Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Ditari i një prostitute shqiptare në Greqi! (11)

Vijim..!

Me parandjenjën se do të filloja një punë të mirë dhe se më kishte buzëqeshur fati në derë, kapërceva pragun e shtëpisë. Te dera e brendshme na priti filipinasja dhe na çoi në sallon që dukej si një galeri arti. Rreth e qark ishin statuja të mrekullueshme ne mermer dhe dru. Po kështu, edhe në mure ishin varur piktura, disa nga të cilat shumë të mëdha. U ulëm dhe po prisnim. Pas pak, erdhi filipinasja dhe na tha që zotëria po na priste në zyrë. Ajo na shoqëroi deri te dera e zyrës, na hapi derën dhe na la të futeshim brenda. Të them të drejtën, pamja që më doli përballë më habiti…

Nuk kisha parë njeri aq të shëndoshë në jeten time. Ishte rreth të 50-ave, por mund te ishte edhe me shumë, edhe më pak. Nuk ia përcaktoje dot moshën atij gjigandi të dhjamosur. Dukej si nje nga ato kukullat e mëdha qe bëhen për festën e karnavaleve. Nuk kishte fare qafë. Koka i bashkohej direkt me trupin dhe aty ku duhej te ishte qafa i vareshin ca si qese te mëdha të mbushura me dhjamë… Në sy kishte një pale syze që nuk e di se si i qëndronin mbi atë fytyrë të dhjamosur. Qe tamam si një derr i madh, një derr gjigand që dukej sikur kishte dalë nga ndonje film fantastiko-shkencor për fëmijë. Nuk u ngrit nga vendi, por na zgjati dorën ashtu i ulur në tavolinë dhe na ftoi të uleshim në dy karriget anash tavolinës së tij. Pas kurrizit të tij ishin dhjetëra korniza të fotografive ku ai kishte dalë me këngëtaret e aktoret më të njohura të Greqisë. Kush ishte ky vallë? Ndonjë këngëtar apo aktor i shquar nga të vjetrit që unë nuk e njihja? Ai e pa që fotografitë më kishin tërhequr vëmendjen dhe, pa e kthyer kokën mbrapa, bëri me dorë nga ato: “Kam qenë menaxheri i shumë prej këtyre që shikon në fotografi. Unë jam… dhe më përmendi emrin e tij. E kisha dëgjuar atë emër nëpër televizione, por nuk e lidhja dot me fytyrën e tij. Ishte vërtet njeri shumë i njohur. Thoshin që, po të mori ai përsipër, e ke karrierën të sigurtë…

Advertisement

– Tani, unë dua një menaxhere për veten time… – tha ai duke qeshur. – Dua një vajzë që të kujdeset për shtëpinë. Jo të bëjë punët, pasi ato i bën filipinasja, por të kujdeset! – përsëriti ai duke e theksuar atë fjalë. – Dua të jetë me kulturë dhe e paraqitshme. Nga pamja, ti me dukesh e tillë dhe sytë mua nuk më gabojnë kollaj, – tha. – Veçse këtu duhet të punosh me orar e pa orar, – tha ai, – se une kam shpesh miq për darkë. Ti nuk ke detyrime, më tha mikesha jote, apo jo? – më pyeti ai dhe m’i nguli ata sytë e tij bojëqielli që, për shkak të dhjamit që i rrethonte, dukeshin fare të vegjël. Kishte sy të çuditshëm. Ishin si turjela. Vështrimi i tij të shkaktonte dhimbje në sy. Ishte e pamundur t’i rezistoje një shikimi të tillë, pa ulur ose mbyllur sytë…

– Nëse dëshiron, mund të fillosh që nesër, – më tha. – Në orën 11, të jesh këtu. Nesër do të flasim edhe për orarin dhe pagesën. Dakord?

Pa pritur të flisja unë, thua se e kishte të sigurtë përgjigjen time pozitive, na zgjati dorën përsëri pa u ngritur nga vendi. E përshëndetëm dhe dolëm. “He si thua?”, më pyeti e njohura ime.

– Ç’të them? – i thashë. – Nuk ma priste mendja të kishte njeri kaq të shëndoshë. Kushedi ç’heq e shkreta kuzhiniere me të… – qesha.

Të nesërmen shkova vetëm. Derën ma hapi filipinasja dhe më tha ta prisja zotërinë në sallonin që ngjante si galeri arti. Sot vura re se aty ishte edhe një pikturë e madhe e tij. Ishte me një kemishe me vija me mëngë të përveshura dhe me flokë që ia shpupuriste era. Kishte pozuar me Akropolin prapa kurrizit. Aty ishte i ri dhe i dobët. “Gjynah që ishte bërë ashtu, mendova. Kishte qenë simpatik kur ishte i ri…”

Ndërsa isha në këto mendime, u hap dera e brendshme e sallonit të madh. Te dera u shfaq ai, gjigandi i dhjamosur. Ishte veshur me tuta sportive Adidas. (Duhet t’i ketë bërë me porosi, mendova, se ku ka tuta për trupin e tij?). Instinktivisht, u çova në këmbë. Ai ma bëri me dorë dhe vazhdoi të ecte në drejtimin tim. Nuk e di se sa minuta i bëri ato dhjetë metra që na ndanin. Ecte shumë ngadalë si të ishte ndonjë robot i telekomanduar. Dukej sikur shkelte mbi vezë që kishte frikë mos i thyente me putrat e tij prej elefanti. Kur u afrua, më dha dorën dhe më preku te krahët.

– Kështu i ke më bukur floket, – më tha. – Kështu rregulloji gjithmonë. Ti je e bukur, me fytyrë të rregullt e të shkojnë flokët me model të çregullt – Tha këto fjalë dhe nuk e mbajtën më këmbët. U ul në divanin ku sapo isha ngritur unë dhe më ftoi edhe mua të ulem anash tij.

– E fillojmë nga rroga- më tha ai. – Sa e do? – më pyeti papritur.

-Çfare?! – e pyeta se m’u duk se dëgjova gabim.

– Sa e do rrogen? – më pyeti ai përsëri.

– Nuk ju kuptoj, – i thashë. – Më thoni ju se sa do më paguani. Ju jeni afendikoi.

– Rrogën do ta caktosh vetë, – më tha ai. – Sa të duash. Kalojmë në pikën e dytë: Orari. Të thashë edhe dje që nuk do të kesh orar e do të duhet të punosh edhe jashtë orarit. Sot desha të të propozoj diçka tjeter. E mendova gjatë këtë punë, ti më pëlqeve qëkur të pashë, ndaj do të propozoja që të rrije këtu, – më tha ai. – Do te jesh zonjë shtëpie. Gjithçka në këtë shtëpi do të jetë jotja dhe ti do të kujdesesh për të. Besoj se më kupton. Pra, do te jesh zonja e shtepisë! – përsëriti ai. – Kështu do të të prezantoj edhe para miqve të mi që do të vijnë darkave. Dakord? – më tha ai dhe zgjati duart të më përkëdhelte supin e flokët…

M’u duk sikur më ra në kokë ajo statuja e gruas me një shtamë në sup që kisha prapa kurrrizit. Pse, kaq e ulët dukesha unë? Apo ngaqë kisha nevojë për para dhe pranoja të punoja në shtëpinë e tij, do të pranoja edhe të zhgërryhesha me një njeri si ky? Mendova se si mund të ishte ky njeri i zhveshur, në krevat dhe më erdhi për të vjellë…

– Efkaristo, – i thashë. – Unë erdha këtu për të shërbyer dhe jo për t’u martuar.

– As unë nuk të kërkova të martohesh, – tha ai. – Thjesht, doja të rrinim bashkë në një shtëpi. Dhe mos u nxeh, – më tha ai me një ton pak të ashpër. – Mendo pak dhe do pranosh. Do te jesh zonje shtëpie ketu. Shiko kush ka qenë këtu para teje! – më tha dhe, duke u kthyer ngadalë, gjithë mundim, anash, mori nga një komodinë nje album. E hapi dhe ma zgjati. Ishin dhjetëra fotografi që kishte bërë ai me një vajzë që në Shqipëri ishte shumë e njohur për bukurinë e saj. E njeh? – më pyeti ai.

– Po, – i thashë, – është…

– Po – tha ai duke qeshur. – Pikës i ke rënë! Është mikesha ime… Ok – tha duke e mbyllur albumin me forcë. – Kjo është puna. Mendohu dhe nëse të pelqen, nesër në mëngjes, në 11, kur zgjohem nga gjumi, dua ta pimë kafenë bashkë…

Vijon…!

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Çfarë është plazma e fytyrës ose PRP-ja?

Next Post

Erdhi super bashkëpunimi “Një këngë sa një jetë” nga Sefë Duraj dhe Shemi-Ilirët

Advertisement