Nga Bohotina shikonim horizontet
Kushtuar mikut tim Shefik Koka
Të dy bridhnim rrugëve të fshatit,
Nën malet me kif a qeleshe dëbore
Dhe aty te Rrapet e Progonatit,
Shikonim botën kapur dorë për dore
Shpesh qëndronim ulur në një bangë
Dhe verës vraponim nën hijen e mollës.
Nga Bohotina shfaqej pllaja e paanë,
Vraponim si erë në rrugicat e shkollës.
Po një ditë një bombë e mallkuar
E lënë pa të keq si një “peshqesh”
Në lëndinë, duke u argëtuar
Për pak desh na bëri përshesh…
Kurrë s’e ndave librin nga dora,
Shkrove poezi edhe portrete,
Fjalët e tua pikonin metafora
Dhe shkrepëtinin si dallgë mbi dete
Linde një mëngjes në pranverë
Dhe na ike pa kuptuar në korrik.
Në zemra do na qëndrosh përherë
I shtrenjti ynë, vëlla Shefik!
Do kujtohet ajo pena jote,
Pikturove shpirtra me mjeshtëri
Dhe do rrjedhim nëpër mote
Thellë nga vargjet, melodi. Izet S. Çulli.
Sa më larg
Qëndro larg, sa më larg
Gjej një qosh’ në fund të tokës
Po kur malli bëhet varg
Thonë, i vihet gishti kokës!
E kur malli zgjatet, zgjatet
Është vështirë t’i gjesh një fund
Sepse, largësia matet
Por jo malli kur të mund…
U largove, vetë e zgjodhe
I shpëtohet dashurisë?
Shpirtit tënd nuk i besove
…i besove largësisë!
Kur t’i vihet gishti kokës
Unë për ty do jem kujtim
Një mirazh në fund të tokës
Që nuk tretet në harrim…
Gjej një botë vetëm për vete
Ku nga unë të gjesh shpëtim! Bledi Ylli
Kur ti linde
Ti ke lindur një ditë të bukur
Kur dhe Zeusi kërkonte grua
Me t’tijat gusto t’krijoi si flutur
E ti vendose të vish te mua…
Ti ke lindur kur natë nuk kishte
Ndaj shkëlqen si të jesh diell
Kur drita jote mbi mua binte
Hidhte rrënjë thellë e më thellë.
E tani që s’je pranë meje
Nuk mund të them je një kujtim
Ti me gjakun rrjedh ndër deje
Sigurisht, je shpirti im! Bledi Ylli
Dhimbjen lashë pas
E sfidova dhimbjen
E lashë pas
Dhe natën
Dhe heshtjen
Dhe vetminë.
Filloj ulëras
Me zërin e shpirtit
Për atë që humba.
Filloj të jetoj
Të qesh
Të gëzohem
Për atë që do të vijë.
Dhe dhimbja mbeti pas
Në errësirën e natës
Fitorja triumfon
Mëngjeset plot dritë më presin. Deti Zogu
Përtej errësirës
Ti
Vjen nga përtej errësirës
Ma mjegullon pamjen dhe llogjikën
Më mashtron me egoizmin tënd
Ah, ky egoizmi yt!
Veçse ke mashtruar më shumë vetveten
Sepse ashtu si vjen – ashtu prej meje ikën!
Unë
Mbështjellë me vello engjëllore
Me krahët gati gjysëm të këputur
Kërkoj të mbështetem diku
Ku ka si një mik i mirë?!
E stërlodhur, të zgjodha ty.
Por u gabova nga një iluzion i bukur!
Ne
Parajsën dhe Ferrin e paska çdo vend
(Ka shkruar sa shumë Dante Aligeri!)
Nuk lemë hapësira për pastrim shpirti
Si meteorë të rrezikshëm ngjajmë
Kujdes nga përplasja fatale
Kur njëri shkon në parajsë-tjetri shkon te ferri! Deti Zogu
Mbi liqen
Lëshova petalet e trëndafilit
I lashë të notonin
Ashtu palë-palë.
Tek ceknin sipërfaqen e ujit
Me faqen tënde
Të njomur nga lotët
Çuditërisht më ngjanë.
Gjethet e kadifenjta
Notojnë mbi liqen
E lotët e kripur
Mbi faqe ranë. Deti Zogu.
Dritë e frikësuar!
Po shndrit dritë e frikësuar,
drita që duam natë e ditë,
e ditë e natë, pa sahat,
sikur çdo gjë të ishte dritë.
Kështu, të kaluarën do ta kishim harruar,
ndonëse çdo trishtim e lë një portë hapur,
sepse e tashmja nuk është më e mira,
prandaj e ardhmja del vetëm nga vullnetet tona.
Me dritë nuk do të ishim pa vaj, as pa lot,
as perëndimi nuk vjen ashtu kot,
drita e lartë mbush e zbraz tokën sot e mot.
por ne jemi poshtë, oh sa poshtë!
Në centralin e ndërgjegjes nuk ka punëtorë,
me siguri, i ka zënë gjumi!
nuk po bie asnjë alarm që t’i zgjojë,
nata vazhdon, ne shohim ëndrra të zbehta! Isidor Koti