– Kam ca mendime që më vijnë në kokë, si për shembull emra aktorësh dhe pastaj më ngelet mendja aty. Rri e vras mendjen se si e pati emrin X aktor, X film dhe nuk më ikën nga mendja derisa ta gjej. Nuk është vetëm kjo që më shqetëson, pasi më vijnë edhe shumë lloje mendimesh e fiksimesh të tjera. Ju lutem, më thoni si t’i heq nga mendja këto lloj fiksimesh? Respekte, nga Ardi.
Borana Marku, psikologe: – I dashur Ardi, e kuptoj shqetësimin tuaj, por mos e bëni shqetësimin më të madh seç është. Nuk duhet të keni frikë nga mendimet tuaja, sepse ai që do të bëjë një veprim, e bën pa e menduar dhe jo si pasojë e mendimeve apo fiksimeve negative, ndaj mos u shqetësoni. Nuk e dimë moshën tuaj, por mendoj se keni shumë kohë të lirë meqë mendoni kaq shumë. Ju këshilloj ta zini kohën tuaj me punë, me mësime nëse jeni në shkollë, me një pasion, sport, kurs, apo palestër, apo edhe thjesht një shëtitje me miqtë tuaj.
Në momentin që ju fillojnë mendimet e sipërpërmendura, merrni dikë në telefon dhe dilni për një kafe, ose shkoni vraponi, ose thjesht bëni muhabet. Fare mirë mund të bisedoni me njerëzit e familjes suaj. Rëndësi ka që të mos fiksoheni pas mendimeve që ju vijnë. Mendoni se këto gjëra jua harxhojnë kohën kot dhe nuk keni asnjë të mirë prej tyre. Duhet të relaksoheni, të mendoni pozitivisht dhe të përqendroheni në praktikë, në atë çfarë ju bën mirë dhe ju vlen për të tashmen. Ndërsa për gjetjen e emrave të aktorëve apo filmave, nuk është diçka e jashtëzakonshme, u ndodh të gjithëve që fiksohen gjersa ta gjejnë, është diçka normale. Po themi për mendime të tjera, për fiksime të cilat ju nuk i përmendni, por që vetëkuptohen. Pra, zëreni kohën tuaj në praktikë me gjëra që ju argëtojnë apo që jua humbasin mendjen dhe ju largojnë nga fiksimet negative. Në këtë mënyrë, reduktoni edhe stresin dhe jeta do t’ju duket më e thjeshtë dhe më e bukur.