Sa do të doja të kisha patur një fëmijëri të lumtur si të gjitha moshataret e mia, por prindërit nuk deshën të ma jepnin këtë kënaqësi pasi më braktisën në shtëpinë e fëmijës!
Megjithatë, unë prapë nuk mund të them se nuk kam qenë e lumtur në atë ambient, pavarësisht mungesës së prindërve.
Teksa shikoja edhe fëmijët e tjerë si unë, e kaloja këtë vështirësi në disa momente. Mbaj mend se ndonjëherë na vinin dhurata dhe ne, sa nuk fluturonim nga gëzimi.
“Bora, ta ndërrojmë bashkë dhuratën?”, më tha njëherë njëra nga vajzat, së cilës i kishte qëlluar një arush, por ajo pëlqente kukullën time. E ndërrova dhe që atëhere, ai arush u kthye në kukullën time më të dashur, e kisha bërë shok të ngushtë. Luaja me të, i flisja dhe megjithëse nuk më kthente përgjigje, më dukej sikur bisedoja me të. Sa herë na bënin dhurata të reja, unë nuk pranoja ta ndërroja. Përveç arushit, kisha edhe një shok tjetër i cili quhej Endri, ndërsa me vajzat zihesha shumë dhe kur ndodhte kjo, Endri më përkrahte, prandaj fillova ta pëlqeja shumë.
“Mos u mërzit se më ke mua”, më thoshte.
Atëhere mendoja se ai ishte heroi im dhe isha shumë e lirshme, deri ditën kur u mërzita shumë. Nuk do ta harroj kurrë Endrin me lot në sy kur më tha se do ta adoptonin dhe fillova të qaja edhe unë bashkë me të. Ai, në vend që të gëzohej se kishte gjetur një familje, i vinte keq që po ndaheshim.
“Ne nuk do ta ndahemi përgjithmonë, një ditë do të shihemi përsëri. Duhet të jesh i lumtur që ke gjetur një familje. Sa do të doja edhe unë të kisha një!”, i thashë, ndërkohë që lotët nuk më pushonin. U përqafuam fort dhe u ndamë mes të qarave me ngashërim. Atë ditë e kujtoj gjithmonë! Tani nuk kishte kush të më mbronte sa herë zihesha me shoqet. Më kishte mbetur vetëm arushi, të cilin e përqafoja fort dhe qaja. Ditët i kaloja e mërzitur dhe shpresoja se një ditë do ta gjeja edhe unë një familje, ndërsa prindërit i kisha humbur shpresat se do t’i njihja. Ata më kishin braktisur dhe nuk besoja se do të ktheheshin më e kështu unë nuk do ta mësoja kurrë të vërtetën, arsyen pse më kishin braktisur. Çdo ditë që kalonte, më merrte malli shumë për Endrin. Isha mësuar të qëndroja me të, por me kalimin e kohës, edhe unë u mësova me mungesën e tij. Kështu, kaluan disa vite dhe unë u rrita duke shpresuar se një ditë do të largohesha që aty. Dhe ajo ditë erdhi! Një çift më kishte zgjedhur për të më adoptuar. U gëzova dhe u trishtova në të njëjtën kohë. E besoja se çfarë kishte ndjerë Endri kur u largua. Aty kishim shumë kujtime dhe kemi kaluar momente të bukura të cilat do të na mungonin në vazhdim. U bëra gati dhe isha shumë e emocionuar; do shihja prindërit e mi të rinj! “Bukuroshe, eja të të puth pak”, më tha gruaja, që po më priste me krahë hapur. Më pëlqeu sepse ishte shumë e dashur dhe unë, mbi të gjitha, për këtë kisha nevojë. Gjithnjë më kishte munguar dashuria prindërore të cilën tani shpresoja të ma dhuronin prindërit që më kishin adoptuar. Për fatin tim të mirë, ata nuk kishin fëmijë sepse nuk bënin dot, në të kundërt, do ta kisha patur shumë të vështirë. Ata nuk do të më pranonin si pjesëtare të re në familjen e tyre dhe jeta ime do të vështirësohej shumë.
“Bora, si të duket shtëpia jote e re?”, më pyetën ata kur u futëm brenda. Më dukej sikur isha në një realitet tjetër, më kishin ikur fjalët. Ishte një shtëpi e madhe, e bukur dhe mua po më dukej vetja si princeshë. Ndihesha shumë e lumtur dhe i falënderova që më kishin zgjedhur mua. Ata më donin shumë sepse prej vitesh ishin përpjekur të bëheshin me fëmijë, por nuk kishin mundur. Edhe për të më adoptuar mua, kishin pritur shumë.
“Të falënderojmë ty që na e bëre ëndrrën realitet, zemër”, më tha ajo.
Po bëja një jetë të lumtur pranë tyre, por diçka më mundonte. Në fillim e kisha shumë të vështirë t’i thërrisja “mama” e “baba” dhe atyre u vinte pak keq për këtë.
“S’ka gjë, mos u mërzit. Kur ta ndjesh vërtet, thuaje”.
Nuk vonoi shumë që unë nisa t’i thërrisja ashtu dhe ata u gëzuan shumë. Më plotësuan të gjitha dëshirat që më ishin mohuar gjatë atyre viteve, më mbushën boshllëkun që më kishin lënë prindërit e mi të vërtetë. Fillova shkollën, shkoja në kurse, si dhe krijova shoqëri të re, megjithatë vazhdoja ta ndjeja mungesën e Endrit. Nuk e kisha takuar që ditën që u ndamë. Mendoja se sa do të kishte ndryshuar dhe a do ishte i lumtur me familjen që e kishte adoptuar. Ndjeja shumë mall për të, por nuk kisha ç’të bëja. I kisha mundësitë për gjithçka dhe ndjeja se po jetoja vërtet. E kisha kthyer ëndrrën në realitet! Koha kalonte dhe unë ndihesha shumë e plotësuar sepse bashkë me mua, rritej edhe vetëvlerësimi që më ndihmonte të ecja para. Isha 23 vjeçe kur njoha dashurinë për herë të parë, kur provova për herë të parë të rrahurat e shpeshta të zemrës dhe mungesën e tij. Andin e njoha në shkollë dhe pasi shkëmbyem numrat e telefonit, takoheshim shpesh. Kemi folur shumë për njëri-tjetrin dhe dinim gati gjithçka, përveç faktit që unë isha e adoptuar. E dija se ishte më mirë t’i tregoja, por ngurroja të bëja këtë.
“Ndihem me fat që të kam njohur dhe dua që kjo lidhje të jetë sa më e gjatë”, më thoshte. Ishte djalë shumë i mirë, por diçka nuk më pëlqente tek ai; ishte shumë i lidhur me mamanë e tij dhe ende i bindej asaj për gjithçka. E merrte shpesh në telefon dhe fliste gjatë me të. Kjo për mua bëhej e bezdisshme sepse ndihesha e lënë pas dore.
“Për çfarë flisni kaq gjatë?”, e pyeta një ditë.
“Ajo kujdeset shumë për mua dhe e dua shumë”, më thoshte.
Në mënyrë që të qëndroja sa më shumë me të, të kalonim më tepër kohë pranë njëri-tjetrit, i propozova që ta kalonim fundjavën jashtë qytetit. I pëlqeu ideja dhe pranoi, por as atje nuk i pushonte telefoni! Disa herë dukej sikur bezdisej edhe ai vetë, por nuk donte të linte këtë përshtypje. Pashë që një moment e fiku telefonin dhe vetëm atëhere ne ndjemë se po qetësoheshim vërtet. Unë nuk e kritikoja për këtë sepse e dija se nuk do të kishte asnjë rezultat, madje do ta mbronte me zjarr mamanë e tij. Fundjava që kaluam ishte shumë e bukur, por mbaroi shpejt dhe tani duhet t’i riktheheshim rutinës së përditshme. Gjithçka po më ecte mirë dhe kisha frikë se do të dilte diçka që do ta prishte këtë mbarësi, madje e ndjeja se kjo do të ndodhte. Andi mendonte se kishte ardhur momenti që të prezantoheshim me prindërit e njëri-tjetrit, por unë kisha një ndjenjë frike për momentin kur ai do të takonte prindërit e mi dhe do të mësonte se isha e birësuar.
“Çfarë ke? Nuk të pëlqen?”, më pyeti pasi më pa se nuk po flisja.
“Jo, vetëm se jam e emocionuar që do të takoj prindërit e tu”, e gënjeva.
“Do ta shohësh që do të të pëlqejnë shumë dhe do t’u pëlqesh edhe ti atyre”.
Shpresoja të ndodhte kështu, por diçka më thoshte të kundërtën. Mamaja e tij m’i kishte ngulur sytë gjatë gjithë kohës dhe vetëm më shikonte. Shikimi i saj më dukej kritik ose ndoshta thjesht më dukej mua. Shpresoja ta kisha gabim. Edhe kur më pyeste, më dukej shumë tendencioze, megjithatë, unë i përgjigjesha shumë mirë dhe me dashamirësi. Doja me patjëtër t’i lija përshtypje të mirë sepse e mendoja si vjehrrën time të ardhshme.
“Çfarë mendonte mamaja jote për mua?”, e pyeta Andin menjëherë të nesërmen sepse nuk më durohej.
“Ashtu siç të thashë, i ke pëlqyer shumë”. U gëzova pa masë dhe më dukej sikur kisha hequr një barrë të rëndë. Më kishte marrë me sy të mirë dhe më vinte shumë mirë, por akoma nuk isha treguar e sinqertë me ta dhe për këtë, ndihesha shumë në faj. Fola me mamanë dhe më tha se më mirë ta dinin që tani sepse nëse nuk do t’ua thoja, do të ishte tepër vonë. E dija që kjo duhej bërë, por përsëri unë nuk mundesha. Sa herë e kam përgatitur veten para pasqyrës për të marrë guximin, por vazhdoja të mos ia thoja.
“Mendon se një ditë do të jemi të lumtur me familjen tonë?”, e pyeta një ditë. “Po-në” e tij doja ta dëgjoja pa pushim! Tashmë familjet tona ishin njohur dhe ne u fejuam. E falënderoja Zotin që po më sillte kaq të mira në jetë dhe shpesh mendoja me veten se çdo e keqe e ka dhe një të mirë. Mua vërtet më braktisën prindërit, por dashuria, mbështetja dhe përkushtimi ndaj meje nuk mungoi. Më rrethonin persona që i doja dhe më donin vërtet. Prindërit e Andit na ftonin shpesh në shtëpinë e tyre dhe sa herë që shkonim, mamaja e tij më pyeste pa pushim për shumë gjëra, disa prej të cilave më dukeshin edhe pa rëndësi. Fillova të besoj se në të vërtetë nuk i kisha pëlqyer, pavarësisht çfarë më kishte thënë Andi. Fakti që ua mbaja të fshehtë të vërtetën e jetës sime më rëndonte në ndërgjegje, ndaj më parë ia thashë Andit. Ishim ulur që të dy në kafe dhe po bisedonim.
“Andi, duhet të dish dicka për mua”. Ai u tremb! “Jam e adoptuar”, i thashë dhe po prisja reagimin e tij. Nuk foli për disa minuta, as në sy nuk më shihte. Kishte ulur kokën dhe po mendohej. “Nuk ke asgjë për të thënë?”, i thashë.
“Jo”, më tha dhe pas pak minutash kërkoi që të ngriheshim. U çudita sepse nuk më kishte thënë asnjë fjalë. Që atë ditë, ai nuk më telefonoi më dhe i telefonova unë e para. Nuk m’u përgjigj! Shkova ta takoja në shtëpi dhe atje më priti mamaja e tij. Gjatë bisedës që bëra me të, kuptova se ia kishte treguar të gjitha. “Unë nuk dua për djalin tim një vajzë të birësuar. E kam djalë të vetëm dhe dua më të mirën për të”. Sytë m’u mbushën me lot dhe nuk po dija fare çfarë t’i thoja, di vetëm që në ato momente e urreja atë, bashkë me djalin e saj. Shkova në shtëpi dhe u tregova prindërve gjithçka, ndërkohë që vazhdoja të qaja ende. “Ata nuk mund të gjejnë kurrë një vajzë si ti. Mos u mërzit sepse na ke ne këtu”, mundoheshin të më ngushëllonin. Andi nuk mori as guximin për të më thënë se nuk donte të takoheshim më, por si gjithmonë, i zgjidhte punët nëpërmjet mamasë së tij. Asnjëherë nuk më kishte pëlqyer ajo grua, as unë asaj dhe doli ajo që ndjeja; diçka që do ta prishte lumturinë time.
Kaloi kohë, por unë vazhdoja të vuaja për Andin. E ndjeja shumë mungesën e tij edhe kur shëtisja vetëm dhe mundohesha të qetësohesha. Një ditë vjeshte, tek po ecja dhe po mendoja me veten, dëgjova një zë: “Më fal, shalli yt është ky?”. Ktheva kokën dhe mbeta pa fjalë… Fytyra e tij nuk kishte ndryshuar aspak; ishte Endri!
“Bora, ti je?”, më tha ai dhe u përqafuam fort. Ishte surpriza më e bukur që më kishte ndodhur ato ditë. Më në fund, takova Endrin, shokun tim të fëmijërisë, heroin tim! I kishim munguar shumë njëri-tjetrit dhe ishim shumë të lumtur që u ritakuam pas shumë vitesh, për të arritur më në fund të shprehnim atë që nuk kishim mundur t’ia thonim njëri-tjetrit kur ishim fëmijë… Sot, vazhdoj të jem përkrah Endrit, i cili ka arritur të plotësojë në mënyrë perfekte gjysmën time të munguar.