Jam Anila, 18 vjeçe, nga Tirana. Këtu kemi ardhur nga disa fshatra të Tiranës, kur unë isha shumë e vogël. Në atë kohë, mami dhe babi im jetonin në një shtëpi me gjyshërit e mi, por me sa di, ata kishin shumë probleme dhe nuk shkonin mirë bashkë, kështu që babi gjeti si zgjidhje largimin nga shtëpia, duke e nisur jetën e re në qytet. Për fat të mirë, që të dy prindërit e mi ishin të shkolluar, kështu që gjetën punë sapo erdhën. Mami u fut mësuese në një shkollë pranë shtëpisë, ndërsa babi po mësues, por në një shkollë të mesme. Shumë shpejt ata arritën të ndërtonin shtëpinë e tyre në një tokë që e blenë me çmimet e lira të atëhershme dhe kështu, ne u rregulluam. Kur lindi vëllai im, unë isha në klasë të pestë dhe mësoja në shkollën e mamit. Mamin e kisha mësuese kujdestare dhe, pas largimit të saj, ne mbetëm me një mësuese zëvendësuese që s’më kishte fare me sy të mirë. Nuk e di se pse, por sikur të mos mjaftonte fakti që isha e shokuar nga largimi i mamit dhe nga lindja e vëllait, për të cilin isha shumë xheloze, unë po kaloja ditë vërtet të lodhshme me mësuesen e re. Nuk e kuptoja se pse ajo sillej aq egër me mua dhe nuk kisha as guximin t’i tregoja babit, që ishte tip shumë i ashpër. Kisha frikë se ai do të vinte e do të grindej me mësuesen time dhe gjërat do të shkonin akoma më keq. Kështu, unë kalova thuajse një vit të tërë shkollor duke vuajtur nga një mësuese që nuk linte rast pa më ofenduar dhe pa më vlerësuar negativisht. Nga fundi i shkollës, babi erdhi të shikonte ecurinë time. Atë vit, në shkollë nuk ishte interesuar për mua asnjëri nga prindërit, pasi, siç e thashë, mami ishte me fëmijë të vogël dhe pastaj, ajo i njihte të gjithë mësuesit, kështu që mendonte se dikush do ta lajmëronte nëse unë do të kisha probleme. Nejse. Këtë s’e bëri askush sepse unë, në dukje nuk kisha probleme, por problemi qëndronte brenda meje, pasi një vit i tërë me një mësuese që më urrente, më kishte shndërruar si njeri. Kur babi erdhi dhe pa rezultatet e mia, u tremb. Ai më hodhi një vështrim të çuditur dhe qortues, por më tha vetëm kaq:
– Dua të takoj mësuese tënde!
Nuk fola asnjë fjalë, por me zemër të ngrirë e mora babin përdore dhe e shoqërova deri në klasën ku duhet të ishte mësuesja ime kujdestare. Çfarë nuk prisja nga ai takim! Isha e sigurtë se mësuesja ime do t’i thoshte një mijë të zezat për mua dhe unë s’do të mbrohesha dot, aq të pafuqishme e ndjeja veten para saj. Në fakt, kur babi u fut brenda, edhe ai, edhe ajo, sikur ngrinë duke vështruar njëri-tjetrin. Nxënësit e klasës në të cilën mësuesja po jepte mësim, kishin ngrirë gjithashtu dhe s’po e merrnin vesh se ç’po ndodhte. As unë s’po kuptoja gjë. Për dy ose tre minuta, askush nuk foli, por ndihej situata e nderë dhe mua më dukej sikur nga momenti në moment, diçka do të thyhej. Më në fund, heshtjen e theu babi, që u përmend nga shtrëngimi i dorës sime.
– Desha të flisja me ju… për Anilën! – tha ai, – por ju po jepkeni mësim, kështu që po ju pres jashtë.
– Më prisni vetëm dy minuta – tha ajo – Do të vij shpejt!
Unë pashë e habitur orën. Ora e mësimit sapo kishet nisur, pse do të dilte aq shpejt ajo? Babi vazhdonte të ishte në atë gjendje në të cilën s’e kisha parë asnjëherë dhe kjo po më habiste. Kur mësuesja doli jashtë, ai e priti pa i thënë asnjë fjalë, madje edhe dorën ia dha sikur të kishte ngrirë i tëri. Mësuesja më kërkoi të largohesha, pasi donte të fliste vetëm për vetëm me babin. Për momentin, as që e mora vesh çfarë po ndodhte, por do ta kuptoja më vonë, kur të shihja se ata të dy u ulën në barin përballë shkollës. Po i shihja nga dritarja e klasës dhe vura re se ishin shumë të përzemërt me njëri-tjetrin. Atëhere e kuptova se ata njiheshin. Po përse vallë mësuesja më kishte aq inat, kur ishte aq e dashur me tim atë? Atë ditë nuk i dhashë rëndësi kësaj. Në fund të fundit, isha shumë e vogël për ta kuptuar të vërtetën, që do të më përplasej rëndë pas ca kohësh, kur prindërit e mi më thanë se kishin vendosur të ndaheshin. Në atë kohë, isha katërmbëdhjetë vjeçe dhe kisha kohë që i vuaja problemet që kishin prindërit e mi me njëri-tjetrin, por kurrë nuk e kisha kuptuar se çfarë qëndronte në thelb të tyre. Kur ata më morën mënjanë dhe më thanë se do të ndaheshin, unë nuk e përballova dot këtë dhe nisa të qaja. Pashë se po qante edhe mamaja ime. Më erdhi keq për të dhe, instiktivisht, fajin ia vura babit, që qëndronte si gur para nesh.
– Kush e ka fajin? Çfarë po ndodh? – munda t’u thoja.
Atëhere babi më tha se ai nuk e donte më mamin dhe se ishte lidhur me një grua tjetër, me të cilën kishte vendosur të martohej. Mënyra se si ma tha, aq hapur, më bëri pa mend. Do të isha ndier më mirë po të më kishte qëlluar me shuplakë. Nuk e prisja kurrë që prindërit e mi të ndaheshin, aq më tepër për këtë arsye. U thashë se po më gënjenin, por serioziteti i tij dhe lotët e mamasë sime, më bindën se e gjithë ajo që po më thonin, ishte e vërtetë. Vetëm kur babi iku dhe unë mbeta vetëm për vetëm me mamin, ajo më tregoi se ata kishin vite që kishin probleme me njëri-tjetrin, pasi babi kishte vite që kishte lidhje me një grua tjetër. Ata ishin dashur para se babi të martohej me mamin, por ishin ndarë sepse familjet nuk e pranonin lidhjen e tyre. Me sa duket, dashuria e tyre kishte qenë shumë e fortë dhe nuk ishte shuar. Ajo ishte e martuar gjithashtu, por kishte pranuar të prishte familjen e saj për hir të kësaj dashurie.
– Po ti, e dije dhe e pranoje? – e pyeta e habitur.
– Shpresoja qe ai të kthehej te familja e tij dhe të kuptonte se ne ishim më të rëndësishëm, por me sa duket, ai donte më shumë atë sesa ne të gjithë… – më tha mami.
– Ke bërë gabim që e ke pranuar! – i thashë prerë. – Unë nuk do të kisha pranuar kurrë të mbaja me pahir një burrë që ka dashnore… Nuk e kam ditur, pa as babin s’do ta lejoja të sillej kështu me ty. E kush na qenka kjo grua?
Mami më pa në sy dhe më tha me gjysëm zëri: – Mësuesja jote… Ajo me të cilën ti pate aq probleme dhe që pastaj të mbante gjithë kohës me hatër… Të kujtohet?
Sa s’më ra pika kur i dëgjova këto fjalë. Mësuesja ime? Prandaj ishte sjellë ajo ashtu me mua, që ta sillte babin tim në shkollë për ta takuar? Ajo kishte llogaritur gjithçka, kishte planifikuar gjithçka për të arritur qëllimin e vet. Ishte sjellë keq me mua që babi të shkonte ta takonte pikërisht atëhere, kur mami im sapo ishte bërë me fëmijë tjetër dhe ishte shumë e zënë për t’iu përkushtuar të shoqit. Kështu, ajo do të kishte dorë të lirë ta rifitonte ish-të dashurin e saj. Më erdhi ndoht kur i kuptova të gjitha këto. Më erdhi ndoht edhe nga vetja, pasi më dukej sikur shkaktare e gjithë kësaj isha unë. Tani që babi ka ikur dhe ne jetojmë vetëm me mamin, e cila është bërë kockë e lëkurë, nuk bëj gjë tjetër veçse e mallkoj atë grua që na shkatërroi familjen dhe uroj me shpirt që mallkimet e mia ta zënë një ditë. Për një gjë jam e sigurtë; shpirti i saj kurrë s’ka për të gjetur paqe për të këqijat që na shkaktoi!