Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

E shkatërrova vetë lumturinë time

Nuk e kisha menduar ndonjëherë se do të ndodhesha në një situatë të tillë. Kam bërë një jetë normale dhe, ashtu si çdo moshatare e imja, edhe unë kam provuar emocionet e dashurisë së parë.

Isha vetëm 19 vjeçe kur takova Gersin, të cilin më parë vetëm mund ta shihja nga larg.

Më pëlqente shumë, por ai nuk e dinte këtë dhe as unë nuk guxoja t’ia thoja.

Advertisement

Shkëmbenim shpesh shikime dhe unë shpresoja që një ditë ai ta kuptonte shikimin tim, por për herë të parë folëm vetëm kur u gjendëm në një tavolinë pasi shoqja ime e njihte dhe, kur e pa, e thirri që ta përshëndeste.

– Kjo është shoqja ime, Era! – i tha ajo dhe, kur ai më zgjati dorën, zemra filloi të më rrihte shumë fort.

– Ç’kemi, Era? Unë të kam parë në shkollë… – tha ai duke buzëqeshur dhe u ul.

Që aty filluam të bisedonim dhe kuptova që edhe Gersit po i pëlqeja sepse më kërkoi numrin e telefonit për t’u takuar përsëri. Nuk po më besohej që po flisja më djalin që më kishte pëlqyer gjithmonë dhe për këtë, ndihesha shumë e lumtur. Mjaftoi një takim që fati ynë të bashkohej! Sa më shumë ta takoja, aq më shumë dashurohesha me të. E ndjeja se ai do të ishte mashkulli me të cilin do të kaloja jetën. Familja ime nuk duhej ta dinte kurrë këtë sepse nëse do ta mësonte, me siguri do të ma ndalonte ta takoja Gersin, me justifikimin se isha ende e vogël. Kështu, kaluan 4 vjet dhe ata ende nuk dinin asgjë për ne. Unë e kisha mbledhur mendjen se do të kaloja gjithë jetën me Gersin, madje isha edhe shumë e sigurtë për këtë. Atij i kisha treguar se më kishte pëlqyer gjithnjë, edhe pse ndoshta nuk bëra mirë. Gersi ishte katër vjet më i madh se unë dhe, ndryshe nga djemtë e tjerë që donin vetëm të kishin aventura, i merrte gjërat seriozisht, madje disa herë, më tepër seç duhet. Duke parë që lidhja jonë po forcohej, Gersi tha se ishte momenti që ne të fejoheshim. Isha shumë e lumtur që e kisha njohur dhe këtë ia thoja shpesh.

– Edhe unë kam dashur gjithmonë të njoh një vajzë si ti dhe Zoti deshi të ma plotësonte dëshirën! – më tha një ditë dhe më puthi.

Unë kisha dashurinë e tij dhe, edhe sikur prindërit të mos e pranonin Gersin, unë nuk doja t’ia dija. E doja dhe askush nuk mund të më ndante nga ai. Por, edhe prindërit e mi e kuptuan që ishte djalë i mirë dhe u gëzuan shumë për fejesën tonë, madje babait i pëlqeu aq shumë sa e quante djalin e tij.

– Edhe pse sapo të kam njohur, kam shumë besim që do ta bësh të lumtur vajzën time… – i tha Gersit atë ditë.

– Sigurisht… Era është vajza që unë dashuroj dhe që kam zgjedhur për ta patur në krahë gjithë jetën! – tha.

Mua m’u bë zemra mal kur e dëgjova të fliste ashtu. Gjithë ajo lumturi shpresoja të mos mbaronte kurrë sepse çdo gjë po më shkonte shumë mirë. Miqtë e tij, pasi mësuan se Gersi ishte fejuar, e ngacmonin shumë sepse ishte e vështirë të besoje që një djalë si ai, të cilin e pëlqenin shumë femra, t’i merrte gjërat kaq seriozisht me një vajzë.

– Kjo është vajza me fat? – i tha njëri nga miqtë e tij një ditë, teksa po ecnim bashkë në rrugë.

– E sheh? Askush nuk e mendonte se unë do të fejohesha kaq shpejt!

– Çfarë do të thuash me këtë?

– Që duhet të ndihesh me fat që më ke njohur… – tha ai, duke buzëqeshur.

Pavarësisht se nuk i fola, nuk më erdhi aspak mirë që foli ashtu. Në këtë mënyrë, po e mbivlerësonte veten dhe këtë nuk e kishte bërë kurrë më parë. Çfarë po ndodhte me Gersin? Mos nuk më dashuronte më apo çfarë? Nuk doja ta mbushja kokën me këto mendime, ndaj i thashë se do të ishte mirë të largoheshim për pak ditë diku, vetëm unë dhe ai. I pëlqeu shumë idea dhe vendosëm të shkonim në Paris. Ishte hera e parë që shkoja atje dhe emocionet ishin të papërshkrueshme. Parisi më ka pëlqyer gjithnjë dhe sa herë që e shihja në televizor, ëndërroja të shkoja një ditë. Dhe ajo ditë erdhi… Vajtja atje sikur na lidhi edhe më shumë me njëri-tjetrin. Gersi kujdesej shumë për mua dhe unë ndihesha gjatë gjithë kohës e përkëdhelura e tij. Vizituam shumë vende, njohëm një kulturë mjaft interesante, takuam njerëz të rinj dhe ajo që është më e rëndësishmja, u dashuruam edhe më shumë. Unë vërtet isha me fat që kisha njohur Gersin, por këtë nuk duhet ta thoshte ai vetë për veten e tij. E megjithatë, ne ia kaluam aq bukur në Paris, sa nuk na bëhej të ktheheshim. Kur e mendoj tani, do kisha preferuar të mos kthehesha, vetëm që gjërat mes meje dhe Gersit të mbeteshin ashtu siç ishin, gjatë qëndrimit tonë atje. Pasi u kthyem, na dukej sikur kishim jetuar një tjetër jetë dhe tani ishim rikthyer në realitet. Kishim disa vjet që bashkëjetonim, por gjërat filluan të marrin një tjetër drejtim në jetën tonë. Atëherë kur unë po mendoja të martoheshim dhe të kisha një fëmijë, nga Gersi mora si përgjigje atë që nuk e prisja kurrë të ma thoshte…

– Sa dua të kem një fëmijë! Mendoj se ky është momenti i duhur për ta zgjeruar familjen… – i thashë një ditë.

– Era, është ende herët. Kemi ende shumë boshllëqe për të mbushur derisa të vendosim të kemi një fëmijë. Sjellja në jetë e një fëmije kërkon shumë përkushtim dhe kushte më të përshtatshme seç i kemi ne.

E pashë shtrembër sepse më dukej sikur po kërkonte të gjente një justifikim kot, sa për të më mbushur mendjen mua se nuk ishte momenti i duhur! Unë e doja me patjetër një fëmijë dhe u mundova me të gjitha mënyrat që t’ia mbushja mendjen, por ishte e kotë. Gersi ishte shumë kokëfortë dhe, kur e thoshte diçka, nuk kishte më kthim. Mua kjo më acaronte shumë sepse kështu ai nuk më pyeste për asgjë mua, të gjitha vendimet i merrte vetë. Filluan të mos më pëlqenin shumë gjëra te Gersi dhe, nëse deri dje i kisha mbajtur brenda vetes pa ia thënë, tani ia thoja të gjitha pakënaqësitë që kisha ndaj tij. Kjo sillte shumë debate mes nesh, disa prej të cilave nuk përfundonin mirë. Zakonisht, ishte Gersi ai që më fliste pasi ishim zënë, por situata mes nesh ishte bërë e pakontrollueshme.

– Nëse do vazhdojmë kështu, ndoshta është më mirë që të ndahemi, të paktën për disa kohë… – i thashë.

– Ti do që të ndahemi? – pyeti ai, i nevrikosur.

– Vetëm për disa kohë, sa të kuptojmë se ç’duam në të vërtetë…

– Unë e di shumë mirë se çfarë dua dhe, ndryshe nga ti, e kam ditur gjithmonë. – tha.

Marrëdhënia jonë po ftohej gjithnjë e më shumë, prandaj unë po vazhdoja me idenë e ndarjes. Gersi nuk pranonte dhe kjo më nxiti të gjeja ngushëllim te dikush tjetër, ta tradhtoja. Djali me të cilin fillova të dilja quhej Elton dhe Gersi nuk e mësoi kurrë cili ishte. Takoheshim fshehurazi dhe, edhe pse me frikë, më pëlqente të rrezikoja. E dija që me Eltonin ishte thjesht diçka kalimtare, e momentit dhe se, në të vërtetë, dashuroja Gersin. Por, pas një jave, unë mësova se isha shtatzënë dhe isha e sigurtë që fëmija nuk ishte i Gersit. Më kapi paniku dhe, në fillim, mendova ta abortoja fëmijën. Ky ishte edhe mendimi i Eltonit, por pasi e mendova mirë, ndryshova mendim. Ai ishte fëmija im dhe nuk mund ta braktisja për asgjë në botë e megjithatë, rrezikoja të humbisja Gersin. Të dyja idetë vetëm kur i mendoja, më tmerronin, prandaj ndodhesha para një zgjedhjeje mjaft të vështirë. Nuk dija ç’të bëja! Nuk do të kalonte shumë kohë dhe barku do të fillonte të më dukej. Si do ta justifikoja këtë te Gersi? A do ta besonte ai po t’i thoja se fëmija që prisja ishte i tiji? Përfundimisht, vendosa të rrezikoja dhe t’i thoja Gersit se prisja një fëmijë nga ai.

– Një fëmijë? – belbëzoi ai, i çuditur.

– E di që nuk e prisje, sepse as unë nuk e prisja, por ja që ndodhi papritur… – i thashë.

– Era, ne e kishim biseduar njëherë këtë dhe vendosëm se nuk do të bëheshim prindër që tani!

– E kishe vendosur ti, jo unë. Megjithatë, as unë nuk e prisja… – e gënjeva.

Ai përfundoi duke e pranuar sepse nuk kishte ç’të bënte. Filloi të kujdesej edhe më shumë për mua dhe shpesh më thoshte: “Çdo gjë do të shkojë mirë. Edhe pse është e vështirë, do t‘ia dalim. Do jemi dy prindër shumë të lumtur”.

Më dhimbsej shumë teksa e shikoja që po mundohej shumë për të na krijuar kushte sa më të mira mua dhe fëmijës. Ditët kalonin dhe erdhi momenti që unë do të lindja, ndërsa Eltonin nuk e kisha parë më që ditën kur mësoi se isha shtatzënë. Ishte zhdukur sepse nuk e përballoi dot lajmin që do të bëhej me fëmijë. Kisha bërë një gabim të pafalshëm, pasojat e të cilit ende nuk po i ndjeja. Shpresoja që ai të harrohej dhe e vërteta të mos zbulohej kurrë sepse do të më shkatërronte jetën. Kur lindi Erisa, Gersi sa nuk u hodh përpjetë nga gëzimi, ndërsa kur e mbajti në krahë për herë të parë, i dolën lot nga sytë. Ndërsa unë po qaja për tjetër arsye. Vazhdoja ta mashtroja atë dhe, për më tepër, për diçka tepër të rëndësishme. Gersi nuk e dinte që Erisa nuk ishte vajza e tij dhe mendonte se ishte bërë baba. Nuk mund ta ndalja gëzimin e tij! Teksa e shihja kaq të lumtur, më bëhej zemra mal dhe mallkoja veten për atë që kisha bërë. Unë, që e vogël, kisha ëndërruar të isha pranë tij dhe, tani që e kisha, nuk po dija ta mbaja. E kisha prekur lumturinë dhe prapë kisha kërkuar më shumë. Çfarë doja në të vërtetë? A nuk më mjaftonte që kisha pranë njeriun që doja më shumë? Nuk më plotësonte dashuria e tij? Nuk di si ta justifikoj gabimin tim sepse asgjë nuk mund ta justifikojë atë. Erisa e Gersi ishin jeta ime dhe unë nuk doja t’i himbisja kurrë sepse ata i jepnin kuptim asaj.

– Çfarë do të bëja unë pa ju? – flisja shpesh me Erisën dhe, edhe pse ajo nuk kuptonte, në shikimin e saj më dukej sikur lexoja mirëkuptim. Edhe unë vetë që e dija të vërtetën, sa herë mbaja Erisën në krahë, nuk e mendoja se ishte e dikujt tjetër dhe jo e Gersit, por gjërat do të merrnin fund shpejt. Eltoni u shfaq përsëri, filloi të më bezdiste në telefon.

– Dua të të takoj patjetër! – më thoshte.

– Ti për mua nuk ekziston më, prandaj mos më shqetëso! – i thashë dhe më vonë nuk iu përgjigja fare në telefon. Kisha frikë se mos përballej me Gersin. Atëhere kisha marrë fund. Por, nuk vonoi shumë dhe ky i fundit e mësoi të vërtetën. Një mbrëmje, erdhi në shtëpi i acaruar dhe më tha:

– Nuk e mendoja kurrë që ti do të arrije të më mashtroje në këtë mënyrë. Ne do të divorcohemi dhe, që nesër, nuk dua të të shoh më këtu.

– Çfarë ka ndodhur? – e pyeta e çuditur.

– Nuk ke nevojë të pyesësh sepse ti e di shumë mirë. Erisa nuk është vajza ime, është fryt i tradhtisë tënde. Më mashtrove, më bëre të besoja se është vajza ime, ndërkohë që është e dikujt tjetër.

– Si e mësove këtë? – ishte pyetja e parë që më erdhi në mendje.

– Vetëm kaq ke për të thënë? – tha ai. – Ma tha babai i vajzës, me një telefonatë!

Mbeta në vend pa lëvizur, nuk po flisja dot. Eltoni kishte marrë hak duke i treguar të vërtetën Gersit që të ndihej keq dhe të ndaheshim. Nuk kisha çfarë të thoja. Edhe sikur të kërkoja të falur, ai nuk do të pranonte. I thashë Gersit, madje iu luta të gjenim një mënyrë se si ta rregulloja këtë, por ai më tha se nuk kishte më kthim prapa. U detyrova të largohesha bashkë me Erisën. E vuajta shumë ndarjen nga ai, por e meritoja këtë dënim sepse isha unë ajo që e shkatërrova lumturinë time. Tani ende po e rris e vetme vajzën dhe e di që nëse do ta mësojë të vërtetën, as ajo nuk do të më falë. Kam shumë frikë të mbetem e vetme dhe lus Zotin që Erisa të jetë gjithmonë pranë meje.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Lutuni për këtë grua!

Next Post

Dizanjerja Lumnije Krasniqi dy gëzime në një ditë

Advertisement