– Përshëndetje avokat, jam Arbeni nga Tirana. Në vitin 2007 kam bërë një kontratë porosie me një kompani ndërtimi e cila do të ndërtonte një pallat nëntë katësh pranë zonës së Unazës së Re apo e njohur si zona e ish-Astirit, në Tiranë. Apartamenti ndodhej në katin e katërt, me sipërfaqe 100 m2. Pronari i kompanisë më tha se nëse i paguaja të gjitha paratë në dorë, vlera e apartamentit, nga 40 000 euro do të ulej në 30 000 euro. Duke qenë se mu prezantua kjo ofertë, pranova të paguaja 30 000 euro. Shkuam te noteri ku nënshkruam kontratën e sipërmarrjes. Afati kohor për t’u ndërtuar pallati ishte 2 vjet sipas lejes së ndërtimit. Kanë kaluar 9 vite dhe pallati është akoma në fazën e gropës dhe akoma nuk është ndërtuar, ndërkohë që pronari i kompanisë më është justifikuar se ka ngelur pezull pasi nuk po bie dakord me një nga bashkëpronarët e truallit. Sa herë e takoj vetëm më kërkon kohë, duke më thënë se do ta zgjidhë problemin. Me sa kam kuptuar, pronari ka shumë borxhe dhe ka falimentuar, por a mund ta hedh në gjyq për të fituar apartamentin ose për të marrë paratë mbrapsht?
Av. Alban Duraj, “Duraj Lavv Firm”, email: info@durajlavv.com, Tel. ++35544532512: – I nderuar zoti Arben, më vjen shumë keq për problemin që ju ka ndodhur; ju nuk jeni rasti i vetëm në vendin tonë. Pas viteve 90, etja për apartamente banimi dhe për ambiente biznesi ka qenë e madhe, duke qenë se vendi vinte nga një sistem tjetër ku njerëzit nuk ishin mësuar me ekonominë e tregut dhe besimi ndaj njëri-tjetrit ka qenë i madh, kanë ndodhur shumë raste të tilla. Kompanitë e ndërtimit nuk e kanë patur mundësinë financiare për të ndërtuar me kapitalin e tyre apartament dhe pastaj ta shisnin, por në formë bashkëpunimi me pronarët e truallit dhe me marrëveshje me palën blerëse, ku këta të fundit e parapaguanin pronën të cilën do të merrnin.
– Rregullimi ligjor për blerjen e këtyre apartamenteve është rregulluar me kontratë porosie ose sipërmarrje. Por, me këto kontrata nuk kalohet pronësia tek ai që e porosit, ndonëse ky i fundit mund ta ketë shlyer të gjithë detyrimin ndaj kompanisë së ndërtimit. Pronësia fitohet në kohën kur prona është e hipotekuar. Në këto raste, prona hipotekohet në emër të kompanisë së ndërtimit dhe pastaj kompania lidh kontratë shitblerjeje me porositësin.
– Në rastin tuaj, ndodhemi përpara situatës kur ju e keni bërë pagesën, por kompania e ndërtimit ende nuk e ka përfunduar ndërtimin e pallatit apo apartamentit. Ju nuk mund ta padisni shoqërinë e ndërtimit për t’ju dorëzuar apartamentet dhe për të lidhur me ju kontratën e shitblerjes, por ajo çfarë mund të bëni është të padisni shoqërinë e ndërtimit dhe ta detyroni këtë të fundit për të zgjidhur kontratën dhe të kthejë shumën e paguar nga ju prej 30 000 eurosh, së bashku me kamatë vonesat.
– Kjo kërkesë padi, është e fituar në gjykatë, por shtrohet pyetja tek ekzekutimi i vendimit të fituar, a e merrni këtë shumë fizikisht, apo jo? Nëse kjo kompani me të cilën ju keni nënshkruar kontratë ka falimentuar dhe ka kreditorë të tjerë të cilët kanë fituar gjyqe të mëparshme e presin në radhë si kreditorë, ju do ta merrni këtë shumë në momentin kur shlyhen kreditorët e parë. Pra, në mënyrë të përmbledhur, ju e fitoni gjyqin, por e keni të pamundur për ta ekzekutuar si vendim pasi shoqëria e ndërtimit, nëse janë faktet siç i paraqisni, nuk ka likuiditet për t’ju likuiduar. Nëse jeni i interesuar për ta ndjekur këtë çështje në gjykatë, Studio Ligjore “Duraj” ju mirëpret!
Advertisement