Shumë prej jush mund të pyesin, kaq shumë sa flitet për Granit Shalën, kush është Graniti? I lindur në Loxhë, Pejë, me një ambicie të madhe për jetën, për ta sprovuar atë në çdo moment ai ka emigruar në Gjermani në vitin 1997. Që atëherë, është munduar që të arrijë diçka për veten dhe punën e tij dhe si duket ia ka arritur.Me shkathtësi të jashtëzakonshme, për t’ia dalë në çfarëdo situate e nisi me sportin si boksier, me paraqitje tipike shqiptare, duke çuar në “knockdoën” dhe duke fituar, e më pas si promotor i boksit. Shquhet në biznesin e kulinarisë si “Vëllezërit Shala” duke rritur numrin e restoranteve në gjithë Gjermaninë, si përshembull “Casa d’Italia” – një emër i njohur për gjermanët dhe jo vetëm për ta, por kudo ku ka shqiptarë! E vazhdoi si aktor në skeçet humoristike me Sevdai Radugoshin por dhe në filma artistikë, ku dëshmoi sukses duke fituar çmim vlerësues si aktor, në Francë por edhe në Los Angeles. Së fundmi, ashtu si e do tradita dhe kultura nga ai vjen, për të ndihmuar vendin e tij, iu fut politikës. Nga zyrat e Hessen, Gjermani, tashmë një krah i fortë i Ramush Haradinaj. Për t’i dhënë më shumë politikës nga sa i dha boksit, me një energji të madhe. Ja pra, ky është Granit Shala! Suksese në gjithçka ke zgjedhur të bësh Granit!
Fabjola Kuburi:- Përshëndetje, a mund të bëni një prezantim për lexuesit e gazetës tone, edhe pse emri juaj nuk është i panjohur?
Granit Shala:- Unë jam Granit Shala, jam me origjinë nga fshati Loxhë, Pejë. Kam ardhur në Gjermani në vitin 1997. Kam vite që jetoj këtu dhe po kështu vite që jam angazhuar në fusha të ndryshme, si boks, në fushën e gastronimisë që e kam edhe biznes.
– Mund të na flisni për femijërinë tuaj, deri tek momenti që Graniti u takua me boksin…?
– Femijeria ime ka qene e zhurmshme, pasi qe i vogel pelqeja te beja aventura te ndryshme dhe sidomos rreth moshes 10-11-vjec kur perpiqeshim te imitonim aktoret e filmave me karate.
– Cilat emocione ju përshkruajnë në ring, kur ndiheni i rrethuar nga sportëdashës, flamuj dhe zemra shqiptare, që ju inkurajojnë deri në fund?
-Gjej rastin ti falënderoj të gjithë ata tifozë që më kanë mbështetur me shpirt. Pjesa e emocioneve është shumë e rëndësishme dhe fatmirësisht tek unë deri tani ka ndikuar për mirë dhe do të thoja që pa mbështetjen e atyre zemrave shqiptare të veshura kuq e zi, unë nuk do ta kisha ketë arritje dhe sukses që kam sot.
– Di që ke marrë pjesë edhe në aktrim apo jo?
– Po, është e vërtetë, kam qenë pjesë e dy filmave, një komedi ku kam luajtur me Sevdai Radugoshin dhe një tjetër, me metrazh të shkurtër me regji të Valmir Tertinit, “Tradhti me letra” i cili është vlerësuar me shumë çmime, sidomos në Francë dhe në SHBA.
– Kjo do të thotë që ti nuk ke vetëm talent në sport?
– Jam munduar që të realizoj shumë gjëra dhe besoj se ia kam arritur. Jam marrë me sport, me kulinari tashmë i kam hyrë edhe politikës. Shpresoj për një Kosovë ndryshe, një Kosovë të rilindur.
– Mes boksit dhe aktrimit ke do zgjidhje?
– Nuk dua të jem në pozita për të zgjedhur, por unë i dua të dyja shumë.
– Ke ndonjë këshillë për ata që duan të bëhen pjesë e sportit të boksit?
– Duhet shumë punë, përkushtim, taktikë dhe shumë vullnet.
– Po për politikën?
– Unë nuk jam i ri në politikë, kam qenë aktivist i Vetëvendosjes dhe më pas zyrtar i AAK-së, kështu që në politikë mund të them që ia kam marrë dorën. Këshilla ime është që kush i hyn politikës, të bëjë diçka për vendin e tij jo vetëm të mbushë xhepat e tij.
Kur Graniti ka dëshirë të përgjigjet shkurt:
Sporti? (Përvec Boksit)
Basketbolli
Aktori?
Sylvester Stallone
Politikani?
Edi Rama
Ke frikë nga…?
Nga asgjë.
Pika e fortë?
Këmbëngulja.
Pika e dobët?
Keqardhja.
Pija?
Gjithçka jo alkoolike.(Buzëqesh)
E urren apo nuk e pëlqen të keqen?
Nuk e pëlqej
Gjëndja shpirtërore?
Ndihem i plotësuar shpirtërisht.