– Doktoreshë Mira, a mund të ndodhë që një djalë i vogël 3 vjeç të ketë ndonjë alergji? Sa herë që bie gripi, ai bllokohet dhe mezi mbushet me frymë. Theksoj që jetojmë në një shtëpi që ka pak lagështirë. A është mundur që kjo gjë të ketë ndikuar në përkeqësimin e djalit tonë? Mos vallë do na bëhet astmatik? Na ka zënë tmerri. Si të veproj dhe si t’ia shmang këtë gjë? Atij i bllokohen hundët, sytë i skuqen si me i pasë të sëmurë dhe herë pas here, e kap temperatura. I kam bërë avuj me gjethe dafine se më kanë thënë që është e mirë për problemet e frymëmarrjes dhe gripit, po ai e ka tmerr këtë gjë dhe nuk e përballon dot, vetëm qan.
Dr. Mira Xhixha, alergologe: – Nuk duhet të tmerroheni edhe nëse ju kanë thënë që fëmija juaj ka astëm, por duhet të merrni mjekimin e rekomanduar nga mjeku. Gjendje të tilla të cilat përsëriten shpesh dhe shoqërojnë gripin apo viruset e tjera të frymëmarrjes sidomos te fëmijët mbi 3 vjeç, pediatri duhet t’i rekomandojë për një konsultë te mjeku alergolog për të dhënë mjekimin e duhur dhe për të vendosur diagnozën e alergjisë ose jo.
– Në rastin tuaj, që keni lagështirë në shtëpi, alergjia ka mundësi më shumë të vendoset nga pluhurat apo mykrat. Alergjia nga lagështia shfaqet me kollë dhe marrje fryme, ose me emrin astëm, që ju e quani të tmerrshme. Dua t’ju qetësoj në lidhje me këtë diagnozë që nuk është aspak e tmerrshme, por është një përgjigje alergjike që bën organizmi ndaj alergjive të ndryshme që ndodhen në ambientet e brendshme si pluhurat, mykrat dhe pitelet e kafshëve shtëpiake, po ashtu dhe alergjia nga polenet që ndodhen në ajrin e jashtëm. Astma që shkaktojnë këto lloj alergjish mund të jetë e lehtë dhe e rëndë. Ajo që ne mund të bëjmë për të lehtësuar apo edhe për ta shëruar është të vendosim shpejt diagnozën, të fillojmë menjëherë mjekimin e duhur dhe ta ndjekim gjendjen me kujdes në vazhdimësi. Pra, duhet ta vizitoni fëmijën tuaj te një alergolog. Me respekt, doktoresha.