Përshëndetje miq! Unë që po ju shkruaj jam Mirjana dhe jetoj në Tiranë. Vendosa t’ju tregoj një ndodhi që më ka lënduar shumë dhe që, edhe sot e kësaj dite, do ta mbaj thikë në zemër. Prindërit e mi jetojnë në një qytet afër Tiranës dhe vendosën që unë shkollën e mesme ta bëja në Tiranë, pasi do të ksiha më shumë mundësi për të fituar shkollën e lartë. Ata vendosën të më dërgonin te tezja, e cila jetonte me dy fëmijë të vegjël në Tiranë. Ajo kishte dy vjet që kishte ardhur nga Greqia ku ishte ndarë me të shoqin për arsye xhelozie dhe kishte vendosur të kthehej në atdhe. Ajo ishte njeri shumë i mirë. Ishte mirëkuptuese në kulm dhe gjente gjithmonë mënyrën që të të bindte për një ide që të jepte, jo ta impononte. Në fillim, kur u transferova, nuk më pëlqente shumë mënyra e hapur se si fliste me fëmijët, por me kalimin e kohës, e kuptova se ishte më mirë ashtu. Babai im më thoshte gjithmonë se duhet të kisha kujdes në Tiranë e të mos bija pre e mashtrimeve të djemve. Unë isha shumë e hedhur dhe gjithë kohës rrija me djem. Nuk kishte mbrëmje apo ekskursion ku unë nuk ikja. Isha bërë goca më sherr e klasës. Të gjithë djemtë më donin e më mbanin afër. Ata nuk më linin të gaboja nëse dikush më propozonte për lidhje. E mbaj mend që, një herë, në ekskursion, plasi një sherr i madh, pasi një kamerier bëri një batutë për trupin tim të hedhur dhe shokët e mi, për pak sa nuk e rrahën. Ditët e mia në gjimnaz ishin shumë, po shumë të këndshme. Harrova të them që, edhe me mësime, isha shumë mirë. Çdo gjë ishte e përsosur derisa në jetën time erdhi Landi. Ai ishte djali më i bukur i shkollës dhe krejt papritmas, filloi t’i afrohej grupit tonë e të rrinte me shokët e mi. Unë kisha edhe dy shoqe, që ishin të lidhura me shokët e mi dhe ato më thonin shpesh se ky afrim nuk bëhej për djemtë, por për mua. Gjithsesi, unë nuk e besoja në fillim pasi Landi më dukej shumë i bukur për të pasur simpati për mua. Ika në shtëpi dhe iu shpreha tezes. Ajo e pa në sytë e mi pëlqimin dhe tha se do të më ndihmonte. Morëm makinën dhe dolëm gjithë mbrëmjen nëpër lokalet ku shkonte ai, pasi isha bërë shumë e bukur. E takuam te lagjja edhe unë ula xhamin dhe e përshëndeta. Ishte aq i bukur dhe aq interesant sa nuk po dija më ç`të bëja. Këtë simpati ua thashë edhe djemve të klasës, por ata më thanë që nuk ishte muhabet i mirë, pasi ai ishte shumë donzhuan dhe, me siguri, do të më lëndonte.
– Dëgjo lalin tat – më tha shoku im – nëse do të lëndohesh lëndohu me atë, por nëse do një lidhje stabël dhe me dashuri në mes, mos e shiko më me atë sy!
Këto fjalë më lënduan pak, edhe pse e dija që ata vërtet më donin të mirën dhe po më flisnin me gjithë zemër, sikur të më kishin motër. Ika në shtëpi dhe i thashë tezes se s`do bëja më asnjë përpjekje për t`i rënë në sy Landit. Ajo më pyeti për arsyen dhe unë ia tregova bisedën që bëra me shokun e klasës.
– Ku i dihet moj çfarë qëllimesh ka ky shoku yt?! Mos hiq dorë vetëm se të tha ai! – më tha tezja.
Ditën tjetër unë ika në shkollë dhe qëndrova si përherë me shokët e shoqet e mia. Mbas shkolle e lamë të iknim për të luajtur kalçeto si grup. Në orën pesë e kishim lënë dhe u mblodhëm të gjithë te fusha kur pashë edhe Landin i cili ishte veshur sportiv dhe po na priste neve. M’u bë shumë qejfi, por nuk e dhashë vetën.
– Ti do të luash me ne? – e pyeta.
– Po pse, e keni me bezdi që të humbni lojën? – më tha.
– Epo, ti do luash me skuadrën time, kështu që unë e ti s`mund të humbim kurrë! – i thashë dhe qesha.
Filloi loja dhe ne filluam të qeshnin e të bënim shaka. Ishte një mbasdite shumë e bukur. Sytë e tij më verbonin sa herë i shikoja. Shkova në shtëpi mbas ndeshjes dhe i thashë tezes se s`do të hiqja dorë nga ai. Tezja më ndihmoi dhe më tha se do të iknim të nesërmen për buling me fëmijët. Më tha: “Po pate dëshirë, ftoje të vijë me ne”.
Mezi po prisja të dilte drita. Ika në shkollë dhe po prisja momentin që ai të afrohej e ta ftoja. Ai erdhi si përditë në grupin tonë dhe unë, si me stil, veçmas të tjerëve, i thashë që do dilja mbasdite me njerëzit e mi dhe se ishte i ftuar të vinte, meqë së bashku ishim skuadër e mirë.
– Ok – më tha – do të vij me gjithë qejf! – dhe më dha numrin e telefonit.
Në moment i bëra një mesazh e i thashë se ai ishte numri im. Mbasdite do të dilnim dhe unë u bëra shumë e bukur. Edhe tezja ime më tha se më kishte rënë një nur i bukur. Folëm me mesazhe me Landin deri dy orë pa dalë kur, sa hipëm në makinë dhe do të iknim për ta marrë, ai fiku telefonin. Më erdhi shumë çudi pse e bëri diçka të tillë, mirëpo nuk e dhashë veten në sy të tezes dhe fëmijëve. Të nesërmen ika në shkollë edhe këtë gjë ia tregova shokut tim. Ai qeshi me ironi dhe më tha:
– Të thashë si do të të sillte ai ty, po s`deshe të më dëgjosh.
Unë ula kokën dhe në fakt, u ndjeva shumë keq në vetvete. U bënë disa ditë që unë i shkruaja mesazhe, por ai nuk më kthente më. U habita përse e bëri këtë gjë. Nuk dija t`u jepja shpjegim ca gjërave dhe as s’doja më se në vetvete isha e lënduar nga kjo situatë. Asnjeri nuk e dinte sa ëndrra kisha ëndërruar e sa plane kisha bërë që të isha me të. U bënë disa ditë që ai nuk vinte më te grupi ynë dhe të gjithë më thanë mua:
– Mos vallë ka mbaruar punë me ty dhe tani nuk të sillet më nga pas?
– Nuk është e vërtetë; unë nuk kam dalë kurrë vetëm me të! – u thashë.
Pas atyre ditëve, shoqëria ime filloi të merrej shumë me llafe e të më diskutonin shumë gjëra që unë as nuk i kisha bërë. Kjo më bëri të distancohesha nga ata. Një shoku im një ditë erdhi e më tha se Landi kishte të dashur një gocë dy vjet më të madhe se veten dhe që ishte shumë e mirë. Pastaj më tha se Landi kishte thënë për mua se kishte dashur të më fuste në dorë dhe kaq, jo më shumë. Ishte shprehur kështu: “Si mendonte ajo, që do shkoja të luaja mbas asaj e asaj plakës grua (për tezen time), kur unë ikja e rrija në hotel me shpirtin tim?!”.
Aty nuk munda t`i mbaja lotët. Shoku im u ndje keq e më tha se ky ishte Landi e këto kishin qenë qëllimet që në fillim, por unë s`doja t’i besoja fjalët e tij. Zemrës i vura një gur dhe vendosa të bëja përpara. Kaluan ca ditë dhe po afronte Krishtlindja. Një mbrëmje më erdhi një mesazh nga Landi: “Më fal që jam treguar i padrejtë me ty. Ndoshta e kam bërë ngaqë isha shumë fëmijë për ta kuptuar moshën tënde dhe kërkesat e tua. Vetëm ta dish një gjë, që shoqëria jote më ka thënë 1000 të zezat për ty, kështu që vendosa mos të ta hapja më telefonin e mos të të shkruaja më mesazhe”. Kur e pashë këtë mesazh, u habita shumë. Më erdhi habi. “A thua tezja ime kishte të drejtë?!”, mendova. I bëra telefon dhe folëm gati gjithë mbrëmjen bashkë. Ai më shpjegoi shumë gjëra, ose më mirë të themi, më gënjeu në shumë gjëra. Ditën tjetër ika në shkollë dhe shoqeve e shokëve nuk u fola fare. Landi më pa që po rrija e vetmuar dhe erdhi e qëndroi me mua gjatë pushimit të gjatë. Shoku im i ngushtë më bëri një mesazh: “Shpresoj mos të të zhgënjejë më dhe të faleminderit që vendos atë para shoqërisë sonë”.
Këtij mesazhi nuk iu përgjigja. U mërzita shumë, më dukej sikur të gjithë ishin kundër meje. Landi kishte ca ditë që më qëndronte afër, më thoshte “shpirt”, “zemër” e më ngacmonte që të rrinim bashkë. Një natë dolëm për darkë dhe vendosëm të flinim së bashku. Ishte e mrekullueshme! Unë u binda për atë që ndjeja dhe ëndrrat e mëparshme filluan të më bëheshin realitet. E doja si e çmendur. Kaluam bashkë 2 muaj që për mua ishin 2 muajt më të bukur të jetës sime. Një shoqe, një ditë, më kërkoi të më takonte. U ulëm në një kafe dhe ajo vazhdoi të m’i tregonte të gjitha detajet e lidhjes sime, madje edhe se si kishte ndodhur atë natë. U habita shumë. I thashë: “Po ti, nga i di këto?” dhe ajo më tha që nuk i dinte vetëm ajo, por gjithë shkolla. Mora Landin në telefon dhe e pyeta. Ai më tha se kisha folur unë sepse doja t’i ngelesha në dorë. U çmenda fare. S’po kuptoja asgjë. Vendosa t’i jepja fund kësaj historie pasi nuk ishte më diçka personale e imja. Landi nuk u mërzit fare. Më tha se e respektonte vendimin tim dhe se do të ishte më mirë të mos shiheshim më, vetëm në rast se do të doja të shkoja me të. Kjo gjë më lëndoi shumë. Unë nuk isha ajo tip femre. Ditët ishin shumë të këqia, pasi përveç tezes, nuk kisha më asnjeri. Shoqërinë time i kuptoj. Tani, nuk kam më fytyrë që t’i kërkoj. Ata kanë jetën e tyre. Unë tani rri vetëm me një vajzë të cilën e kam edhe afër pallatit. E dija që do të lëndohesha nga dashuria e parë sepse të gjithë lëndohen, por kisha shpresë që të mos lëndohesha kaq shumë. Tani, sapo mora përgjigjjet e shkollës së lartë dhe nuk kam kapur asnjë degë. Jam bërë gjysmë njeriu. Nuk më shkohet asgjëkundi. Edhe në shtëpi te prindërit nuk kam si të shkoj, çfarë t’u them për jetën time. Të më falni shumë që ju shqetësova edhe juve me këtë histori, por dua t`ju them se si shoqëria nuk ka dhe se, shpeshherë, humbim persona të mirë ngaqë na tërheq e keqja dhe pastaj ndihemi të humbur, të lënduar.