Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Sa ishte gjallë, mami nuk u kënaq me ne

Unë që po ju shkruaj jam një vajzë e cila ka vuajtur shumë në jetë. Vuajtjet e mia filluan që në vogëli, kur mw vdiq babai. Ai  na la shumë të vegjël mua dhe vëllain tim. Unë atëherë isha 6 vjeçe dhe vëllai 4 vjeç. Mami ishte një grua shumë e re në atë kohë, kur i ra kjo peshë e madhe, që të rriste dy fëmijë e vetme.

Nuk kaloi as një vit dhe prindërit e saj e martuan në qytet. Në fillim nuk na mori ne me vete, nuk e di përse dhe asnjëherë nuk e mësova këtë gjë. Në rrinim me gjyshin, gjyshen dhe dajën. Mami vinte nganjëherë për të na parë, së bashku me burrin që kishte marrë. Isha e vogël e nuk kuptoja asgjë nga këto që po ndodhte. Kur shikoja mamin me një tjetër burrë nuk më vinte keq, më dukej se ishte pjesëtar familjeje. Ai na përqafonte si mua ashtu dhe vëllanë dhe na sillte shumë gjëra të mira për të ngrënë.

Unë isha në klasë të parë atëherë, se mamaja më kishte futur një vit me vonesë, pwr shkak tw vdekjes sw babait. Deri në klasë të katërt, unë qëndrova në fshat. Vitin e parë mamaja vinte më shpesh, ndërsa pastaj filloi t’i rrallonte vizitat. E pyeta gjyshen se pse mami nuk vinte më aq shpesh sepse më merrte malli shumë për të dhe ajo mw tha: “Eh, po tani është vetë i dytë moj bijë e ka rrezik po të lëvizë rrugave”.

Advertisement

Kur më tha kështu, mendova se ishte vetë i dytë së bashku me atë burrin që kishte marrë, por në verë ajo erdhi dhe në krah kishte një bebe. Na puthi me mall të madh.

– Oh, sa më ka marrë malli për ju! Nuk e di moj nënë si do të bëhet ky halli im? A mund të rri më pa ta. – iu drejtua gjyshes.

– Duro dhe pak bijë! Nuk i dihet çfarë sjell e nesërmja. Ti tani nuk je fare vetëm. Ja, Zoti të dha një engjëll që ta kalosh këtë kohë e cila do të mbarojë shpejt. Ti vetëm qëndro ashtu siç ke qëndruar deri tani.

Pashë në sytë e mamit tim shumë lot, por kur hodhi shikimin mbi foshnjën që kishte sjellë me vete, fshiu lotët dhe u duk më ndryshe.

– Merre në krahë, zemër – m’u drejtua mua.

Unë e mora në krahë dhe pashë se bebja më shihte e buzëqeshte. Edhe unë i buzëqesha.

– Është djalë, tani u bëre me dy vëllezër. Duhet ta duash shumë, se ti je e madhja.

– Po mami – i thashë, pa kuptuar asgjë…

Mami ndenji shumë te ne në fshat atë verë. Unë kënaqesha me vëllanë e vogël. Ai ishte si një engjëll, tamam ashtu si kishte thënë gjyshja. Pastaj, ajo iku përsëri dhe kur u ndamë, më tha:

– Edhe pak do jemi bashkë. Do ta bësh klasën e pestë në qytet?

– Mirë- thashë unë instiktivisht, pa ditur se cffarë po thoja. E ku e dija unë se çfarë ishte qyteti?

Në fund të verës gjyshja më tha se do të shkoja tek mami në qytet.

– Po vëllai? A do të vijë dhe ai me mua?

– Ai do të vijë më vonë. Shko ti njëherë. Kujdes e sillu mirë ashtu si këtu.

Jeta në qytet ishte komplet ndryshe nga ajo e fshatit. Jetonim në një pallat dhe kisha një dhomë timen. Në fakt aty ishte dhe krevati i vëllait të vogël, por vëllain e mbante mami nga dhoma tjetër. Sa herë shihja atë krevat mendoja të ishte në të vëllai që kisha në fshat.

Shkolla ishte jo shumë larg shtëpisë si në fshat dhe mësueset ishin ndryshe. Ishte pra më mirë se fshati, por mua më mungonte shumë vëllai tjetër dhe gjyshërit. Pastaj në qytet rrija më shumë brenda se jashtë. Edhe ato herë që dilja jashtë nuk flisnim me askënd dhe mami më mbante sikur po më fshihte.

– Më ka marrë malli për vëllain. Edhe për gjyshin, gjyshen, dajën, për të gjithë. – i thashë një ditë mamit.

– Edhe mua zemër, por ja duhet të durosh dhe pak sa të vijnë pushimet e do të shkosh.

– Po pse nuk e marrim vëllain këtu mami? Edhe ai është fëmija yt!

– Po edhe atë do ta marrim, por nuk na lënë njerëzit duke pyetur pastaj se çfarë ju kam. Prandaj të mbaj dhe ty brenda që të mos merremi me thashetheme. Njerëzit janë të këqinj dhe flasin shumë.

Për çfarë do të flisnin njerëzit? Për ne që ishim fëmijët e saj?

Në darkë dëgjova mamin t’i thoshte burrit me të cilin ishte martuar.

– Nuk kemi ç’të fshehim më. Janë fëmijët e mi nuk jetoj dot pa ta. Le ta dinë të gjithë se ke marrë një grua me fëmijë. E ç’të keqe ka këtu?

– Nuk e di se ç’të them. Ja vajzën e morëm e po e mbajmë të fshehur. Si do t’ja bëjmë me djalin? Apo nuk dhe i lëvizshëm ai. A do ta mbash dot brenda?

– Po gjithë jetën kështu do të jetë? – dëgjoja zërin e mamit dhe kuptova se ajo po qante.

Tani e kuptova se pse ajo na kishte lënë atje në fshat, se ishte turp të na shihnin të tjerët. E pse ishte turp?Turp të kesh fëmijë?Asgjë nuk po kuptoja.

Ndoshta nga lotët e mamit ai u prek dhe në fundjavë shkoi dhe mori vëllanë. Isha tepër e gëzuar. Ishim një familje e vërtetë mami, burri i saj, dy vëllezërit dhe unë. Edhe pse më merrte malli shumë për gjyshërit e dajën prapë ndjehesha shumë mirë me familjen. Tani ishim të kompletuar dhe nuk do të ndaheshim më nga mami ynë.

Mirëpo dhe pas ardhjes së vëllait ne nuk dilnim shumë jashtë. Shkonim në shkollë dhe vinim në shtëpi, nuk kishim shokë në lagje dhe mërziteshim gjithë ditën brenda. Vëllai ishte në klasë të tretë dhe ndjente shumë nevojën që të dilte e të luante jashtë, se ashtu ishte mësuar në fshat. Këtë e kishte kuptuar dhe mami, prandaj ndoshta dhe për këtë mori një vendim.

– E di se ju nuk ndjeheni rehat këtu. Jeni mësuar në fshat, prandaj sapo të mbarojë shkolla shkoni e rrini tek gjyshërit.

– Po ti mami do vish?

– Po zemër do vij dhe unë. Tani vëllai është rritur dhe e kam më të lehtë.

Ashtu bëmë. Sapo mbaroi shkolla ne u nisëm për në fshat. Sa u kënaqëm kur pamë vendin ku kishim jetuar çaste të bukura. Ishim mërzitur në atë shtëpi duke qëndruar gjithë ditën brenda katër mureve.

Mami ndenji nja një muaj e pastaj iku e mori me vete vetëm vëllain e vogël.

– Po të doni ejani dhe ju me mua, por atje mërziteni shumë.

– Unë nuk dua të vij, dua të rri këtu me gjyshen në fshat. –tha vëllai i vogël. – Nuk dua të rri pa shokë e pa luajtur jashtë.

Ishte i vogël e kishte dëshirë të lunate, por dhe unë atë dëshirë kisha. Edhe pse e doja shumë familjen ashtu të gjithë bashkë, doja më shumë vendin ku isha e lirë. Me kërkesën tonë mami na la tek gjyshja. Unë e vëllai tani e kishim parë dhe si jetohet në qytet kështu që e dinim që nuk ishte për ne ajo jetë.

Jetuam dhe për 3 vjet në këtë mënyrë. Mami vinte më shpesh e na takonte dhe ne ishim shumë mirë me gjyshërit e dajën. Mirëpo kohët e fundit gjyshen e shihja që qante shpesh. Një ditë erdhi burri me të cilin ishte martuar mami dhe na mori. Nuk na coi tek shtëpia ku ne rrinim kur banonim në qytet, por mori një rrugë tjetër. Kur makina ndaloi ne zbritëm në oborrin e një spitali. Në një nga dhomat e tij ne takuam mamin. Ajo ishte shpërfytyruar krejtësisht. Bukuria e saj tanimë ishte vyshkur. Ishte dobësuar krejtësisht dhe mezi lëvizi buzët për të na thënë të afroheshim.

E kuptuam se ajo ishte shumë e sëmurë. Na përqafonte dhe nga sytë i rridhnin lotë.

– Nuk jam kënaqur asnjëherë me ju. Do më mbetet peng pse nuk ju mora me vete.

Dhe kështu mami ynë vdiq, në moshën më të bukur. Jetoi me vuajtje të mëdha. jetoi gjithmonë pa fëmijët e saj pranë vetëm për të mos e bërë me fjalë burrin e dytë.

Që nga ajo ditë gjyshja dhe gjyshi filluan të shkriheshin si qiriri. Çdo mëngjes shikoja se si ata dalëngadalë po i afroheshin vdekjes.

Pas një vitit vdiq gjyshja e 6 muaj pas saj dhe gjyshi. Burri me të cilin u martua mami në fillim kur ishin gjallë gjyshërit vinte shpesh, por pastaj nuk erdhi më. Edhe vëllain e vogël nuk e sillte më.

Tanimë ishim vetëmne të dy me dajën. Daja mori një nuse pa dasëm që dhe shtëpia mos të mbetej ashtu si e shkretë. Në fillim nusja ishte shumë e mirë, por kur bëri dy fëmijët e saj mua më ktheu në shërbëtore dhe vëllain e kishte shumë inat. Tani ai ishte rritur dhe kishte nevojë që të kishte një njeri që ta mësonte për shumë gjëra. Daja mundohej, por ai gjithmonë vinte i rraskapitur nga puna dhe nuk dinte ç’të bënte më parë në atë orë që vinte në shtëpi.

Koha kaloi dhe unë u bëra 18 vjeç., vëllai 16.

– Të kanë kërkuar të martohesh- më tha nusja e dajës. –Sa fat ke mi!Alamet djali të ka rënë për hise.

– Po kush është ky? Unë nuk njoh ndonxjë.

– E c’të duhet ty të njohësh njeri? Ja të erdhi fati në derë. Në qytet mi! Lum si ti! Apo do të rrish këtu në fshat e të hash dynjanë me lopë e dele?

Nuk fola se po prisja të vinte daja e ta sqaroja me të këtë ngatërresë. Kur erdhi daja m’u duk se do të shpëtoja.

– Ti ke të drejtë të zgjedhësh. Shihe njëherë e po nuk të pëlqeu thuaj jo. – tha ai.

Isha mësuar që gjithmonë t’i bindesha dajës, se ai vetë gjithmonë më fliste me ëmbëlsi dhe kisha shumë besim tek ai.

Kur erdhi djali që më kishte kërkuar bashkë me të atin vendosa se më mirë do të ishte të bëja ashtu si më thanë daja e nusja e tij. Ai ishte shumë simpatik dhe m’u duk djalë i mirë. Unë e vëllai ishim të tepërt në atë shtëpi tani. Nuk e mendova gjatë dhe thashë po.

E kështu me pak fjalë u fejova e u martova. Dhe në fakt nuk kisha gabuar. Pas një viti martesë mora dhe vëllain në qytet e ai mbaroi shkollën e tani është jashtë shtetitAi është një bashkëshort i mrekullueshëm me të cilin kam një vajzë të vogël. Disa herë e takoj dhe vëllain e vogël dhe ndjej se edhe atij i mungon shumë mami ashtu si mua.

Gjithmonë më shkon mendja se si shkoi mami im duke menduar për ne. Ah, sikur të na shihte nga lart se ne tani jemi rregulluar shumë mirë, mungon vetëm ajo që të jetë me ne. Por jam e sigurt se ajo është me gjyshin e gjyshin të cilët e deshën aq fort dhe i shkuan nga pas se nuk rrinin dot pa të.

 

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Arbër Togani, Master Chef Albania

Next Post

Kujdes nga bartoliniti!

Advertisement