Përgëzimet e mia redaksisë së gazetës “Intervista”! Jam Berti nga Durrësi dhe do t’ju rrëfej një mëkat, që faktikisht nuk është i imi, edhe pse e pranoj që një pjesë të fajit e kam unë. S’ka gjë më të rëndë se ajo që më bëri gruaja ime! Personi që e doja aq shumë, arriti të më merrte dhe dritën e syve të mi, fëmijët.
Në rini ishim një çift i mrekullueshëm dhe megjithëse tashmë kanë kaluar plot 20 vjet, e kujtoj me shumë mall atë kohë, shëtitjet përgjatë bregut të detit, momentet e bukura dhe të trishtuara që kemi kaluar bashkë. Kujtoj momentin kur u fejuam, shkëmbimin e unazave, dëshmi e premtimeve tona të përjetshme. Pastaj erdhi lindja e fëmijëve… Kam përjetuar emocione shumë të forta kur i mbaja në krahë. Ishim një familje e konsoliduar.
Unë pata mundësinë të punoja në Tiranë për disa kohë, sepse atje m’u ofrua një vend pune me pagë të mirë, kështu që për kushte sa më të larta jetese mora përsipër të bëja stërmundime dhe ta kaloja një pjesë të madhe të kohës sime në Tiranë. Kishte raste kur punoja me orar të zgjatur dhe nuk mund ta arrija autobusin e fundit për në Durrës, ndaj edhe e kaloja natën te kunata ime e cila ishte e martuar dhe jetonte në Tiranë. Më në fund, arrita të bëja edhe disa shokë, kështu që koha pa familjen filloi të bëhej më pak e zymtë.
Kur flija në Tiranë e lajmëroja gruan dhe ju betohem që gjumin nuk e bëja aspak të rehatshëm. E di që ishte thjesht psikologjike, Durrësi nuk është aspak larg me Tiranën, por doja që të tre ata të ishin më afër meje, kështu që do të ndiheshim të gjithë më të sigurtë.
Edhe pse larg nga njëri-tjetri për një pjesë të madhe të ditës, prapë se prapë ne vazhdonim të ishim shumë të lidhur dhe jeta po na shkonte për bukuri, por ja që nes mes të gjithë këtyre gjërave të mira që na kishte falur Zoti, na ra një fatkeqësi e madhe. Ime shoqe u sëmur dhe iu nënshtrua një operacioni në mitër kështu që për njëfarë kohe nuk mund të kryente më marrëdhënie seksuale.
Deri në atë kohë gëzonim një jetë seksuale të shëndetshme, ishim që të dy ende të aftë për ta kënaqur nëjri-tjetrin dhe kur na nodhi kjo, unë nuk mendoja fare për të ardhmen e raportit tonë seksual, por doja me gjithë zemër që ime shoqe të shërohej. Vetëm kjo gjë kishte rëndësi për mua.
Me gjithë dëshirën time për t’i qëndruar pranë, nuk mund të rrija më shumë se tri ditë, pasi rrezikoja vendin e punës, por pasditeve sundohesha të shkoja shumë shpejt në shtëpi. Gjithë kohën mendoja për shëndetin e time shoqeje. Nuk më hynte asgjë në sy. Në një moment mendoja të braktisja çdo gjë, por mendoja pastaj pasojat e papunësisë time. I lutesha Zotit që ajo të shërohej sa më shpejt dhe familjes sonë t’i kthehej lumturia si më parë.
Pasi kaluan disa muaj dhe unë isha ndarë pothuajse krejtësisht nga shokët e mi (nuk shkoja as në kafe me ata pasi isha shumë i trishtuar dhe nuk doja të bëja asgjë tjetër veçse të mendoja për time shoqe gjatë kohës që e kisha larg), një shok i punës, shefi im, më ftoi te darka e ditëlindjes së tij. Më tha se do ta organizonte vetëm me ne, kolektivin e punës dhe po ngulte këmbë aq shumë që unë të shkoja sa më erdhi shumë zor.
– Hajde Berti, tani! Lëre mënjanë mërzinë! Jeta i ka edhe të mirat, edhe të këqijat. Nëse vjen me ne, edhe ti harron për disa çaste problemet e tua, edhe mua do të më nderoje shumë me ardhjen tënde. Hajde tani, nuk bëhet kështu…
Pasi më tha këto, nuk mund ta refuzoja më, aq më tepër që atë e kisha shef. Mora në telefon time shoqe dhe e pyeta nëse do ta kishte problem që unë të shkoja për darkë me kolektivin për këtë rast të veçantë. Ajo më tha:
“Mirë, shko!”
M’u duk sikur ma tha me gjysëm zëri, ndaj edhe e kisha përsëri me dyshime vajtjen time, por bëra ç’bëra, u bashkova edhe unë me shokët. Atje fillova të ndihesha mirë. E dija që një gjë e tillë më duhej ndaj edhe fillova të shkarkoja gjithë ato tensione dhe strese që më ishin akumuluar përgjatë këtyre javëve.
Aty në restorantin ku zhvillohej ditëlindja ishin edhe disa miq të tjerë të shefit, Artanit dhe midis tyre më ra në sy një grua nja 40 vjeçe, që kishte një sharm të paparë dhe që më tërhoqi që në momentin e parë kur e pashë. Sillej në një mënyrë shumë të veçantë, bisedonte në mënyrë shumë elegante dhe të bënte për vete.
Ajo ishte ulur përballë meje dhe e ndjeva që në një moment na u prekën këmbët tona nën tavolinë. M’u duk sikur ishte e rastësishme, por pasi më vështroi disa herë vjedhurazi ajo e afroi përsëri këmbën tek e imja dhe filloi të ma fërkonte me këpucën e saj. Besoj se e pa shumë mirë që kisha unazë në gisht, por me sa duket, po i pëlqente loja që po bënte.
Ajo darkë vazhdoi me biseda të këndshme dhe me vështrime provokuese. Ajo më tha me zë të ulët kur po çoheshim për t’u larguar:
– Makinën e kam aty përballë. Më prit sa të shpërndahemi mirë që të mos biem në sy.
Pas këtyre fjalëve, shtanga në vend.
Nuk e di se pse më ndodhi kështu. Kërkesa e saj nuk ishte Mbase ato nuk ishin dhe aq të papritura, pasi shihej shumë qartë gjatë gjithë mbrëmjes që ajo po përpiqej të më bënte për vete.
Për një moment m’u kujtua gruaja dhe u ndjeva keq. Nuk i ktheva përgjigje “mikeshës sime të re”! Ajo insistoi dhe po përpiqej me patjetër që unë t’i shkoja nga pas! Në këtë moment erdhi një shoku im i punës dhe më tha:
“Ç’e vret mendjen kaq shumë mor burrë?!”
Pastaj ai më qeshi me nënkuptim.
Nuk dija ç’të bëja! Po mendoja se në rast refuzimi të ftesës do prekej sedra ime prej mashkulli dhe nuk doja që të dilja (më falni për shprehjen) si legen. Ne meshkujt e kemi pak problem atë që mund të mendojë një femër si ajo. Nuk doja as që të nesërmen në punë të bëhesha objekt bisede e të qeshurash dhe të më hidhnin batuta: “Nuk ia dilte dot!” ose “Nuk është fare i aftë ai kolegu yt i zyrës, tjetra ia luajti sy për sy”, ose të më thonin me tallje “Ky po, ky është burrë i ndershëm!”. Do mendonin që mbase jam impotent që nuk shkova me atë femër…
E di që mes meshkujsh ekzistojnë ende të tilla mentalitete, por nuk kam çfarë t’i bëj. Nuk do të jem unë ai që do t’i ndryshoj. Nga ana tjetër, e pranoj që kisha kohë pa kryer marrëdhënie seksuale dhe të them të drejtën, kisha një nevojë të pashmangshme!
Nuk e kisha tradhtuar asnjëherë time shoqe. Për njëzet vjet me radhë i kam qëndruar asaj shumë besnik. Për këtë gjë jam plotësisht i vetëdijshëm dhe krenar. Po tani?! Po tani ç’do të bëja? Të ikja me të në makinë, të shkoja me këtë femër që po më ofrohej, apo të shkoja në shtëpi te kunata (pasi siç ju tregova, kur vonohesha shumë unë rrija te shtëpia e kunatës këtu në Tiranë) dhe t’i telefonoja time shoqeje për t’i uruar “natën e mirë”?!
Nuk e di si do të ndihesha nëse do të zgjidhja këtë të dytën, pasi në të vërtetë, zgjodha të parën. U tundova dhe… Vajta në shtrat me të! Më pas, nuk doja që ta kalonim të gjithë natën së bashku, e ndaj u çova nga krevati shpejt për të ikur në shtëpi.
Kur u zgjova të nesërmen, kokën e ndjeja të rëndë. Shkova në punë dhe pas saj, nxitova për të kapur autobusin e për të shkuar në shtëpinë time.
Gruaja mezi po më priste. Më tha që gjatë mbrëmjes nuk kishte qenë mirë me shëndet dhe kishte dashur që të isha pranë saj, por duke qenë se është shumë tolerante, nuk më vuri faj. Nisa të imagjinoja lloj-lloj gjërash. Po mendoja se në një moment të atillë, kur ime shoqe kishte nevojë për mua, unë jo vetëm që nuk i gjendesha pranë, por më keq akoma… as po mendoja fare për të!
Kaluan dy-tre jave dhe sekreti që poo i mbaja, nisi të më rëndonte. Nuk doja ta mbaja brenda meje! Po kërkoja momentin që të ishim vetëm ne të dy dhe të mos ishin fëmijët në shtëpi dhe aq më shumë, po prisja derisa edhe gjendja e saj shëndetësore të përmirësohej. E lamë një mbrëmje për të darkuar jashtë dhe vendosa t’ia tregoja gjithë çfarë kishte ndodhur atë natë. Nuk mund ta mbaja dot më brenda meje atë të vërtetë dërrmuese.
Kështu bëra. U përgatita për çdo fjalë që do t’i tregoja. Do t’i thoja vetëm të vërtetën pasi ajo kishte të drejtë që ta dinte. Ajo nuk priti të më dëgjonte deri në fund dhe më tha e nervozuar se donte që të divorcoheshim menjëherë. Unë isha i përgatitur për çdo gjë, por për këtë jo, asnjëherë në botë! Ajo më tha mes lotësh zhgënjimi:
“Nuk dua të ta shoh më fytyrën, ndyrësirë dreqi, madje do të t’i marr edhe fëmijët dhe nuk do të kesh të drejtë t’i shohësh fare, kupton?! Më ke shkatërruar! Ti vajte u harbove me atë dava lavire dhe ke fytyrë të vish e të më kërkosh të falur? As mos e ço nëpër mend të të fal!”
Ishte e pashpjegueshme dhimbja që ndjeja në ato momente. Nuk mund ta mohoj që edhe ime shoqe, ose më mirë ish-bashkëshortja ime ishte shumë e fyer dhe e lënduar, por shpresoja për një falje, besoja se ne ishim një çift tolerant që do t’ia falnim njëri-tjetrit një gabim të tillë që mund të bëhet një herë në jetë!
Ndonjëherë përpiqem ta vë veten në vendin e saj. Është shumë e rëndë ta pranosh një tradhti, e di, por të paktën nuk do të ngatërroja me të edhe fëmijët, ata që janë drita e syve të mi e që kam kaq shumë kohë pa i parë!