Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

U pendova që e lashë të ikte!

Ditën që e pashë për herë të parë, Niku rrinte ulur në një krevat të spitalit ku ishte shtruar për të bërë disa analiza.

Megjithëse isha shumë e lodhur, atë natë qëlloi të isha turni i tretë dhe qëndrova pranë atij pacienti.

Niku ishte rreth 35 vjeç, tërheqës, por me një shikim melankolik e të largët. Më dukej i shqetësuar, edhe pse nuk e jepte veten.

Advertisement

– Mos më shih ashtu, – tha, sapo hyra në dhomën e tij për t’u siguruar se gjithçka shkonte mirë dhe shtoi duke buzëqeshur: – Nuk jam vërtet i sëmurë!

– Ashtu vërtet? – e pyeta unë qetësisht që të mendonte se u besoja fjalëve të tij.

– Jam këtu për të bërë disa analiza. Kam kaluar një periudhë shumë të vështirë, – vazhdoi ai.

– Do ta zbulojmë se çfarë ka që nuk shkon, – iu përgjigja duke buzëqeshur e duke u ndjerë paksa në siklet që nuk qëndroja dot indiferente ndaj tij. Nuk e kuptoja ç’po më ndodhte, stepesha e gjitha sapo e shihja në sy! Mjaftonte të më thoshte një fjalë apo të isha pranë tij dhe zemra fillonte të më rrihte fort. Gjysëm ore para se të mbaronte turni, isha përsëri në dhomën e tij, me justifikimin se duhej t’i masja temperaturën.

– Akoma nuk më ke thënë si quhesh… – më pyeti sapo u futa në dhomë.

– Bianka, – u përgjigja, ndërkohë që ndjeva atë ngacmimin në zemër kur ai zhyti sytë e tij në të mitë.

– Emër i bukur! Ke shumë kohë që punon këtu?

– Katër vjet!

– Je shumë simpatike! – më tha teksa vazhdonte më vështronte ngultas në sy.

E falënderova me gjysëm zëri, ndërkohë që ndjeva se fillova të skuqesha dhe një nxehtësi e këndshme ma përshkoi të gjithë trupin. Ishte një nga ato momentet kur mezi pret të largohesh nga një situatë pasi nuk mund t’i kontrollosh emocionet, por ai vazhdoi të fliste…

– Kushedi sa të tjerë ta kanë thënë!

– Jo shumë! – gënjeva, duke larguar një tufë flokësh që më kishin rënë në sy, ndërsa i masja temperaturën Nikut. Asnjëri nga ne nuk po fliste më dhe isha unë që e theva heshtjen. – Është bukuria e brendshme dhe jo ajo e jashtme, që ka rëndësi.

– Jam shumë dakord! Më parë unë i jepja shumë rëndësi bukurisë te një femër. Isha gati të bëja çmendurira për një palë sy të shndritshëm, buzë të bukura apo një trup perfekt… – Më duket se e kuptoi shikimin tim dhe shtoi: – Më thuaj nëse nuk ke kohë…

– Nuk ka problem, turni im mbaroi… – u justifikova, duke i lënë të kuptonte se nuk isha aty thjesht për çështje profesionale.

– Atëhere, pse nuk më tregon diçka për veten? Di vetëm që quhesh Bianka dhe kaq! Je e fejuar, e martuar? Ke fëmijë?

– Momentalisht, jam e lirë! – e ndërpreva. Edhe vetë e vura re sa entuziaste po tregohesha. I tregova historinë time për mashkullin që kisha dashuruar, i cili kishte qenë i martuar. I thashë se më në fund e kuptova që nuk ia vlente të insistoja dhe e lashë…

– Kuptoj. Mendoj se ke bërë gjënë e duhur… – tha ai, pasi më kishte dëgjuar me shumë kujdes. – Jam i sigurtë se do ta gjesh njeriun e duhur. Mendoj se një vajzë e ëmbël si ti, nuk mund të rrijë për shumë kohë vetëm – më tha dhe fjalët e tij më bënë të ndihesha mirë. – Ndonjëherë, të ndodh të ndihesh vetëm?

– Ndonjëherë po, kjo është e natyrshme. Po ti? Di vetëm që quhesh Nik dhe do të bësh disa analiza. Kaq! – i thashë dhe qeshëm të dy.

– Problemet e mia filluan para dy vjetësh, kur njoha Edën. Mendoja se ajo ishte personi i duhur me të cilin do të kaloja edhe jetën, por nuk ndodhi kështu! Unë merrem me tregti veshjesh dhe shkova në dyqanin e saj, më tepër për kuriozitet. Eda ishte shumë e bukur, e gjatë dhe me një finesë me të cilën më bënte për vete. – Nga përshkrimi që i bënte, kuptova që Niku ishte dashuruar çmendurisht pas bukurisë së asaj vajze, aq sa kur fliste për të, rrinte i fiksuar në një pikë. Më pas, gati një vit pas fillimit të lidhjes së tyre, Eda kishte pësuar një aksident të rëndë automobilistik.

– Më vjen keq – mërmërita pasi Niku kishte heshtur.

– Nuk më kuptove, – nxitoi të thoshte ai, – Eda nuk vdiq. Pësoi fraktura të rënda në trup dhe gjysma e fytyrës së saj të mrekullueshme, u shpërfytyrua. Ka bërë disa ndërhyrje, por nuk mundi të kthehej më si më parë.

– Duhet të ketë qenë e tmerrshme për ty ta shihje në atë gjendje!

– Në jetën time nuk kishte ndodhur gjë më e tmerrshme! Pas aksidentit, Eda nuk pranonte të më takonte! Unë u mundova shumë që ta bindja se e doja shumë dhe më në fund, ia mbusha mendjen e ajo më ftoi në shtëpinë e saj, por nuk e di çfarë më ndodhi, pasi në vend që ta ngushëlloja, reagova shumë keq! Gati sa nuk ia mbatha, për të mos parë gërvishtjet dhe shenjat që kishte në fytyrë… – Teksa fliste, Niku ktheu kokën nga dritarja dhe një pikë loti i rrodhi në faqe.

– Ndoshta… është më mirë të të lë vetëm… – pëshpërita duke u ngritur për të dalë nga dhoma sepse po ndihesha shumë në siklet teksa e dëgjoja dhe e shikoja.

– Nuk do ta dëgjosh se si u soll në vazhdim ky frikacaku që ke para syve? Tashmë, jemi në fundin e trishtueshëm të kësaj historie… – Unë qëndrova sepse diçka brenda meje më thoshte se duhej ta dëgjoja atë histori deri në fund. – Një javë pasi kisha parë Edën, ika jashtë shtetit. Nuk kisha nevojë të punoja sepse familja ime është e pasur, prandaj u vërdallosa sa andej-këtej rreth gjashtë muaj. Ajo që ndodhi me Edën më kishte çorientuar të gjithin dhe në atë periudhë fillova të pija e të shoqërohesha me shumë femra, duke kërkuar të gjeja dikë të përshtatshme. Por, ndodhi që im atë pësoi infarkt dhe m’u desh të kthehesha. Pasi u ktheva, mësova që Eda kishte bërë edhe disa ndërhyrje të tjera dhe fytyra i ishte rregulluar goxha, por pas asaj që bëra, nuk mundem ta takoj, edhe pse e kam të vështirë ta harroj… – Niku mbështeti kokën në jastëk me sytë e mbyllur dhe unë iu afrova instiktivisht. Ai zgjati krahun, më kapi nga beli dhe më afroi pranë vetes. – Më ndihmo të mos mendoj më për të! – më tha. Këto fjalë të tij m’u ngulën si shigjetë në zemër. Ashtu, pa kuptuar, u përkula dhe buzët tona u bashkuan. Ishte një puthje e ngrohtë dhe pasionante, por njëkohësisht, e dëshpëruar dhe plot me premtime.

– Më fal, Eda, nuk kisha qëllim të të puthja, – nxitoi ai të justifikohej.

– Nuk ke pse kërkon falje. Edhe unë e dëshiroja! – i thashë.

Kështu filloi njohja jonë dhe ajo mbrëmje më dukej magjike. Niku qëndroi në spital një javë. Shkoja në dhomën e tij sa herë që kisha mundësi, duke mos lënë pas dore as pacientët e tjerë. Isha e lumtur, por edhe pse mundohesha të bindja veten se gjithçka po shkonte mirë, në marrëdhënien tonë kishte diçka që stononte. Shpesh më dukej sikur mendja e Nikut shkonte tjetërkund, drejt një të kaluare që nuk e kishte harruar. Kaloi një muaj, pastaj një tjetër dhe situata nuk po përmirësohej! Niku ishte shumë i dashur me mua, por asgjë më shumë se kaq. Nuk kishte komunikim mes nesh dhe ai nuk e kishte dëshirën e mirë që gjithçka ta bënim bashkë. Ma linte gjithçka mua në dorë, sikur ai të mos kishte personalitet dhe dëshira të tijat. Nuk guxoja ta shihja realitetin në sy dhe të kuptoja se çfarë po ndodhte, derisa një natë, kur ai ishte vërtet melankolik, vendosa t’i flisja hapur.

– Nik, mendoj se ti duhet të bësh një kthim në të kaluarën, – i thashë teksa rrinim të dy të ulur në një stol, duke parë njerëzit që kalonin. Ai u çudit dhe, për një moment, nuk po e kuptonte atë që po i thoja.

– Çfarë do të thuash me këtë? – m’u përgjigj dhe në fytyrë ishte zverdhur, pasi i kuptoi fjalët që unë nuk kisha guxuar t’ia thoja.

– Mendoj se duhet të kërkosh Edën dhe, pasi ta shohësh në sy, të kuptosh nëse e do akoma e t’i kërkosh falje për mënyrën se si u largove prej saj… – vazhdova unë.

– Nuk e bëj dot! – u përgjigj prerë. E kuptova që ishte i trembur dhe nuk guxonte ta shihte më në sy Edën.

– Duhet! – i thashë me zë të lartë, gati e nxehur. – Nuk mund të rrish gjithë jetën duke dyshuar në dashurinë e saj dhe nëse ti do arrish të duash përsëri. Nuk kemi shumë kohë që njihemi, por këto pak javë më kanë mjaftuar për të kuptuar se në mendjen dhe në zemrën tënde ka vend vetëm për të.

Ndërkohë që i thoja ato fjalë, dridhesha dhe isha gati të qaja, por nuk mund të bëja asgjë. Sado e dhimbshme të ishte për mua, nuk mund të rrija pranë një njeriu për të cilin nuk isha e sigurtë nëse më dashuronte. Edhe pse më tmerronte ideja se mund ta humbisja, unë meritoja një dashuri të sinqertë dhe të plotë.

– Nëse do të jesh me mua, duhet të flasësh me Edën. Nëse ajo nuk të do më, do ta mbyllësh atë kapitull të dhimbshëm të jetës tënde dhe mund të rifillosh të jetosh i qetë. Ai vetëm më shikonte teksa flisja. Çuditej që unë po i thoja ato fjalë.

– Vërtet… vërtet ti do që unë ta bëj këtë? – më pyeti dhe sytë i shkëlqenin, ashtu siç nuk ia kisha parë ndonjëherë. – Mendoja se ti më doje! – tha i inatosur.

– Nuk e ke kuptuar! Pikërisht për këtë po të lë të ikësh, sepse të dua! – U ngrita dhe i përkëdhela flokët. Kur i fola ashtu, e kisha marrë parasysh edhe rrezikun se mund ta humbisja, por preferova të isha e sigurtë në ndjenjat e tij për mua dhe jo të jetoja me dyshime gjithë jetën. Niku kishte një shikim të humbur, u ngrit dhe më përshëndeti shumë ftohtë. U ndjeva shumë keq dhe u largova pa e kthyer kokën, duke u përpjekur të largoja lotët. E dija se pas asaj që i thashë, kishte shumë mundësi të mos e shikoja më.

Për të larguar mendjen nga ai, rifillova punën time të përditshme në spital, pa bërë asnjë pushim sepse nëse do të pushoja, instiktivisht, do t’i telefonoja Nikut sepse po vdisja nga kurioziteti për të mësuar nëse ai më donte akoma, apo të paktën të dija nëse më mendonte ndonjëherë, por ishte ai që duhej të më telefononte dhe të kuptonim se çfarë duhet të bënim me lidhjen tonë. Gati çdo ditë e mbaja mendjen te Niku, por i vura qëllim vetes që ta harroja.

Një ditë ai më telefonoi vërtet dhe më kërkoi të vazhdonim bashkë, madje edhe m’u lut, por unë nuk pranova. Më tha se nuk do të fliste fare me Edën, do të përpiqej ta harronte dhe të fillonte një jetë të re me mua, por unë nuk doja kështu. Ai ma mbylli telefonin shumë i zhgënjyer, por unë isha e bindur në atë që po bëja. Teksa isha larg tij, fillova ta harroja dhe të mos mendoja më për të. Përpiqesha të bindja veten se ndoshta ai kishte qenë thjesht një fiksim i asaj mbrëmjeje dhe kaq! Kaluan disa muaj dhe një ditë gjeta poshtë derës një letër me një shkrim që e njoha menjëherë. Ishte Niku! Mendoja se nuk doja t’ia dija më për të, por zemra tregoi të kundërtën. Ai më shkruante se kishte folur me Edën dhe nuk e kishte patur të lehtë sepse ajo përsëri kishte refuzuar ta takonte, por më në fund ia kishte dalë. Tani ata ishin të lumtur dhe shumë shpejt do të martoheshin. Edhe pse Eda nuk ishte më si më parë, asnjëri nga të dy nuk shqetësohej për këtë pasi tashmë e dinin se rëndësi kishte bukuria e shpirtit. Ai e mbyllte letrën duke më thënë se më uronte gjithë të mirat. Gjatë gjithë leximit të letrës, derisa e palosa atë, nuk i mbajta lotët. U pendova që e lashë lumturinë time të më ikte, por tani ishte tepër vonë.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Si ta ruaj peshën që kam?

Next Post

Bëra çmos që të ndahesha nga burri!

Advertisement