Kohët e fundit, në një revistë shkencore, u publikua “një listë e rreziqeve globale, si pasojë e të cilave, mund të shuhet jeta në tokë”. Dy autorët e studimit, Denis Pamlin i Fondacionit të Sfidave Globale dhe Stjuart Armstrong i Institutit të së Ardhmes së Njerëzimit, thonë se ata flasin për rreziqe që mund të shkaktojnë shuarjen e njerëzimit, ose që shpien në një situatë kur “qytetërimi i botës dëmtohet aq sa nuk mund ta marrë më veten”. Lajmi i mirë është se autorët nuk janë të bindur që ne jemi të destinuar të zhdukemi, bile ata mendojnë se njerëzimi do të jetojë edhe shumë kohë akoma, mbase miliona vjet. “Dinozaurët mbijetuan 135 milionë vjet dhe, nëse tregohemi inteligjentë, ka gjasa që mund të jetojmë shumë më gjatë”, shkruan ata. Në botë kanë jetuar afro 108 miliardë njerëz që prej fillimit të njerëzimit dhe autorët vlerësojnë që, nëse njerëzimi zgjat edhe për 50 milionë vjet, numri total i njerëzve që kanë jetuar në Tokë do të arrijë në 3 katriliardë. Ky është një vlerësim optimist i së ardhmes të njerëzimit, por ia vlen të marrësh masa mbrojtëse edhe kundër evenimenteve me probabilitet të vogël që mund të shkaktojnë apokalipsin. Ja, cilat janë 12 mënyrat si mund të ndodhë ai:
- Ndryshime katastrofike të klimës
Skenari që parashikojnë autorët këtu nuk është një ngrohje me 2 gradë celcius, i llojit që meteorologët dhe shkencëtarët janë duke luftuar ta evitojnë prej dekadash. Këtu bëhet fjalë për një ngrohje 4-6 gradë, një skenar me të vërtetë i tmerrshëm, të cilit nuk dihet nëse njerëzit do të mund t’i mbijetonin. Sipas një raporti të Bankës Botërore (2013), “nuk ka siguri nëse është e mundur përshtatja ndaj rritjes së temperaturave me 4 gradë celsius”. Një ngrohje e tillë do të thoshte një përmbytje e brigjeve të detit. Për pasojë, një numër shumë i madh njerëzish do të ishte i detyruar të zhvendosej. Edhe bujqësia do të pësonte shumë dëme. Pamlin dhe Armstrong shprehin gjithashtu shqetësimet e tyre për gjeo-inxhinierinë. Në një skenar të tillë ngrohjeje globale, spërkatja e stratosferës me gazra sulfate për të ftohur Tokën, mund të duket joshëse për qeveritë, bile edhe për njerëzit, por rreziqet e një sipërmarrjeje të tillë janë të panjohura dhe dy autorët dalin në përfundimin se “frika më e madhe është se gjeo-inxhinieria mund të bëjë efektin e kundërt dhe t’i përkeqësojë gjërat”.
- Lufta bërthamore
Lajmi “i mirë” këtu është se lufta bërthamore mund t’i jepte fund njerëzimit vetëm në disa rrethana shumë të veçanta. Dëme të kufizuara, si bombardimi amerikan i Hiroshimës dhe Nagasakit në Luftën e Dytë Botërore mund të jenë katastrofa për njerëzimin, por nuk do të shkaktonin zhdukjen e tij. Edhe bombardime më të mëdha nuk do ta kishin këtë efekt, thonë Pamlin dhe Armstrong. “Edhe sikur e gjithë popullsia e Evropës, Rusisë dhe SHBA-së të zhdukeshin në një luftë botërore, një skenar që studimet kanë treguar se është i pamundur duke pasur parasysh shpërndarjen e njerëzve dhe numrin e bombave që ekzistojnë, kjo nuk do kishte nivelin e impaktit që përmendëm më lart, ku 2 miliardë njerëz do të zhdukeshin”, shkruajnë ata. Atëherë, pse ka hyrë në listë lufta bërthamore? Për shkak të mundësisë së dimrit bërthamor, i cili shkaktohet nëse shumë bomba shpërthejnë njëkohësisht. Në këtë rast, temperaturat do të binin në mënyrë drastike, duke dëmtuar prodhimin e ushqimeve dhe duke e bërë të pamundur jetën në Tokë. Është e paqartë nëse kjo do të ishte e mundur dhe se sa e madhe duhet të ishte lufta për të shkaktuar diçka të tillë, por është një mundësi. Kjo do të thotë se një luftë e madhe bërthamore është një shkak i mundshëm i zhdukjes së njerëzimit.
- Epidemitë botërore
Shkencëtarët thonë se dy nga epidemitë më vdekjeprurëse të historisë janë shkaktuar nga dy shtama të së njëjtës baktere, të murtajës dhe paralajmërojnë se versione të saj të reja mund të shkaktojnë epidemi në të ardhmen. Ashtu si në rastin e luftës bërthamore, nuk është kaq e lehtë zhdukja. Edhe gjatë epidemive të kaluara, si në atë të Vdekjes së Zezë apo gripit spanjoll të vitit 1918, janë vrarë me miliona njerëz, por njerëzimi nuk është zhdukur. Është e mundur kjo? Mjekësia është përmirësuar ndjeshëm që prej gripit spanjoll, por nga ana tjetër, është shtuar lëvizja e njerëzve në distanca të gjata dhe më shumë njerëz janë duke jetuar në zonat urbane me një dendësi të lartë popullsie. Kjo e bën më të mundur transmetimin e mikrobeve. Edhe një epidemi mbarëbotërore që do të vriste pjesën më të madhe të njerëzimit përsëri do të linte gjallë disa njerëz që kanë imunitet ndaj sëmundjes. Rreziku nuk është se një infektim i vetëm do të vriste gjithë njerëzit, frika qëndron në faktin se zhdukja e shumicës së tyre do të ndikonte te prodhimi, sidomos te bujqësia dhe kështu, të mbijetuarit nuk do të kishin me çfarë të jetonin.
- Katastrofë ekologjike
“Kolapsi ekologjik i referohet situatës kur ekosistemi të pësojë një reduktim drastik, mundësisht të përhershëm, të aftësisë për të mbajtur gjithë organizmat e gjallë, shpesh duke rezultuar me një zhdukje në masë”, thotë raporti. Zhdukja në masë mund të ndodhë për një numër arsyesh, shumë prej të cilave kanë kategoritë e tyre në këtë listë: Ngrohja globale, një përplasje me një asteroid, etj. Gazetarja Elizabet Kolbert ka thënë se njerëzit po shkaktojnë një eveniment të zhdukjes në masë, për shkak të emetimit të karbonit. Meqë për ushqimin apo burimet e tjera njerëzit janë shumë të varur nga ekosistemet (natyrale apo artificiale), na kërcënon edhe zhdukja për shkak të shkatërrimit të këtyre ekosistemeve.
- Kolaps i sistemit global
Ky është një shkak paksa i vagullt, por në thelb nënkupton një kolaps të sistemeve ekonomike dhe politike të botës, nga diçka e tillë si “një krizë e fortë, e zgjatur, me një nivel të lartë falimentimesh dhe papunësi të madhe, një shkatërrim të tregtisë normale, të shkaktuar nga superinflacioni, ose edhe një rritje e madhe e vdekshmërisë për shkaqe ekonomike dhe mbase, edhe një pakësim i popullsisë”. Është e paqartë se si këto gjëra do të përbënin një rrezik ekzistencial. Njerëzimi u ka mbijetuar edhe më parë krizave ekonomike, edhe më masive se ato të Depresionit të Madh. Një kolaps ekonomik duhet të jetë aq masiv sa të rrezikojë zhdukjen e njerëzve, ose të vrasë aq shumë njerëz sa të mbijetuarit të mos e merrnin dot më veten.
Droni i parë që mban njerëz
Ehang 184 është një automjet i veçantë. Në pamje të parë duket thjesht si një dron gjigand dhe në thelb është i tillë, por ai është i pajisur me një kabinë aq të madhe sa mund të mbajë brenda një njeri. Gjithashtu, droni ka dyer që ngrihen lart, për t’i dhënë një pamje më “cool”. Ai është prezantuar të mërkurën në Consumer Electronic Shovv. 184-a është automjeti i parë autonom që fluturon, i dizenjuar të fluturojë me një pasagjer brenda në lartësi të ulët dhe në distanca të shkurtëra (konsiderojeni më shumë si një helikopter, sesa si aeroplan). Ashtu si dronet më të vogla, 184-a përdor 8 helika të mëdha të montuara në të katër krahët e tij për të fluturuar dhe qëndruar në ajër, megjithëse një zëdhënës i Ehang-ut tha se ai teknikisht ishte i aftë të ulej në tokë edhe duke përdorur vetëm një krah, nëse nevojitet. Nuk jemi të sigurt se si ligjet e fizikës dhe ekuilibri e lejojnë diçka të tillë, por këtë tezë mbron shoqëria që e ka prodhuar.
Të gjitha aspektet e fluturimit menaxhohen me anë të një tablete në kabinën e tij, duke e lejuar pasagjerin të zgjedhë destinacionin, ndërkohë që 184-a bën procesin e fluturimit, udhëtimit dhe uljes në tokë.
Për momentin, pesha limit që ai mund të mbajë është 100 kg dhe në kabinë ka një arkë të vogël ku mund të vësh një çantë shpine ose një çantë udhëtimi. Gjithashtu, në kabinë ka ajër të kondicionuar. Droni është afro 1.5 m i lartë, peshon 200 kg dhe ka një bateri me të cilën mund të udhëtosh 23 minuta, me një shpejtësi 100 km/orë. 184-a ngrihet në fluturim dhe ulet në tokë vertikalisht, njësoj si një helikopter. Karikimi i baterisë zgjat dy orë (procesi i shpejtë) dhe katër orë (procesi i ngadaltë). Thuhet se janë bërë 100 fluturime provë me modelin në fjalë dhe se ai është më afër produktit final sesa koncepti i tij. Katër krahët me helika mund të palosen lart që të ruhen dhe kur palosen, ai zë afërsisht vendin që zë edhe një makinë normale në parking.