Është ndër këngëtarët më të kërkuar në koncerte në Shqipëri dhe jashtë saj dhe ndër më produktivët në treg, me gati 100 këngë dhe më shumë se 35 klipe. Së fundmi, zinxhirit të prurjeve me temë patriotizmin, i bashkangjitet edhe “Vullkani Kuq e Zi”, një dedikim Kombëtares Shqiptare që luan këtë vit në Francë…
Alma Buci: – Ylli, “Vullkani kuq e Zi” është bashkëpunimi i parë me Vagabondin?
Ylli Baka: – Po, i pari dhe i fundit. Bëj shaka…
– Si u bëtë bashkë në këtë duet?
– E kërkoi ai. Unë nuk mund të këndoja në stilin e tij, por ai dhe Gramoz Kozeli, kishin bërë diçka për mua. E dëgjova pjesën dhe pastaj thashë: “Pse të mos bëj një këngë për kuqezinjtë që do të shkojnë në Francë?”. Në fillim isha në dilemë, por më pas e ndryshova pak tekstin dhe arritëm në përfundimin që edhe ai të këndonte për “Vullkanin Kuq e Zi”, për Kombëtaren tonë, arritja e së cilës është një eveniment i madh për të gjithë ne.
– Nëse jo në koncerte apo studio regjistrimi, ku të gjejmë më shpesh?
– Unë, 5 vjeçarin e fundit mund të kem bërë 50 këngë; gjithsej kam rreth 100 këngë dhe mbi 35 klipe. Jam flamurtar në këtë zhanër muzikor dhe ndër më produktivët në treg, kështu që nisur nga kjo, kuptohet që pjesa më e madhe e kohës, aty më kalon, por nëse nuk jam në studio, jam në kafe me shokët, ose në shtëpi. Biznese të tjera nuk kam, nuk i përballoj dot. (Buzëqesh)
– Është e vërtetë se ke mbaruar Konservatorin në Athinë?
– Jo tamam Konservatorin. Unë kam mbaruar një shkollë 4 vjeçare për Kanto në Athinë.
– Pse në Athinë?
– Sepse isha që prej 14 vjetësh këtu.
– Gruan ku e njohe?
– Gruan e njoha një ’96-ën, në Memaliaj. Ajo kalonte përpara pallatit, ndërsa unë isha instrumentist dhe aktivizohesha në gjëra të vogla. Më pëlqeu, ishte e mirë, e doja dhe e mora. Kaq ishte. (Buzëqesh)
– Është e vërtetë se je një ndër këngëtarët më të paguar në Shqipëri?
– Ndoshta nuk jam më i paguari, por më i kërkuari jam. Çdo gjë arrihet me punë.
– Meqë po flasim për paratë, sa para të gjenden tani në portofol?
– Unë jam në Athinë tani, kam ardhur për ca letra të lëna pas dore. Jam me 700 euro në xhep, besoj se do më dalin. (Qesh)
– Të pëlqen puna që bën?
– Më pëlqen kjo punë dhe e bëj me kënaqësi. Më vjen keq kur jam i zënë dhe nuk vete dot gjithandej ku më kërkojnë.
– Vetë vendos, nuk ke një menaxher?
– Po, vetë. Ç’e dua menaxherin?
– Me kë të krahasojnë njerëzit?
– Me Ylli Bakën.
– Si kalon një ditë e jotja?
– Nga kafja në kafe. Asnjëherë nuk është njësoj. Kafe, cigare, dreka…
– Alkoolin e konsumon?
– Më pëlqen një gotë verë me shoqëri, asgjë tjetër. Në punë, është e palejueshme.
– Je dehur ndonjëherë sa mos të të mbajnë këmbët apo të dalësh nga vetja?
– U deha këtë radhë, kur ishim në Toronto me disa miqtë e mi. Na zuri vera, u dehëm, por mua më zë me gjumë dhe fjeta. Kënaqësia është ajo gallata që bëjmë me gotën e verës.
– Ke dy djem binjakë dhe një vajzë… Çfarë të dhënash shikon te fëmijët?
– Djemtë studiojnë për piano. Le të shohim gjatë rrugës ç’do të duan të bëhen. Çdo gjë është me talent.
– Një gjë me të cilën akoma nuk pajtohesh ditëve të sotme?
– Me realitetin, të paktën sa i përket artit, me faktin që ekspozohen ata që s’dinë. Është mirë të kesh një konkurrencë të mirë dhe nuk është e drejtë që aty ku këndoj unë, të këndojë edhe dikush tjetër që nuk është për atë punë. Gjërat janë kështu siç janë vetëm në Shqipëri!
– Cila nga këngët e tua i përshtatet më mirë realitetit tonë?
– S’e di, unë kam bërë shumë këngë, kam kënduar më shumë për patriotizimin, kurbetin, për dashurinë shumë pak. Më ka pëlqyer që fenomeneve apo ngjarjeve t’u paraprij me këngët e mia, t’i bëj temë të tyre shumë përpara se të ndodhin, siç ishte hapja e vizave që unë e bëra këngë 6 muaj përpara se të ndodhte.
– Çfarë pret të ndodhë në Francë?
– Unë kam shumë vite që nuk jam tifoz me asnjë skuadër, vetëm me çunat e Kombëtares, edhe kur ata nuk kanë qenë mirë. Le të ndodhë ç’të ndodhë në Francë, e rëndësishme është që ata shkuan atje dhe që tani kemi një ekip që s’e kemi patur kurrë më parë. U bëftë më e mira!
– Kënga që fërshëllen kur je duke bërë dush?
– Këto kohë, këngën e fundit kam në mendje. “Shqipëri o zonjë e rrallë, e kam nder që jam shqiptar. O të vdes vëllai për ty, o vullkani kuq e zi”.
– Diçka që të bezdis…
– Asgjë nuk më bezdis, tralala jam gjithë ditën. (Buzëqesh) Kjo puna jonë na e do me të qeshur se me inate nuk ka kuptim.
– Defekti yt më i madh?
– Perfekt nuk ka njeri, as unë nuk jam perfekt. Nxitohem pak…
– Tipari më pozitiv i karakterit tënd?
– Jam shumë i dashur me të gjithë. Edhe ata që thonë se jam pak mendjemadh, kur më njohin, ndryshojnë mendim.
– Cili është gabimi që e bën gjithmonë?
– Jam pak keq me vonesat, neglizhent. “Prit edhe pak, them, se ka kohë” dhe më ka ndodhur shumë herë të humbas avionin.
– Cilin konsideron suksesin tënd më të madh?
– Kam bërë këngë të bukura që janë përcjellë mirë te njerëzit dhe suksese kam patur kudo nëpër koncerte. Nuk kam dështuar asnjëherë falë punës dhe dashamirësve të mi, por si këngën më të madhe konsideroj “Baba Tomorri”.
– Momente për t’u mbajtur mend nga puna përgjatë këtyre viteve?
– Një moment interesant, ka qenë në Sarandë, në 2011 kur shumë këngëtarë shqiptarë dhe grekë nuk e kishin mbushur dot stadiumin e Sarandës, kurse atë ditë, më 14 gusht, ishte plot. Shkova për të kënduar, por zuri të binte shi dhe koncerti u anulua. Atëherë edhe mund të kem qarë. Ose kur kam kënduar “Malin e Tomorrit” për herë të parë 2004-ën, 2005-ën dhe më mbanin njerëzit në krahë. Kudo ku kam shkelur, u kam premtuar që do t’u bëj këngë dhe e kam bërë.
– Po ndonjë këngë për Veriun ke bërë?
– Nuk kam shkelur shumë në veri, edhe pse më duan. Ka shumë këngëtarë të mirë atje, që u këndojnë shumë mirë trevave të tyre.
– Do të këndoje me çifteli nëse do të të kërkohej?
– Këndoj shumë mirë edhe nga veriu dhe ata kënaqen kur këndoj unë. Ndoshta nesër pasnesër mund të këndoj një këngë shumë të bukur. Kam patur shumë oferta nga emra të njohur, por çdo gjë ka kohën e vet. Treni ecën, nuk ndalon.
– Për çfarë pendohesh më shumë?
– Pendohem ndonjëherë kur me të vërtetë bëj një këngë të bukur, si për shembull “Magjia e dashurisë”, që mund të ishte konkurruese ose fituese dhe nuk vlerësohet sa duhet. Publiku kërkon “Kapedanin”.
– Domethënë, puna juaj është gjithnjë në funksion të kërkesave të publikut?
– Kur të njohin kështu, nuk ke pse ndryshon. Një nga më të suksesshmet e mia ka qenë “Sa e dua Shqipërinë”, pra, të gjitha këngë patriotike. Kur dal ndonjëherë me ndonjë këngë për dashurinë, sikur nuk pëlqehet…
– Frika jote më e madhe?
– Nuk kam ndonjë frikë…
– Selin Dion, në fillimet e karrierës së saj, i iku zëri tërësisht… I trembesh kësaj?
– Sigurisht dhe të mendosh që Selin Dion këndon një orë në natë, kurse ne nga 38 orë! As vetë nuk e di si ia dalim në këto kushte, Zoti na ruajt, jemi kafshë pune…
– Kë shikon si rival apo nuk ka më të mirë se ti?
– Jo, këtë nuk e them, por as nuk shikoj rivalë sepse për fat të mirë kam hyrë në treg ashtu si dija të këndoja vetë, asgjë nuk kam kopjuar, asgjë nuk e kam gjetur gati. Unë prodhoj dhe më pëlqen të punoj. Talentet vijnë shumë rrallë dhe nuk është për të patur frikë, por duhet të dish edhe të prodhosh.
– Pa cfarë nuk mund ta imagjinosh jetën?
– Pa familjen, këngën dhe verën.
– Çfarë nuk do të ishe në gjendje ta bëje?
– Unë jam dembel, nuk punoj dot.
– Nëse nuk do të ishe këngëtar…
– S’e di çfarë do të ndodhte. Kam punuar edhe këtu në Greqi, por e lashë.
– Je pro legalizimit të hashashit?
– Nuk di ta them edhe pse i kam kënduar hashashit te kënga “Cigarja”.
– Programi i preferuar televiziv?
– Dokumentarët, talk shou-t.
– Me çfarë krenohesh?
– Me familjen dhe karrierën time.
– A e shikon veten ndonjëherë në politikë?
– Do të ishte gabimi më i madh për mua!