(Nga shënimet e psikologes D.S. e cila, për të mos zbuluar identitetin e klientit të saj, dëshiron të mbetet dhe vetë anonime)…
Para meje u ul një burrë shtatlartë, i veshur me gusto, me një fytyrë të saporruar, me një buzëqeshje të përmbajtur, por tërheqëse. Nuk është më shumë se 40-45 vjeç. Eshtë i vendosur të më flasë, megjithëse, me sa duket, i vjen paksa rëndë. Këtë e tregon njëfarë nervozizmi i brendshëm, që ndjehet sakaq nga mënyra se si vështron dhe lëviz duart. Mbase nervozohet, edhe ngaqë është i detyruar të rrëfehet para një femre, anipse psikologe…
Petrit D.: – Kam 17 vjet martuar. Kemi një djalë, i cili sapo i ka mbushur të gjashtëmbëdhjetat. Kur isha i ri, dëshiroja të më lindte edhe një vajzë, të cilën mendoja ta edukoja sipas koncepteve të mia për femrën (buzëqesh druajtur): Ashtu ma, t’i çonte meshkujt në shtatë çezma dhe të mos u jepte ujë, mirëpo nuk ishte e thënë… Mbetëm me një fëmijë për arsye se ime shoqe pati disa shqetësime pas lindjes së parë dhe, pasi kaluan disa vjet, s’deshi t’u hynte përsëri atyre punëve… Marina është mësuese në shkollën e lagjes që e kemi shumë afër shtëpisë… Unë jam elektroauto në një repart ushtarak, por të them të drejtën, tani gjithmonë e më shumë merrem edhe me ndonjë punë private jashtë orarit, siç është bërë zakon të thuhet, u rregulloj makinat të njohurve të mi… Kam ardhur të konsultohem me ju, t’ju kërkoj një mendim të kualifikuar, sepse nuk po e kuptoj se çfarë po ndodh midis nesh, ose më mirë të them, se çfarë po ndodh me mua në raportet me time shoqe…
(E shikoj dhe mendoj me vete: Po ku e ka hallin ky njeri, vallë? Klientet femra, të cilat pothuajse gjithmonë flasin shumë, të japin mundësi “ta lokalizosh” më shpejt problemin, ndërsa me meshkujt e kam patur gjithmonë më vështirë, sepse ata janë zakonisht fjalëpakë, lakonikë, madje edhe jo fort të predispozuar për t’u shprehur pa dorashka… Nejse le ta dëgjoj, thashë me vete…)
Petrit D.: – Unë, sikurse ju thashë, punoj shumë për të siguruar mirëqenien e familjes sime të vogël, për t’i siguruar gruas mundësi që të vishet si shoqet dhe djalit një të ardhme sa më të mirë, pasi ai do të hyjë në universitet dhe tani, dihet, studimet e larta duan pare të madhe… Edhe Marina fiton, natyrisht, por jo aq shumë… Rrogë mësuesi, ma… Veçse, ka një të mirë ajo, kthehet nga puna në shtëpi më shpejt. Kjo i jep mundësi të jetë zonjë shtëpie me kuptimin e plotë të kësaj fjale, ndërsa unë mbetem në punë. Nejse, le të futemi në temë… Këto kohët e fundit gjithmonë e më shpesh po më ngacmon një pyetje: Mos vallë jam zhvlerësuar në sytë e bashkëfamiljarëve të mi? Sa vlej unë për time shoqe në radhë të parë?
(Përsëri më hyri në rrjedhën e bashkëbisedimit tonë një mendim: Po, po, duket qartë: Ti, more zoti Petrit, ke hyrë tanimë në atë periudhë të jetës, të cilën e quajnë zakonisht “mosha mesatare”. Ajo karakterizohet nga njëfarë krize për ju meshkujt… Në këtë periudhë, ju filloni të rivlerësoni jetën, meditoni gjithmonë e më shpesh për marrëdhëniet tuaja me bashkëshorten, sidomos… Secili sipas mënyrës së vet, sigurisht).
Petrit D.: – Kam rënë vërtet në hall, zonja psikologe: Shpesh më duket sikur ime shoqe i duhem vetëm për paratë që fitoj. Mbase jo vetëm për ato, por… Më duket sikur ajo më shikon dhe mendon se çfarë mund të marrë prej meje në çdo drejtim. Madje shpesh më duket sikur më ka zili aftësinë time për të ngarë makinat dhe mendon: “Ah, të kisha ndonjë mundësi dhe t’ia zhvatja këtij burri aftësitë e tij si shofer… Ta merrja makinën dhe të bridhja dyqaneve ose t’ia mbathja drejt e në plazh vetëm. Shkurt hesapi, më duket sikur do të më përvetësojë gjithçka kam unë, mendjen dhe forcën time fizike. Shkoj deri atje sa të mendoj se kohët e fundit ajo flet me mua vetëm kur i duhet të “zhvatë” diçka prej meje, kur ma ka nevojën, i duhem… Ja pra, pikërisht, fare padashur, më shkon në mendje: More, më do mua kjo grua, apo i duhem dhe kërkon të më shfrytëzojë?
Psikologia: – Ndonjë shembull konkret, ju lutem…
Petrit D.: – Po ja, unë do të dëshiroja që, kur kthehem nga puna, ajo të më afrohet, të më qëndrojë më pranë… Të më pyesë, për shembull, si ia kalova në punë, a u lodha, a u mërzita? Unë, natyrisht, mund t’i tregoj edhe vetë, pa më pyetur ajo, por s’di sepse dua që ajo, si të thuash, të tregohet më e interesuar, ta ketë mendjen tek unë… Po, të them të drejtën, edhe ndonjë lëvdatë do të ma kishte ënda ta dëgjoja nga goja e saj se unë, ç’është e drejta, e meritoj këtë, meritoj një qëndrim më të afërt, më të ngrohtë, ndërsa ajo gjithçka që bëj unë për të dhe për atë shtëpi e quan si diçka të zakonshme që më takon dhe duhet ta bëj. Sa mirë nuk i rrihet pa më kritikuar kur unë nuk e bëj ndonjë punë tamam, siç duhet?! Pastaj, do të dëshiroja që edhe si amvisë ajo të përkujdesej pak më shumë për mua. Kur kthehem nga puna, shpesh edhe gjellën e gjej të ftohtë, shtëpinë rrëmujë… Ja, pra, shikoni sa probleme më kanë lindur?!
Psikologia: – Zoti Petrit, nga përvoja ime e gjatë kam vënë re se kur lindin në familje probleme të tilla, rëndësi të dorës së parë marrin marrëdhëniet intime-seksuale… Si i keni ju këto raporte me bashkëshorten tuaj?
Petrit D.: – Në përgjithësi, në rregull jemi; një herë, dy herë në javë… Po, edhe në këtë fushë, të them të drejtën, shpesh e pyes veten: More jam interesant unë për të si mashkull apo marrëdhëniet tona intime vazhdojnë për inerci dhe forcë zakoni? Si s’e mori njëherë kjo grua iniciativën vetë, xhanëm? Po të mos filloj unë i pari, aha, s’kujtohet… Madje ndonjëherë më duket sikur e ndjen veten më të çliruar, kur e shikon që unë s’kam ndërmend t’i afrohem.
Psikologia: – Po a ka ndonjë fushë të jetës në të cilën bashkëshortja juaj merr e para iniciativën dhe tregohet aktive?
Petrit D.: – Oh, kur i do qejfi, aman ç’tregohet aktive! Ato që ia ka ënda, sapo vihet në teatër ndonjë pjesë e re… Sapo reklamohet në televizor ndonjë operë dhe balet, vinë biletat si me magji në shtëpi…
Psikologia: – Po mos e bën për t’ju kënaqur juve… Ju pëlqen teatri?
Petrit D.: – Ndonjë shfaqje estrade, po edhe ndonjë komedi e shikoj me dëshirë edhe unë, por në drama, në shfaqjet e operas dhe të baletit, as që dua të vete. Që në aktin e parë, më vjen për gjumë… Edhe ndonjë ekspozitë mund ta shikoj, po lodhem shumë. Dhe, ku ma gjen: pret bileta për në ditët e pushimit, kur unë dëshiroj të çlodhem… Dhe guxo i kundështo, po deshe! “Mbete si dru i pagdhendur, or burrë, thotë. Arti të zhvillon shumë dhe të jep kënaqësi estetike”…
Psikologia:- Si do t’i përmblidhnit shkurtazi dëshirat dhe kërkesat tuaja ndaj saj?
Petrit D.: – Kam nevojë për kujdesin dhe afërsinë e saj, më pëlqen kur ajo gatuan mirë dhe tregon interes për punën time. Dua që të mos merret shumë me edukimin tim estetik… Le të më lërë të çlodhem sipas mënyrës sime. Unë, me gjithë qejf do të shkoja me të shëtitje nga Liqeni, çlodhem atje, por të them të drejtën, do të doja që ngandonjëherë të tregohej më aktive edhe në raportet tona intime…
Psikologia: – E shikoj, ju i keni të përcaktuara më së miri qëllimet dhe dëshirat tuaja, por një gjë nuk e di: Ç’keni bërë ju që t’i arrini ato? A jeni përpjekur ndonjëherë t’ia bëni të qarta këto dëshira dhe qëllime bashkëshortes suaj?
Petrit D. (Bie në mendime): Sigurisht që kam folur për këto me të… Ja, para disa ditësh, për shembull, i thashë se do të dëshiroja që ngandonjëherë të merrte edhe ajo iniciativën në raportet tona intime. Në fillim u fye, por pas disa ditësh, na organizoi një “mbrëmje romantike” që… Erdhi rrotull gjithë mbrëmjen aq shumë, saqë mua më zuri gjumi mbi divan, duke e pritur atë të dilte nga banja. Ajo u fye shumë dhe pas kësaj, s’mori më iniciativa të tilla, edhe pse unë i kërkova ndjesë…
Psikologia:- Po tjetër, për çfarë i keni folur?
Petrit D.: – Po ja, një ditë u nxeha keq. Ishte e shtunë dhe më tha të vinim për të parë një ekspozitë të re që ishte hapur në galerinë e arteve. Unë i kisha dhënë fjalën një shoku se do t’i riparoja makinën, kundrejt pagesës, sigurisht dhe, nuk ishte sasi e vogël… Mirëpo ajo u nevrikos dhe tha se unë e kan zakon të fshihem në garazh që të mos shkoj të shëtis bashkë me të. Aty nuk u përmbajta më dhe ia ktheva me të njëjtin ton: “Dëgjo, jam velur duke pushuar sipas mënyrave të tua ala-intelektualçe dhe me kujdesin tënd për të më edukuar mua sipas vetes. Në rast se unë punoj elektroauto në një repart ushtarak, kjo nuk do të thotë se jam pa kulturë. Në fund të fundit, edhe unë kam mbaruar shkollë të lartë njësoj si ti”…
Psikologia: – E qartë. Ju, megjithatë, keni shpresë se diçka mund të ndryshojë në marrëdhëniet tuaja. Kjo ndjehet… Por, me sa shikoj unë, ju ende nuk keni folur me të shtruar, pa lënë shkas për fyerje, se ç’kërkoni prej saj, që edhe ajo t’ju kuptojë si duhet. Herë keni pritur me shpresë se “do ta kuptojë vetë”, herë keni shpërthyer me inat e gjaknxehtësi. Ka rëndësi të bisedohet shtruar me partnerin. Për fat të keq, janë të shumtë njerëzit që bien robër të iluzionit se “ajo e mendon vetë atë që dua unë, por vepron sipas kokës së saj”. Në të vërtetë, edhe bashkëshortja juaj ka nevojë të informohet prej jush se çfarë kërkoni ju prej saj, ndërsa përsa i përket dilemës suaj “më do, apo i duhem”, pra, se ajo ju “zhvat” dhe “shfrytëzon”, mendoj se duhet mbajtur parasysh një rregull i sprovuar: Secili prej nesh, kur hyn në marrëdhënie me një tjetër , diçka jep nga vetja dhe diçka merr nga tjetri. Vetëm balancimi i këtyre “marrëdhënieve” i shtyn raportet përpara dhe i forcon ato. Dhe, meqë ra fjala, në këtë rast, secili nga partnerët duhet t’’i japë tjetrit paksa më shumë nga sa merr dhe të ndjejë kënaqësi për këtë. Ja, si mendoni ju, bashkëshortja juaj, vetëm merr prej jush, vetëm shikon çfarë të “zhvatë”. Vallë, ajo nuk ju jep asgjë? Ja, si mendoni ju?
Petrit D.: – Sigurisht. Ajo na përgatit për të ngrënë dhe pastron shtëpinë, madje më ndihmon edhe për të zgjedhur veshmbathjen, ka gusto ajo… Po edhe përsa u përket marrëdhënieve tona intime në krevat, megjithëse s’dalim nga e zakonshmja, prapë përpiqet të më japë kënaqësi, si të thuash. Shikoni, në fund të fundit, po të gjykosh thellë, edhe ajo dëshira e saj për të më “zhvilluar” nga pak, në thelb, nuk është një dëshirë keqdashëse; unë e vlerësoj si një përpjekje për të qëndruar sa më shumë bashkë, tjetër punë është pastaj se merr ndonjëherë përsipër rolin e tutorit…
Psikologia: – Po ja, pikërisht ajo është çështja: Partneri jep nganjëherë jo atë që është e rëndësishme për tjetrin, por atë që vetë e quan të tillë… Kësaj i thonë, si thoni ju ushtarakët: Qëllon, por s’bie në shënjë! Gruaja juaj përpiqet të organizojë sa më mirë pushimin në kohën tuaj të lirë, ndërsa ju përpiqeni të fitoni më shumë, duke kujtuar se kështu do ta kënaqni edhe atë. Ja pra, të dy përpiqeni, të dy qëlloni dhe asnjëri nuk bie në shenjë… Mirëpo edhe ajo mund të mendojë kështu si ju: “Më do mua, apo i duhem unë atij si amvisë”, edhe ajo mund të mendojë dhe me siguri mendon, se si mund të jetë më uinteresante për ju… Ju shkoni drejt njëri-tjetrit, të dy përpiqeni të forconi marrëdhëniet tuajaja, përfshi edhe ato më intimet, por… nuk e merrni vesh njeri-tjetrin…
Petrit D. : – Dhe ç’duhet të bëjmë?
Psikologia: – Duhet të flisni hapur dhe shtruar me njëri-tjetrin, të shfaqni dyshimet tuaja, rreziqet që parashikoni dhe kryesorja është t’i tregoni se ç’prisni nga njeri-tjetri. Duhet të dëgjoni edhe mendimet dhe dëshirat e saj. Vetëm kështu mund të arrini, si të thuash, në një emërues të përbashkët. Marina, me sa po kuptoj unë, ju do dhe e vlerëson familjen, madje duket qartë që ajo merr përsipër barrën më të rëndë për t’u ndihmuar ju që lodheni më shumë në punë dhe kërkon t’ju çlodhë, dëfrejë. Kur kërkoni që të tregohet më me iniciativë në marrëdhëniet intime, mos harroni natyrën paksa të druajtur të femrës… Futuni edhe ju paksa në lëkurën e saj… Dakord?
(Unë, sigurisht, jam e ndërgjegjshme, të dashur lexues se ju me të drejtë do të gjeni njëfarë “skematizmi” në gjithë sa parashtrova më lart. Po mbani parasysh, ju lutem, se këto që lexuat nuk janë proces-verbal autentik i bisedës sonë me Petritin, por vetëm një përmbledhje e shkurtuar e saj… Ne me Petritin biseduam më gjatë, sidomos për temën “më do, apo i duhem”… Rëndësi ka fakti që Petriti u bind se nuk mund të quhet “shfrytëzim”, “zhvatje” ajo çka pret një bashkëshort nga tjetri. Folëm me të gjatë edhe për ndjenjën e përgjegjësisë që duhet të kenë partnerët ndaj njeri-tjetrit dhe ndaj fëmijës së tyre të përbashkët dhe po ta shikosh çështje me këtë sy, atëhere del vetvetiu në përfundimin logjik se marrëdhëniet midis dy partnerëve nuk mund të jenë veçse të ndërsjellta dhe se s’mund të zgjidhësh asgjë në rast se do të nisesh nga pozita për ta quajtur njërin “akuzues” dhe tjetrin, të “akuzuar”… Në marrëdhëniet intime familjare, fajet dhe meritat janë të përbashkëta…)