Unë që po ju shkruaj jam Jona,
një vajzë që dikur jam përballur
me një problem nga njerëzit e djalit që dashuroja.
Më konkretisht, po filloj t’ju tregoj se si filloi historia ime me këtë djalë…
Të dy jetonim në një qytet të vogël dhe nëna ime me nënën e djalit ishin shoqe shumë të ngushta, pasi punonin në të njëjtën ndërmarrje. Të paktën siç më tregon mamaja ime, ato kishin mbetur shtatzënë në të njëjtën kohë dhe gjithmonë i thoshin njëra-tjetrës: “Nëse i kemi njëra vajzë e tjetra djalë, do t’i fejojmë të dy”. Mami më lindi mua, ndërsa ajo lindi Malin, djalin me të cilin unë rashë në dashuri. Ndoshta edhe nga fakti se mamatë tona ishin shumë shoqe, edhe ne u bëmë shokë, kishim të njëjtën moshë dhe normale që u futëm në të njëjtën klasë. Malin, unë e shikoja njësoj si gjithë shokët e tjerë të klasës, asnjëherë nuk më kishte shkuar ndërmend se ai një ditë do të ishte i dashuri im. Kur mbarova klasën e tetë, prindërit e mi vendosën të jetonim në kryeqytet, pasi vëllai im i madh do fillonte shkollën e lartë, por edhe mua më bëhej mirë se gjimnazi aty, normalisht, do të ishte më i mirë se në qytetin tim të lindjes. Kështu, pra, u ndava me shoqërinë e klasës sime dhe me Malin, po ashtu. Atëhere ishim vetëm shokë dhe kaq. Vitet në Tiranë m’u duk sikur ikën shumë shpejt, unë mësoja shumë fare, kisha dëshirë të vazhdoja shkollën e lartë, kisha pasion gazetarinë. Ishte një ëndërr që më kish ngelur nga adoleshenca, por gjithsesi, arrita që ta fitoja atë degë. Në ditën e parë të shkollës, në hyrje të fakultetit, dëgjova një zë që më thirri: “Jona!”. Ktheva kokën dhe pashë një djalë të gjatë me flokë të zinj e sy shumë të bukur që më shikonin sikur njiheshim prej kohësh. Ai m’u afrua dhe unë i thashë: “Njihemi?”. Ai vuri buzën në gaz (unë kuptova se bëhej akoma më i bukur kur qeshte) dhe m’u drejtua duke më thënë:
– Sa shpejt që e harrove shoqërinë e vjetër! – Nuk më shkonte mendja fare se ai mund të ishte një nga shokët e mi të fillores. – Jam Mali! – më tha.
Unë sa nuk i shqeva sytë, nuk po u besoja syve sa shumë kishte ndryshuar. Katër vite kishin mjaftuar që ai të bëhej një djalë i rritur që nuk kishte asnjë ngjashmëri me atë çunakun që kisha lënë në qytetin tim të vogël. Nuk e di, por provova një ndjenjë të bukur… M’u duk sikur një pjesë e fëmijërisë sime m’u kthye në atë çast. E përqafova dhe i thashë se nuk do ta kisha njohur po të mos më fliste.
– Edhe ti ke ndryshuar, – ma ktheu Mali, – je zgjatur shumë, por sytë të kanë mbetur njëlloj!
Ai më tregoi se kishte fituar shkollën për Gjuhë-Letërsi, kështu që do të takoheshim më shpesh. Dhe, në të vërtetë, kështu ndodhi. Gjithmonë e takoja Malin mbas leksionit, pinim edhe kafe. Atë ditë i tregova mamit në shtëpi:
– E di kë kam takuar në fakultet? Malin, djalin e shoqes tënde me të cilën keni punuar në kombinat!
Mami, e habitur, më pyeti: – Djalin e Ritës? – dhe duke qeshur më tha: – Ki kujdes me të, se kur ishim të reja ne diskutonim se do bëheshim krushka!
– Unë me Malin? Po ai nuk është tipi im! – qesha unë me të madhe, ama nuk e di se pse, ajo bisedë midis mamit dhe meje, më bëri të mendoja gjithë natën. Më dukej sikur ai premtim i bërë mes tyre do të më ndiqte dhe nisa të mendoja: “Po sikur Mali të bëhet vërtet burri im?” dhe nuk e di pse ndjehesha edhe mirë, por edhe keq sepse nuk doja të lidhesha me një shok klase. Një ditë, ndërsa ishim në kafe me Malin, m’u kujtua ajo që më tha mami dhe po qeshja. Mali më pyeti se çfarë kisha dhe unë i thashë se do t’ia tregoja, pot nuk duhet të ma merrte për keq sepse ishte vetëm një shaka e mamave tona, asgjë më shumë. I tregova se kur ishim ne të vegjël, ato thurnin plane për të na fejuar. Mali qeshi me të madhe dhe, duke më parë në sy, më tha:
– Po mirë, nuk po ua prishim planin mamave tona, si thua?
Një e dridhur sikur ma përshkroi të gjithë trupin. I thashë se nuk duhet të bënte më shakara të tilla. Mbas asaj bisede nuk kisha dëshirë që ta takoja Malin, madje e urreja veten time dhe mendoja: “Pse ia thashë? Kushedi çfarë mendon ai për mua”. Disa herë ai i kishte rënë telefonit, por unë nuk e kisha hapur dhe e lija të mendonte se unë isha në mësim, derisa një ditë ai më priste te dera ku unë po merrja leksionet. Direkt sa dola në korridor, ai m’u drejtua:
– Pse sillesh kështu me mua?
Nuk kisha çfarë përgjigje t’i jepja. Shkuam në kafe dhe ai më tha:
– Ti, po të duash, zemërohu me mua, po unë do të ta them atë që ndjej. Mbas asaj bisedës së fundit dhe mbas heshtjes tënde, kam kuptuar se unë ndjej vërtet për ty dhe këto ditë që nuk kemi folur bashkë, e kam kuptuar këtë gjë…
Ai fliste dhe unë dridhesha e gjitha, nuk dija se çfarë t’i thoja, iu përgjigja se ishte faji im që i kisha treguar atë shaka idiote kur ne ishim fëmijë, ose ndoshta kur nuk kishim lindur akoma. Ai më kapi nga dora dhe më tha se nuk ishte kjo arsyeja.
– Ne të dy kemi filluar të ndjejmë për njëri–tjetrin! – më tha.
– Kjo nuk është e vërtetë! – iu përgjigja unë dhe ika nga tavolina.
Që prej asaj dite, në telefonin tim vinin mesazhe pa fund prej Malit. Sikur një ditë të mos më shkruante, unë bëhesha shumë keq, me pak fjalë kisha rënë në dashuri me të, po nuk e di si do t’ia bëja. I tregova mamit për ndjenjat e mia dhe të Malit e ajo nuk e priti mirë këtë gjë, më tha se duhet të shikoja shkollën e nuk duhet të kthehesha më në atë qytet prej të cilit ikëm. Mali çdo ditë më priste në shkollë dhe shpeshherë, më shoqëronte edhe në shtëpi. Tani historia ime me të nuk kishte më kthim mbrapa, ai më donte e më respektonte si askush tjetër dhe unë këtë ndjesi nuk e kisha patur më parë. Puthjen e parë nga Mali e mora për Shën Valentin. Ai më ishte betuar se marrëdhëniet tona nuk do të shkonin më tej, pa i bërë gjërat serioze, pra, derisa të fejoheshim. Në fund të vitit të parë, unë u detyrova të përdorja syze pasi nuk mund të lexoja pa to. Ditën që më pa Mali, u ndjeva keq dhe mendova se nuk do të më donte më si më parë sepse ai vdiste për sytë e mi dhe gjithmonë më puthte në sy, por jo, ai nuk e pati fare problem.
– Një gjë e tillë mund të më ndodhte edhe mua… – më tha.
Në njëfarë mënyre u ndjeva mirë. Në pushimet verore, Mali i foli familjes për mua dhe menjëherë e ëma e tij i ishte përgjigjur: “Nuk paska vonuar Tefta që ta vërë në zbatim shakanë që ne bëmë dikur? Unë, një nuse gazetare, që nesër mund të bredhë poshtë e përpjetë me shoferët e botës, nuk e marr!”. Kështu i ishte përgjigjur e ëma Malit, madje nami ishte bërë kur një shoqja ime i kishte treguar se mbaja syze. Filluan problemet e para për ne të dy, Mali herë më merrte në telefon, herë jo dhe ato pushime sikur u bënë ferr për mua. Të njëjtën gjë filluan të thoshin edhe prindërit e mi për Malin.
– Duhet të ndaheni. Ajo familje që të shikon dhe nuk të pranon ty se ke vënë syze, nuk është për ne!
Viti shkollor filloi përsëri dhe si përfundim, unë me Malin morëm vendim se nuk mund të vazhdonim pa pëlqimin e prindërve tanë. E ëma e tij i kish bërë be të rëndë: Nëse unë me djalin e saj do përfundonim bashkë, Mali nuk do të shkelte më në familjen e tij!
Ne ndenjëm gati dy muaj pa folur fare, unë qaja çdo mbrëmje kur flija dhe e gjitha kjo zgjati deri në një moment kur Mali më pa të shoqëruar me një shok të fakultetit. Nuk kish asgjë mes nesh, por me sa duket, efekti i xhelozisë e bëri atë që të reagonte. Priti sa u ndava prej tij dhe menjëherë më kapi prej krahu e më puthi fort…
– Nuk mund të vazhdoj më pa ty! – më tha dhe më kërkoi që të uleshim diku e të bisedonim.
Ne nisëm të takoheshim përsëri dhe kjo i kishte shkuar në vesh së ëmës së Malit dhe që nga ai moment, ata nuk e ndihmonin më me lek. Mali u detyrua të linte shkollën dhe filloi punë si kamerier. Gjithashtu, edhe unë, fillova punë shitëse dhe kështu vendosëm të jetonim bashkë, por me kalimin e viteve kuptuam se dashuria nuk ishte gjithçka. Mali u bë gati tre vjet që nuk fliste me prindërit e tij, ekonominë nuk po e vinim dot përpara se jetonim me qira dhe kështu, filluan konfliktet dhe zënkat mes nesh…
Dëgjoj shpeshherë mjaft të dashuruar kur thonë: “Të marr atë që dua se edhe në majë të malit do jetoja”, dhe më vjen për të qeshur e për të qarë. Mos u gënjeni kot me këtë shprehje, se jeta nuk është vetëm dashuri. Problemet ekonomike bënë të tyren dhe unë me Malin sot jemi ndarë, megjithatë, unë nuk e kam më atë dhembjen që provoja kur u ndava herën e parë prej tij. Ndonjëherë ana ekonomike të bën ta harrosh dashurinë dhe, kështu ndodhi edhe me mua!