Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Rashë viktimë e binjakeve

Në gazetën tuaj kam lexuar histori për humbjen e një dashurie të madhe, por ajo që do t’ju tregoj unë është humbja e dy dashurive në të njëjtën kohë.

Ka qenë pikërisht vera e vitit 1989 kur unë kisha shkuar për disa ditë te xhaxhai im, në një fshat të Beratit.

Unë kisha lindur dhe isha rritur në qytetin e Tiranës, por nuk e di, jeta e fshatit në atë kohë më pëlqente shumë, sidomos gjatë verës.

Advertisement

Bëheshin organizime të ndryshme, punë vullnetare, mbledhje, mbrëmje me të rinjtë; si të thuash, ishte një jetë aktive, madje më mirë se në qytet. Një vit më parë kisha kaluar pushimet te halla tjetër që jetonte gjithashtu në fshat dhe u kënaqa shumë. Doja të kaloja të njëjtën eksperiencë, por këtë herë, te xhaxhi. Atë verë sapo kisha marrë pushimet nga puna. Nusja e xhaxhait punonte në një dyqan ku shiste mallra ushqimore dhe unë, gjithë ditën e kaloja aty. Mbasdite, shumë djem, pasi kishin mbaruar punën, rrinin në qendrën e fshatit, ose në lokalet përreth. Ishte gati ora tetë e mbrëmjes kur pashë që po afrohej drejt dyqanit ku shiste halla ime, një vajzë me flokë të gjata, që i derdheshin deri në fund të kurrizit. Ajo kishte veshur një fustan të bardhë me topa të zinj. Në bel kishte vënë një rrip të bardhë, që ia tregonte edhe më shumë linjat e trupit. Ashtu si shumë djem të fshatit, edhe unë nuk mund ta ndalja shikimin përballë një bukurie të tillë. Ajo dukej sikur e kishte pikturuar Zoti; e gjatë me flokë të zinj, sy dhe vetulla të zeza… Si të thuash, dukej si Borëbardha e përrallës. Në momentin që do të hynte në dyqan, unë mërmërita nëpër dhëmbë: “Ç’krijesë që ka bërë Zoti!”. Ajo ndaloi, më pa njëherë në sy dhe me njërën dorë hodhi mbrapa flokët që i kishin rënë mbi kraharor. Sytë e saj sikur lëshuan dritë dhe më qëlluan direkt e në zemër. Nga lëvizjet dhe shikimet, vajza dukej shumë çapkëne, aq sa nuk i bëhej vonë nga ato që thoshin djemtë. Kur doli, sërish i thashë diçka: “Uroj që të vish prapë”. Ajo më buzëqeshi dhe u largua. Shikimi im e ndoqi deri larg. Kur u ktheva në dyqan, pashë se e njëjta vajzë po blinte diçka brenda. Nuk po u besoja syve, po mendoja se mos isha çmendur, por jo, ishte e njëjta, me të njëjtin fustan, flokë, sy e vetulla, pa asnjë lloj ndryshimi. Kur doli, i thashë: “Unë vërtet të thashë që të vije prapë, por jo kaq shpejt”. Ajo s’e ktheu kokën fare. Po mendoja me vete: “Sa shpejt ndryshon njeriu! Pak më parë më buzëqeshi e tani nuk më foli”.

Të gjithë atë natë e kalova vetëm duke menduar për të. Si ka mundësi që ajo erdhi aq shpejt në dyqan? Po të pyesja hallën, kisha frikë se do më thoshte se isha çmendur. Kjo pyetje më ngeli në mendje derisa në një ditë pashë dy vajza me të njëjtën veshje, me të njëjtën paraqitje… Ato ishin motra binjake dhe ngjanin si dy pika uji. Në të vërtetë, tani nuk dija se cilën pëlqeja, se të dyja më dukeshin shumë të bukura. Ishin shumë çapkëne dhe sa herë kalonin aty, më flisnin e buzëqeshnin si njëra, dhe tjetra. Unë kisha njohur edhe vajza të tjera, por si ato nuk më ishte dukur asnjëra. Ato kishin një lloj lirie të ndryshme në komunikimin me djemtë. Pyeta një nga kushërinjtë e mi se kë duhet të zgjidhja prej tyre. Ai qeshi dhe më tha: “Mos luaj me zjarrin se do të biesh brenda”. Gjithashtu, më tha se ato të dyja i ndiqnin djemtë që vinin nga qyteti, sepse ishin shumë materialiste. “Edhe familjen nuk e kanë të mirë, janë shumë të shthurur”, më tha ai, por unë nuk doja të dija për këto.

Unë nuk dija se kë doja nga të dyja, e kisha të vështirë t’i ndaja nga njëra-tjetra. Njëra e kishte emrin Lili dhe tjetra, Lela. I vetmi dallim midis tyre ishte se njëra ishte pak fare me e shkurtër se tjetra. Një ditë në mbrëmje, njëra prej tyre, kur erdhi për në dyqan, më la një letër në dorë. Unë u habita e u gëzova njëkohësisht. Në letër shkruhej: “Të pres te rruga mbi shtëpi, në orën 9 të darkës. Lili”. U gëzova pa masë. Po mendoja me vete: “Kur ajo do vetë, pse të mos shkoj?”. Kishte filluar të errësohej kur pa shkuar ora 9, ndjeva dy duar që më mbyllën sytë. Ndjeva një ngrohtësi dhe një gëzim të madh që më përshkroi të gjithë trupin.

“Ti je Lili?”, e pyeta unë.

Ajo ma ktheu: “Jo, jam Lela, por letrën ta shkroi Lili”.

Po më dukej si një lojë, por ç’rëndësi kishte?! Unë e doja njërën prej tyre, edhe pse nuk e dija se cilën nga ato. Ajo m’i hapi sytë dhe, duke më përkëdhelur në faqe, më tha: “Lili është e zënë, zemra ime. Ajo ka një të dashur të pasur”.

U ndjeva shumë keq nga fjalët që më tha. Kushëriri im kishte të drejtë. Ato e donin një djalë vetëm për interes dhe, duke e ditur që unë isha nga Tirana, Lela kishte filluar të më vardisej, por tashmë ishte shumë vonë dhe unë nuk mund ta shmangia dot atë; më pëlqente shumë.

“Di unë një vend ku ta kalojmë natën!”, tha ajo dhe më mori përdore.

Unë u habita nga sjellja e saj. Të shkonte deri këtu një vajzë? I emocionuar pa masë, fillova ta ndiqja. Hëna ishte e plotë dhe na ndriçonte të gjithë rrugën. Pasi bëmë një copë rrugë bashkë, ndaluam në një shesh ku disa fëmijë kishin ngritur një si shtëpi të vogël prej druri, të mbuluar me gjethe lajthie. Lela më kapi prej dore dhe më tërhoqi brenda.

“Kjo do të jetë foleja jonë e dashurisë”, më tha ajo duke qeshur. Unë në fillim e mora si lojë. Nuk i dija pasojat e asaj aventure. Edhe pse Lela ishte 17 vjeçe, dukej që kishte eksperienca në fushën e dashurisë. Ajo dinte të hidhej në sulm menjëherë. Mund të them se ajo natë ishte vërtet magjike. Në atë kohë, nuk të binte rasti të kaloje momente të tilla me një femër, pa qenë i fejuar me të. Edhe familja e Lelës, edhe te xhaxhai im, e kishin kuptuar që ne takoheshim fshehurazi. Ata më kishin këshilluar ta lija me aq, se ajo nuk ishte familje e denjë për ne, por unë e doja dhe tani, ishte tepër vonë për t’u tërhequr. Kishte kaluar një vit dhe, me prishjen e sistemit, unë e kisha takuar përsëri Lelën, duke i thënë se do të shkoja në emigrim për t’ia bërë jetën asaj akoma më të bukur. I isha betuar se do të bëhesha shumë i pasur, vetëm për të. Ajo më premtoi se do të më priste gjithë jetën, po të ishte nevoja. Me të shkuar në Greqi, fillova të punoja si i çmendur vetëm për të, se unë e kisha të qartë që, në qoftë se nuk do t’ia siguroja të mirat materiale, ajo, me siguri do të më linte për një më të pasur se unë. Nuk doja të ndahesha prej saj. Edhe pse ishte ndryshe nga vajzat e tjera, ajo më kishte bërë shumë për vete. Në Greqi më mbante gjallë vetëm mendimi se do të kthehesha tek ajo, asgjë tjetër.

Unë u ktheva në Shqipëri pas dy vjetësh. Me Lelën kisha komunikuar vetëm disa herë nëpërmjet letrave, pasi atëhere nuk kishte telefona në fshat. Me të mbërritur në Shqipëri, ditën tjetër shkova në fshat për ta takuar, por zhgënjimi ishte shumë i madh. Kushëriri më tha se atë e kishte rrëmbyer një person që jetonte në Tiranë, por që ishte gati 20 vjet më i madh se ajo. Ata ishin njohur në një dasmë para një muaji dhe menjëherë pas dasmës, ai e kishte rrëmbyer e nuk dinin më asgjë për të. Asnjëherë nuk kisha qarë në jetën time deri në ato momente. Ishin lotët e parë që më ranë mbi faqe. Ishte shumë e dhimbshme të krijoje gjithë ato ëndrra dhe të prisheshin në një çast të vetëm. Menjëherë e mblodha veten dhe e pyeta si budalla: “Po Lili? Unë edhe atë e dua. Nuk ka rëndësi se është motra e saj… Unë në fillim atë kam dashur, pavarësisht se rrodhën ngjarjet kështu”.

Ai, duke qeshur, më tha: “Po ti dashke gjithë vajzat e fshatit! Mos krijo iluzione të kota…”

Kur këmbëngula për të mësuar se ku mund ta gjeja Lilin, ai më tha: “Ajo ka shkuar në Itali me gomone dhe të afërmit nuk kanë marrë prej saj asnjë lajm”.

Nuk dija ç’të bëja. Kushëriri im, që ishte pesë vjet më i madh se unë, më tha që të mos mërzitesha se ato morën atë që meritonin, sepse shikonin paratë e jo njeriun. “Nëse nuk do të kishte ndodhur sot një gjë e tillë, me siguri do të ndodhte kur të ishe i martuar. Më beso, është më mirë kështu”, mundohej të më ngushëllonte ai, por unë e doja atë vajzë, madje mund të them se i doja të dyja; asnjëherë nuk i ndaja dot nga njëra-tjetra. Me kalimin e kohës fillova të ndërgjegjësohesha se unë nuk isha viktima e tyre e vetme. Kishte pasur edhe të tjerë që kishin vuajtur kështu si unë, por me plot gojën unë them se nuk humba një, por dy dashuri, të cilat ma mbushnin zemrën. Asnjë femër tjetër s’më ka bërë të ndihem ashtu. Sot unë jam i martuar, kam dhe fëmijë, por ato dy vajza të adoleshencës i kam akoma pikë në zemër.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Nga përdhunimi, humba edhe dashurinë

Next Post

Astrologia shpjegon...!

Advertisement