– Jam Sokoli, një i ri që kam mbaruar një fakultet, por që s’po më hyn në punë asgjëkundi. Nuk gjej dot punë. Para ca kohësh isha në punë, punoja në qytetin tim, por atje hoqën shumë nga puna mes tyre edhe unë. Tani, kam kohë që rri kot dhe më është mbushur mendja të iki jashtë, por në mënyrë të ligjshme dhe jo hajdutçe. Nuk jam shumë i informuar për procedurat dhe rrugën që duhet të ndjek për të emigruar. A ka ndonjë zyrë apo konsullatë që ofron këshilla në këtë aspekt? Jam në pritje të përgjigjes tuaj. Faleminderit.
Harbi Aliaj, avokat, tel 0682044002:- Punësimi jashtë shtetit lidhet jo thjesht me njohjen e procedurës por më së shumti me lidhjet dhe shkëmbimin e informacionit në vendet ku kërkohet forcë punëtore. Ka shumë agjenci punësimi brenda dhe jashtë si dhe zyra ndërmjetësimi për këtë qëllim. E rëndësishme është që të përputhen profesionet ku ka vende të lira dhe kualifikimi i kandidatëve për punë. Jo më me pak rëndësi është edhe njohja e gjuhës së huaj që është aspekt përzgjedhës. Nëse do të gjeni punëdhënësin konkret atëherë duhet t’i drejtoheni konsullatës përkatëse për të aplikuar për një vizë pune. Do të jetë kjo e fundit që do t’ju informojë në faqen e saj zyrtare në internet për procedurën konkrete dhe dokumentacionin përkatës.