Doktor Abazi përshëndetje! Jam një zotëri i moshës së tretë dhe dua të dij më tepër rreth sëmundjes së Alzheimer-it. Çfarë simptomash ka dhe si kurohet? Faleminderit
Dr.Abaz Quka, neuropsikiatër, Klinika mjekësore “Nertila” Tel: 0696524440: Zotëri i nderuar, e kuptoj shqetësimin tuaj dhe do të doja t’ju shpjegoja se kjo mund të konsiderohet edhe si një sëmundje e moshës së tretë, pasi në pjesën më të madhe të rasteve preken personat mbi 60 vjeç. Në thelbin e sëmundjes është plakja e trurit, e shoqëruar me problemet me kujtesën. Simptomat e para të sëmundjes kanë të bëjnë me humbjen e kujtesës afatshkurtër: pacienti harron çelsat, punët që ka për të bërë gjatë ditës, etj. Memorja afatgjatë fillimisht është e ruajtur: pacienti kujton mirë historitë e kaluara dhe datat. Por, me avancimin e sëmundjes ndodh edhe boshatisja e memorjes afatgjatë: pacienti harron moshën e tij, emrat e fëmijëve, harron të flasë e të shkruaj etj. Ndonjëherë shenjat fillestare të sëmundjes mund të jenë depresioni. Gjithsesi në stadet e avancuara, përveç problemeve me kujtesën, pacientët kanë edhe probleme psikiatrike: depresion, agresivitet, haluçinacion, deluzione etj. Me avancimin e sëmundjes pacientët nuk kujdesen më për veten e tyre, ulin reagimin emocional ndaj të tjerëve apo ndodhive dhe bëhen me inert, të mbyllur në vetëvete. Në stadet e fundit të sëmundjes ata pothuajse nuk lëvizin nga dhoma, e bëjnë nevojat personale në shtrat dhe ushqehen nga të tjerët. Vdekja vjen shpesh si pasojë e dekubituseve (plagët nga qëndrimi në shtrat) apo infeksioneve të tjera (pneumonite, etj.). Përsa i përket mjekimit, aproci me këta pacientë duhet të jetë multidimensional: psikologu, psikiatri, neurologu, përkujdesja e familjes, parandalimi e trajtimi i infeksioneve, dieta e ekuilibruar etj. Ka disa mjekime që ndihmojnë përmirësimin e kujtesës dhe ngadalësimin e avancimit të sëmundjes: Piracetami, inhibitoret e acetilkolinesterazes (Donepezil, Gallantamina, Rivastigmina) si dhe Memantina (e cila ka një mekanizëm të ndryshëm veprimi). Në rastin e shenjave të depresionit ose psikozës, preparatet antidepresive dhe antipsikotike përmirësojnë gjendjen. Po kështu një dietë e pasur dhe e ekuilibruar, me antioksidantë dhe vitamina është shumë e rëndësishme. Qëndrimi pranë, shoqërimi i këtyre pacientëve, aktivizimi i vazhdueshëm, janë elementë të rëndësishëm të kujdesit të përditshëm. Këta pacientë në stadet e avancuara të sëmundjes mund të paraqesin rrezik për veten dhe për shtëpinë nëse lihen vetëm (lënë sobën ose ujin hapur, etj.). Gjithsesi, me gjithë masat e marra nga mjeku e familja për këta pacientë, kjo sëmundje mbart një barrë të rëndë në jetën sociale të të gjithë individëve që kanë një familjar të sëmurë nga kjo patologji. Shkenca akoma nuk ka gjetur kurën e sëmundjes. Mbetet një shpresë tek qelizat staminale, por janë ende në faza eksperimentale. Shpresoj të kem shuar sadopak kuriozitetin tuaj rreth kësaj patologjie! Mbetem në dispozicionin tuaj për pyetje të mëtejshme! Mund të më telefononi në numrin në dispozicion nëse dëshironi! Duke ju uruar shëndet të mirë!