Kur filloi ndryshimi i jetës sime, isha një vajzë 14 vjeçe që sapo kisha mbaruar klasën e tetë.
Vendi po kalonte një periudhë tranzicioni, pasi ishin vitet ‘97-’98 dhe meqenëse në qytetin ku unë jetoja gjendja ishte shumë e keqe, shumë prej vajzave, prindërit nuk i lanë të vazhdonin shkollën.
Në atë kohë unë kisha një vajzë halle që ishte martuar në Tiranë.
Një ditë ajo erdhi në familjen tonë dhe i tha babit tim: “Gjëja më e mirë për Sonën është që ta fejoni më ndonjë djalë që e njohim, se ndryshe, nuk i dihet”. Edhe im atë ma kishte shumë merakun pasi unë isha një vajzë shumë e bukur, e gjatë, e hollë, bionde, me sy të kaltër. Edhe pse isha në moshë të vogël, shumë djem më ngacmonin që në klasën e shtatë, por unë atëherë kisha ëndrra të tjera; mendoja për shkollën, më pëlqente shumë letërsia dhe ëndërroja të bëhesha mësuese. Mesatarja ime në shkollë ishte 9.7 dhe babi, ngaqë i vinte keq për mua, u detyrua të më regjistronte në shkollën e mesme me korrespondencë. Këtë gjë e kam vuajtur shumë, qaja ditën e natën dhe prindërit mundoheshin të më sqaronin se ishte kohë e vështirë për një vajzë, sidomos dhe kur ishte e bukur. Në qytetin e Beratit ku unë banoja, kishte shumë raste kur i merrnin vajzat dhe i përdornin për qëllime të tjera. Një ditë, në shtëpinë tonë erdhi vajza e hallës, së bashku me një djalë, i cili ngiste edhe makinën. Babi doli e i priti jashtë. Pasi hynë brenda, Entela tha: “Ky është kunati im, Altini, e kemi djalë shumë të mirë”. Ai menjëherë i hodhi sytë nga unë. Unë e kuptova që ajo e kishte sjellë kunatin e saj që ta shikoja unë, por mua nuk më binte në mendje për të. Ai ishte i shëndoshë dhe mua më dukej sikur edhe nga trupi, edhe nga truri, ishte i trashë. Më dukej sikur nuk dinte të lidhte dy fjalë. Mbas shumë lutjesh nga ana e prindërve, pranova të fejohesha me Altinin. Më dukej se ishte e vetmja zgjidhje për mua. Kushërira më kishte thënë se ata ishin njerëz të pasur dhe unë mendoja se do të më mbante si princeshë, madje më gënjeu mendja se do të vazhdoja dhe shkollën. Mbas fejesës, Altini më mori disa herë në shtëpinë e tij në Tiranë. Ata jetonin shumë mirë vërtet, edhe familjen e kishte shumë të mirë, por mua më interesonin gjëra të tjera; doja të kisha më shumë liri, doja ta vazhdoja shkollën ditën. Duke ndenjur me Altinin, pak e nga pak, kuptova se ai ishte shumë fanatik, nuk më linte të nxirrja kokën as në dritare. Nga bisedat që bëja me të, kuptoja se ai nuk e kishte vazhduar shkollën e mesme dhe mua nuk donte të më linte më që ta vazhdoja as me korrespondencë. “Për çfarë të duhet? Ja, unë pa shkollë jam dhe pasurinë e kam vënë”, më thoshte ai. Të gjitha këto më bënin të çmendesha fare. E vetmja gjë e mirë që kishte Altini ishte fakti se nuk fjeti me mua derisa unë u bëra 17 vjeçe. Ai e kuptonte që isha e vogël për të kryer marrëdhënie me të. Të gjithë këtë e bënte se më donte shumë, por dashuria e tij ndaj meje nuk ishte e mjaftueshme; unë kisha menduar gjëra të tjera për jetën. Ç’më duhej pasuria mua kur nuk dilja asnjëherë vetëm ose me shoqërinë, por duhet të më shoqëronte gjithmonë vjehrra? Të gjitha këto gjëra nuk më pëlqenin, ndaj e shtyja ditën e dasmës. Nuk doja të isha e burgosur në shtëpinë e burrit tim. Një ditë më ndodhi një gjë e çuditshme, më ra telefoni dhe unë e hapa. Ishte një numër grek. “Përshëndetje, jam një djalë që të kam parë dhe dua të martohem me ty”, më tha ai. Unë fillova të qeshja dhe e pyeta se si do të martohej ai me mua, kur unë isha e fejuar. “E di edhe që je e fejuar, por kjo s’do të thotë që ti s’mund të ndahesh nga i fejuari dhe të martohesh me mua”, më tha.
Nuk e di pse, por biseda me të po më pëlqente, më dukej sikur ai po bënte shaka, por ishte shaka e ëmbël. Kisha aq halle sa më duhej të zbavitesha me dikë. Djali ndenji gati 30 minuta në telefon me mua. Kisha frikë se mos ishte ndonjë djalë që më njihte, por nga biseda me të, kuptova se ai nuk e dinte fare kush isha unë, i kishte rënë numrit gabim dhe kaq. Me kalimin e ditëve, ai filloi të më merrte akoma më shpesh në telefon, në mëngjes, në drekë dhe në darkë, gjë që më pëlqente. Unë, herë pas here, ia përsërisja se isha e fejuar dhe pas një viti kisha dasmën, por ai nuk donte t’ia dinte. E gjithë kjo histori po bëhej mjaft shqetësuese për mua. Edhe pse më pëlqente, kisha frikë se e merrte vesh Altini dhe nuk e di se ç’mund të bënte nga xhelozia. I thashë te fejuarit se më kishte rënë telefoni në ujë. Ai u detyrua të më blinte telefon dhe numër të ri. Telefonin e vjetër e fika dhe e lashë te gjërat e mia. Pas dy muajsh, kisha dasmën dhe ditën që shkova në parukeri, mora edhe telefonin e vjetër me vete. Ju nuk mund ta besoni se në momentin që hapa telefonin, ai më mori menjëherë. Nuk dija ç’të bëja dhe mes lotëve i thashë se kisha shkuar të bëhesha nuse. Ai më thoshte: “Edhe sikur të jesh me fëmijë, unë dua që ti një ditë të jesh e imja. Edhe pse nuk të njoh, ti nuk e ke idenë se sa herë në ditë i kam rënë telefonit në kohën kur ti e mbaje të fikur”. Nuk e zgjata shumë bisedën, por ai më dërgoi një sms ku më thoshte: “Të lutem, mbaje të fshehur këtë telefon dhe më dërgo zile kur ke nevojë të flasësh me dikë sepse edhe unë kam nevojë të flas me ty”.
Në të vërtetë, jeta ime mbas martesës u kthye në një ferr të vërtetë. Altini çdo ditë e më shumë bëhej xheloz për mua. Kishte edhe të drejtë… Shumë njerëz i thoshin “ke patur fat, e ke marrë nusen të bukur” dhe ai, as të fshija shkallët nuk më linte, as në dyqanin e lagjes nuk donte që unë të dilja. Shumë rrallë dilnim të dy për kafe. Kjo po më torturonte dhe i vetmi shpëtim për mua ishte telefoni i vjetër që e mbaja te gjërat e mia, ku Altini nuk guxonte të fuste duart. Sa ikte ai në punë dhe pasi mbaroja punët e shtëpisë, unë i bëja zile shokut tim të telefonit dhe flisnim pa fund. Unë e kyçja dhomën time se kisha frikë se më dëgjonte vjerra. Nuk mundem ta përshkruaj gjendjen time kur flisja me të. Ai dinte të thoshte fjalë të mrekullueshme, dinte të fliste bukur për dashurinë; as ai nuk ma dinte emrin, as unë atij. Na mjaftonte vetëm të flisnim, të mos e ndjenim veten të vetmuar. Unë e kisha burrin tim, por ai vetëm të punonte dinte, nuk dinte se ç’është përkëdhelja e një femre, fjalët e bukura, dhuratat, surprizat. Kishte kaluar gati një vit martesë e Altini donte të bënim fëmijë, por unë nuk e ndjeja veten gati, pasi gjithnjë e më shumë po më zbehej dashuria për të dhe nuk e dija se si do të vazhdonte kjo lidhje.
Sa herë shkoja në shtëpinë time në Berat, filloja t’u ankohesha prindërve të mi për xhelozinë e burrit. Zënkat mes meje dhe Altinit filluan të shpeshtoheshin. Të gjitha këto ia thosha të dashurit tim “imagjinar” në telefon. Ai më lutej që ta lija, po kisha shumë frikë, nuk mund t’i besoja një njeriu që e kisha njohur nga telefoni. Ne thjesht ne flisnim për dashurinë, plotësonim ndjenjat e njëri-tjetrit me fjalë të ëmbla e të bukura. Me të ndjehesha një femër e dëshiruar, ai më bënte të ndjehesha e bukur. E gjithë kjo më bënte shumë të lumtur dhe kaq më mjaftonte, por kjo zgjati derisa unë bëra një gabim që nuk do t’ia fal vetes kurrë. Duke menduar se kushërira (domethënë, kunata) më donte shumë, i tregova për njeriun me të cilin flisja në telefon dhe ajo më foli ashpër: “Prandaj kërkon ti të ndahesh nga Altini, për këtë njeri?”. Ajo çfarë nuk po nxirrte nga goja. E kuptova se ia bëra varrin vetes me dorën time. Ndodhi ajo që e prisja. Ajo i tregoi burrit tim dhe ai, hyri hyri në dhomë e më gjuajti me gjithë fuqinë që kishte, duke më pyetur se ku e fshija telefonin. Ia tregova dhe filloi të bërtiste akoma më shumë: “Si mund të shkatërrosh gjithçka për një njeri të njohur nga telefoni?”. Unë, me lot në sy, i lutesha të më linte se nuk e doja dhe nuk e kisha dashur asnjëherë. I thashë se prindërit e kishin fajin që më kishin martuar me të vetëm sepse ishte i pasur. Edhe pse i thoja shumë gjëra, ai nuk donte të më ndante; më donte shumë dhe nuk kishte guxim ta bënte një gjë të tillë. Mbas asaj që ndodhi, unë tentova të vrisja veten. Nuk duroja më të jetoja e burgosur në shtëpinë e tij. Nga e gjithë kjo ngjarje, Altini u detyrua të më linte. “Më mirë të jesh gjallë dhe e dikujt tjetër, sesa të të humb në këtë mënyrë”, më tha ai.
Sot jam ndarë dhe jetoj te prindërit e mi. Ndjehem më e lumtur kështu sesa në atë shtëpi me shumë pasuri, por ku e ndjeja veten shumë të varfër.