Joni është nga Saranda, është 26 vjeç dhe performon në klubet e natës si DJ me emrin e artit DJ Jony Doctor, ashtu si edhe e njohin të gjithë. Është një nga Dj-të më të njohur shqiptarë i cili e ka shtrirë suksesin e tij në trojet shqiptare dhe jo vetëm. Për të të jetë DJ është një nga ëndrrat e tij më të mëdha të bëra realitet. Së fundi, ai ka realizuar edhe një single të cilin e ka publikuar vetëm prej pak kohësh me këngëtaren Xhesika Polo si dhe me Don Enion, ndaj të shohim çfarë thotë Dj Jony Doctor
– Jony, të bëheshe Dj, ka qenë një dëshirë e jotja që në vogëli?
– Po, që në fëmijëri e kam pasur pasion muzikën. Nuk e kam menduar që do arrija ndonjëherë deri këtu ku jam sot, por edhe ëndrrat realizohen.
– Je penduar ndonjëherë që ke zgjedhur këtë profesion?
– Jo, asnjëherë, përkundrazi, nëse ka diçka të rëndësishme në jetën time, kjo është muzika!
– Natën rrini zgjuar dhe flini ditën, kjo është mënyra juaj e të punuarit. A të pengon kjo mënyrë jetese?
– Është shumë e vërtetë. Nuk është se unë e kam pengesë punën natën, por e gjithë dita të shkon në gjumë e atë pak kohë që kam në dispozicion, ia kushtoj familjes. Të them të vërtetën, për shoqërinë më ngelet pak fare kohë, për të mos thënë hiç.
– A mund të bëhet kushdo DJ?
– Me sakrificë dhe vullnet arrin gjithmonë atë që do, por jo çdokush mund të bëhet DJ.
– Tashmë gjendet në treg dhe single yt “Noise”… Çfarë ka në përmbajtjen e tij?
– “Noise” është një bashkëpunim i imi me Xhesika Polon dhe Don Enion. Në përgjithësi, ne jemi shumë të kënaqur me punën që e kemi bërë; ia vlen ta dëgjosh. (Buzëqesh)
– Ke ndonjë merak për ndonjë bashkëpunim me ndonjë këngëtare shqiptare, më saktë me kë do doje të bëjë një bashkëpunim?
– Po, kam merak dhe gjithmonë e kam pasur të bëj një bashkëpunim me Samantën, është këngëtare shumë e mirë dhe ka të gjithë publikun me vete.
– Si mendon se ndikon interneti në muzikë?
– Duke qenë se jetojmë në kohën elektronike, çdokujt po i ndihmon shumë. Mua më ndihmon sepse aty furnizohem me të gjitha këngët që i shfrytëzoj gjatë mbrëmjeve ku performoj. Po ashtu, më ndihmon që të jem më i afërt me fansat e mi përmes faqes zyrare në instagram dj_jony_doctor që kam dhe aty postoj gjithçka të re nga fusha e muzikës.
– Çfarë të pëlqen të marrësh nga jeta dhe çfarë i shijon më shumë asaj?
– Gjithçka që është e mirë.
– Ku qëndron ngjashmëria mes zgjedhjes së një femre të mirë dhe një muzike të mirë?
– Çdo gjë e mirë dallohet, edhe pse në këtë rast janë dy botë të ndryshme, të cilat nuk mund të krahasohen sepse secila e ka vendin e vet.
– DJ-të e kanë më të lehtë apo më të vështirë për të gjetur dashurinë?
– Në përgjithësi, artistët e muzikës e kanë shumë më të vështirë të gjejnë dashurinë për shkak të profesionit që kanë e sidomos, për jetën e çrregullt. Punojnë natën, flenë ditën dhe shumicën e kohës, nuk janë në shtëpi
– Nëse vajza që të pëlqen nuk ka të njëjtat shije muzikore me ty, do të të shqetësonte kjo?
– Aspak, sepse ky është profesioni im dhe unë nuk kam dëshirë ta përziej profesionin me jetën private. Madje, më pëlqen më shumë që ka shije tjetër për muzikë sepse në shumë raste, gjej inspirim.
– Për çfarë ke harxhuar më tepër deri sot?
– Për muzikën, profesionin tim, sepse gjithnjë kam dëshirë të jem në hap me kohën, duke i blerë pajisjet më të reja, programet të cilat ma lehtësojnë punën time. Po ashtu, edhe për krijimet e lançuara.
– Për çfarë do të doje të mbaje vendin e parë? Ku e mendon veten si më të mirin?
– Normalisht, në profesionin tim.
– Çfarë gjen për të ndryshuar te vetja pas çdo viti? Ke ndryshuar shumë gjatë këtyre viteve?
– Unë nuk mund të vërej ndryshime te vetja, por mendoj se çdo artist duhet të kontribuojë në imazh pasi jemi në skenë dhe na shikojnë njerëz të ndryshëm, kështu që duhet investuar edhe në dukje. Mundohem të jem në hap me kohën dhe stilin. Nuk e di sa ia arrij, por kohë pas kohe, kam dëshirë të bëj ndryshime.
– Çfarë do ketë në të ardhmen nga Dj Jony Doctor?
– Risitë nuk do ndalojnë, por gjithçka në kohën e vet.