1. Bebet kanë më shumë kocka sesa të rriturit:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
2. Anglezët e quajnë atë “kocka qesharake” (funny bone) dhe ndodhet në:
a. Gju
b. Gishtin e këmbës
c. Bërryl
3. Kur e ndërpresin kockat rritjen e tyre?
a. Kurrë
b. Në pubertet
c. Nga fundi i të 20-tave
4. Kockat prodhojnë qeliza të bardha dhe të kuqe gjaku:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
5. Cila kockë thyhet më shpesh?
a. Ajo e klavikulës
b. E krahut
c. E këmbës
6. Gazi i pijeve freskuese dëmton kockat:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
7. Sa kocka në trupin tonë nuk janë të lidhura me të tjerat?
a. Asnjë
b. Një
c. Katër
8. Duhanpirja është e keqe për kockat:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
9. Gishti i madh i këmbës ka më pak kocka sesa gishtat e tjerë:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
10. Ku ndodhet kocka më e vogël e trupit tonë?
a. Vesh
b. Gjuhë
c. Gisht
11. Sa peshë mund të mbajë një kockë me trashësinë e një kutije shkrepëseje:
a. 1 ton
b. 5 tonë
c. 9 tonë
12. Më shumë se gjysma e kockave të trupit tonë ndodhen në duar dhe në këmbë:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
13. Njerëzit dhe gjirafat kanë të njëjtin numër kockash në qafë:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
14. Mesatarisht, sa për qind e peshës sonë përbëhet nga kockat?
a. 5%
b. 10%
c. 14%
Përgjigjet
1. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Kur lindim, ne kemi afro 300 kocka, ndërsa kur rritemi, kemi vetëm 206. Arsyeja është se gjatë rritjes, disa nga kockat bashkohen. Disa kocka te bebet janë të përbëra nga një ind i butë dhe elastik, i quajtur kërc, që ngadalë zëvendësohet nga një kockë e fortë, kur bebeja rritet.
2. Përgjigjja e saktë është c-ja.
Në fakt, emri ju gënjen, sepse “kocka qesharake” nuk është fare kockë, por nervi që kalon nëpër bërryl dhe që ju shkakton një si zënie korenti kur godisni bërrylin. Ky nerv niset nga krahu sipër dhe shkon deri në gishin e vogël të dorës, duke kaluar nëpër bërryl. Emri vjen nga një lojë fjalësh.
3. Përgjigjja e saktë është c-ja.
Kockat në përgjithësi e ndërpresin rritjen e tyre kur ne jemi të rinj, por ato vazhdojnë të ndryshojnë. Me kalimin e moshës, ato humbasin densitetin e tyre, hollohen dhe mund të thyhen më lehtë. Ju mund të ndihmoni për t’i mbajtur të shëndetshme duke konsumuar ushqime me kalcium dhe vitaminë D, si edhe duke bërë ushtrime që i forcojnë.
4. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Kockat kanë punë të ndryshme. Ato i japin strukturën trupit tonë dhe na lejojnë të lëvizim. Ato mbrojnë organet tona nga dëmtimi (kafka mbron trurin dhe brinjët mbrojnë zemrën, mushkëritë dhe mëlçinë). Kockat gjithashtu prodhojnë qeliza të kuqe gjaku, të cilat çojnë nëpër organe oksigjenin e proteinat dhe rruaza të bardha, të cilat na ndihmojnë të luftojmë kundër infeksioneve.
5. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Kocka e klavikulës është ajo që thyhet më shpesh. Ajo mund të thyhet nëse ju rrëzoheni dhe bini mbi dorë, apo krah dhe sup. Të zakonshme janë edhe thyerjet e duarve dhe të krahëve, sepse i përdorim shpesh kur biem dhe mundohemi të pengojmë rënien.
6. Përgjigjja e saktë është b-ja.
Ky është një mit. Gazi karbonik i pijeve freskuese nuk dëmton kockat, por kjo nuk do të thotë se pirja e tyre të bën mirë. Disa studime kanë treguar se kafeina dhe fosfori në koka-kola mund t’i dobësojë ato. Nëse doni të pini një pije që është e mirë për kockat, zgjidhni qumështin, ose një pije me kalcium të shtuar, si lëngu i portokalles me kalcium.
7. Përgjigjja e saktë është b-ja.
Të gjitha kockat e trupit tonë janë të lidhura me njëra-tjetrën, me përjashtim të njërës, një kocke në formë U-ja që ndodhet në bazë të gjuhës. Kjo është kocka e vetme që nuk lidhet me asnjë tjetër.
8. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Dihet tashmë se cigaret dëmtojnë mëlçinë, zemrën dhe shëndetin tuaj në përgjithësi. Por duhani është i keq edhe për kockat. Nikotina dhe substancat e tjera kimike vështirësojnë thithjen e kalciumit nga trupi, bile ulin edhe nivelin e vitaminës D.
9. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Shumica e gishtave të këmbës kanë tri kocka të vogla, por gishti i madh ka vetëm dy. Ne gjithashtu kemi nga tri kocka në gishtat e duarve, ndërsa në gishtin e madh, vetëm dy.
10. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Kocka më e vogël e trupit tonë është një kockë e vogël pas daulles së veshit. Ajo quhet yzengji dhe është vetëm 2.5-3.3 mm e gjatë. Kjo nuk është më e gjatë se një mizë frutash. Kocka më e gjatë dhe e fortë e trupit është femuri, që shkon nga legeni në gju.
11. Përgjigjja e saktë është c-ja.
Kockat e trupit tonë kanë fortësinë e granitit. Kështu, një kockë me madhësinë e një kutije shkrepëseje mund të mbajë një peshë prej 9 tonësh, që është 4 herë më shumë sesa betoni.
12. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Është e vërtetë se më shumë se gjysma e kockave të trupit tonë ndodhen në duar dhe në këmbë.
13. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Ne dhe gjirafat kemi të njëjtën numër kockash në qafë, ose vertebrash. Ky numër është 7.
13. Përgjigjja e saktë është c-ja.
Kockat përbëjnë afro 14% të peshës sonë trupore, por ky numër është mesatar; te disa njerëz përbëjnë më shumë, te disa, më pak.