Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Alfio: E meritonte Miklovani, por ai bëri autogol!

Alfio e Miklovani ishin konkurrentë në skenën e Masterchef; në jetën reale, ata i lidh një miqësi e sinqertë, të cilën e kanë vënë në funksion të punës së përbashkët… Alfion e takova në restorant “Melograno” te Ministria e Jashtme dhe, ndërsa pashë atë ambient me ngjyra të qeta dhe sidomos, atë pjesë të restorantit ku ti mund të shohësh nëpërmjet xhamit si në një ekran Miklon e Alfion duke gatuar, thashë me vete: “Duhet të vij sa më shpejt të provoj një gatim nga duart e tyre!”. Por, le të bisedojmë fillimisht me Alfion për Masterchef dhe shumë shpejt, le të na flasë ai dhe Miklovani me atë që dinë të bëjnë më mirë: Duke gatuar!

 

Blerina Çizmja: – Alfio, ti e përmbylle në mënyrën më të mirë të nmundshme aventurën tënde tnë Masterchef! Do të më tregosh sot, për ditën tënde të parë në të, për audicionin?

Advertisement

Alfio: – Dita e parë… Kur më panë me tatuazhe, ishin pak skeptikë (qesh), por u solla një pjatë të bukur dhe mbetën të kënaqur…

– Çfarë kishe gatuar atë ditë?

– Kisha gatuar fileto viçi me kore me fara lulëkuqeje; korja ishte e zezë, shumë e bukur dhe brenda, filetoja ishte rozë. Kisha bërë një biskotë me djathë grana me pak perime të skuqura, që kishte ngjyra fantastike, me do salca të bukura… Edhe konkurrentët e tjerë u habitën me këtë pjatë!

– Cila është lidhja jote me kuzhinën, Alfio?

– Unë kam mbaruar shkollën trevjeçare të kuzhinës. Fillova punën që 14 vjeç, në pushimet e verës dhe meqë nuk gjeta punë në kuzhinë, nisa si kamerier. Pastaj, avash-avash gjeta punë si ndihmës kuzhinier, disa vjet në piceri dhe, meqë kisha restorant pranë picerisë, nuk shkoja në shtëpi pasdite për të pushuar, por rrija në kuzhinë gjoja për të ndihmuar dhe mësova të gatuaja shumë gjëra…

– Kaq i fortë ishte pasioni yt?

– Gjithmonë e kam pëlqyer shumë kuzhinën, prandaj doja të mësoja sa më shumë…

– Si e shikonin familjarët e tu këtë gjë? Ne ende nuk jemi mësuar me idenë se djemtë mund të gatuajnë…

– Po, atje te fshati ku rrimë në Shkodër, të gjithë habiteshin sepse mendojnë se janë gratë ata që gatuajnë. Tani që më kanë parë, më ndalojnë rrugës e më pyesin se si ka mundësi që bëjmë ato pjata të bukura. Ka qenë mendoj një mentalitet i ri ky që kemi sjellë, mos me ngrënë vetëm mish të pjekur e tava peshku; mund të bësh edhe një pjatë shumë të mirë, me një prezantim shumë të bukur, të shijshme dhe me një çmim të arsyeshëm…

– Dhe, meqë dolëm te çmimet… Dua të të pyes, çfarë lloj klientele keni ju, në restorantin tuaj?

– Në fillim kishim një shtresë klientele shumë të lartë, por me çmimet që kemi vënë dhe me menunë që kemi sjellë, shpresojmë të kapim të gjitha shtresat e njerëzve, sepse kemi edhe piceri, pica është e lirë e shumë e mirë. Edhe në restorant nuk gatuajmë gjëra që kushtojnë shumë shtrenjtë, por mund të gjesh gjithçka të mirë, një peshk të egër e gjëra të tilla… Klientët që vijnë, kanë mbetur shumë të kënaqur dhe të gjithë kërkojnë kartvizitën. Kjo është gjë e mirë, por avash-avash, se gjërat e mira, kështu fillojnë…

– Në përgjithësi, ne si popull, e kemi traditë të vendosim shumë gjëra në pjatë. Pyes veten se si arrini ta gjeni të mesmen e artë ju, mes “gatimeve të shefave” dhe kësaj tradite…

– Atje në Masterchef kemi patur gjithmonë pjata minimaliste, sepse është ideja e restoranteve me një nivel shumë të lartë. Këtu vendosim pak më shumë, por gjithmonë me idenë që të mos ketë edhe tepër sepse kuzhina duhet me qenë edhe e shëndetshme… (Buzëqesh)

– Masterchef u bë për ty sebep që të mos ikje në Itali…

– Po… para gjysëm finales, pronari në Itali më thoshte: “Hajde se kemi nevojë për ty, na duhesh se s’bën” dhe unë mendova të gatuaja një pjatë të keqe, për t’u veteleminuar në njëfarë mënyre, por nuk më lanë konkurrentët e tjerë dhe familja, që më tha: “Mos thuj marrina, por mundohu me shku sa më përpara”. Ata ma mbushën mendjen, derisa arrita këtu…

– E prisje që do të fitoje?

– Jo, unë isha i bindur 100% se do të fitonte Miklovani, por në finale e meritova unë… Me shiku rrugën tonë të gjatë, Miklovani ka qenë gjithmonë konstant, kurse unë kam bërë gabime teknike, por në finale, Miklovani gaboi tek ëmbëlsira dhe ishte një autogol, kështu që… Çështje fati a nuk e di, por finalja shkoi shumë mirë dhe fitova!

– Nëse do të të jepej mundësia të merrje pjesë në një Masterchef tjetër, për shembull në Itali, do ta bëje?

– Unë e kam menduar këtë… Me pas ofertë, edhe mund të shkoj, pasi unë mendoj se MCH këtu është në një nivel shumë më të lartë se ai italian, në kuptimin që pjatat që kemi gatuar ne janë më të bukura dhe më të shijshme. Unë e Miklovani, por edhe konkurrentët e tjerë, kemi bërë pjata që na kanë mrekulluar neve, të tjerët dhe shefat!

– Cilët ke pasur më afër në këtë eksperiencë?

– Që në fillim, jemi afruar unë, Miklovani dhe Uani. Ishim më të mirët te prova e qepës, sepse dallohet tjetri, kur e pret shpejt e shpejt, saktë dhe arrin të bëjë shumë gjëra njëkohësisht, me pre dhe me i pa të tjerët kur punojnë… Që atëhere lidhëm një miqësi shumë të madhe e të sinqertë dhe shpresoj ta sjellim edhe Uanin këtu në shtator. Ashtu është një plan… Po u bëmë ne të tre këtu në kuzhinë, ky do të jetë një nga restorantet më të mira në Tiranë dhe në Shqipëri.

– Ka ndonjë gjë që do të kishe dashur ta bëje ndryshe në Masterchef?

– Te prova me fruta të thata, tek ëmbëlsira, rrezikova pak sepse desha me u dallu prej të tjerëve dhe solla ravioli, i mbusha me karkaleca, ananas, servirur me një krem me spinaq dhe kivi. Po të kisha mundësi me u kthy mbrapsht, do kisha gatuar edhe unë një ëmbëlsirë se atëhere Miklovani dhe Uani fituan provën dhe gatuan ëmbëlsira fantastike. Megjithatë, e mora veten tek ëmbëlsira, ku kam menduar gjithmonë se jam i dobët, kur në gjysëmfinale me Albanën, gatuam tre lloje ëmbëlsirash… Edhe në finale gjithashtu, një ëmbëlsirë që doli perfekte!

– Çfarë nevojitet në kuzhinë për të patur sukses?

– Nuk kuzhunë duhet me qenë i përulur. Unë kam punuar në Itali si ndihmës kuzhinier dhe ju betohem se kur e bën keq, të gjuan tjetri me një shpullë dhe bën mirë, se te shpulla e tretë dhe e katërt, ti mëson. Duhet me qenë i përulur dhe kur të bërtasin, mos me kthy përgjigje. Tjetri ka eksperiencë në kuzhinë dhe duhet ta dëgjosh se e ka për të mirën tënde. Pas pune, mund të shkosh me pi një birrë një kafe, por puna është punë dhe duhet me qenë shumë serioz. Unë e Miklovani kemi 10 vite që punojmë në restorante dhe kemi shumë eksperiencë, por kemi ende shumë gjëra për të mësuar sepse mëson gjithmonë në këtë punë.

– Prandaj janë gjithmonë të ashpër shefat e kuzhinës?

– Është një punë shumë stresuese nga ana psikologjike dhe fizike, por duhet ta shtysh tjetrin me mësu. Qoftë edhe duke qenë “i keq”, me i bërtit paksa, mirë i bën, se e mëson. Kam punuar me një djalë në Itali, që e kam bërë me qa përditë dhe më vinte shumë keq, por në mbrëmje e merrja me vete të dilnim bashkë dhe i flitsha gjithmonë, se doja ta mësoja. Pas tre muajsh, ai më mori në telefon për të më falënderuar sepse kishte shkuar të punonte diku tjetër dhe pronari ishte habitur se si ishte aq i aftë në kuzhinë!

– Si po të duket jeta në Shqipëri, Alfio?

– Sapo e kam fillu! (Buzëqesh) Mora një shtëpi me qira në Tiranë, fillova punë këtu dhe puna është shumë e madhe tani në fillim se fluksi i njerëzve është i  madh dhe në kuzhinë jemi thuajse vetëm unë e Miklovani, nuk kemi një ndihmës. Është shumë e vështirë sepse punojmë të dy 12-13 orë, por avash-avash do sistemohen gjërat… Ka dy javë që jam në Tiranë, por më pëlqen sepse jam në vendin tem! Sado i mirë të jesh, sado i sjellshëm e punëtor, prapë se prapë në Itali mbetesh “albanese”, nuk je i çmuar aq sa duhet, kurse në vendin tënd, ma merr mendja se krijon njëfarë respekti. Nuk dua që gjithë kohën njerëzit të më kujtojnë si “Masterchefi i parë shqiptar”, dua që njerëzit të më njohin si një shef shumë të mirë restoranti.

– Dhe, si po të shohin tani, në rrugë?

– Ja, t’ju them një rast… Një ditë shkuam me Miklon për të ngrënë një picë. Kur dolëm, ishte një grup vajzash që sa kishin mbaruar shkollën, nja njëzet vajza, që filluan të bërtisnin… Unë kam pa të bërtasin për këngëtarë, por për ne s’e kisha prit ndonjëherë! Unë e Miklovani u bëmë flakë të kuq dhe ikëm me të shpejtë. (Qesh) Sidomos autografi i parë, që ma kërkuan dy vajza. S’kisha bërë ndonjëherë dhe pyeta Miklon: “Si bëhet autografi?”… (Qesh) Tani, jeta ka ndërruar komplet! Kudo që të shkosh të njohin njerëzit. Është gjë e bukur sepse në Itali të thonë “ky shqiptari”, vjen edhe në Shqipëri e të thonë: Ky italiani” e je i huaj gjithandej… Tani njerëzit të njohin edhe si je si person dhe, ka lezet!

– Një mendim tëndin për të tre shefat…

– Shefat janë fantastikë! Gëzimi më pëlqeu shumë që në fillim sepse unë kam pikturuar kur kam qenë i vogël dhe Gëzimi pikturonte gjithashtu, ndaj më hyri në zemër që në ditët e para. Shumë njeri i mirë, t’i shpjegon gjërat ngadalë, nuk është se vjen e të bërtet, vjen e të jep këshilla dhe gjithmonë e përmirësoje pak më shumë pjatën.

Shef Renato është kuzhinier shumë i mirë, kam parë disa pjata që ka gatuar ai dhe nuk i ka fituar kot kapelet e arta e ka shkrujt “Nju Jork Times” për të. Kënaqësi shumë e madhe që na ka vlerësuar një person si Renato Mekaolli! Ai ka ardhur edhe në restorantin tonë dhe ka mbetur shumë i kënaqur sepse këtu ke kohë përgatitjeje e mund të sjellësh pjata akoma më të mira, më të shijshme. Ishim shumë të gëzuar që erdhi këtu dhe mbeti shumë i kënaqur.

Shef Sokoli është shumë i mirë sa u përket e ëmbëlsirave; do të shkoj patjetër me shiju ndonjë gjë te restoranti i tij! Jam shumë i kënaqur që i kam sjellë ëmbëlsira shumë të mira e shpresoj ta kem befasuar…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

“Karadayi”: Kaderi gjen dokumentin që fajëson Turgutin Turguti urdhëron djegien e shtëpisë së tyre

Next Post

Te ne, pasioni kthehet në profesion!

Advertisement