Studiuesit thonë se gjumi është shumë i rëndësishëm për trurin. Bebet flenë gjithë ditën, fëmijët e vegjël flenë 12 orë në natë, por të mëdhenjtë mjaftohen me 7 orë gjumë. Ne kemi nevojë të flemë, sepse kjo na ndihmon të përpunojmë kujtimet, të mësojmë gjëra të reja dhe të stabilizojmë humorin, megjithatë, me kalimin e moshës, e kemi të vështirë të na zërë gjumi. Atëherë, jemi të destinuar të jemi më të irritueshëm me kalimin e moshës? Përgjigjja është: edhe po, edhe jo.
Lamtumirë, gjumë i thellë!
Dallimi mes një personi të moshuar dhe një të riu përsa i përket gjumit është i thjeshtë: Të moshuarit, rrallë bëjnë gjumë të thellë dhe të gjatë. Si rezultat, ata ndihen më të dobët pasi zgjohen dhe flenë gjatë ditës. Përveç cilësisë së gjumit, është edhe sasia ajo që pakësohet kur plakemi. Sa më të moshuar të jemi, aq më pak truri ynë bën gjumë të thellë, i cili është i nevojshëm për çlodhjen e tij. Truri i një 25 vjeçari, për shembull, kalon nëpër 12 faza gjumi të thellë gjatë natës. Në krahasim me këtë, truri i një 70 vjeçari kalon shpejt nëpër faza gjumi mesatar, duke kaluar vetëm disa minuta në fazën më të thellë të çlodhjes dhe shumë më tepër kohë në gjumin e lehtë, ose në gjendje të zgjuar. Tranzicioni mes të qenit në gjumë dhe zgjuar, bëhet më i beftë kur ne plakemi. Mbase kjo është arsyeja pse ne themi se pleqtë bëjnë gjumë të lehtë.
Mirëdita, gjumë i drekës!
Në vitet ’90, shkencëtarët idenitifikuan një pjesë të vogël të trurit që vepron si një çelës ndezje/fikje i gjumit te minjtë. Pasi bënë këtë zbulim fillestar, studiuesit vrojtuan të dhënat nga një studim afatgjatë me më shumë se 1000 njerëz nga mosha 65 vjeç e deri në vdekjen e tyre. Shkencëtarët zbuluan se njerëzit që humbisnin një numër më të madh të qelizave të trurit bënin gjumë më të copëzuar, domethënë se zgjoheshin më shpesh dhe flinin për periudha më të shkurtra. Lidhja mes qelizave të trurit dhe cilësisë së gjumit ishte shumë e saktë: Sa më pak qeliza të kishte dikush, as më të copëzuar e bënte gjumin dhe kjo ndikonte në përkeqësimin e kujtesës.
Atëherë, çfarë duhet të bëjë një i moshuar që do të ruajë kujtesën? Përgjigjja është: të flejë në drekë. Zakonisht, në gjumin e drekës ne nuk bëjmë gjumë të thellë, por ai na ndihmon të ndihemi më në formë dhe të ulim stresin që vjen si pasojë e gjumit të paktë.
Kur gjumi i humbur nuk ka lidhje me moshën
Te të moshuarit vështirësia për të fjetur mund të jetë edhe efekt anësor i problemeve të tjera, si spazmat e muskujve, depresioni, ankthi dhe çrregullimet e frymëmarrjes, siç është apneja e gjumit, e cila shtohet me kalimin e moshës. Këto janë shpesh probleme që mund të trajtohen, por që mund të mos diagnostikohen kur njerëzit mendojnë se problemet e gjumit janë thjesht pasojë e plakjes. Edhe probleme të tjera, si artriti, mund të ndikojnë te gjumi, kështu që është e rëndësishme që këto probleme të mos mbulohen thjesht me pretekstin e një pagjumësie për shkak të moshës.