Jeta ime ka qenë si një det i turbullt, si një erë që fryn furishëm, si një shi i vrullshëm.
Kam vuajtur shumë në këtë jetë të vështirë, në këtë botë të padrejtë, ku fati të përplas pa mëshirë në ngjarje te pakëndshme e dhembje pa kufi.
Herën e parë dashurova kur isha 16 vjeçe.
E doja shumë atë djalë, ashtu siç mund të dashurojë çdo 16 vjeçare; pastër, çiltër, duke krijuar ëndrra dhe iluzione të pafajshme. Nga kjo dashuri u zhgënjeva, pasi kuptova që ai më tradhtonte. Zemra ime aq e butë nuk e përballonte dot këtë zhgënjim, kështu që u ktheva në një tip të ftohtë dhe iu betova vetes se kurrë më s’do dashuroja. Në atë kohë, u futa në një shoqëri të keqe, në llumin e shoqeve që të tjetërsojnë e të fusin në rrugë të gabuar, nga e cila është e vështirë të dalësh. Isha ende në gjimnaz, nuk shkoja sistematikisht, fillova të grindesha me zyshat derisa arrija në përjashtime nga shkolla. Familja ime ishte e thjeshtë, jetonim me qira dhe jo çka doja unë, ata mund të ma jepnin. Padashur u ktheva në një vajzë materialiste, gjithë ditën rrija kafeneve apo diskove. Në dashuri, nuk më ecte. Me këdo që kisha njohje apo lidhje, për një kohë të shkurtër ndahesha. Askush nuk arriti të më donte ashtu siç doja unë, as unë nuk dashurova. U lodha me këtë gjendje. Në shtëpi zihesha e grihesha me prindërit që më qortonin për sjelljen e arrogancën time. Fundja, isha adoleshente dhe rebelizmi më pushtonte herë pas here. Vëllai im ishte i egër. Sa herë dilja, e bëja në mënyrë të fshehtë sepse ai kurrë nuk përtonte të më gjuante apo të më ofendonte. Shoqëria ishin një grup vajzash që sorollateshin gjithandej për të pirë një kafe falas apo për të ngrënë një drekë. Padashur, isha bërë pjesë e tyre, edhe pse s’e pëlqeja atë mënyrë jetese. Në shkollë kisha shoqe të mira që më respektonin, por përveç orëve të mësimit, nuk mund të dilja me to, sepse ishin serioze dhe të rregullta. Gjatë kohës që qëndroja me to, e ndjeja veten mirë, në një shoqëri të qetë dhe që më këshillonte, megjithatë, unë kisha tjetër vizion për jetën. Kur ato flisnin për dashurinë, unë qeshja dhe u thoja se bota nuk ishte ashtu siç kujtonin ato, jeta s’ishte fushë me lule. Isha kthyer në një adoleshente që s’besonte në asgjë, as në ëndrra, as në dashuri. Unë nuk ëndërroja princin e kaltër ashtu si çdo femër; ëndërroja një njeri me pushtet, të aftë të më jepte gjithçka doja. Kur më dëgjonin, shoqet e klasës më thonin se kur ka dashuri, s’është nevoja të kesh tjetër gjë sepse me kalimin e kohës, jeta ndërtohet. Unë qeshja me ironi dhe mendoja se këto ishin vetëm përralla. Ndërkohë, në grupin tjetër me të cilin shoqërohesha gjatë kohës më të madhe dhe pabeve të natës, nuk flitej gjë tjetër përveçse për paranë, për luksin e për makinat që kalonin lart e poshtë. Në verën e vitit të tretë, u takova rastësisht me shokun tim S. Ai më tha se do të shkonte jashtë shtetit e nuk e di se si më rrëshqiti goja dhe i thashë:
– Më merr edhe mua! Dua të vij edhe unë të punoj andej, çfarëdolloj pune, sikur edhe pastruese!
Nuk mund të jetoja në një vend ku më paragjykonin dhe më shikonin si një vajzë jo të mirë, edhe pse askujt nuk i bëja dëm, veç vetes dhe prindërve të mi që u ula kokën. Ai pranoi menjëherë dhe tha se do t’i gjente ai lekët për të bërë vizën, por më vonë do t’ia ktheja borxhin. Kështu, pa i thënë askujt, ika në Itali. Isha vetëm 18 vjeçe. Shkollën e lashë, lashë prindërit, lashë qytetin tim bashkë me paragjykimet dhe fjalët e njerëzve. Isha e pashpresë në vendin tim, ndaj kërkoja shpëtim diku larg, por nuk e mendoja se sa e veshtirë do të ishte jeta ime në ato rrugë të mallkuara. Faji im ishte që rashë pre e shoqërisë së keqe të rrugës sepse fëmija edukohet edhe me shoqërinë që rri. Unë u bëra e lëvizshme, lija orët e mësimit, bëja sikur shkoja në shkollë, por merrja drejtime të tjera. E gjithë kjo situatë ishte bërë pakuptuar pjesë e jetës sime, edhe pse thellë brenda vetes s’do të doja të isha ashtu, por mendtë më erdhën vonë, pikërisht kur arrita në Itali dhe bashkë me atë djalin morëm një shtëpi. I telefonova familjes dhe ata filluan të qanin kur e morën vesh se kisha ikur. Vëllai i kishte thënë mamasë se më kishte mohuar si motër dhe s’donte t’ia dinte për mua. Kaluan disa ditë dhe shoku im më tha se kishim nevojë për punë dhe se s’do na dilnin paratë për të shpenzuar për një kohë të gjatë.
– Për mua s’është problem, unë punoj, çfarëdolloj pune të jetë! – i thashë.
– Sado punë të vështira të jenë, vetëm njëra bën para shumë, nëse një ditë do të kthehesh në Shqipëri me para – më tha.
– Për ç’punë e ke fjalën? – e pyeta unë dhe u kapërdiva sepse s’po u besoja veshëve.
– Shumë e thjeshtë, të dalësh të punosh në rrugë, – më tha, – si shumica e femrave.
– Vërtet mendon se unë jam e aftë të bëj atë punë? – ngrita unë zërin, duke u ndjerë e fyer.
– Mjaft bëre si e habitur, se ti ke kaluar plot e s’je nga ato femra që të bën përshtypje kjo gjë. Sa t’i merrje me radhë djemtë në qytetin tënd, më mirë të paguhesh këtu.
– Ti s’di asgjë për mua, në rregull? Të kërkova ndihmë, më ndihmove. Do punoj punë të rëndomtë e të ndershme dhe ato lekë do të t’i kthej! – i thashë duke u dridhur. Isha nën një çati me një të panjohur që deri dje e quaja mik dhe po ndjeja frikë. Ai më kapi nga mjekra dhe më tha se ato lekë i duheshin shpejt dhe se s’kishte ndërmend të më priste. Iku atë moment dhe unë u lehtësova duke menduar se s’do të ma hapte më atë temë, por ai u kthye pas dy orësh me disa çanta në duar.
– Merri dhe provoji! Me këto rroba veshur, do punosh! – më tha.
Sa i pashë, unë fillova të ulërija: – Jo, – i thashë. – Të lutem, mos ma bëj këtë. Më kthe prapë në Shqipëri dhe unë do të t’i kthej lekët menjëherë…
– O goce, nuk kam ndermend të harxhoj më para me ty! – më tha. – Tani do punosh ti për mua.
Ai më kërcënoi duke më thënë se nuk kthehesha dot mbrapa, kështu që as të mos tentoja të arratisesha. Unë vetëm qaja dhe mallkoja veten sepse vetë e shkatërrova jetën time. Është e dhimbshme të shkruaj për ato dy muaj që unë bëra punën e prostitutës në rrugët e Italisë. Kanë kaluar 5 vjet dhe atë pjesë të errët të jetës nuk kam mundur ta harroj, sado që përpiqem. Nuk zgjati shumë koha në rrugët e Italisë sepse një njeri erdhi në jetën time për të më shpëtuar e për të më marrë që andej. Në Itali organizoheshin festa nga shqiptarët, ku emigrantet mblidheshin bashkë dhe argëtosheshin. Atje shkuam të dy. U ula në një cep dhe po rrija e mërzitur, nuk isha në qejf për festa të tilla, kur përbrenda po vdisja. Një djalë po më hidhte vështrimin, por nuk i kushtova rëndësi sepse kisha frikë se mos ndodhte ndonjë sherr. Ndërkohë që i ashtuquajturi miku im, qeshte e pinte duke kërcyer, unë vazhdoja të rrija ulur, tërësisht, në botën time të trishtë e mizore. Një moment, u çova për të shkuar në tualet. Kamarieri m’u afrua dhe më la fshehurazi në dorë një letër. Kur u futa në tualet, hapa letrën dhe gjeta një numër e një shënim: “Nëse një ditë do kesh nevojë për ndihmë, më telefono”. Nuk po kuptoja nëse letra ishte e kamarierit apo e dikujt tjetër, megjithatë e fsheha mirë që të mos ma gjente njeriu që urreja më shumë në këtë jetë. Mbas tre ditësh ai doli nga shtëpia, kështu që unë përfitova nga rasti për t’i telefonuar numrit të panjohur.
– Kush je ti? – e pyeta.
– Ai djali i veshur me bluzë blu, shkëmbyem disa shikime bashkë, – më tha, – dhe e kuptova që ke një problem.
– Pse ma le numrin? – i thashë, – apo të ka futur S. për të më provokuar. Boll të ndërlikuar e kam jetën që të ma ndërlikosh edhe ti me lojëra – i fola ashpër.
– Nuk më ka futur askush, të pashë në një gjendje të trishtueshme dhe më erdhi keq. Unë e njoh S-në. – më tha. – Është nga ata tipa që përfitojnë nga femrat.
– Atëhere, më ndihmo! – i thashë.
– Hajde të takohemi dhe flasim – m’u përgjigj ai i vendosur. Kështu, dola nga shtëpia veshur fare thjesht dhe me një nxitim të paparë arrita me një frymë në lokalin që më tha. Ai më priste aty, i ulur e i qetë. U prezantuam. Quhej K. dhe kishte vite që jetonte në atë qytet të Italisë. I tregova historinë dhe i thashë se kisha nevojë të kthehesha në Shqipëri, por kisha frikë nga S-ja. Gjatë gjithë kohës që ishim në lokal, shikoja anë e vërdallë se mos na shihte ai. Ai ishte kthyer në tmerrin tim, ai kërcënonte, ai më rrihte. Në një çast, më ra telefoni e mua sa s’më ra tavani në kokë. E ç’t’i thoja kur të më pyeste se ku isha? Hapa telefonin e trembur.
– Ku je? Ku ke shkuar? – bërtiti ai. – Kthehu shpejt, ndryshe do të të gjej e do të të mbys me duart e mia!
K., që dëgjoi se ç’më tha, mori telefonin dhe u përgjigj:
– Sa mirë e luan rolin e trimit me një femër të pambrojtur, turp të të vijë! Që sot e tutje, do kesh punë me mua, jo me këtë.
– Kush je ti? Kush je ti? – pyeste S. si i çmendur.
K. i tha emrin e tij dhe tha se do t’ia kthente lekët që i kisha unë borxh dhe që të mos dukej më në jetën time.
– Sot do të vish në shtëpinë time! – tha K. – Unë jetoj me dy prindërit. Janë pleq, por të urtë e nuk të shqetësojnë.
Ai nuk më kërkoi asgjë në këmbim. Mori përsipër të më dilte zot, edhe pse nuk më njihte e s’më kishte parë kurrë më parë. Ishte zemra e tij e madhe që vendosi të shpëtonte një jetë që endej rrugëve e pashpresë. Ai më ktheu në Shqipëri. Kurrë s’më mjafton koha ta falënderoj për atë që bëri për mua. U dashurova mbas tij, u bë njeri i rëndësishëm për mua, dashuria ime platonike, por ai kurrë s’do të mund të më shikonte mua si gruan e tij të ardhshme sepse ai vetë më largoi nga rruga dhe kjo mbase nuk e lejonte të më shihte ndryshe, prandaj unë duhet ta shikoja vetëm si shpëtimtarin tim e t’i isha mirënjohëse. Ai më shpëtoi jetën dhe unë ndryshova. Më duhet të kaloja kaq shumë vuajtje për të kuptuar se jeta s’është materialitet e luks dhe se s’ta japin ato lumturinë, por njerëzit e mirë që mund të kesh fatin të njohësh në jetë.
Sot jam e martuar me një njeri të mrekullueshem i cili e di gjithë historinë time dhe kam një djalë 2 vjeç. Shpesh kujtohem për K.-në dhe i telefonoj për ta uruar në raste festash. Kjo jetë s’do të më mjaftojë për ta falënderuar mjaftueshëm për çka bëri për mua sepse falë tij, jeta ime mori drejtimin e duhur dhe unë sot jetoj e lumtur, me familjen time të vogël. Prindërit më pritën me të qara, ndërsa vëllai nuk më fali asnjëherë, por unë kam shpresë se një ditë ai do të më pranojë. Jua them si këshillë: Mos u fusni në shoqëri të keqe dhe zgjidhini shoqet më të mira se veten, mos i nënvlerësoni prindërit dhe mos bëni me kokën tuaj sepse do ta pësoni si unë dhe do të jenë gabime që s’do t’ia falni dot vetes.
Me respekt, Amanda.