– Ç’do të thotë të shikosh ish-të dashurin sikur të vjen në shtëpi për të të kërkuar dorën për martesë? Mami im u gëzua shumë dhe më tha: “Vrapo, bëja kafet djalit”. Unë po bëja kafen për të dhe isha shumë e gëzuar. Mos vallë do të më kthehet ish-i dashuri?
– Nga ëndrra juaj kuptoj që ju ka ngelur mendja tek ish-i dashuri, por më vjen keq t’ju them që ëndrrat me ish-të dashur nuk janë domosdoshmërisht paralajmërim për kthim apo diçka të ngjashme. Ndodh shumë rrallë që ëndrrat dalin siç i shikojmë. Në rastin konkret, duket që ju e dashuroni ende marrëzisht këtë djalë, ndaj shikimi i një ëndrre të tillë është i pashmangshëm. Një ëndërr e tillë ju tërheq edhe vërejtje në njëfarë mënyre; që nuk duhet të bëni gabimet që keni bërë në të kaluarën. Domethënë, nëse keni njohur një person tjetër tani, mos e krahasoni me të kaluarën, mos bëni të njëjtat veprime, sepse mund ta humbisni. Nëse nuk po njihni ndonjë person, atëherë ëndrra tregon gjithashtu se nuk jeni e gatshme të shkëputeni nga e kaluara për të filluar diçka të re. Ama duhet ta bëni, nëse dëshironi të ecni përpara në jetë.