Një poster i madh me reklamen e operas “Rigoleto” më terhoqi vëmendjen në metronë e Parisit dhe direkt syri, instinktivisht, më shkoi te fjalët: “Duka i Mantovës – Saimir Pirgu”… Pra, tenori i njohur, shqiptari Saimir Pirgu do të interpretonte në Paris, në teatrin “Champs Elysées”, një ndër më të famshmit e kryeqytetit francez… Një mesazh në “Facebook” dhe me Sajmirin e lamë takimin ditën e shfaqjes, në orën 17.30 para teatrit, te hyrja e artistëve. Ai erdhi në kohë. I veshur elegant, në të zeza…
Artan Kristo: -Eshtë ky kulmi i karrierës tënde, Saimir?
Saimir Pirgu: – Unë do të thoja është një vazhdim kariere që më ka ecur goxha mirë. Tani (unë jam 37 vjeç) është mosha e duhur për të korrur ato çka unë kam mbjellë gjatë këtyre viteve…
– Pra, është një vazhdim karriere në një shkallë shumë të lartë…
– Unë kam patur fatin që, qysh që fillim të karrierës sime, të hyj nga “dera e madhe” e kësaj botës së operas, pra, e kam filluar nga teatrot e mëdha dhe jam munduar të qëndroj aty…
– Si ke mundur të hysh e të rrish në këto “dyer të mëdha”?
– Nuk e kam bërë këtë duke manipuluar e duke blerë njerëzit, jo. E vetmja gjë që kam bërë është: studim, studim, studim, studim… Studim dhe një lloj largpamësie në caktimin e objektivit tim…
– Çfarë nënkupton me studim? E bëj këtë pyetje për lexuesin e thjeshtë. Studim janë provat, apo…?
-Një opera ka 2-3 mijë faqe material e duhet mbajtur mend permendësh e tëra. Dhe unë nuk bëj një opera në vit, por disa. Sot kam këtu “Rigoleton”, nesër bëj “Traviatën” në një kryeqytete tjetër e pasnesër, diçka tjetër. Veç kësaj opera nuk është si teatri, që mëson pjesën dhe… mbaroi. Tekstin duhet ta lidhësh me muzikën, me orkestrën, me kolegët që nuk janë të njëjtët, apo të ngjashëm etj.
-Eshtë e vështirër të mbash mend 3 mijë faqe ?
-Për mua që jam “i zanatit” nuk është i vështirë, aq më shumë që më ndihmon edhe muzika për të mbajtur mend…
– Pa muzikë do i mbaje mend vargjet e një opere?
– Jo, absolutisht jo. Muzika është një lloj ekuilinbri mendor, një lloj matematike e llogjikshme që tgë ndihmon për të kujtuar tekstin.
– Një rol quhet i vështirë kur ka shumë faqe?
– Jo, varet nga ndërtimi i operas, nga pesha e rolit. Roli im te Rosini ka 600 faqe më tepër, por kjo nuk e bën atë më të veshtirin.
– Po Duka i Mantovës është i vështirë?
– Eshte i vështire sepse është një nga rolet kryesore te repertorit operistik dhe e kanë kënduar pothuajse të gjithë tenorët e njohur si Kareras, Pavaroti, Domingo, dhe ke shumë konkurencë…
– Te streson gjate shfaqjeve kjo gjë, domethënë kur mendon se këtë rol, për shembull, këtu në këtë skenë e ka kënduar edhe Pavaroti?
– Patjeter. Kjo është ajo “konkurenca” që përmenda më lart. Ky është fat, në fakt, por është edhe një kënaqësi. Kur një rol të tillë e këndon në shumë skena të mëdha, siç ka ndodhur me mua, që e kam kënduar edhe në e arenën e Veronës, edhe në Londër, edhe ne shume skena te tjera europiane) të shtohet garancia dhe forca për të përballuar këtë peshë të madhë te rolit…
– Ti me Pavarotin kë nje lidhje të veçantë apo jo? Veç kësaj, kam lexuar se ti vendose për t’i hyrë rrugës së kantos vetëm pasi pe në televizion koncertin e tre tenoreve të famshëm, apo jo ?
– Po, ishin vitet e luftës së çmendur të 97-ës. Unë kisha mbaruar liceun për violinë dhe, në moshën 18 vjeçare pashë koncertin e tyre. Aty me lindi dëshira për të studiuar për kanto. Emigrova në Itali dhe fillova shkollën në Bolzano. Atë kohë Pavaroti ndodhej aty në një qendër klimaterike për arësye shendetësore. Atij i lindi dëshira që kohën e lirë ta shfrytëzonte duke dhënë mësim studentëve të kantos. Dhe për këtë zgjodhi disa studentë. Ishte fati im të isha një prej tyre. Që aty filloi lidhja ime me Pavarotin. Ai më ndoqi pastaj në tërë karierën time. Sa herë kisha role të rinj në skenë i studioja bashkë me të . Ai ka qënë dhe mbetet mentori im
-Çfarë mësove nga Pavaroti ?
– Ai i kushtonte shumë rëndësi diksionit, shqiptimit të fjalës. “Nuk mund të interpretosh mirë nëse spektatori nuk të kupton 100 për qind të asaj që këndon”, thoshtë shpesh. Dhe ai vetë kishte një diksion të përkryer
-Përse i je mirënjohës atij ?
-Jam i mirënjohës për çdo gjë që kam arritur. Unë nuk do isha bërë tenor i këtij niveli nëse nuk do kisha marreë leksionet e para nga ai. Dhe këto leksione nuk kanë qenë vetëm se si të këndoja, por si të sillesha. Unë kam mësuar nga ai të gjitha ato që mëson kur je afër një mbreti, mëson si vepron ai, si sillet ai, si i trajton problemet ai… Githmonë në aspokektin profesional, të kuptohemi…
– Ke thënë në një intervistë se « jeta ime është si një ëndërr ». Mund të na e shpjegosh këtë? Pse?
– Eshtë, si të mos jetë? Jam 37 vjeç dhe, që kur kam ikur nga Shqipëria kam parë pothuaj gjithë shtetet e botës. Më kanë mbetur pa parë shtete të Afrikës ku nuk ka opera. Imagjiononi vetëm këtë detaj për të kuptuar se sa “i pasur” jam unë shpirtërisht. Dhe nuk i kam parë si turist, por si pjesëmarrës i qendrës së jetës kulturore e artistike të nje vendi, siç është opera. E këni vënë re se gjithë operat janë në qendër të qyteteve?! E pra, nuk ështërastësisht. Se opera është maja e jetes artistike e të shoqërisë të një vendi. Këtë unë e quaj fat. Ndaj them se jeta ime është si një ëndërr…
– Këtë jetë që bën tani e kishe ëndërruar në Elbasan, më 97-ën? Më thuaj të drejtën?
– Jo, absolutisht. Endërroja vetëm një jetë më të mirë. Asgjë më shumë.
– Sipas specialistëve të operas, je një ndër yjet e muzikës operistike botërore aktuale. Çfarë ka ndryshuar në jetën tënde private tani, krahasuar me kohën kur nuk ishte “yll” ? Tani jeta jote është plot udhëtime, shfaqje, sukses, darka luksoze pas shfaqejeve. Kështu është, apo jo?
– Do ta nis nga lluksi. Lluksi nuk ka të bëjë me jetën e një “ylli”. Mund të jesh yll e mos jetosh në lluks, ose edhe e kundërta. Për mua lluksi nuk është qëllim në vetvete. Lluksi është i rëndësishëm, por jo kaq i nevojshëm. Unë jam i kënaqur nga jeta që bëj, edhe pse nuk është gjithnjë lluksoze. Mundohem përditë që të bëj jetën time sikur të mos isha ky që jam në jetën artistike. Nuk e kam parë jetën time si star, sepse nuk dua të përziej jetën private me jetën artistike. Eci gjithnjë me mendimin se unë bëj një punë që u shërbej njerëzve, i argëtoj ata, ashtu siç argëtojnë edhe kllounët… Ndofta sepse e kam nisur karierën me yjet e mëdhenj e, karahasuar me ta, mbetëm gjithnjë një yll i vogël (Qesh). Metri i matjes së jetes sime është shumë rigoroz. Pretendoj shumë më shumë se ç’kam arritur…
-Nuk janë realizuar gjithë endrrat e tua? Ke ndonje ëndërr në sirtar?
– Për momentin jo. Ndofta do të ishte një ëndërr e bukur që me këto teknologjitë e reja që po dalin të linim diçka pas për njerëzit, që ata, shtresa e gjërëe njerëzve të kuptonte punën tonë, që opera të bëhej më e kuptueshme për të gjithë…
– Ka edhe vështirësi e halle në jetën tënde?
– Kam edhe unë probleme si gjithë njerëzit, nxehem nganjeherë, nevrikosem, sëmurem… Çdo njeri ka ndjenjat, hallet, kam jetën e përditshme. Ajo që më pëlqen është se në jetën time nuk kam përgjegjësi. Ajo s’me tërheq. Nuk do të isha kurrë një politikan që të kisha përgjëegjësinë e popullit tim. E bukura e punës sime është që bëj një rol që edhe po nuk e realizova 100 për qind, nuk do vdesë njeri… Unë nuk do kisha bërë kurë mjekun ose dentistin që janë punë me shumë përgjegjësi. Unë dua të jem në shërbim të njerëzve, por nuk më pëlqejnë përgjegjëesitë…
-Çfarë bën për ta mbajtur zerin në formë? I privon ndonjë gjë vetes?
– Jam munduar të shoh zanatin tim normalisht. Kur është ftohtë mbulohem e kur është ngrohtë zbulohem, si gjithë të tjerët. Ta thashë edhe më lart, kurrë nuk kam dashur që profesioni im të ndikojë në jetën time private.
– Po ndonjë ritual që e bën gjithnjë para se të hysh në skenë, ke?
– Jo nuk jam supersticioz. Nuk besoj shumë në këto gjëra. Besoj në atë që bëj, në punën që bëj para shfaqjes. Sigurisht që ditën e shfaqjeve mundohem të fle gjatë dhe gjithnjë nisem për shfaqje pas nje dushi të bollshëm. Mundohem që para shfaqjes të mos “infektohem” nga lajmet e përditshme që mund të më shqetësojnë. Dua të përqëndrohem te shfaqja e te asgjë tjeter.
– Çfarë bën në kohën e lirë?
– Kam dëshirë të rri me miqtë e mi që tani i gjej në shumë vende të botës. Kam jetë private e shoqëre te pasur. Mundohem ta jetoj atë sa më normalisht e jo si “star”… Nuk dua që kur të zgjohem nga kjo ëndërr të them: “O bo bo ç’do të bëj tani?”. Shkoj në disko, night-club, apo restorant. Nuk e vras mendjen fare. Bëj atë që më pëlqen. Shijoj çdo moment të bukur të jetës që profesioni i im më jep mundësinë t’i kem me shumicë…
– Ke dy nënshtesi, italiane e shqiptare. Si prezantohesh me të huajt ?
– Saimir nuk është emër i zakonshëm e shpesh më pyesin se çfarë jam. Prezantohem si shqiptar, shqiptar100 karatësh. Jam bërë i njohur si shqiptar dhe kështu kam vazhduar. Kudo thuhet togfjaleshi “tenori shqiptar Saimir Pirgu”. Unë shtetësinë italiane e kam marrë shumë vonë. Rreth 3-4 vjet më përpara…
– … dhe të është dhënë direkt nga presidenti italian Napoletano me motivacionin: për kontribut në operan italiane në botë, apo jo?
– Po, dhe për këtë falenderoj atë dhe gjithë miqtë e kolegë italianë që më kanë ndihmuar në këtë rrugë…
– Po në jetën e përditshme je shqiptar?
– Nuk e di dallimin mes një shqiptari, apo italiani? (Qesh)
– Për shembull italianët, ndryshe nga shqiptarët, hanë makarona çdo dreke. Ti…?
– Edhe unë ha makarona çdo drekë.
– Shqiptarët pijnë zakonisht raki e jo verë…
-Aha, unë pi verë, por mendoj që nëse shqiptarët do të kishin mundësi të pinin verë, do pinin verë në vend të rakisë… Dua të theksoj se edhe pse kam gjysmën e jetës jashtë, ndjehem 100 për qind shqiptar dhe shqipen e flas pa asnjë akcent apo gabim, edhe pse shumë shqiptrarë që jetojnë jashtë “lëshojnë” në gjuhë…
– Ke punuar me dirigjentët më të njohur në botë, të njohur edhe për publikun e thjeshtë shqiptar, si Rikardo Muti, Klaudio Abado, Zubin Mehta, Lorin Mazel. Cili prej tyre është më i veçanti ? Mund të na thuash ndonjë kuriozitet nga puna me ta ?
.Të gjithë këta që përmende janë monumente të artit botëror. Jam krenar se të gjithë këta, në vitë të ndryshme të jetës sime, kanë dhënë një kontribut të veçantë në atë çka unë jam sot, ndaj nuk mund të veçoj asnjërin.
– Gjithashtu ke punuar edhe me Vudi Alen, si regjisor. Si është Vudi jashtë ekranit?
– Po ai bëri një eksperiment në “Alley”. Vuri në skenë si regjisor një komendi të Puçinit.U dha në skenat më të mëdha, duke korrur një sukses botëror. Për mua ishte e veçantë sepse debutimin në Amerikë e kam bërë me një emer të madh të botës hollivudiane si Vudi Allen. E çuditshme ishte respekti që ai kishte për ne, artistët e operas. Ai ishte pothuajse i impresionuar dhe i ndrojtur para nesh, sidomos ne javët e para. Për mua, për mënyrën e vënies në skenë, ai është një gjeni…
– Në Uikipedia nuk thuhet asgjë për jetën tënde private. Zgjedhje e jotja?
– Unë nuk flas kurrë për jetën private, as timen e as të ndonjë tjetri. Mendoj se jeta e një ërtisti është e vlefshme vetëm për atë çka bën në art. Jeta private pak rëndësi ka. Megjithethese njerezit vdesin për pak thashetheme, une mendoj se jeta ime private nuk duhet t’u interesojë atyre.
– Nuk do na thuash as ne asgjë, je i martuar, i dashuruar, apo i lirë?
– Po ju them vetëm që nuk jam i martuar. Kur të martohem do ua them… (Qesh)