Esra
Ronabar Falai është një aktore 40 vjeçare turke. Ajo ka lindur afër qytetit të Izmirit. Esra filloi
studimet për kimi në universitetin e Ankarasë, por i braktisi ato dhe vazhdoi
ato të aktrimit. Më në fund ajo diplomohet në Degën e Teatrit të universitetit
të Ankarasë. Ajo fillon të aktrojë që në universitet, në teatrin e Ankarasë. Më
pas ajo fillon të marrë pjesë edhe në reklama, seriale dhe në vitin 2007
shkruan dhe drejton një film dramatik, “Mos ki frikë nga jeta”. Ajo ka marrë
pjesë në 10 seriale, ku i fundit është “Xhenet”, në rolin e dyfishtë të Arzu
Sojerit/ Xhavidan Jëllmazit. Esra është martuar në vitin 2006 me aktorin Barish
Falai, me të cilin ka një djalë 9 vjeçar. Në vitin 2013 ajo bën një aksident
automobilistik, gjatë të cilit pëson
shumë fraktura, të cilat e detyruan të qëndronte për disa kohë larg skenave.
Megjithatë, aktualisht ajo i është rikthyer skenës më në formë se kurrë.
– Ku e ka burimin energjia jote e madhe?
– Unë ngrihem çdo ditë në orën 6.30 të mëngjesit, pi pak uthull molle, një lugë me vaj kokosi dhe ha një thelpi hudhër me stomakun bosh. Që kur kam filluar këtë zakon, kam qenë shumë më e fortë. Më pas pi çaj në ballkon, duke medituar dhe duke parë qiellin, shkoj të puth djalin dhe nisem për në punë. Meqë sheshxhirimin e kam larg, duhet të nisem në 7.30 që të jem në kohë në punë.
– Mund të na flasësh pak për rolin tënd në telenovelën “Xhenet”?
– Roli që unë luaj është ai i Arzu Sojerit, që ka një identitet të dyfishtë. Asaj i duhet të përballet me të shkuarën, kur quhej Xhavidan dhe që rikthehet sa herë që ajo përpiqet ta shmangë, ose ta harrojë.
– Ky është një rol i vështirë. Si u përgatite për të?
– Po, është e vështirë të përgatitesh për dy role bashkë, atë të Arzu Sojerit dhe Xhavidan Jëllmazit. Ajo është një grua e fortë, luftarake dhe rebele, që ka pasur një jetë të vështirë dhe ka rilindur nga hiri i saj. Një grua që e urrente veten dhe fëmijën që lindi, që mundohet të fshijë të kaluarën për të ndërtuar një jetë të re. Ajo nuk e kupton se ka krijuar Parajsën (Xhenetin), por që është duke shkuar në Ferr pasi ka vënë të heshtë zërin e Xhavidanit dhe e ka zëvendësuar atë me Arzunë. Kam punuar shumë për këtë rol.
– Arzu është një grua shumë ambicioze, që bën gjithçka për të arritur atë që do. Je edhe ti ambicioze si ajo?
– Ka situata kur njeriu është ambicioz, por nuk do të thotë se jam aq ambicioze sa ajo.
– Si është një ditë pune e jotja?
– Gjatë rrugës për në punë lexoj skenarin dhe kur shkoj në sheshxhirim vë muzikë të Moxartit ose Shopenit, që më bën me humor e mirë. Pastaj fillon grimi, rregullimi i flokëve, prova e kostumeve. Xhirimet fillojnë aty nga ora 10. 00 dhe vazhdojnë deri vonë. Kur interpretoj, unë zbuloj veten time nëpërmjet personazhit. Sa më shumë surpriza më dhuron ai, aq më e kënaqur kthehem në shtëpi, në darkë. Për fat të keq kthehem vonë, jo para orës 22.00. Kjo ka qenë jeta ime për 6 ditë në javë, 5 muaj rrjesht. Njëkohësisht mua më duhej të luaja edhe në teatër, dy herë në muaj. Sigurisht, kur nuk kam punë, jeta ime ndryshon.
– Si e ka ndryshuar mëmësia jetën tënde?
– Ka ndryshuar mënyrën se si i shoh njerëzit. Më parë nuk e kuptoja se çfarë sakrificash bën një prind për fëmijën, ndërsa tani, po. Mendoj se tek të gjithë ka këtë efekt, sidomos, nëse jeton në një qytet të madh si Stambolli, ku duhet të merresh me shumë gjëra njëkohësisht, karrierën, jetën shoqërore, miqtë, etj.
– Nuk është e lehtë të rrisësh një fëmijë në ditët e sotme, apo jo?
– Askush nuk rritet lehtë. Në fillim i telefonoja shpesh nënës sime dhe i thosha : “Nënë, më vjen keq, tani të kuptoj shumë mirë, më fal”. Duhet shumë durim t’i shpjegosh gjërat një fëmije, i cili ka një perceptim krejt ndryshe të botës nga ti. Ne jemi breza të ndryshëm dhe fëmijët e sotëm kanë një fëmijëri krejt ndryshe nga ne. Fëmijët janë individë më vete, por përsëri janë fëmijë. Duhet ta marrësh shtruar t’u përgjigjesh gjithë pyetjeve që ata bëjnë.
– Cila është marëdhënia që ke me djalin?
– Ne të dy zbavitemi me njëri-tjetrin, sepse jemi shokë. Por njëkohësisht unë jam edhe nëna e tij dhe kam përgjegjësi për të. Unë dua të rris një individ që mund të ketë vendimet e tij, të jetë i lirë, etj, gjë që kërkon punë.
– Si arrin të kujdesesh për djalin në këtë kohë të kufizuar që ke ?
– Është e vërtetë që këtë vit kam qenë shumë e ngarkuar, por mundohem që gjithë kohën e lirë që kam t’ia jap atij.
– Ju jeni të dy prindër aktorë. Organizoheni që të mos luani në të njëjtën kohë me burrin, Barish Falajin?
– Ne përpiqemi për këtë, por jo gjithçka është në dorën tonë. Sigurisht, unë këto 9 vitet e fundit jam marrë shumë me djalin. Ai tani është 9 vjeç dhe ia kemi dalë mirë deri më tani.
– Si e mendon jetën tënde tani?
– Mendoj se po jetoj një kohë shumë speciale në jetën time. Prindërit e mi janë gjallë, kam djalin. Kjo mund të duket gjë banale, por është shumë speciale. Kur njeriu ka pranë njerëzit e dashur, gjithçka shkon mirë. Për shembull, unë humba shëndetin, por e fitova prapë atë dhe aty e kuptova më mirë vlerën e tij.
– Si është marëdhënia jote me nënën tënde?
– Nëna dhe djali janë idhujt e mi. unë kam mësuar shumë prej të dyve. Edhe unë nuk e shihja shumë nënën time, pasi ajo punonte në një bankë. Por unë nuk mendoj se nëna duhet të qëndrojë e lidhur pas fëmijës 24 orë në ditë.
– Para disa vitesh ti pësove një aksident me makina që gati të kushtoi jetën. Si arrite ta marrësh veten?
– Po, ishte një aksident shumë i rëndë. Unë po shkoja në punë me makinën e punës, kur një kamion erdhi në anën time të rrugës dhe më zuri nën vete. Kur më nxorrën nga poshtë kamionit kisha fraktura në gjithë trupin. 15 ditë qëndrova në komë, për dy muaj të tërë gjithë ana e majtë e trupit ishte pjesërisht e paralizuar. Kam qëndruar 6 muaj në një karrige me rrota dhe për muaj të tërë me paterica. Mjekët e quajtën një mrekulli që arrita të përdorja krahun tim përsëri. Megjithatë, falë ndihmës së ti shoqi dhe tim biri arrita t’i jap kurajë vetes dhe të ngrihem në këmbë.
– Çfarë mësove nga ky aksident?
– Që jeta është diçka shumë e çmuar. Ne të gjithë zgjohemi në mëngjes, shkojmë në punë, gatuajmë, kujdesemi për fëmijët dhe të gjitha këto na duken normale, por në fakt çdo ditë e re është një dhuratë e re që na jepet. Çdo ditë unë shoh duart, këmbët dhe veten në pasqyrë dhe kuptoj se nuk na duhet asgjë tjetër për të qenë të lumtur. Këtë gjë mësova gjatë 18 mujave të kovaleshencës.
– Si ishte Esra para aksidentit?
– Esra para aksidentit ishte një njëri që donte t’i bënte të gjitha gjërat në mënyrë të përkryer, të ishte një nënë e përkryer, një grua e përkryer dhe, sigurisht, një aktore e përkryer. Më pas kuptova se një jetë e tillë është e pamundur. Tani jam mirë dhe e kam marrë veten plotësisht, por ishte një proçes i vështirë.
– Në një intervistë ti ke folur për martesën tënde me Barishin dhe ke thënë se me aksidentin ajo kaloi një sprovë të vështirë. Është ai gjithmonë mbështetësi yt?
– Po, ai më dha fuqi të ngrihesha në këmbë. Ai nuk është vetëm burri im, por edhe shoku dhe miku im më i ngushtë.
– Mendon të bësh një fëmijë të dytë?
– Do të doja, por në këto katër vjetët e fundit kam bërë katër ndërhyrje kirurgjikale. Tani më ka marrë malli për punën dhe dua të punoj.
– Cilat janë përparësitë dhe jo të martesës së dy aktorëve?
– Ne gjithmonë kemi pasur përparësi, pasi flasim dhe diskutojmë për skenarët e ndryshëm që na jepen. Është diçka e mirë që ne gjetëm njëri-tjetrin në këtë univers.