Veçantitë e karakterit ose të sjelljes, që i bashkojnë në fillim dy njerëz në një çift, me kalimin e kohës mund të bëhen shkak mosmarrëveshjesh dhe konfliktesh. Nuk është e lehtë të pranosh te partneri një mënyrë të sjelluri apo një të metë, por pothuajse gjithmonë është e nevojshme, madje e domosdoshme, për të jetuar bashkarisht sa më gjatë dhe për të qenë të lumtur. Për këtë kërkohet një durim i madh nga të dyja palët. “Pse qenka kaq e vështirë?”, mund të pyesë dikush. Së pari, duhet mbajtur parasysh se në themel të çdo bashkimi dhe dashurie, qëndrojnë ndryshimet që shikojnë fillimisht partnerët te njëri-tjetri. Pikërisht ato, vetitë dalluese nga të tjerët që vëmë re te njëri-tjetri në fillim, na tërheqin, na pëlqejnë, na ngjallin kureshtjen për t’u njohur sa më mirë dhe na bëjnë t’i dukemi njëri-tjetrit krejt të veçantë nga të tjerët. Në fakt, jo vetëm nga të tjerët, po edhe nga njëri-tjetri…
Të jesh njësoj apo ndryshe?
Shumë njerëz gabojnë duke menduar se jeta e një çifti mund të jetë e mbarë, kur ata nuk kanë dallime nga njëri-tjetri, kur bien plotësisht dakord në mendime për të gjitha problemet e jetës dhe nuk kanë kundërshti. Duhet patur parasysh se, në përgjithësi, ndjenja e dashurisë lind kur secili nga të dy shikon dhe pranon se njëri plotëson diçka te tjetri, pra, kur të dy bashkë plotësojnë njëri-tjetrin. Psikoterapeuti i dëgjuar, Robert Xhonson i quan këto lidhje dhe këtë bashkim, “dashuri e pjekur”. Pra, duam s’duam ne, duhen pranuar ndryshimet që kemi nga njëri-tjetri dhe jo vetëm kaq, por duhen shikuar ato si faktor pozitiv që ndihmojnë në forcimin e çiftit. Veç kësaj, pikërisht kjo ndihmon për ta parë tjetrin gjithmonë ashtu sikurse është, pra, me të mirat dhe mangësitë e tij, me virtytet dhe të metat e tij. Kështu, njëkohësisht, njeh edhe veten, shikon nëse je në gjendje të bashkëjetosh me të, të shuash mosmarrëveshjet dhe konfliktet që mund të sjellin ndryshimet mes jush. Po sigurisht, as për gjithçka nuk duhet të jeni në një mendje dhe as për të gjitha nuk mund të keni mendime të kundërta, sepse jeta mund të kthehet në një konflikt të vazhdueshëm ose në të kundërtën, në një rutinë që sjell vetëm mërzi. Rëndësi ka që për problemet kryesore dhe vlerat më të rëndësishme të jetës, ju të merreni vesh mirë me njëri-tjetrin. Dhe, pikërisht këtu qëndron vështirësia. Pse? Sepse, së pari, vlerësimi i vlerave nuk është i njëllojtë te njerëzit dhe e dyta, vlerësimi i tyre gjatë jetës mund të ndryshojë. Diçka që njërit prej partnerëve i pëlqente shumë dje, sot nuk i pëlqen më apo i shtyrë nga rrethanat e ndryshme të jetës, e ka marrë inat. Psikologët vënë në dukje se në rast se pikëpamjet për gjërat kryesore mes partnerësh janë krejtësisht të kundërta, atëhere e kanë të vështirë të krijojnë marrëdhënie intime që të zgjatin shumë. Po atëherë? Si duhet vepruar?
Së pari, në rast se midis dy partnerëve ka dashuri e respekt reciprok dhe duan të bashkohen në çift, ata duhet të mbyllin një sy e një vesh ndaj këtij vlerësimi të vlerave, duke e konsideruar si një të metë të partnerit. Pasi i njohin njëri-tjetrit pikëpamjet dhe dëshirat, është mirë që ata të fillojnë të krijojnë një vlerësim të përbashkët të vlerave të jetës, duke i bërë lëshime reciproke njëri-tjetrit. Kur nuk e shohin veten në gjendje për këtë (sigurisht kur është fjala për gjërat thelbësore dhe kryesore të jetës), është më mirë që të mos lidhen.
Prandaj sociologët dhe psikologët u japin rëndësi marrëdhënieve brenda përbrenda çiftit, duke rekomanduar që ata, para se të quajnë njëri-tjetrin “gjysma ime”, të kenë forcuar mes njëri-tjetrit ndjenjën e shoqërisë dhe të mirësisë, të jenë bërë shokë e miq. Kjo nuk është e lehtë. Pse? Së pari, sepse ne e përfytyrojmë ndjenjën e dashurisë si një ndjenjë romantike plot pasione seksuale…
Xhon Hotmani, specialist i dëgjuar për studimin e kësaj sfere të jetës, pohon se bazë e familjeve të lumtura është pikërisht miqësia e pandarë. “Marrëdhëniet miqësore, thotë ai, i përshkon organikisht një “rrymë delikatese”, që ecën krahas “rrymës erotike” dhe të dyja bashkë, mbajnë gjallë familjen. Sa më të forta të jenë themelet e miqësisë dhe afërsisë shpirtërore në një çift, aq më mirë i mbrojnë partnerët nga ndjenja të tilla si xhelozia, rutina, etj. “Por, edhe ndjenja e miqësisë duhet ruajtur”, thotë ai dhe jep disa këshilla për ta arritur këtë.
1. Kaloni së bashku kohën tuaj të lirë
Krijoni ritualin tuaj, duke kujtuar e kremtuar përvjetorin e njohjes, të fejesës, të martesës, madje edhe të “grindjes” së parë, e cila me humor e shaka mund të ndihmojë për t’i hedhur pa të keq një sy kritik gjithë rrugën e përshkuar bashkarisht deri tani. Por kjo do t’ju ndihmojë që ta respektoni më shumë njëri-tjetrin, të tregoheni sa më të afërt, të dashur, delikatë.
Në forcimin e ndjenjës së miqësisë, themelit të çdo bashkimi në çift, vazhdon specialisti Xhon Hotman, ndihmojnë shumë bashkëbisedimet tuaja. Heshtja, sidomos heshtjet e gjata, nuk janë në dobi të jetës familjare. Por kujdes, thekson ai, edhe fjalët e shumta nuk ndihmojnë dhe gjatë bisedave, përpiquni më shumë të tregoni për vete sesa të kritikoni partnerin…
2. Marrëdhëniet e rregullta seksuale
Një faktor tjetër që, sipas specialistëve, ndihmon në mbarëvajtjen e familjes, janë marrëdhëniet seksuale. Ato nuk janë vetëm “një mjet” për të gëzuar kënaqësitë e jetës, por edhe një mundësi për ta zbuluar para partnerit vetveten në mënyrën sa më të këndshme, për t’u afruar sa më shumë. Duhet patur parasysh që këto marrëdhënie intime të mos kalojnë në rutinë, “sa për të kaluar radhën”, por të mbajnë gjithmonë në vetvete atë tërheqje magnetike që ua ka dhënë vetë natyra, si mjeti kryesor për vazhdimin e llojit. Të mbahet i ndezur ky afsh edhe pasi kalojnë vitet… Në këtë pikë, seksologët nuk janë në një mendje me psikologët dhe sociologët, që pohojnë se për të forcuar marrëdhëniet familjare, për të patur një familje të lumtur, duhet qëndruar sa më pranë njëri-tjetrit, duhet ta kaloni bashkarisht gjithë kohën e lirë.
Ata bashkëshortë, thonë seksologët, që qëndrojnë gjithmonë së bashku, shpesh nuk e shikojnë njëri-tjetrin me syrin e partnerit seksual. “Atyre u bëhet burri vëlla dhe gruaja motër”, qeshin ata. Seksologu francez Zhan–Mishel Fitreman, rekomandon që bashkëshortët të largohen nganjëherë nga njëri-tjetri, por sidoqoftë, shton ai, bazë në këtë fushë mbetet harmonia në jetën seksuale. Kjo harmoni vjen kur partnerët kënaqin njëri-tjetrin gjatë marrëdhënieve seksuale. Bashkëshortët është mirë të flasin me njëri-tjetrin për seksin, jo vetëm në krevat. Kjo nuk mjafton. Kjo është një nga mënyrat për t’i mbajtur këto marrëdhënie në rendin e ditës…
3. Planet e përbashkëta
Një faktor tjetër që forcon jetën familjare dhe e bën familjen të lumtur janë edhe planet dhe ëndrrat e përbashkëta për jetën e çiftit dhe të fëmijëve, pas lindjes së tyre. Bashkëshortët duhet të shikojnë qartë të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre.