Sot do të ishte një përvjetor shumë i bukur! Unë që po ju shkruaj, jam G. Sot do të kujtonim çastet tona, si u njohëm!
E mbaj mend atë ditë me shi, siç janë ditët këtu në Tiranë. Sytë e tu më prekën e unë, me naivitetin tim, të buzëqesha.
Ishte e para herë që pas asaj që më kishte ndodhur t’i qeshja dikujt dhe ta bëja vërtet me naivitet. Biseda dhe njohja jonë, që aty filloi. Me ty ndihesha vetja ime, më plotësoje zemrën. Dëshirat e përbashkëta na afruan më shumë, duke na bërë një. Çdo telefonatë me ty ishte më shumë se kënaqësi. Kështu filloi edhe dashuria mes nesh. Thurëm plane dhe jetën në vazhdim e kishim imagjinuar deri në detajet më të vogla. Unë vazhdoja shkollën dhe së bashku do të gjenim një punë të përshtatshme. Prindërit tanë ishin ata që na udhëzuan e na përkrahën më shumë se çdo njeri. Edhe pse po ecnim si me hapa bebesh, përsëri jeta me ty nuk ishte monotone. Shoqëria jonë ishte tepër e këndshme dhe miqtë tanë, tepër të çiltër. Netë të tëra pa gjumë duke biseduar pa pushim, duke parë në sy njëri-tjetrin e duke shijuar çdo moment. Më pyesje:
“Kush i ka sytë më të bukur, unë apo ti?”.
Sytë e mi pasqyronin ngrohtësinë e dashurinë që kisha për ty. Sytë e tu qeshnin, tregonin diçka… por çfarë? Bashkë u përplasëm me shumë probleme e prapë bashkë e gjetëm mënyrën dhe i kaluam. Më ngacmoje me fjalë, më bëje të qaja, të qeshja. Isha si një fëmijë i lumtur që jeta i dha një shans për të jetuar përsëri në këtë botë të frikshme, në këtë botë ku ha bukë me miq dhe zgjohesh me armiq. T`ju them të vërtetën, unë e mendoja tashmë veten time të realizuar. Mendoja se tashmë i kisha vënë gjërat në vijë, por ëndrra ime dhe gjithçka tjetër, një ditë, u shua. Një telefonatë, një zë në fund të telefonit që fliste për ty… Njerëzit përreth bisedonin e sytë e tyre më shikonin me mëshirë, por unë këtë s’e kisha vënë re deri atë ditë. Ajo që kurrë nuk ia pata frikën ishte mes nesh si një virus që shkatërronte gjithçka: Një e tretë! Gjithmonë të kisha kërkuar të ishe i sinqertë me mua. Shumë persona na kishin zili për atë që kishim krijuar. Pse duhet të prishnim gjithçka?! Filluan justifikimet, ato që urreja më shumë. Nuk dija kush isha më sepse në veten time kisha humbur logjikën për të kuptuar ç’po ndodhte dhe s`po kuptoja më as kush ishe ti.
Plot 12 orë duke biseduar, duke u shpjeguar e zëri yt s’më dukej më i ëmbël, sytë më dukeshin sikur e kishin të shkruar në ta: “Faj”. Më kërkove të falur me orë të tëra. Qamë të dy e ti zgjasje dorën për të fshirë lotët e mi. S`të duroja dot pranë. Ato duar ishin të ashpra, të ftohta, të huaja. Pse ma bëre këtë? Nuk të mjaftoi besimi im, respekti, dashuria ime? S`të kishin mjaftuar lotët e buzëqeshjet e mia? S`të kishte mjaftuar jeta ime që ta fala pa u menduar dy herë? Gjithçka që kishim krijuar, e vrave me dorën e trupin tënd, me mendjen tënde të hamshorit. Kufijtë e mi i dije e ti nuk pyete, shkele mbi ta pa mëshirën më të vogël. Orët e minutat kalonin e se kuptoja ç’po bëja akoma me ty sepse me zemër nuk isha më e jotja. Zbardhi dita, ulur të dy në pak distancë me njëri-tjetrin, akoma të dëgjoja ty. Fjalët tingëllonin shumë zhurmshëm se as ti nuk ishe i qartë në vetvete. Në mendjen time kisha dëshirë të të përqafoja, të të puthja, të hidhja gjithçka pas krahëve, por zemra s`më bënte. Nuk kisha guxim as të rrija më e as të ikja. Dilema më e madhe e jetës sime kjo! Të rrija e të bëja veten të besonte në diçka që s’ia lejoja vetes e as ty apo të ikja krenare që nuk të lashë të marrësh nëpër këmbë dinjitetin tim?! Kafeja që bëre, m’u duk e hidhur, si helm. Sytë e zgurdulluar nga pagjumësia e me lot shoqëronin kafenë e mëngjesit, të fundit kafe së bashku. Më premtove botën, zemrën, dashurinë tënde e më dhe tradhtinë. Si mund të jetoja unë me mendimet që ti ia kishe falur gjithçka timen dikujt tjetër? Që trupi yt kishte prekur dikë tjetër as nuk mund ta imagjinoja! Si mund të rrija me ty që humbe besimin tim? Çdo fjalë tënden e respektova, respektova familjen tënde që më mungon edhe sot e kësaj dite e përsëri ti nuk pyete, vure instiktet e tua mbi lumturinë tonë! S’të mjaftuan ato që kisha kaluar? Ti e dije historinë time të parë. Kujtove se isha kaq e fortë sa të lija një njeri si ti të shkelte mbi çdo gjë timen?! Kurrë… U ngrita e mora në duart e mia dorën tënde. S`të shihja në sy sepse kisha frikë se mos sytë e tu do të më gënjenin përsëri:
– Të desha e të dua, por veprimet e tua bënë që gjithçka të përfundojë këtu. Çdo kujtim tonin fshije nga kujtesa sepse nuk ia vlen më. Të uroj fat në të ardhmen, të gjesh atë që kërkon, por më shumë, të uroj të gjesh veten tënde sepse do të vijë një ditë që do të humbësh më shumë se unë në këtë rrugë. Mendja apo syri të gënjyen, s’e di, por pas gjithë kësaj uroj të jetosh i lumtur.
M’u lute i gjunjëzuar, premtove që s`do të ndodhte më, por në thellësinë e shpirtit tim s`munda të besoja. Të putha ashtu ftohtë dhe dola nga ajo dhomë që mbante shumë sekrete tonat. Me ditë të tëra u mbylla në dhomën time e një ditë, tek po shkoja në shkollë, takova babain tënd. Nuk durova dot më e fillova të qaja në krahët e tij. Ai qante e fliste duke dashur të më qetësonte. I dhimbsesha. Ndenja pak minuta me të e më kërkoi të falur për atë që kishe bërë ti. Më puthi duart e më tha që në sytë e tij do të isha përherë një engjëll. Fjalët e tij më prekën në zemër, por fatkeqësisht, tani nuk isha më engjëlli i askujt, përveçse i familjes sime. Që nga ajo ditë, unë dhe ti, shumë herë jemi parë në rrugë, kemi rastisur edhe në të njëjtin vend duke patur shoqërinë e njëjtë, por si për çudi, zemra ime nuk rreh më me shpejtësi për ty. Është tepër e çuditshme se si dy njerëz që kanë ndarë një pjesë të jetës bashkë, tani s`janë gjë tjetër veçse dy të “panjohur” për njëri-tjetrin. Jeta vazhdon, edhe pse me vështirësi. Ti diku e jeton jetën tënde pa mua, unë timen, pa ty. Të tjerë do të na bëjnë të lumtur që të dyve. Sot s`di pse mendova për ty, por kujtova ditën kur u njohëm bashkë. Gjithmonë më thoje: “Sa shumë mban mend edhe ti!” e tani e kuptoj që ke patur të drejtë. Ca ditë apo data duhen harruar, sado e vështirë të jetë për t’i fshirë nga kujtesa. Historia jonë filloi një ditë të bukur, vazhdoi me plot ditë të bukura e të zymta dhe përfundoi me një puthje të ftohtë e kujtime të këqija.
Sot do të doja të të pyesja: Bledi, a ia vlejti sadopak ajo që bëre?