– Jam një djalë 26 vjeç, i martuar, por banoj i vetëm në Greqi. Para ca kohësh njoha një vajzë nëpërmjet Facebookut. Folëm gati tre muaj në internet dhe pak nga pak filluam bisedat intime, flisnim çdo ditë e çdo natë. Pas ca kohësh, ika në Shqipëri në qytetin tim dhe dola të pija kafe me një shok fëmijërie. E pyeta si gjithë çunat a kishte bërë gjë dhe si me shaka, i tregova për këtë vajzë. I thashë se kisha folur me të dhe e kishim lënë të takoheshim. Kur ia tregova kush ishte ajo, ai vuri buzën në gaz dhe më tha që edhe ai shkonte me të. Të dy e kishim numrin e telefonit të saj. Ajo nuk e dinte se isha në Shqipëri, kështu që e provokuam. Ky shoku im e mori në telefon dhe filluan të bisedonin, ndërsa unë i dëgjoja. Shoku im i fëmijërisë quhet A. Sa mbaroi ai bisedën me të, nuk durova më, por e mora vajzën në telefon. Ajo më tha: “Hë, zemër, prapë more?”. I thashë, “cila zemër?”. Ajo nuk dinte ç’të thonte dhe më tha se e dinte që isha unë. “Kush tjetër të më marrë?”, më tha. Shoku im ma kishte treguar gjithë historinë si ishin lidhur, si ishin takuar, në çfarë vendi kishin shkuar, sa herë e bënte e të gjitha, kështu që fillova ta provokoja vajzën. E pyeta a e kishte shqetësuar kush dhe më tha se jo. E pyeta troç a e kishte bërë me ndonjë tjetër dhe më tha prapë se jo. Atëhere u acarova keq dhe i thashë: “Të kam ndjekur, të kam parë me kë je takuar, çfarë makine ke hipur, ku shkon” dhe ia tregova me imtësi. Ngaqë nuk dinte ç’të thoshte, më tha se do të ma shpjegonte nga afër. Ne u takuam në hotel, biseduam gjatë e pas shumë bisedash, e bëmë. Pastaj ikëm secili në rrugën e tij. Tani ajo nuk flet më me shokun tim A. se më thonë të dy, por shoku im nuk e di që unë flas me të dhe që kam shkuar me këtë vajzë. Vajza më betohet, qan, thotë: “Kam bërë gabim që kam shkuar me A.-në” dhe më betohet që nuk do të më tradhtojë më. Pas ca kohësh, unë zbulova se vajza ishte fejuar me shokun tim të kurbetit. “Nuk di ç’të bëj, më thotë, por të bashkohet toka me qiellin, ty nuk të lë. Kush do më këshillojë mua? Kush do më mbështesë? Kush do më jap mendime? Ku do t’i qaj hallet unë?”. “Po unë nuk jam psikolog, i thashë, do ndahemi”, por ajo nuk do, vetëm qan. Deri para dy ditësh fola me të. Tani jam në Greqi dhe i kam fshirë të gjitha, hodha numrin, mbylla Facebook-un… Nuk di si kam vepruar, por më vinte keq për vajzën se ishte e drejtë në shpirt, e paditur për jetën. Ishte “çfarë fluturon hahet”. Më jep një mendim, i nderuar psikolog, si kam vepruar?
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – Një jetë rrëmujë, si dhe një jetë po aq e shkapërderdhur. Një burrë i martuar 26 vjeçar i cili e përkeqëson jetën e tij duke u preokupuar pa mbarim për një vajzë të fejuar e të paqëndrueshme, e cila gjithashtu nuk e di se ku është. Që, gjasme “të paska gjetur ty si psikologun” e saj e ti tani ndihesh përgjegjës për të. Edhe psikolog po të jesh, hallet e saj janë të sajat! Pra, ty, ku të çon mushka?! Do të ndash gruan e do të marrësh atë? Rrëmujë pas rrëmuje… Siç thotë populli: “fati i parë syri në ballë, fati i dytë, të nxjerr sytë, fati i tretë, të fut në dhetë”… Ashtu siç sot ajo duke qenë e fejuar me një tjetër qan për ty, nesër me siguri duke qenë me ty, do të qajë për një tjetër. Sa mirë do të ishte që këtë preokupim ta kishe për familjen tënde, pa këtë lloj “dhembshurie” për një tjetër e cila mund të jetë më aktore sesa gruaja jote, por jo aq e vlefshme dhe e duhur sa ajo. Ti qenke i martuar dhe thua që në Greqi banon vetëm, domethënë, pa gruan. Po pse, gruaja jote nuk ka nevoja?! A nuk është njeri ajo? Pse kaq “investim” dhe preokupime pas një tjetre që nuk është jotja? Bashkohu me nënën e fëmijëve të tu dhe trajtoje mirë atë. Sa më ke shkruar një letër kaq të gjatë mua, mund t’i shkruaje një letër dashurie gruas tënde, që jeta të mos të të ndëshkojë e kur të dalin sheshit këto, gruaja mos të të quajë “burrë-kurvë”. Ndoshta mund të ketë të meta gruaja jote, por ti po u bie hasha edhe të mirave të saj, pasi ajo pati vlera për të cilat ti u martove.
– Një shkrimtar ka thënë se gruaja është si i sëmuri dhe e gjen shërimin te burri i saj, pra, te bashkëshorti. Psikologia Lumnie Telaku nga Prishtina argumenton: “Po qe se te një grua shohim vetëm të metat e jo vlerat, ai njeri s’mund të “bëhet” kurrë i mirë për ty”. Ja se si i shkruan Van Gogu në një letër të vëllait Teos: “Femrat janë të paqëndrueshme, Teo, të paqëndrueshme si moti. Sigurisht, ai që ka sy, s’ka si të mos shohë diçka të mirë edhe të bukur te çdo lloj moti, ai e gjen të bukurën në dëborën, në diellin përvëlues, furtunën dhe qetësinë që vjen pas saj, në të ftohtët dhe të nxehtit, i pëlqen çdo stinë, rron me endje në çdo ditë të vitit dhe në thellësi të shpirtit është i kënaqur që çdo gjë ecën ashtu, natyrshëm. Prandaj, nëse njeriu mban një qëndrim të tillë ndaj motit, ndaj çdo ndryshimi të tij, këtë lloj qëndrimi mbase e mban edhe ndaj paqëndrueshmërisë së femrës… E përsëri, në rast se edhe ndaj jetës do të mbahej ky qëndrim, them se karakteri dhe pikëpamjet jo në çdo rast do të ishin në harmoni e në mirëkuptim me karakterin dhe pikëpamjet e femrës me të cilën jemi lidhur; atëherë asnjë burrëri, asnjë besim e optimizëm s’mund të na shpëtojë nga pakënaqësitë dhe dyshimi… në martesë”.
– Do të të lutem, i nderuar letërshkrues, lexoje me kujdes këtë letër të Van Gogut, pasi shumë të martuar bëhen aventurierë pasi shohin si me lupë zmadhuese çdo gjë të bukur te femrat e tjera dhe gjejnë të meta pa mbarim te gruaja e vet. Pra, edhe po të mos kishte, do t’i kërkonin e gjenin ato, duke ia parë asaj pluset e virtytet me syze të errëta. Kësisoj, njeriu mund të vërdalliset pa krijuar atë që i duhet në jetë ose duke kërkuar atë që s’e gjen dot kurrë. A e dini pse don zhuanët nuk janë kurrë të lumtur? Sepse vetëm për pak kohë i kënaq ata preja e tyre prej gjahtari e pastaj kërkojnë gjahun e radhës, madje sa më shpejt që të jetë e mundur. Mendoj se njeriu ka më tepër nevojë për pafundësitë dhe mrekullitë e botës që ta ndiejë veten në këtë planet si në shtëpinë e vet e jo të kënaqet vetëm pak me ato që bën. Duke qenë të pasuksesshëm në jetë, shumë meshkuj përpiqen ta “nivelojnë” këtë lloj mossuksesi te “suksesi” me femrat… Ah, i bukur “sukses” prej hamshori që jeton si i zgërlaqur, pasi turbina e seksit ia ha shumicen e energjive që do t’i duheshin për punë, sport, studim etj. Këtu është ndryshimi, sepse njerëzit e mençur e të sukesshëm përpiqen të arrijnë sa më shumë në jetë për të lartësuar veten e jetën. Duke punuar, të jesh i bindur se do të kesh edhe aftësi për ta dashuruar me shumë gruan tënde. Duaj dhe vlerëso gruan tënde, kjo është ajo çfarë duhet të bësh!
Advertisement