Pasi mbarova gjimnazin, vendosa që studimet e larta t’i vazhdoja për Drejtësi.
Babi im kishte studiuar në të njëjtën degë dhe ka qenë ai që gjithmonë më ka shtyrë të vazhdoja për Drejtësi.
Mua në fillim më dukej një degë shumë e vështirë dhe nuk më pëlqente fare, por babai gjithmonë më nxiste të lexoja librat e tij dhe kështu, si pa kuptuar, fillova të informohesha për ligjet dhe për fushën e Drejtësisë, në përgjithësi.
Konkursin për të fituar të drejtën e studimit ia dedikoj pikërisht babait.
“Stela, kur të bëhesh profesioniste e zonja, do t’i kujtosh fjalët e mia dhe të gjithë këta libra që po lexon”. Babi im është i mrekullueshëm. Gjithmonë më ka kuptuar dhe mbështetur. Duke u rikthyer përsëri te studimet, vazhdova fakultetin dhe isha përqendruar vetëm te mësimet sepse doja të dilja shumë mirë. Babi më kishte premtuar se do të më rregullonte në një punë shumë të mirë. Isha shumë entuziaste për këtë, ndaj edhe i kisha vënë forca. Edhe pse kisha shumë mundësi për të patur lidhje me djemtë, unë isha shumë e vendosur që nuk do t’i përkushtohesha asnjë lidhjeje dhe gjithë kohën do t’ia kushtoja vetëm shkollës.
“Stela, si ka mundësi që je kaq e ftohtë? Nuk janë mësimet gjithçka, ti je mbyllur në atë botën tënde dhe mezi thua një mirëmëngjes”, më thonin shoqet.
“Nuk është e vërtetë. Unë gjithmonë kam qenë e hapur ndaj ftesave tuaja…”.
“Jo, Stela, unë nuk guxoj as të të ftoj sepse e di që do të më refuzosh”, u hodh Genci, shoku i klasës. E kisha parë edhe më parë që Genci më hidhte disa shikime nga të cilat kuptoja se i pëlqeja. U ndjeva shumë keq ngaqë po më flisnin ashtu dhe u largova për në shtëpi pa i përshëndetur fare. Isha mbyllur në dhomën time dhe nisa të mendoja me veten. Mos ndoshta vërtet isha ashtu siç thonin ata dhe unë nuk po e kuptoja këtë? Vërtet, mësimet ishin i vetmi aktivitet i imi; në mëngjes në shkollë, në drekë dhe në darkë duke mësuar e daljet e mia kishin të bënin me ndonjë vizitë bashkë me prindërit, te të afërmit. Shoqet dhe shokët e klasës i takoja shumë rrallë dhe në bisedat që bëheshin në tavolinë, isha e vetmja që nuk merrja pjesë. Ata kishin të drejtë, por unë nuk dija çfarë të bëja. Mësimet nuk mund t’i lija pas, por edhe për jetë sociale kisha shumë nevojë. Unë nuk e dija ç’do të thoshte të pëlqeja dikë e jo më të kisha ndjenja, ndërkohë që shoqet e mia e kishin kaluar këtë fazë tashmë. Mes tyre ndihesha si peshku pa ujë. “Stela, lexo këtë, Stela lexo atë”, kjo fjali e babit më ishte bërë si refren i ditës. Mezi prisja të kalonin sa më shpejt ato vite të shkollës, por kur mendoja se para kisha edhe provimin e fundit dhe duhej të përgatisja temën e diplomës, i humbja shanset për të shpresuar një përfundim sa më të shpejtë të studimeve. Genci kishte qenë i vetmi që kishte provuar të më afrohej që në fillim dhe ende kërkonte të më afrohej, ndërsa unë nuk ia jepja këtë mundësi. Mendoja se nëse do të krijoja një lidhje, kjo e fundit do të merrte gjithë vëmendjen time. Edhe vetë kisha frikë sepse nuk isha lidhur ndonjëherë, si dhe nuk e dija çfarë do të mendonte familja nëse do të mësonte se unë isha e lidhur. Kishte shumë gjëra që më pengonin, por isha edhe unë vetë që gjatë gjithë kohës ia vështirësoja gjërat vetes, duke mohuar çdo mundësi që më jepej. Një ditë, Genci e mori guximin dhe më ftoi në kafe. Pranova dhe gjatë bisedës, ai ma tha hapur se unë i pëlqeja dhe se kishte shumë dëshirë që unë të bëhesha e dashura e tij.
“Do të jem shumë i lumtur po të pranosh sepse që në momentin e parë që të pashë, jam dashuruar me ty”, më tha dhe ndërkohë që më fliste, vura re se po i dridheshin buzët dhe gjunjët. U ndjeva shumë në siklet sepse kjo më erdhi e papritur e tani që unë duhet t’i ktheja një përgjigje, nuk dija çfarë t’i thoja. Brenda vetes diçka më thoshte të pranoja, por më pas mendoja se kjo do të ishte e pamundur, për të gjitha asryet që kisha menduar më parë. “Më lër të mendohem sepse kjo për mua ishte rastësi, nuk e prisja”. I kërkova të më priste për një përgjigje dhe ai u tregua shumë mirëkuptues. Sa më mirë sillej Genci me mua, aq më shumë unë e ndjeja përgjegjësinë për t’i thënë “po”. Pasi u ndava prej tij dhe vajta në shtëpi, gjatë gjithë kohës mendjen e kisha te takimi me Gencin. Më vinin në mendje të gjitha fjalët që i kishim thënë njëri-tjetrit, më saktë, fjalët që më kishte thënë ai mua sepse unë pothuajse nuk kisha folur gjatë gjithë kohës. E mendova gjatë gjithë natës dhe vendosa të pranoja, por me kushtin që askush nuk do ta dinte. Lidhjen do ta mbanim të fshehtë, përndryshe do të më dilnin probleme me prindërit. Nëse shoqëria ime do të merrte vesh që unë isha lidhur, ata me siguri do të më hidheshin në qafë duke më kërkuar që t’u tregoja gjithçka dhe unë do të ndihesha shumë në siklet. Ky ndryshim që po ndodhte në jetën time më kishte çorientuar shumë, por edhe më kishte bërë më të lumtur. Ditët e mia tani nuk dukeshin aq monotone sepse lidhja me Gencin ma kishte ndryshuar përditshmërinë. Nuk ishin më librat ato që zinin gjithë ditën time, por edhe koha që kaloja me Gencin. Shoqet e vunë re ndryshimin tek unë dhe më pyesnin vazhdimisht: “Stela, çfarë ka ndodhur me ty? Na trego…” , thonin ato duke qeshur. Iu tregova se isha shumë e lumtur dhe ndihesha edhe më mirë që lumturinë time po e ndaja me ato. “E shikon Stela, sa e bukur është jeta? Më në fund, e kuptove!”. Dhe kjo ishte e vërtetë! Nëse nuk do t’i kisha pranuar Gencit, nuk do ta kisha mësuar kurrë se sa e bukur është jeta. Babi, i cili më ndiqte rigorozisht në studimet e mia, e vuri re që me librat nuk merresha më si më parë dhe më tërhoqi vëmendjen. Unë nuk mund të dilja kundër vullnetit të tij dhe i premtova se do t’u përkushtohesha atyre! Tani isha në vitin e fundit dhe kishte ardhur momenti që të filloja të përgatisja temën e diplomës. Ndërkohë që shoqet e mia e kishin zgjedhur pedagogun/en që do t’i udhëhiqte, me mua ndodhi ndryshe… Profesor Berti më tha se nëse doja, mund ta përgatisnim bashkë temën e diplomës sepse kishte menduar për një temë mjaft interesante si dhe kishte mjaft material për të. Edhe pse më erdhi çudi që më zgjodhi mua, u gëzova shumë sepse ai m’u shfaq si zgjidhja më e mirë, në momentin e duhur. Berti ishte 32 vjeç, beqar dhe shumë simpatik.
“Edhe pse unë të kam dhënë mësim vetëm vitin e fudnit, kam vënë re që je studente shumë e zgjuar dhe besoj se do të dalësh shumë mirë në fund të studimeve”.
“Faleminderit, këtë shpresoj. Kam lënë shumë gjëra pas dore në jetën time, vetëm që t’u përkushtohem studimeve dhe të dal mirë, i thashë. Por, pse më zgjodhët pikërisht mua?”.
“Është e nevojshme ta përsëris përgjigjen?”, tha ai duke buzëqeshur. I buzëqesha dhe i thashë se duhet të largohesha. “Ke ndonjë që të pret?”, vazhdoi ai. Po më dukej shumë kërkues edhe për gjërat e mia personale. “Po”, i thashë dhe ika. Më pa kur takova Gencin i cili po më priste para fakultetit dhe e vura re vështrimin e tij; dukej shumë xheloz.
“Kush ishte ai?”, më pyeti Genci. “Është pedagogu im që do të më udhëheqë në temën e diplomës”. “Pse pikërisht ai? Nuk kishte ndonjë pedagog më të vjetër?”, tha ai duke nënqeshur. “Je xheloz?”, qesha unë. “Jo, por se si m’u duk ai kur na pa bashkë. Sikur kishte zili”. “Janë hamendësimet e tua”, i thashë. Genci kishte shumë të drejtë sepse edhe mua ashtu më ishte dukur, por nuk doja të lindnin dyshime në mendjen e tij, pasi isha në fund të studimeve dhe doja t’i përfundoja me sukses ato. Profesor Berti më telefonoi që të nesërmen në mëngjes dhe më tha se duhet të takoheshim për të biseduar për diplomën. “Është ende shumë herët”, i thashë. “Zgjohu gjumashe se kemi shumë punë për të bërë”. Po më dukej sikur ishte Genci që po më fliste ashtu! “A është normale që pedagogu të të flasë në atë mënyrë?”, mendoja me veten. Megjithatë, të gjitha këto i hidhja pas krahëve sepse doja të përqendrohesha vetëm te diploma, por Berti vazhdonte të bënte gjëra që më bënin të dyshoja gjithmonë e më shumë. Unë, pasi u zgjova, u bëra gati shpejt dhe nxitova për të shkuar në fakultet, atje ku edhe mendoja se më priste, por nuk e pashë aty! E kërkova edhe nëpër salla të tjera, pyeta dhe më thanë që Berti atë ditë nuk kishte ardhur. I telefonova dhe më tha se ishte në shtëpi e po lexonte materialet e mia. “Po të pres këtu dhe e bisedojmë bashkë, si mendon?”, më tha. Nuk dija ç’të thoja. Në shtëpinë e tij nuk mund të shkoja sepse edhe Genci nuk do ta pranonte kurrsesi këtë, por duke e patur mendjen vetëm në përfundimin e diplomës me sukses, e gënjeva Gencin se po shkoja në shtëpi ndërkohë që ika te Berti. Ma kishte treguar pak a shumë vendndodhjen e shtëpisë së tij dhe unë e kuptova menjëherë sepse në atë pallat jetonte edhe shoqja ime e fëmijërisë. Kjo nuk më pëlqeu fare sepse nëse do të më shikonte Arta aty, gjithçka do të merrte tatëpjetën. Trokita në derë dhe Berti më doli para i veshur sportiv e me një filxhan kakaoje në dorë. “Eja brenda”, tha ai me një shikim djallëzor. Isha shumë në siklet, por kurrë nuk e kisha parë në atë veshje sportive që e bënin të dukej edhe më simpatik. Çfarë po ndodhte me mua? Po më tërhiqte pedagogu edhe fizikisht?! U mundova të mblidhja mendjen dhe të përqendrohesha në arsyen për të cilën kisha vajtur aty. Berti, me sa duket, e vuri re këtë dhe buzëqeshte lehtë. “Nga do t’ia fillojmë”, po thoshte me vete, ndërkohë që po shikonte disa gjëra në lap-top që të m’i tregonte mua. Ndërsa unë kisha shastisur duke e parë! Nuk më ishte dukur kurrë aq simpatik dhe aq tërheqës sa atë ditë. Kështu, edhe ditët e tjera u takuam në shtëpinë e tij për të biseduar për diplomën, e cila tani ishte drejt përfundimit. Një ditë, teksa po flisnim, më ra telefoni. Ishte Genci! “Çfarë ke? Pse u frikësove? Kush është në telefon?”, tha Berti. “Është i dashuri im, Genci, por ai nuk e di që ne takohemi këtu për të bërë diplomën”, i thashë. Ai u bë serioz dhe më tha të mos përgjigjesha. Ashtu bëra. Pastaj ai m’u afrua dhe, pasi më largoi flokët, më puthi. Nuk më la as të flsija dhe kur m’u afrua, unë e humba krejtësisht kontrollin. Ndodhi ajo që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Berti më tha që unë i kisha pëlqyer që në fillim dhe gjatë gjithë kohës e kishte pritur këtë moment. Unë u ngrita, u vesha dhe dola me vrap nga shtëpia e tij me lot në sy. As vetë nuk e besoja atë që sapo kisha bërë. Si ia lejova vetes? Pasi shkova në shtëpi, u futa në dhomën time dhe nuk e hapa derën deri të nesërmen. Gencit i dërgova një mesazh se isha sëmurë dhe nuk më telefonoi më. Unë tani as nuk do të mund ta shihja në sy pas gabimit që kisha bërë. E kisha tradhtuar pikërisht atë që e doja shumë!