Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Kozeta Kurti: Është zgjedhje, jo matematikë

Kozeta Kurti është një personazh mediatik që mban ndoshta rekord për  mënyrën e drejtpërdrejtë dhe me këmbë në tokë! Ka punuar dhe ka arritur shumë, e gjen në libra, në radio, në televizion, madje edhe si producente shfaqjesh teatrale si ajo e fundit me titulll “At Sergi”, e vënë në skenë në bazë të novelës me të njëjtin emër. Më Kozetën realizuam një intervistë të projektuar prej kohësh por tani ishte momenti i duhur për ta sjellë në jetë!

Fabjola Kuburi:- Kozeta, për mua je ndër personazhet më të qarta dhe drejtpërdrejta shqiptare dhe dua që përmes shkronjave të alfabetit ne, lexuesit, të gjithë ata që pëlqejnë vlerat të njohin Kozetën siç nuk e kanë parë, lexuar apo njohur më parë. Ta nisim me A si “At Sergi”, pjesa e sapo vënë në skenë që rikthehet këtë javë dhe është deri në fund të nëntorit, bazuar në novelën e Tolstoit me të njëjtin titull, të sjell ty si producente të kësaj pjese teatrale,  sa punë të është dashur të sjellësh në formën përfundimtare për të qenë gati për spektatorin?

Advertisement

Kozeta Kurti:- Ëndrra për ta vënë në skenë është tetëmbëdhjetë vjeçare, dëshira dhjetëvjeçare, ndërsa puna konkrete një vit e gjysmë, kuptohet tre muajt e fundit në mënyrë më intensive, që nga pjesëmarja në audicion sëbashku me regjisorin dhe kompozitorin, tek mbledhja e fondeve, tek preventivimi, kontratat e deri tek bashkëpunimi për kostumografinë, skenografinë, “shitja” e shfaqjes në media, apo detaje të tjera të rekuizitave.
B për besimin… Duhet shumë punë që të fitosh besimin tënd duke qenë se njerëzit që lexojnë shumë edhe dijnë shumë, janë edhe më skeptikë?

– Është e vërtetë që besimin tim s’e fiton lehtë, por kjo s’ka të bëjë me dijen dhe aq, se sa me nuhatjen time personale për vendosjen e marrëdhënieve midis njerëzve; e rëndësishmë është të shkëmbejmë energji pozitive mes njëri-tjetrit; dijet, informacioni, kultura, përvoja, janë çështje që i takojnë investimit personal të njeriut. Pra, e rëndësishme është t’a fitosh besimin si njeri së pari, pastaj, po, kërkesat për punën i kam shumë të larta dhe s’bëj asnjë kompromis në emër të tyre.
– C për cilësinë… Cila është cilësia më e domosdoshme për një gazetare të cilën publiku e t’a konsiderojë profesionale dhe me nivel?

– Do të përmend atë që konsideroj burim të cilësive të tjera: sinqeritetin përballë publikut.
– D për dëshirën… Do t’ia plotësoje vetes edhe ato dëshira që rrezikojnë të lëndojnë njerëzit që ke pranë?
Kurrë! Unë kam aq shumë dëshira, sa mund të hidhem menjëherë tek tjetra. Ose, jam aq fleksibël sa ta plotësoj dëshirën time, pa ja plasur tjetrit në fytyrë, në mënyrë që jo vetëm të mos e lëndoj, por tjetri ta kuptojë që unë e meritoj ta plotësoj këtë dëshirë.

– E për eksperiencë…ke lëvruar në disa fusha të artit, çdo eksperiencë e saj mund të konsiderohet si një fitore në portofolin e arritjeve të tua?
Po. Kam bërë atë që kam dashur, si mënyrën e vetme për ta bërë diçka dhe për ta bërë mirë. Kam gjetur një motiv personal që më ka lidhur me një veprimtari artistike, sepse e kam ditur që kështu do të përkushtohesha me kohë të plotë. Kështu kam bërë me eventet e muzikës, me teatrin së fundmi, me librat më parë. Unë kam pasur fatin që eksperiencat t’i kem të suksesshme, por sido që të kishin shkuar, çdo eksperiëncë është eksperiencë; edhe nga ajo më e keqja, më e dështuara, ti mëson së paku, se çfarë nuk duhe të bësh.

F për fejesa…para disa kohësh “të fejuan” në media, por  kur do fejohesh prej vërteti, ndonjë llokum ndonjë amaretë…?
– Nuk kam qenë asnjëherë kundër… thjesht e kam të vështirë të jem e gatshme. Nuk e di dhe për sa kohë. Është zgjedhje, nuk është matematikë.

– G për gabimin… Cili është gabimi që nuk do t`ia falje kurrë, askujt?

– Të më cënojnë familjen. Sado  nga larg, për cilëndo arsye…!
– H për hulumtimin… A është hulumtimi pika më e fortë e një gazetari të mirëfilltë?

– Jo vetëm e një gazetari të mirëfilltë; e një studiuesi, e një akademiku, e një njeriu që e bën luftën me argument, e një tjetri që investohet për të pasur gjithmonë një përgjigje gati, sidomos në një fushë të caktuar.
I për ikanake… besoj se nuk je aspak e tillë apo jo?

– Përkundrazi. Unë jam, vij apo kthehem, edhe aty, ku me gjasë, as nuk kam punë fare të jem.
– J për jetën…  ti kthehesh në faqet e gazetës “Intervista” pas shumë kohësh… Pa të pyetur fare ne, ç’gjë e re ka ndodhur në jetën tënde që nga hera e fundit që të kemi intervistuar që ti do të na e tregosh vetë?

– Jam rritur shumë, jam shkolluar më shumë, jam bërë më e pavarur, në vendimarrje e kam fjalën, kam bërë shumë miq, kam fituar besimin e shumë njerëzve, kam shumë më tepër eksperienca, kam mësuar të vlerësoj gjërat e vogla, nga ku buron lumturia e madhe, jam bërë më e hapur, si në impenjimet profionale ashtu edhe në angazhimet e jetës personale.

K si Kozeta…e mendoje kur ishe e vogël se një ditë do bëheshe një Kozetë e njohur për të gjithë?

– Nuk e kam ditur nëse do bëhesha apo jo, por po, e kam ëndërruar që kur kam qenë katër vjeç, që kur s’e dija ende çfarë ishte, por më kapte dëshira ta fusja dorën në televizor dhe t’i kapja njerëzit që ndodheshin brenda asaj kutie magjike.
L për libra… Kozeta dhe librat kanë një lidhje të jashtëzakonshme apo jo, më trego pak më shumë për këtë marrëdhëni tënde që ke me to, përkthen, vë në skenë, bën shumë gjëra me to…! Ke edhe një kryveper që sapo ke mbaruar përkthimin apo jo, sa kohë të ka marrë kjo gjë?

– Për fatin tim po. U rrita në një mjedis që librat duheshin shumë. Kam patur fat me miqtë e shkollës së mesme kryesisht, pastaj më pak me shokët e fakultetit, sepse aty mësova të lexoj. Pastaj u rrita dhe zgjodha e zgjedh vetë të lexoj. Më vjen keq që nuk e kam më kohën si dikur, por sidoqoftë, ndoshta lexoj më pak, por edhe përkthej paralelisht dhe ngushëllohem me këtë lloj kompensimi. Kam disa përkthime në tregun e librit, së fundmi sapo ka mbaruar një vepër të Grisham-it ,“Përfituesi”. Pak muaj më parë, përktheva një dramë të Tennessee Ëilliams që e vumë në teatër, kam një libër si autore për historinë e muzikës së viteve ’90-të në Shqipëri. I dua librat.
M për muzikë…  Je pa frikë një nga ekspertet e muzikës përsa u takon shijeve dhe jo pentagrameve, sepse prej vitesh punon me preferencat muzikore… Tregu muzikor është ende i sëmurë? 

Nëse librat i dua, muzikën e adhuroj, sepse është arti që nuk e sheh, nuk e prek, por ndjesia që të jep (ose s’të jep), është kaq e fortë, sa ti as arsyen shpesh nuk e kupton.  Shijet janë personale, relative. Dikur mendoja “muzikë e mirë dhe muzikë e keqe,  kurse sot mendoj “muzikë që më pëlqen dhe muzikë që s’më pëlqen”. Për muzikën e kam fjalën, jo për përpjekjet e mundimshme për të shitur seks në emër të muzikës.


N për natën… Nata është koha më e mirë për të shkruar, përkthyer, krijuar?
– Absolutisht po. Ditën jo gjithmonë i zgjedhim me dëshirë gjërat që duhet të bëjmë, njerëzit që duhet të takojmë.  Kush më njeh nga afër, bashkëpunëtorët-miq që kam, nëse e lexojnë këtë intervistë, do të buzëqeshin e do të thonë: na merr frika me na dalë gjumi natën, sepse shohim postimet e Kozetës dhe themi me vete: “Mos! Kushedi çfarë i ka shkrepur në kokë tani”.

– O për opinionist.. e dua një mendim prej teje për opinionistët tanë…!

– Për cilët e ke fjalën? Ata të njëjtit që flasin për librat, filmat, muzikën, seksin, astronominë, gastronominë, rrobaqepësinë, etj etj? Mendimit të tyre, më vjen keq, por as e dehur apo jo e vetëdijshme, nuk u besoj!

P për përsëritje…mendon se ka një përsëritje të vazhdueshme të personazheve në Shqipëri, pra një shterim të burimeve të reja artistike apo është e kundërta? 
– Unë e vë re përsëritjen, por nuk jam në gjendje të kuptoj, nëse nuk kemi burime të reja, apo se të “vjetrit” nuk lëshojnë pè dhe kanë zënë rrënjë. E dua përvojën e tyre, por nëse do të kombinohej me energjinë e të rinjve, më pak do të ishim ankuar.

Q për qëllimin… Cili është ai kryesori në jetën tënde?

– Të jem dhe të vdes “njeri”.
– Rr për rrezik… Të pëlqen rreziku apo i shmangesh atij?

– Është adrenalina ime më e madhe. Nuk e kam fjalën për sporte e shpejtësi ekstreme. E kam fjalën për sfida, nga ato që konsiderohen të pamundura, sepse po i hyre, rrezikon ta prishësh me këtë apo atë, të heqësh dorë nga kjo apo jo. Dua të hyj në lojë dhe të jem e sinqertë, humbjen kam problem ta pranoj.
S për sukses.. E di që do më thuash se gjithsesi, jeta jote është modeste, megjithatë, për të qenë të sinqertë dhe realistë ke arritur shumë… E pra, cili është sekreti i këtij suksesi?

– Jo, nuk  e them që jeta imë është modeste. E di pse? Sepse edhe vetë suksesi mund të jetë modest dhe mendoj që ky është sekreti. Unë nuk kam abuzuar asnjëherë në emër të arritjes apo të suksesit, kam qenë e vëmendshme për të kuptuar që këto gjëra janë jeta ime; unë kështu do të shkoj deri në fund të saj, nuk jam këtu sot për nesër. Mendoj që kam ditur të menaxhoj mendjen fluturake të një të reje 15 a 16 vjet më parë, për të fituar qetësinë që kam sot.
– Sh për  Shqipërinë…në një shkrim pak ditë më parë ke dhënë shumë arsye pse duhet qëndruar në Shqipëri për ata që janë 36 vjeç e sipër, po ata që janë poshtë 36 viteve duhet të ikin apo të qendrojnë?

– Shqipëria nuk është parajsa në tokë. Shqipëria ka 1001 probleme e të zeza, ose më saktë shqiptarët i kanë. Shkrimi im ishte replikë e një shkrimi tjetër pa autor, me titull “Nëse je 20 vjeç, ik nga Shiqëria”. Unë s’kam asgjë me ikjen, as me qëndrimin; është vendimmarrje personale dhe siç thoshte Remarku: “Qyteti më i bukur në botë është ai ku njeriu rron i lumtur”. Ajo që më bezdis është fakti që njerëzit presin t’u ndodhin ndryshimet me magji dhe nuk bëjnë asgjë për të ndryshuar së paku veten (përjashtime ka plot, por s’po flas për rast, por për fenomen). Dhe që ende vazhdojnë hanë bukën e tyre e bëjnë llogaritë e të tjerëve…!
T për televizion… Nga eksperienca jote, ç’do t’u këshilloje vajzave që mendojnë se gazetaria është të lyhesh, të bëhesh e bukur e të dalësh në televizor?

– Ato kanë të drejtë… atyre ashtu u thonë, ashtu ua kërkojnë… si t’ja bëj t’u mbush mendjen investitorëve të medias që: njerëz, ju keni lekët, kaq. Më shumë nga kjo punë, nuk merrni vesh! Po s’ndryshoi mentaliteti i tyre, s’ka ndryshim, as në formë, as në përmbajtje.
– U për urinë… Atë që njerëzit e varfër e ndjejnë përditë, ndryshe nga ne të dyja…çfarë të vjen në mendje kur preket kjo temë? 

-Shumë gjëra më vijnë në mendje….nga njëra anë inati që më mbërthen kur persona të caktuar që po vdesin për bukën e gojës, mua personalisht më kanë thënë: s’dal për kaq lekë unë… po pastaj më duhet dhe taksia të kthehem se  e kam shtëpinë larg… dhe nga ana tjetër, mungesa e fuqisë, fakti që jam aq e vogël dhe mikroskopike për të ndryshuar jetën e atyre që vërtetë e meritojnë, por s’munden…!
– V për viktimën… Më ka ardhur në majë të hundës me femrat që hiqen si viktima, mendon edhe ti si unë?

– Mendoj si ty. (për ato që viktimizohen, sigurisht) Viktimizojnë veten, viktimizojnë njëra –tjetrën dhe pastaj… duan respekt!

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Pjelloria varet nga shëndeti i dhëmbëve

Next Post

Ushqimi me shumë yndyrë i dëmshëm për spermën

Advertisement