– S’e di se sa do të më ndihmoni me një informacion, por jam shumë e shqetësuar për nipërit e mi. Ata janë të keqtrajtuar nga kunata ime e cila është shumë e ashpër me ta dhe i qëllon.
Ata janë rrahur që në moshën 1 vjeçare dhe pavarësisht ndërhyrjes sime, ajo nuk ka ndryshuar sjellje, edhe pse ata tashmë janë djali 6 vjeç dhe vajza, 4 vjeçe. Më trishton shumë ky fakt.
Përse sillen kështu me fëmijët? Çfarë do t’u shkaktojë atyre kjo lloj dhune? Më shkruani diçka… Ndoshta në këtë mënyrë ajo do ta lexojë dhe do t’i mbushet mendja që po sillet keq.
Redaksia: – E nderuar lexuese, na vjen shumë keq për nipërit tuaj dhe duhet bërë patjetër diçka që nëna e tyre të reshtë së dhunuari fëmijët e saj. Në lidhje me keqtrajtimin e fëmijëve, ne kemi një përgjigje të detajuar nga një grup psikologësh shqiptarë:
– Prindërit shpesh i godasin fëmijët sepse vetë janë aq të frustruar sa nuk kanë pasur kohë të mendojnë se cila masë disiplinore do të mund të kishte efekt më të mirë te fëmija. Faktikisht, rrahja i mëson fëmijës se është e pranueshme të anosh kah dhuna po qe se je më i rritur dhe më me ndikim… Fëmijët që ndëshkohen dhe rrihen, shpesh janë të dëgjueshëm vetëm për momentin, gjë që mund të krijojë bindjen te prindërit se dënimi është masë e mirë edukative, megjithatë, është më se evidente se fëmija në vetvete akumulon hidhërimin dhe frustracionin. Kur fëmija është në shkollë apo me shokët e vet, ai me siguri do të shfrytëzojë mënyrën e shprehjes që e ka mësuar në shtëpi, pra, me dhunë. Fëmijët problematikë, i kanë qenë nënshtruar keqtrajtimit më shpesh se fëmijët e tjerë. Prindërit që nuk shfrytëzojnë dhunën fizike, mund të sillen armiqësisht në mënyrë tjetër. Ata mund të aplikojnë keqtrajtim psikik me nënçmimin, gjykimin dhe kritikën e tyre. Kjo sjellje i bën fëmijët më tepër të pakapshëm dhe frikacakë sesa agresivë, para së gjithash, nëse babai kritikon djalin. Përpjekja që fëmija të bëhet më i rritur dhe më i pjekur përmes gjykimit të varësisë dhe dobësisë së tij, shkakton vetëm varësi e dobësi tek ai. Fëmija i dënuar, shpesh, me sjellje fëmijërore mundohet të jetë në qendër të vëmendjes.
Sikur prindërit të ndaleshin vetëm për një moment dhe të pyesnin veten se çfarë duan t’i thonë fëmijës së vet përmes dhunës apo për çfarë duan ta mësojnë, me siguri do të kishin vendosur të shfrytëzonin metoda të tjera të edukimit dhe disiplinimit. Dhuna ofron shembull të keq për mënyrën e zgjidhjes së konflikteve. Nëse prindi e mëson fëmijën se është mirë të goditet ndokush, fëmija merr leje që t’i godasë të tjerët: vëllezërit, motrat, moshatarët etj. Kur prindi e godet fëmijën, ai i dërgon atij “mesazhin” se fuqia mund të ketë dobi në realizimin e qëllimeve. Fëmija asnjëherë nuk duhet të goditet me sende siç janë rripat, shkopinjtë etj., madje edhe kërcënimi me rrahje shkakton frikë dhe është një formë e dhunës. Në çfarëdolloj forme të paraqitet, dënimi fizik zvogëlon vetërespektin te fëmija! Kjo nuk i ndihmon fëmijët të mësohen me vetëdisiplinë apo të vetëkontrollohen; kur rrihen, fëmijëve u zgjohet një mori ndjenjash negative që e pengojnë të mësuarit. Ata nënshtrohen nga frika dhe i shmangen sjelljes së padëshiruar për t’iu larguar dënimit, por në vetvete, nuk i pranojnë rregullat dhe arsyet. Fëmija bëhet i tërhequr, u shmanget prindërve e me këtë, dëmtohen marrëdhëniet e tyre të ndërsjella. Dhuna i habit fëmijët. Kur prindërit i rrahin fëmijët dhe thonë: “Këtë e bëj nga dashuria” apo “Kjo më dhemb më shumë se ty”, fëmija fillon ta përziejë dashurinë e dhembjen dhe vendos lidhje ndërmjet dashurisë dhe dhunës. Rrahja krijon zinxhirin e dhunës familjare dhe zhvillon armiqësinë, tërbimin dhe dëshirën për hakmarrje.
Hulumtimet tregojnë se fëmijët që rrihen nga prindërit, shpesh si të rritur, rrahin partnerët dhe fëmijët e vet! Kontrollojeni hidhërimin tuaj! Shfrytëzoni fjalë dhe masa në vend të dënimit fizik. Fëmijët tuaj do të mësojnë më shumë dhe më shumë do t’ju respektojnë! Pse nuk duhet ta rrihni fëmijën tuaj? Sepse rrahja nuk i mëson fëmijët vetëm që të jenë të kujdesshëm dhe të dëgjueshëm, por edhe të mendojnë keq për veten, t’u lindë frika e dëshira për hakmarrje dhe u jep leje që t’i godasin ata që i duan. Frika e rrahjes, madje edhe kërcënimet me të, i frikësojnë fëmijët dhe ata që frikësohen prej prindërve të vet shpesh fillojnë të ndjejnë frikë edhe prej të rriturve të tjerë. Vetë dallimi në moshë ndërmjet prindërve dhe fëmijës është trishtues, ndaj kërcënimet e vazhdueshme dhe shfrytëzimi i mbifuqisë fizike i tregojnë fëmijës se ai asnjëherë nuk ka gjasa të fitojë. Siguria e tij, thjesht, i është lënë mëshirës dhe pamëshirës së prindërve dhe fëmija, i cili përherë u është nënshtruar kërcënimeve fillon të mendojë se është i pavlerë, i padashur dhe i padëshiruar.
Fëmija i cili gjithmonë rrihet, kërkon hakmarrje dhe, meqë nuk mund ta kthejë goditjen, ai kërkon mënyra të tjera hakmarrjeje. Thyerja e një sendi të prindit, shkrimi nëpër mure apo vjedhja, janë vetëm disa mënyra me të cilat fëmija ia “kthen” monedhën personit që e rreh. Fëmija në moshë shtatëvjeçare ndoshta nuk i kupton gjithmonë arsyet për ekzistimin e rregullave, por sqarimi u jep peshë rregullave. Kur fëmija të ketë shkelur ndonjë rregull, duhet të dënohet me përpikmëri dhe drejtpërdrejt. Më mirë është që fëmija të dënohet menjëherë, sesa të thuhet: “Prit sa të vijë babai në shtëpi”. Fëmijët bëjnë ashtu siç bëjnë të rriturit e jo si thonë të rriturit. Të rriturit dhe prindërit janë shembuj për fëmijët. Prindërit janë shembull i keq për fëmijët e tyre nëse vetë nuk jetojnë ashtu siç i mësojnë fëmijët. Shpresojmë që ky shkrim kaq i detajuar mbi keqtrajtimin e fëmijëve të shërbejë si një manual mësimi për ata prindër që sillen në këtë mënyrë.