Në jetë na ndodh të zhgënjehemi shpesh dhe, në shumë raste, fajin e ka shoqëria.
Është shumë e vështirë të gjesh një shok ose një shoqe që të të kuptojë dhe të ketë të njëjtat mendime si ti, të arsyetojë dhe të veprojë siç do të veproje ti.
Dikur mendoja se kisha gjetur një shoqe shumë të mirë. Ne ishim bashkë në çdo situatë të mirë apo të keqe që na ndodhte në jetë.
Nuk na shkonte ndërmend t`i bënim keq apo ta lëndonim njëra-tjetrën, të paktën këtë mendoja dhe kështu veproja unë. Kurrë s`më shkonte ndërmend se ajo, shoqja ime më e mirë, “motra ime”, siç më thërriste shpesh, do të ishte në gjendje të bënte diçka kaq të ulët dhe për çfarë? Për një djalë i cili as që donte t’ia dinte për të. Një ditë më tha se i pëlqeja një shokut të saj që unë nuk e njihja dhe se ai donte të pinte një kafe me mua, normal, në shoqërinë e saj. Normalisht, përgjigjja ime për momentin ishte jo, por ajo vazhdonte të këmbëngulte që një kafe dhjetë minuta nuk më kushtonte asgjë pasi ai ishte djalë shumë i mirë dhe i respektonte femrat në maksimum. Më fliste vazhdimisht për të gjatë ditës. Kudo ku uleshim në kafe apo ngado që shkonim, ai ishte bërë objekti i bisedës sonë. Më thoshte se kishte vite që e njihte dhe se ishte shoku i ish-të dashurit të saj. Shoqëria e tyre vazhdonte që në vit të parë në gjimnaz, pothuajse pesë vjet. Një ditë pranova të pija kafe. Thashë, në fund të fundit, një kafe do të ishte dhe bëhej fjalë për dikë që ia vlente, sipas shoqes sime. Një ditë të bukur janari, pas 6 orësh të lodhshme mësim, dolëm për kafe me këtë shokun. Sa e pashë, e kuptova që nuk ishte tipi im dhe këtë i thashë me mesazh edhe shoqes. Kjo, çuditërisht, u lumturua. Nuk e kuptova këtë. Deri në atë moment ajo mezi priste të dilnim bashkë! Nejse, po ju tregoj për kafen që piva me këtë çunin. Ai filloi me ato fjalët e “bukura”, siç bëjnë çunat:
– Je shumë tip i veçantë! Pamja jote më tërheq jashtë mase…
Ai bile nisi të më shprehte dashurinë, sikur të kishim vite që njiheshim. Bëra si bëra, durova gjysmë ore dhe u ngrita me pretekstin se kisha njerëz për drekë. Në darkë më ra telefoni. E hapa dhe pashë që ky vazhdonte njëlloj: “Të dua, dua të martohem me ty!”. Më erdhi pak inat pasi unë nuk ia kisha dhënë numrin, mirëpo e kalova pa debat këtë gjë. Kjo situatë vazhdoi disa javë dhe unë nuk dija kush ia kishte dhënë numrin tim, pasi shoqja ime thoshte se nuk ia kishte dhënë ajo dhe unë, në atë kohë, i besoja verbërisht asaj. Sinqerisht, situata po bëhej shumë e bezdisshme pasi ai merrte vazdimisht dhe në çdo kohë në telefon, aq shumë sa më hapi probleme në shtëpi me babin dhe vëllain. Pas disa kohësh, mora vesh se filloi të thoshte gjëra që nuk ishin të vërteta mbi ne dhe kështu, u detyrova të ndërroja numër, por vazhdonte e njëjta gjë, vetëm se kësaj here, shoqja nuk po ndihej më. Nuk e kuptoja nga e gjente ai numrin tim, sa herë që unë e ndërroja. Më pas, ai filloi të më shante e të më kërcenonte, gjë që s’e kuptoja pse e bënte dhe fillova të frikësohesha nga ai. I kërkova shoqes t`i thoshte të ndalte me këtë lojë, por ajo thjesht qeshte dhe thoshte se ai bënte shaka dhe nuk ishte i aftë t’i bënte këto gjëra sepse ishte shumë i mirë. Mbaj mend që një ditë u zumë me fjalë sepse unë i tregoja kërcënimet e ajo qeshte. Kjo më bëri shumë përshtypje.
Një ditë, kur mbarova mësimin, e pashë këtë djalin te dera e shkollës. Ai më ftoi për kafe, unë nuk pranova dhe ai nisi të bërtiste duke më ofenduar para shokëve dhe shoqeve. Të gjithë u kthyen duke më shikuar. Mua më iku fytyra edhe nxitova hapat për në shtëpi. Kjo situatë nuk durohej më. Netë të tëra i kalova pa vënë gjumë në sy. Duhej me patjetër t’u shpjegoja prindërve si qëndronte puna dhe po mendoja mënyrën më të mirë për t’ua thënë, edhe pse e dija që do të nxeheshin shumë me mua. Kur i tregova shoqes, ajo më kërkoi të mos u tregoja para se ajo të më shpjegonte diçka të rëndësishme dhe, që në telefon, nisi të më kërkonte falje. Nuk e kuptova se pse. Ditën tjetër u takuam në shkollë dhe më shpjegoi gjithçka. Historia “e trishtë” për të ishte se ai kishte qenë ish-i dashuri saj, të cilin e donte shumë dhe që, sipas asaj, edhe ai e donte shumë, por ata po kalonin një periudhë të keqe në lidhjen e tyre. Më tha se ma prezantoi mua vetëm për ta provokuar deri në ç`pikë do të ishte në gjendje të shkonte ai me shoqen e saj të ngushtë. Nuk po u besoja veshëve. Unë i isha shprehur hapur që nuk më pëlqente, por ajo, si vallë kishte mundur të lexonte mesazhet e tij në telefonin tim, pa iu dridhur qerpiku?! Po unë, çfarë isha në këtë situatë?! Ku shkoi shoqëria jonë? Ne ishim si motra! E shikoja dhe nuk e kuptoja pse qante. Mos mendonte se me ata lot prej krokodili do të më bënte ta falja për këtë tradhti? Më mirë të më kishte ngulur thikën mbas shpine! Sipas saj, unë duhet ta falja sepse kjo gjë nuk ndodhi për të kuptuar sa e fortë ishte shoqëria jonë sepse ajo e dinte që shoqëria jonë ishte e sinqertë, por ndodhi vetëm për faj të tij, pasi kishte kërkuar ta çonte këtë lojë deri në fund duke thënë se unë i kisha dhënë arsye të besonte se do të lidhesha me të. Për mua, kjo ishte absurde sepse unë, çdo gjë ia kisha treguar asaj. Në këtë histori, isha një lodër e vënë në lojë nga shoqja ime e ngushtë, nga “motra ime”, për të kuptuar sa e donte i dashuri atë. Kjo ishte krejt pa kuptim dhe shumë zhgënjyese për mua. Po ç’mund të bëja unë kur për faj të tyre ndihesha e ofenduar para familjes dhe shoqërisë? Thjesht, nuk ia vlente ta vazhdoja diskutimin, por e dëgjova deri në fund dhe i thashë: “Mos qaj më, se të kam falur!”. Shkova në shtëpi, e mendova të gjithë ndodhinë dhe vendosa që një femër të tillë s’e doja më pranë vetes. E fala, por nuk është aq e thjeshtë të harrosh që shoqja jote është tallur me ty. Tani e kam të vështirë të kem besim te një shoqe, edhe pse njerëzit nuk janë të gjithë njësoj.