Jam Moza, mësuese e klasave fillore dhe doja t’ju bëja një pyetje. Shpesh me fillimin e vitit shkollor përballemi me fëmijë që e kanë shumë problem të qëndrojnë në klasë, fëmijë që ngjiten pas prindërve dhe e qara i shoqëron gjatë gjithë kohës së qëndrimit në klasë, fëmijë që e kanë shumë të vështirë të ambjentohen me bashkëmoshatarët, me mësuesen dhe me vetë shkollën. A mund të quhet kjo një lloj fobie nga shkolla? Pse ndodh kjo gjë dhe çfarë është? A ka ndonjë mënyrë që këta fëmijë të ndihmohen nga prindërit, shokët apo qoftë edhe vetë mësuesit? Mendoj se do ishte me vlerë mendimi i një psikologe prandaj dhe drejtova gazetës tuaj! Faleminderit
Lorela Garuli, psikologe, email lorela_garuli@hotmail.com:- E dashur mësuese Moza përshëndetje! Të falënderoj që ke sjellë në fokus një temë e cila është aktuale duke qenë se përkon me periudhën e fillimit të vitit shkollor, por njëkohësisht keqkuptohet apo neglizhohet nga prindërit.
Shumë fëmijë përjetojnë ndjenja jo të mira kur u duhet të shkojnë në shkollë për herë të parë apo të tjerë të cilët shfaqin rezistencë për të qëndruar aty. Fobia shkollore ka të bëjë me frikën e vazhdueshme që i shkakton fëmijës mjedisi shkollor
Tek fëmijët më të vegjël kjo mund të lidhet me vështirësitë për t’u larguar nga prindërit. Në raste të tjera, shkaku ka të bëjë me frikën nga gjykimi i shokëve/shoqeve të klasës, frikë se nuk përmbush pritshmëritë akademike të prindërve apo mësuesve, vështirësi për të krijuar dhe mbajtur marrëdhënie normale me bashkëmoshatarët, marrëdhënie jo e mirë me mësuesit, episode të mundshme bullizmi. Fobia shkollore shoqërohet me ndjenja të forta ankthi, kriza paniku kur vjen koha për të shkuar në shkollë, dhimbje koke, të vjella, të qara, stres, irritim
Ajo që duhet të dinë shumë qartë prindërit është që nuk bëhet fjalë për kaprico, por për vështirësi konkrete që hasin fëmijët. Kjo do të thotë se për t’i ndihmuar këta fëmijë, absolutisht nuk duhet ushtruar presion, nuk duhen sforcuar, apo detyruar fëmijët për asgjë. Në shumë raste, vështirësitë që ndeshin fëmijët e vegjël për t’u përshtatur me shkollën dhe për të qëndruar larg prindërve, lidhen me llojin e marrëdhënies dhe të atashimti që kanë ata me njëri-tjetrin (një stil i pasigurt atashimi ia vështirëson fëmijës castin e ndarjes nga prindi). Për këto arsye, prindërit duhet të ndërtojnë ura komunikimi, mirëkuptimi dhe dialogu. Identifikimi dhe të kuptuarit e frikërave të fëmijës ndihmon në kapërcimin e situatës. Nga ana tjetër, mësuesit në klasë duhet të sigurohen të krijojnë klimë bashkëpunimi dhe mjedis mirëpritës, në mënyrë që fëmijët të sfidojnë pasiguritë, pengesat dhe të pranojnë vështirësitë që mund të kenë, duke pranuar limitet e veta e të edukohen të kërkojnë ndihmë pa hezitim.
Të uroj më të mirat dhe suksese në punën tuaj!