Unë që po ju shkruaj jam një grua rreth të dyzetave.
Kam punuar gjithë jetën doktoreshë,
kam shëruar shumë gra e asnjëherë nuk më shkonte në mendje se edhe unë një ditë do të isha si ato.
Kam kaluar raste nga më të çuditshmet. Shumica e tyre kanë qenë gra që ishin në kulmin e moshës së tyre dhe rrjedha e jetës merrte menjëherë një tjetër drejtim.
Disa raste që më vijnë tani në mend janë: Një grua rreth të pesëdhjetave e cila kishte dy fëmijë dhe burri i kishte vdekur e nuk kishte as shtëpi e asgjë e po i linte fëmijët mes katër rrugëve; një grua tjetër që s’më hiqet nga mendja… një juriste shumë e shkathët që kishte ecur shumë edhe pse ishte vetëm tridhjetë vjeçe, një tjetër ishte vetëm 25 vjeçe dhe sapo ishte fejuar e shumë histori të tjera të cilat do t’jua tregoj njëherë tjetër. Tani, po ju tregoj historinë time…
Isha 35 vjeçe kur pikasa një gjëndërr në gjoks. E gjithë jeta ime në atë moshë ishte: Vizita me pacientet dhe kalim i çdo minute me problemet e tyre. U jepja kurojo dhe i mbushja me optimizëm për jetën. Pastaj, nuk u ndahesha për asnjë çast deri në shërimin e tyre, që rrallë ishte i mundur ose në të kundërtën. Momenti më i vështirë është kur u thua se kanë një sëmundje të rëndë e gati-gati të pashërueshme. Ato e ndjejnë këtë, por përplasja e parë me faktin është tragjike. Pastaj, çdo gjë varet nga momenti kur është vënë re sëmundja. Nëse është herët, mund të shpëtojnë dhe nëse është kapur shumë vonë, është shumë e vështirë e gati e pamundur mbijetesa.
Duke u marrë me punë, unë “kisha harruar” edhe të martohesha… Një ditë, tek po lahesha në dush, preka një gjëndërr në krahun e majtë. Menjëherë më shkoi mendja për keq. Shkova në punë dhe fillova menjëherë ekzaminimet. Isha ulur në karrigen ku ishin ulur shumë gra e prisnin përgjigjen nga unë gjatë shumë viteve. Unë tashmë isha si pacientet e mia e po prisja shefin e pavionit për të më dhënë lajmin, të mirë apo të keq. Përjetova çaste të tmerrshme duke pritur dhe mendova se si janë ndjerë ato kur unë vonohesha se më dilte ndonjë punë. Mirë thonë se pa e provuar, nuk beson asgjë. Njëherë, një grua kishte ikur pa e marrë përgjigjen sepse mua më thërritën në një urgjencë. Tani e kuptoj se si ka pritur ajo deri ditën tjetër në drekë kur unë ia dhashë përgjigjen. Gjithë këto mendime më fluturonin në kokë ndërsa prisja shefin dhe kolegun tim të shumë viteve. Si tani, e kujtoj fytyrën e tij të saj ditë. Ai u ul përballë meje dhe më tha:
– U vonova sepse s’më bënin këmbët të vija! Këtë moment e kam kaluar me shumë pacientë, por me ty, qenka shumë e vështirë…
– E di – i thashë me gjysëm zëri – edhe unë jam ndjerë shumë keq gjithmonë kur ulesha në atë karrige, por qenka më e vështirë të jesh në karrigen e pacientit.
– Më vjen shumë keq, nuk e besoja një gjë të tillë, madje edhe tani që kam analizat në dorë shpresoj të mos jenë të vërteta ato që shkruhen aty…
Biseduam gjatë dhe e pashë se edhe ai ishte mjaft i mërzitur. Në fakt, isha shumë e dëshpëruar edhe vetë. Asnjëherë nuk më kishte shkuar në mendje kjo. Dola nga zyra dhe u nisa për në shtëpi. Ecja me makinë dhe nuk e dija nga po shkoja. Isha e shokuar. Të gjitha pacienteve u thoja të ishin optimiste, por ato fjalë tani nuk kishin asnjë efekt mbi mua. Ndoshta kështu kishte ndodhur edhe me to. Fjalët që u kisha thënë, ato nuk i kishin dëgjuar fare e jo më t’i besonin. Pas pak kohe, unë arrita në shtëpi. Kisha një shtëpi të bukur e të mobiluar shumë këndshëm. Punoja dhe fitoja mirë, prandaj s’më mungonte asgjë. Të gjithë njerëzit më jetojnë jashtë dhe nuk kisha me kë ta ndaja këtë që më kishte rënë. Mora motrën që jeton në Itali dhe ajo e kuptoi menjëherë se kisha një problem. Ia tregova dhe ajo u mërzit shumë.
– Të lutem mos i thuaj mami! Është e sëmurë e nuk na duhet një tjetër në spital, mjaftoj unë… – i thashë.
– Po kur ta marrë vesh, do të zemërohet me mua! – tha ajo duke iu marrë zëri nga lotët që e kishin pushtuar.
– Do t’i themi pasi të kem bërë operacionin. Mos u shqetëso. Ik tani se çdo gjë do të shkojë mirë…
E qetësova ashtu si bëja gjithmonë. Ishte një periudhë që duhet ta kaloja. Pas pak trokiti dera. Ishte një kolegu im. Ai kishte qenë gjithmonë shumë i dashur me mua. Sapo e kishte marrë vesh, erdhi menjëherë.
– Për çdo gjë, mua më ke gati. Nuk ke pse të mërzitesh, ti je e fortë e përveç kësaj, e ke kapur shumë shpejt.
– Unë i di këto gjëra, nuk ke pse të m’i thuash. – buzëqesha.
– Sapo fola me shefin. Edhe ai këtë mendim kishte. – tha ai dhe sytë i kishte të mbushur me lot.
– Po ti, ç’ke kështu? – i thashë – Po qan?
Në fakt, e kisha kuptuar që ai ndjente diçka për mua, por nuk më shkonte në mend se mund t’i dhimbsesha aq shumë.
– Më vjen shumë keq, jam shumë i mërzitur. Ti nuk e kupton se sa shumë të dua unë.
Ai gjithmonë më kishte dashur, por asnjëherë nuk e kishim marrë guximin të bënim hapin e madh. Në këtë hall të madh kisha nevojë për një njeri dhe edhe më shumë, për një përqafim të ngrohtë. U përqafuam dhe ai më mbajti në krahët e tij, duke më ngrohur jo vetëm trupin, por edhe zemrën.
Herën e parë u operova që hoqa gjëndrrën dhe biopsia nuk doli edhe aq mirë. Kështu, më duhej të hiqja gjoksin. Ky ishte një vendim i tmerrshëm dhe më bëri të mërzitesha shumë, mirëpo kolegët më thanë se ishte e vetmja mënyrë për të shpëtuar. E dija edhe vetë këtë, por do të shpëtoja nga sëmundja dhe do të shëmtohesha si femër. U binda. Çasti më i tmerrshëm ishte kur pashë vetem time në pasqyrë herën e parë që u lava, pas operacionit. Nuk e kisha imagjinuar jetën time ashtu, mirëpo në këto çaste kisha pranë ish-kolegun tim me të cilin isha lidhur tashmë. Menjëherë pas operacionit, ai më propozoi për martesë. Unë nuk doja që ai ta bënte këtë për mëshirë, por edhe vetë e kuptoja se nuk ishte ashtu. Ai më kishte dashur edhe më parë.
Ai nuk e kishte problem se pas operacionit nuk dukesha ashtu siç dëshiron çdo burrë ta ketë gruan e vet. Analizat më dolën mirë dhe biopsia, shumë mirë. Si duket, kanceri më kishte falur. Ne vendosëm të bënim një fëmijë. Pyetëm shumë dhe të gjithë na siguruan se nuk kishte asnjë problem të mbetesha shtatzënë. Ishte një periudhë shumë e bukur… Sidomos lindja, ishte një nga çastet më të bukura që e balanconin çastin e tmerrshëm kur mora vesh se kisha kancer.
Ne bëmë një vajzë të bukur e të shëndetshme. Në fillim ndjehesha pak e lodhur dhe nuk isha edhe shumë optimiste, por vajza rritej e unë çdo ditë e mendoja jetën dhe kuptoja rëndësinë e saj.
Vetë burri im dhe vajza ime më bëjnë që të kem forcë për të përballuar çdo gjë.
Tani, kur vizitoj pacientet, kam shumë gjëra për t’u thënë dhe të gjitha janë fjalë të ardhura nga eksperienca ime. Dhe, siç dihet, fjalët e ardhura nga eksperienca, janë të sakta. Edhe pse nuk është e sigurtë se kanceri nuk do të rikthehet tek unë apo ndoshta qëndron i fshehur në ndonjë skutë të trupit tim, unë nuk e mendoj shumë, por shijoj jetën me të gjitha mrekullitë që më ka dhënë Zoti.
Të gjithë këtë e shkrova për të treguar se si dashuria mund çdo sëmundje. Edhe pse isha një doktoreshë që isha marrë tërë jetën me luftën e grave kundër kancerit, kur erdhi radha ime, u ndjeva shumë keq dhe për pak, do të kisha humbur çdo gjë. Provova se vetëm kur i kalon gjërat ua di rëndësinë dhe, plus kësaj, kuptova se e keqja mund të mundet nga një e mirë më e madhe se e keqja, siç ishte në rastin tim, dashuria dhe besimi te Zoti dhe shpresa se çdo gjë e ka një zgjidhje.
Çdo ditë përballem me gra të tjera dhe përjetoj çdo dhimbje të tyre. Çdo darkë, kur shkoj në shtëpi, e falënderoj Zotin që edhe këtë ditë e kalova e nuk pata asnjë shenjë nga tmerri i çdo gruaje, i cili u troket në derë kur ato janë duke jetuar e lutur që ta jetojnë jetën e tyre sa më mirë e me të gjitha ato që ajo u rezervon. Prandaj u them të gjithë atyre që e vuajnë këtë sëmundje, të mos zbrapsen sepse gjithmonë e kanë një shans, ashtu siç e pata edhe unë.