– Përshëndetje zonja M.C. Faleminderit që pranuat të flisni me ne për çfarë ju mundon…
– Asgjë. Shumë faleminderit juve, që me gazetën tuaj, na jepni mundësi të shprehemi. Është shumë kjo për ne, që në jetë e kemi të vështirë, gjithçka.
– Historia juaj nis…
– Jam martuar në vitet ’80, me dashuri. Ishim ndër të paktat çifte me fat ku nuk hyri në mes mblesëria, por si te të gjitha çiftet, edhe mes nesh ka jetuar xhelozia, nga ana e burrit. Kemi qenë familje e vuajtur. Unë kam jetuar bashkë me vjehrrit dhe kishim nga një dhomë secili; ishim shumë ngushtë. Tre dhoma për shtatë vetë. Ishte kohë e vështirë dhe preu në mes ëndrrën që unë të vazhdoja shkollën. Edhe sot, e kam peng që nuk e vazhdova shkollën, që të isha dikushi.
– Sa vjeçe u martuat?
– Shumë e vogël… 18 vjeçe.
– Sa fëmijë keni?
– Kam tre fëmijë; dy vajza e një djalë. Një vajzë është 30 vjeçe, djali 28 vjeç, kurse vajza tjetër, 22 vjeçe. Kam raporte shumë të mira me fëmijët, më duan dhe më respektojnë, por edhe ata u rritën me halle. As ata nuk gëzuan të blinin diçka të re për ta veshur. Vetëm me gjëra të falura u veshëm dhe me të falura, jetuam.
– Janë të martuar fëmijët tuaj tani?
– Vajzat po, djali jo. Edhe vajzat, në moshën time u martuan.
– Meqë juve ju ka mbetur peng që s’e vazhduat shkollën e lartë, a i shtynit fëmijët tuaj ta vazhdonin shkollën?
– Fëmijët kanë mbaruar vetëm shkollën e mesme, pasi kushtet e vështira ekonomike nuk ma mundësonin që unë t’u jepja ndihmë ekonomike që të vazhdonin shkollën.
– Si është gjendja juaj ekonomike tani?
– Nuk është dhe aq e mirë se vetëm gjysmë rrogë vjen në shtepi. Burri ka punuar si shofer autobusi, por aktualisht është pa punë dhe gjendja jonë ecën me gjysmë rroge që sjell unë. Kam vajzat që më ndihmojnë me para dhe me ushqim e po ashtu, punoj edhe nëpër familje. Aktualisht, jam në gjendje kritike ekonomike.
– Tani, ju jetoni me burrin dhe djalin?
– Jo, jetoj me më shumë se kaq. Para 10 vjetësh u martua kunati, por i ndodhi një fatkeqësi sepse gruaja e la. Nga martesa që pati, kunatit i lindi një vajzë dhe, pasi ai u nda nga e shoqja, vajza mbeti pa njeri sepse e ëma nuk e mori dhe i ati gjithë kohën është i pirë e s’mund të kujdeset për të bijën. Në atë kohë, mua më erdhi vjehrra dhe më tha: “Të lutem, ma merr gocën se unë jam shumë e sëmurë”. Pas 6 muajsh vjehrra vdiq dhe vajzën e mora unë, qëkur ishte 6 muajshe, me fukarallëkun tim dhe me zemrën time të madhe. Ajo ka edhe të atin, por ai nuk punon.
– Po e ëma, e takon vajzën?
– E ëma nuk interesohet fare dhe as që vjen ta shohë vajzën e saj.
– Po vajza, e kërkon?
– Jo, as vajza nuk i flet.
– Po me të afërmit e mamasë, flet vajza?
– Jo, jo, jo, ata e konsiderojnë të vdekur, ama as vajza nuk do t’ia dijë për ta.
– E di ajo që ju nuk jeni prindërit e saj?
– Po, e di që ne s’jemi prindërit e saj, por mua më thërret “mami”, se ajo mua më njeh për nënë.
– Si e priti ajo faktin që ju nuk jeni prindërit e saj biologjikë?
– Vajza e ndjen që unë s’jam e ëma, ama po ta donte e ëma e vërtetë, do të vinte ta takonte. Këtë ajo e thotë gjithmonë. Me mua ndjehet shumë mirë, ia plotësoj të gjitha me aq sa kam mundësi. Ajo e shikon edhe vetë që nuk kemi dhe nuk i kërkon me ngulm gjërat, si shoqet e saj.
– Sa vjeçe është ajo tani?
– 12 vjeçe.
– Çfarë sjelljeje ka?
– Është një vajzë e rregullt, shumë e sjellshme dhe e edukuar. Edhe në shkollë, po ashtu. Ajo gjithmonë thotë: “Unë do vazhdoj shkollën që të të mbaj ty nesër, kur të plakesh”.
– Ka ndodhur që ajo të jetë përballur ndonjëherë me nënën e saj?
– Sigurisht… Janë parë, por vajza nuk i flet dhe as ajo nuk i flet. Janë të dyja të ftohta me njëra-tjetrën.
– Po e ëma e saj, me kë jeton?
– Ajo është martuar 2-3 herë, pasi ka braktisur vajzën.
– Si është jeta juaj tani?
– Skëterrë! Unë mbaj 5 vetë; unë, vajza, djali, kunati dhe burri me 80 mijë lekë të vjetra dhe as bukë thatë nuk na del.
– Më thatë se burri nuk punon…
– Pa punë është… por sikur të mos mjaftonte kjo, papunësia e tij ka sjellë sherre të vazhdueshme në familje. Fukarallëku na ka sjellë shumë dëme.
– Ju ka dhunuar?
– Ka një sjellje jo të mirë… edhe dhunë! Ka më shumë se dhjetë vjet që ai ushtron dhunë ndaj meje.
– Je ankuar?
– Jo, jo, është turp të na shohë lagjja; jemi edhe me krushqira. Të vijë policia në mes të lagjes, për sherret tona?! Është turp!
– Po te fëmijët, ka ushtruar dhunë ai?
– Jo, te fëmijët nuk ka ushtruar dhunë, vetëm u bërtiste. Mbi mua po, vazhdimisht…
– Më thatë se djali juaj nuk është martuar dhe ju jetoni bashkë. Po ai, nuk punon?
– Kur punon, kur jo.
– Ku punoni ju?
– Punë të zezë, ku të gjej…
– E përballoni ekonomikisht jetesën, me rrogën që merrni?
– Joooooo, e pamundur! Kemi ngrënë gjithmonë me ndihma nga të tjerët.
– Vetëm ju e keni mbajtur ekonomikisht familjen?
– Po, unë kam mbi 13 vjet që sjell para në shtëpi. Burri pak kohë ka punuar.
– Keni kërkuar ndonjëherë ndihmë në zyrat e shtetit për gjendjen tuaj?
– Kam kërkuar, por nuk të pranon kush sot, jo! Unë dua që ky fëmijë të ketë një të ardhme më të mirë, sepse unë nuk e përballoj dot me kushtet që kam. Dua që zëri im të shkojë tek ata që realisht mund të na ndihmojnë, ndonjë biznesmen apo ndonjë ndihmë nga shteti ekonomikisht, pasi vërtet vajzës i duhet, që ajo të vazhdojë shkollën.
Bisedoi: Klaudia MALAJ