– Jam një emigrant i kthyer nga Italia, 58 vjeç. Në vitin 2012 jam kthyer nga emigracioni dhe kam punuar rreth 1 vit e 6 muaj në një firmë si roje me sigurime shoqërore. Kohët e fundit, gjendja shëndetësore më është përkeqësuar, si rezultat i parkinsonit. Në Shqipëri kam gjithsej 28 vite pune me kontribute. Desha të di, a përfitoj pension invaliditeti me vjetërsinë që kam në Shqipëri dhe si do të më llogaritet ajo?
Naim Balluku, Zv. President, përfaqësues i degës INAS për Shqipërinë: – I nderuar letërshkrues, bazuar në ligjin 104/2014 “Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç dhe në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të ketë së paku 12 muaj sigurim shoqëror”. Shuma e pensionit të invaliditetit të plotë llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i pleqërisë. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se 75 % e pagës minimale neto në shkallë vendi.”
– Nisur nga sa me sipër është mirë për ju që mbas kthimit nga emigracioni keni punuar dhe paguar sigurime shoqërore, mbasi për ta përfituar pensionin keni më shumë se 1 vit vjetërsi kontributive. Për të përfituar këtë pension duhet që nga mjekët specialistë që ju kanë ndjekuar, të merrni një fletë drejtimi për KMCAP në rrethin ku banoni, komision i cili do të përcaktojë shkallën e humbjes së aftësisë për punë. Ashtu sikurse theksuam më lart, vjetërsia për përfitim të pensionit të plotë të invaliditetit për ju do të llogaritet mosha 58 vjeç – 20 = 38 X 3/4 = 28.5 vite. Pra, për të përfituar pension të plotë invaliditeti, do t’ju duhen 28 vite e 6 muaj. Duke qenë se ju keni një vjetërsi prej 28 vitesh, influenca e 6 muajve që ju mungojnë është minimale. Ju falenderoj për besimin. Naim Balluku.
Advertisement