– Përshëndetje, arkitekt Seldi. E di që nuk është koha e duhur për të lyer shtëpinë, por aq shumë më është mërzitur e bardha e dhomës së gjumit sa nuk po e duroj dot dhe dua ta ndryshoj sa më shpejt. Do të doja ndonjë këshillë nga ju; cila është ngjyra më e përshtatshme për një dhomë gjumi? Faleminderit.
Seldi… – Kur iu kërkua të përshkruanin ambientin ideal për dhomën e tyre të gjumit, të anketuarit në një sondazh të fundit cituan: qetësues, komod, intim e romantik. Një nga mënyrat më të lehta për të arritur këto cilësi të dëshiruara është ngjyra e duhur. Në këtë përgjigje, unë do të përqendrohem tek ato ngjyra që sjellin ndjesi qetësie dhe që janë tërheqëse gjithashtu. Për një atmosferë relaksuese në dhomën tuaj të gjumit, duhet të përqendrohemi te ngjyrat e ftohta: nuancë gri, blu, e gjelbër dhe vjollcë, ngjyra që reduktojnë stresin dhe ankthin. Ato, gjithashtu, mund ta bëjnë një hapësirë të duket më e gjerë. Le t’i marrim me radhë:
Gri në blu e errët: Kjo është një nga ngjyrat e mia të preferuara për muret e dhomës së gjumit, pasi krijon një ambient të qetë dhe intim. Nëse mendoni se një ngjyrë e tillë është e rëndë për dhomën tuaj, mund ta thyeni atë me një vepër të madhe arti ose ballë krevati dekorativ. Për ta ndihmuar me dritë këtë dhomë që ka mure të errëta, injektojmë shumë elemente të bardha, si dhe mund të shtojmë një tavan klasik me ndriçim të bardhë.
Gri e butë, e ëmbël: Dhoma me mure të pastra të bardha nganjëherë krijon një ndjesi të ftohtë dhe të zymtë, ndaj duke shtuar pak nuancë gri, hapësira mbetet e ndritshme, por kontrasti i lehtë ndërmjet grisë dhe të bardhës, e bën më të ngrohtë. Ngjyra gri e butë është sfondi perfekt për elementet gri të errëta.
Blu e akullt: Nëse jeni në kërkim të ngjyrave të lehta dhe relaksuese, unë gjithmonë rekomandoj për frymëzim natyrën. E tillë është ngjyra e qiellit në një ditë të freskët e të kthjellët. Kjo është një nga nuancat e mia të preferuara, për ata që duan diçka më shumë se ngjyra gri, por jo ngjyrë shumë të errët.
E gjelbër e butë, neutrale: Kjo është gjithashtu ngjyrë e marrë nga natyra dhe do t’i japë shtëpisë tuaj qetësi. Ajo që më pëlqen te jeshilja është se ka një shumëllojshmëri nuancash, megjithatë gjithmonë mbetet një ngjyrë elegante; mjafton të gjeni të gjelbrën e duhur për ambientin tuaj.
Lejla e lehtë: Kjo nuk është ngjyrë për një dhomë adoleshentësh, por një alternativë e sofistikuar për një dhomë gjumi zotërinjsh. Lejlaja redukton stresin dhe krijon një atmosferë qetësuese. Megjithatë, mbetet pa dyshim një ngjyrë e ftohtë, ndaj mund ta thyeni me një dysheme druri ose me një qilim të ngrohtë.