– I nderuar Dr. Demiri, unë që po ju shkruaj quhem Gena dhe jam katolike. Kam komshinj tre çifte të fesë islame dhe habitem se sa mirë e në harmoni që ata jetojnë. As xhelozi nuk kanë e as grindjet apo divorcet nuk para ndodhin te familjet islame. Kisha përshtypjen se gratë muslimane janë të nënshtruara, por të paktën te çiftet që njoh, nuk po e shoh këtë. Meqenëse kam parë që ju si psikolog, herë pas here i bazoni këshillat tuaja edhe te librat e shenjtë, doja një përgjigje për këtë pyetje: Çfarë parashikon feja, sidomos ajo islame për martesat? Me shumë respekt për ju, Gena.
Dr. Jashar Demiri, psikolog kliniçist: – E nderuar Gena, këtë gjë që ju e thoni në letër, unë e kam konstatuar qëkur. Çiftet e fesë katolike bëjnë betimin para altarit dhe kjo ka shumë rëndësi. Po ashtu, çiftet e fesë islame e lidhin martesën me premtimet para Zotit, për besnikëri e përkushtim dhe nuk kanë ndonjë nevojë të kontrollojnë e xhelozojnë njëri-tjetrin pasi ata kanë frikë Zotin; atë që i sheh kudo që janë e çfarëdo që bëjnë. Obligimet e çiftit për njëri-tjetrin, për fëmijët dhe prindërit janë të pasqyruara saktë në librat e shenjtë, kryesisht te Bibla e Kurani. Megjithatë, për t’iu përgjigjur më saktë letrës suaj, kontaktova te xhamia në rrugën e Kavajës, Imamin e nderuar, Ahmet Kalaja, i cili më shpjegoi me durim ca detaje që unë nuk i dija. Imam Ahmeti më tha se janë 3 rregulla ose tri porosi hyjnore madhore të cilat rregullojnë martesat islame, si tri “kolona” të forta.
– Porosia e parë është për dhëndrrin, të cilit i thuhet: Sillu mirë me bashkëshorten, sepse sipas porosive islame, “më i miri prej jush është ai që sillet mirë me bashkëshorten”, ndaj edhe përmendet në ajetin kuranor porosia “Kaloni jetë të mirë më gratë tuaja”. Siç shihet, përgjegjësia më e madhe bie mbi burrat, por edhe populli, edhe ne psikologët themi që burri i mirë, e bën dhe gruan të mirë dhe anasjelltas. Është normale të themi se burri është pajisur nga Krijuesi me disa aftësi të veçanta që gruaja nuk i ka, si forca fizike, durimi e qëndrueshmëria prej luftëtari. Me këto karakteristika, ai duhet të bëjë që gruaja të ndjehet tërësisht e mbrojtur dhe e dashuruar prej tij. Ndryshimet e bukura ndërmjet burrit e gruas, Krijuesi i ka bërë me qëllim që burri e gruaja të përshtaten sa më mirë me njëri-tjetrin dhe rolin prej luftëtari e “gjahtari” nuk ia ka dhënë burrit për të rrezikuar apo për të “gjuajtur” gratë e të tjerëve, por për të mbrojtur deri në vetëmohim familjen e vet dhe për të sjellë ushqim për fëmijët e familjen. Ndaj një burrë frikacak, të pasuksesshëm ose dembel, asnjë grua nuk e do, ashtu siç veprojnë bletët që meshkujt parazitë i nxjerrin nga kosherja e i dëbojnë. Pra, shkurt, burri duhet që si ai “timonieri” i zoti, t’i krijojë siguri e qetësi gruas në udhëtimin e gjatë e të bukur të martesës.
– Porosia e dytë kuranore është për gratë që t’i binden burrit. Për gratë që u binden burrave, Zoti thotë: “Ruaj nderin, bindju burrit dhe futu në cilën derë të Xhehnetit të duash… E shikoni pra? Me këto porosi, Krijuesi duket sikur thotë: “Ju, o njerëz, e keni vetë në dorë lumturinë tuaj”. Ja pra se çfarë vlerësimi i madh për gratë e ndershme e që u binden burrave! Për to thuhet se Parajsa është e hapur në të gjitha kanatet. Vetë fakti që Zoti u drejtohet më së pari burrave është vlerësim dhe përgjegjësi e madhe për ta, pasi ata janë “kapitenët” dhe ashtu siç nuk ka anije me dy kapitenë, nuk ka as familje me dy “të parë”. Në qoftë se familja nuk ecën mirë, përgjegjësia kryesore i bie burrit, porse edhe për gruan roli është i madh. Sipas fesë islame, në qoftë se një grua sido e sado që përpiqet, nuk mundet që t’i realizojë obligimet, burrit i tolerohet që të marrë një grua të dytë, por jo të shkojë me prostituta apo të prishë familjet e të tjerëve. Në këto raste, gruaja e parë, e cila kurrsesi nuk mund të “ribëhet”, duhet ta pranojë vullnetin e Zotit, por edhe kjo rregullohet me ligje të atilla që asnjëri të mos ndihet i cënuar, i humbur apo i braktisur, sidomos fëmijët. Kësaj çështjeje nuk do t’i futemi, por edhe ne psikologët themi: “mos e ribëj tjetrin” dhe në popull thuhet se shpesh një e tretë, “qari” i gruas. Ndoshta kjo duhet të gjejë pasqyrim edhe në kodin e familjes. Kam dëgjuar se edhe gratë kërkojnë që t’u lejohet martesa me më shumë se një burrë, por kjo do të ishte si të hidhje në një enë disa kupa me qumësht e asnjë nuk do të mund të gjente më se cili është qumështi i vet, pra, fëmija nuk do të dihej se i kujt babai është, ndaj edhe nuk është lejuar sipas fesë.
– Porosia e tretë hyjnore është se nuk ka përse të mërzitet besimtari apo besimtarja nëse sheh diçka te tjetri që nuk i pëlqen, pasi është e pamundur që të gjesh te një njeri çdo gjë të dëshiruar. Edhe ne psikologët themi që duhen parë më shumë anët pozitive të cilat kur janë shumë, i “mbytin” ato negativet. Por, mos u lodhni që të gjeni një njeri pa të meta(!). Të metat janë 3 llojesh: të meta që mund të eleminohen, të meta që mund të dobësohen dhe të meta që nuk mund të hiqen. Për të metat që nuk mund të hiqen, ku futet edhe të mosqenit i bukur apo e bukur, përdoret parimi i pranimit të caktimit të Zotit. Ndaj është e famshme një lutje fetare kristiane me këto fjalë: “O Zot, më jep dituri e fuqi që të ndryshoj ato gjëra që ndryshojnë, të duroj ato gjëra që s’ndryshojnë dhe të di të dalloj gjërat që ndryshojnë nga ato që s’ndryshojnë”.
Këtë përgjigje po e mbyll me një shëmbëlltyrë të bukur dibrane ku një burrë vendosi që ta ndante gruan vetëm sepse nuk ishte aq sa duhet punëtore, edhe pse cilësitë e tjera të bukura i kishte me bollëk, sidomos zgjuarsinë e bukurinë. Kur gruaja e kuptoi që ai do ta çonte te dera e babait për të mos e marrë më në shtëpinë e tij, ajo iu drejtua: “O burri im i dashur, a të të bëj një pyetje?”. “Po, i tha ai, sa të duash”. “Pse ti nuk je aq trim dhe i zgjuar sa Sali Demiri?”. “Eh, moj grua, iu përgjigj ai. Kush nuk do që të jetë si Sali Demiri, por aq ma ka shkruar Zoti”. “Bukur, iu përgjigj ajo, edhe mua për punë kaq ma ka shkruar Zoti, edhe pse të tjerat m’i ka dhënë me bollëk”. Ai qeshi dhe i tha: “Na bëj një kafe ta pimë bashkë se nuk do të të ndaj kurrë, por sidoqoftë, përpiqu pak më shumë”.
Besoj se u kuptuam, Gena e dashur.