Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Ma morën me dhunë fëmijën tim!

Unë që po ju shkruaj jam Nadireja.

Tashmë i kam mbushur të pesëdhjetat, por edhe pse kanë kaluar vite, dhembja e nënës për fëmijën nuk shuhet kurrë.

Para tridhjetë vjetësh, kur isha vajzë e re, familja më martoi me një djalë nga një fshat ku binim rreth miqësie.

Advertisement

Në atë kohë nuk mund të kishe pretendime, do të merrje atë që të jepin prindërit. Për fatin tim, burri më ra njeri shumë i mirë. Edhe unë kisha filluar ta doja çdo ditë e më shumë. Brenda pesë vjetësh ne kishim lindur tre fëmijë, një djalë dhe dy vajza të mrekullueshme, por Zoti nuk deshi që ta shijonim deri në fund lumturinë tonë sepse kunata ime, motra e burrit, nuk kishte fëmijë dhe vjehrri me vjehrrën e kishin diskutuar që t’i jepnin vajzën time të vogël, Lilin, që sapo kishte mbushur dy vjeçe. Kur ma thanë, mua sa nuk më iku mendja, fillova të qaja me të madhe, e mbaja vajzën gjithmonë mbas vetes dhe nuk doja që të ma prekte njeri, madje lashë dhe punën, sepse kisha frikë se do të ma merrnin fshehtas. Kadriu, bashkëshorti im, ishte prekur, por jo sa unë, pasi ai e kishte motër dhe donte që edhe ajo të gëzonte me një fëmijë. Motra e tij jetonte në Tiranë dhe ishin familje shumë e ngritur, burrin e kishte doktor dhe vetë punonte mësuese. Të gjitha të mirat i kishte e vetëm fëmija u mungonte. Mbas shumë diskutimesh në familjen tonë, vjehrrët vendosën t’ia jepnin Lilin vajzës së tyre. Edhe pse unë qaja me të madhe, ata nuk pyesnin për lotët e mi. Vjehrra thoshte: “Nuk na e ke sjellë me vete vajzën ti, e kam të djalit unë!”.

Ditën që kunata ime erdhi me burrin e saj për të marrë vajzën, lotët e mi nuk kishin të sosur. Ajo ka qenë dita më e dhimbshme e jetës sime dhe pas saj, unë nuk ndjeja më dashuri as për burrin tim. Dy fëmijët, djali thuajse pesë vjeç dhe goca tre vjeçe, pyesnin për motrën e tyre të vogël dhe kjo ishte shumë e dhimbshme. Vajzën ma rrëmbyen nga krahët duke qarë edhe unë, edhe ajo. Nuk kishte ditë që të mos i mallkoja vjehrrin dhe vjehrrën time. Jeta nuk ishte më e lumtur si më parë për ne. Kadriu donte që ne të bënim një fëmijë tjetër, në mënyrë që unë të mos e ndjeja mungesën e Lilit, por asnjë nuk mund të ma zëvendësonte atë. Ajo ishte një vajzë e ëmbël me flokë të gjatë kaçurrelë. Çdo ditë nga ndarja prej saj ajo më shfaqej në ëndërr, sikur më kërkonte dhe më thërriste “maaami”. Vitet kalonin dhe kunata nuk e solli asnjëherë vajzën në fshatin tonë, pasi kishte frikë se mos ajo më njihte dhe nuk donte të shkonte më me ta. Kadriu shkonte ta shikonte vajzën herë pas here, kurse mua nuk më merrte, se kishte frikë se bëhesha keq. Mbas shtatë vjetësh, kunata e solli vajzën në shtëpinë tonë në fshat e unë vetëm qaja pa pushim, kur e pashë që ishte bërë një vajzë aq e bukur dhe me aq kulturë. E shikoja teksa luante me motrën e vëllain e saj dhe ndjehesha e lumtur kur i shikoja të tre. Lili më thërriste “hallë”, kurse Kadriun e thërriste “dajo”. Që prej asaj here, Lili nuk erdhi më në shtëpinë tonë. Ne kishim raste që shkonim në Tiranë dhe e takonim. Jeta e saj kishte ndryshuar shumë, ajo studionte dhe vazhdoi studimet e larta për Mjekësi, kurse specializimin e bëri në Gjermani për doktoreshë zemre. Ndjehesha krenare për vajzën time që kishte ecur kaq shumë dhe nga një anë mendoja se birësimi i Lilit në një familje të tillë bëri që ajo që çante në jetë, ndërsa fëmijët e mi mbetën me një shkollë të mesme dhe djali u detyrua që të emigronte në Gjermani.

Në moshën 30 vjeçare, Lili kishte vendosur ta lidhte jetën e saj me një djalë të moshës së saj, por nga Gjermania dhe në familjen e tyre kishte filluar debati. Prindërit që e birësuan, nuk donin që ajo të martohej me një të huaj, pasi ata donin që të jetonin me Lilin dhe të shikonin fëmijët e saj teksa rriteshin. Unë dhe Kadriu tashmë jetonim vetëm, kishim pesë vjet që ishim shpërngulur në Tiranë, pasi djali kishte emigruar dhe kishte blerë shtëpi aty, ndërsa vajzën e kishim martuar, edhe atë, në Tiranë. Të dy fëmijët, edhe pse nuk më kishin pyetur asnjëherë për motrën e tyre, Lilin, e dinin se ajo ishte motra e tyre dhe jo kushërira. Djali ishte më i lidhur me Lilin. Ai, shumë kohë më pas, më tregoi se i kishin mbetur në mendje të qarat e mia kur isha ndarë nga motra e tij. Këtë e kishte vuajtur shumë gjithmonë. Lili më rrinte shumë e largët, edhe pse takimet me të, pas shpërnguljes në Tiranë, ishin më të shpeshta. Një ditë, në orën dhjetë të natës, trokiti dera dhe e hapi Kadriu. Pashë që Lili iu hodh në krahë duke qarë dhe i tha: “Kam nevojë për ndihmën tënde. Dua t’ua mbushësh mendjen prindërve që të martohem me të dashurin tim nga Gjermania! Ne kemi pesë vjet që bashkëjetojmë dhe duam të martohemi…”. Lotët e Lilit rridhnin pa pushim e po kështu, fillova të qaja edhe unë, m’u mblodh një lëmsh në stomak, që po ta kisha kunatën në ato momente, nuk e di ç’do t’i kisha punuar. Të nesërmen, që në mëngjes, shkova bashkë me bashkëshortin tim në shtëpinë e kunatës dhe filluam të debatonim me të. I thashë: “Nuk ke të drejtë ti që të vendosësh për fatin e Lilit. Boll luajte me jetën time, nuk të lejoj që të luashedhe me jetën e saj!”, por ajo, në mënyrë vulgare, m’u përgjigj: “Ik, moj fshatare, do të më mësosh mua se çfarë bëj me vajzën time!”. Në atë moment m’u errësuan sytë, e kapa nga krahu dhe i thashë: “Ku e gjete vajzën ti, moj grua shterpë?! Kjo fshatare të bëri me fëmijë ty!”.

Në ato momente, hyri Lili dhe, duke qarë, i ra të fikët në krahët e Kadriut. E njëjta gjë i ndodhi edhe kunatës e ne nuk dinim kë të përmendnim më parë. Mbas një ore, kur të dyja ato erdhën në vete, nuk dinim çfarë shpjegimi t’i jepnim Lilit. Ajo vetëm qante dhe më lutej që t’i tregoja të vërtetën. Nga ana tjetër, kunata, duke qarë, bërtiste: “Ti je vetëm vajza ime dhe e askujt tjetër!”.

Ajo skenë ishte e tmerrshme! Më dukej vetja si nëpër filma. Që prej asaj dite, Lili nuk donte të më takonte më. Ajo kishte filluar të krijonte për mua një urrejtje që e shprehu hapur: “Unë nuk mund të jem vajza e asaj fshatares”. Kjo ishte goditja e dytë e dhimbshme që mora nga vajza ime, të cilën nuk mund ta përballoj dot dhe që atëhere, fillova të kisha probleme me zemrën. Lili nuk i pyeti prindërit e saj birësues, por u martua me djalin që donte. Dasma e saj, më tregoi Kadriu, ishte madhështore dhe ajo kishte dalë një nuse shumë e bukur. Unë nuk munda ta shikoja, pasi nuk flisja me kunatën që pas sherrit që bëmë. Përveç kësaj, nuk mund të përballoja emocione të forta për shkak të sëmundjes sime në zemër. Ajo jetonte në Gjermani dhe bënte jetën e saj normale, duke punuar në profesionin e saj. Djali im, Endri, i cili jetonte atje që prej 10 vjetësh, ishte në dijeni të sherrit që kishim bërë ne dhe, për hatrin tim e të sëmundjes që kisha unë, e kishte takuar motrën e tij dhe i ishte lutur që të më falte për gabimin që kisha bërë. Ai ia kishte shpjeguar me detaje të gjithë historinë, që nuk ishte faji im që ajo u birësua nga kunata ime, por i gjyshërve të saj, por Lili prapë nuk kishte dashur që ta dëgjonte vëllain e saj. Edhe pse ajo e dinte shumë mirë tashmë historinë, nuk kishte zemër të më falte mua.

Edhe pse ajo tashmë ishte rritur dhe i përkiste dikujt tjetër, dashuria ime për të ishte akoma më e madhe. Çdo ditë i lutesha Zotit që ajo të më falte dhe ta pranonte që unë isha nëna e vërtetë e saj. Dhimbjen më të madhe e ndjeva kur ajo u bë me djalë dhe unë nuk kisha mundësi ta shikoja. Mbas një viti që kishte lindur djalin, ajo erdhi në Shqipëri te familja e saj. Kadriu, si gjithmonë, shkoi e takoi dhe i kishte marrë një foto të nipit tim. Unë e shikoja dhe e adhuroja vetëm nga fotoja; më dukej sikur e kisha aty…

Një ditë, teksa isha vetëm në shtëpi, ra zilja e derës dhe unë shkova ta hapja. Në derë pashë Lilin me djalin në krahë; ajo qante dhe unë qaja. Mes lotëve, më tha:

“Vetëm tani që u bëra nënë, e kuptova se ç’do të thotë të humbasësh një fëmijë!”.

Mbas shumë kohësh, Zoti m’i dëgjoi lutjet! Lilin nuk e pashë teksa rritej, por të paktën fëmijët e saj, dua t’i shoh dhe t’i përkëdhel. Ky është ngushëllimi im i vetëm kur mendoj për vajzën që nuk munda dot ta rrisja me duart e mia.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Erion Braçe, zagari i pushtetit të Ramës

Next Post

Suela Brahimllari: “Bel Eve” është frymëzimi i stilimeve të mia

Advertisement