëpi, aq më mirë nëse janë perime (karota, kastraveca), proshutë pule, ullinj, etj.

10. Patatinat

Nuk mund të mungonin në listën tonë edhe patatinat e çdo lloji (që vetëm patate nuk janë), nga ato të thjeshtat, naçot, baking rollsat (që vetëm bukë nuk janë) të cilat i kanë aq qejf fëmijët. Ato përmbajnë me shumicë kripë, aditivë, ngjyrosës, yndyrna të këqija, me një fjalë, përfshijnë të gjitha ushqimet që na bëjnë keq. Kufizojini në maksimum sidomos për fëmijët, organizmi i të cilëve është në formim e sipër dhe nuk bën të dëmtohet nga ushqime të tilla.

Të reja

Ushqimi me shumë yndyrë, i dëmshëm për spermën

Burrat në moshën pjellore duhet ta survejojnë ushqimin e tyre. Një ushqim me shumë yndyrë u bën keq spermatozoideve. Ky është përfundimi në të cilin ka dalë një studim amerikan, që është bërë me 99 burra nga viti 2006-2010. Sipas studiuesve, burrat që kanë në dietën e tyre një ushqim të pasur me yndyrna të ngopura, pësojnë në ulje të cilësisë së spermës në masën 43% dhe të përqendrimit të spermatozoidëve në masën 38%, në krahasim me ata që hanë në mënyrë të shëndetshme. Në kohën tonë, kur mbipesha është kthyer në një problem shoqëror dhe problemet me pjellorinë janë në shtim në disa vende të industrializuara, ky studim ka vlerat e tij. E dimë tashmë se një ushqim i pasur me yndyrna të ngopura (të këqija) sjell probleme në shëndet (mbipeshë, diabet, sëmundje kardiovaskulare…)., ndryshe nga acidet yndyrore të pangopura (të mira), që mbrojnë trupin. Atëhere, zotërinj, për shëndetin e mirë të spermatozoidëve tuaj, e dini ç’duhet të bëni: Të hani shëndetshëm! Evitoni mishin me dhjamë, lëkurën e pulës, sallamin, ëmbëlsirat dhe produktet me bazë vaji palme. Preferoni frutat dhe perimet, peshkun dhe frutat e detit që përmbajnë omega 3, si edhe evitoni të skuqurat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *